Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Moratorium për pyjet, të mbillen Parqet Kombëtare

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Kikia
Moratorium për pyjet, të mbillen Parqet Kombëtare

Dyshimet që ka hedhur policia në Korçë, për djegien e pyjeve për arsye biznesi, nga një kompani që shet pemët gjysmë të djegura apo të thara nga zjarri në Greqi për të prodhuar qymyr druri, janë një alarm i madh e i frikshëm. Kjo tregon se babëzia e sipërmarrësve nuk njeh tashmë asnjë lloj limiti, dhe asnjë lloj morali si në raport me njeriun, me shtetin ashtu dhe me natyrën. Shtoi kësaj edhe zjarrveniet për të liruar sipërfaqe pyjore për kullota, e bëjnë situatën shumë të rëndë.

Zjarret çdo vit lënë së paku qindra hektarë të shkrumbuar, duke e mpakur në mënyrë sistematike sipërfaqen pyjore në vend. Sot, janë ende në këmbë dëshmitë e maleve të djegura vite më pare, ku natyra nuk ka mundur të rigjenerohet. Në sipërfaqet e djegura ka mundur të dalë vetëm bari dhe asnjë pemë nuk ka mbirë. Kjo tregon se sa e vështirë është ripërtëritja e natyrës. Masivet e Lurës, Qafës së Malit, pyjeve të Pukës, Llogarasë e male të tjera që deri 15 apo 20 vjet më parë kanë qenë të mbuluar nga pyjet, sot janë një dëshmi e fortë e shkatërrimit që prodhojnë zjarret. Bashkuar kjo me babëzine e prerjeve nga kontrabandistët e lëndës drusore, e bëjnë panoramën edhe më të rëndë.

Një nga pasuritë më të rëndësishme të natyrës është duke u shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme. Ndërsa ekonomia kombëtare po humbet egërsisht një resurs të fortë, bashkë me mjedisin që do të vuajë pasoja të rëndë për dekada me radhë.

Në këto kushte, duhet që të adaptohen masa drastike, së pari në aspektin ligjor, ku njerëzit përgjegjës për shkatërrimin e pyjeve të mos dënohen me 20 mijë lekë gjobë apo 2-3 muaj burg, por Kodi Penal të përshtatet për t’iu përgjigjur situatës së rëndë që është prodhuar. Paralelisht me adaptimin e masave më të rënda penale, është e nevojshme ndërmarja e një moratoriumi për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve, duke ditur se pjesa më e madhe e atyre që priten nuk shkojnë për të furnizuar industrinë vendase të përpunimit të drurit, por eksportohet. Qeveria duhet të ndalojë drastikisht eksportin e lëndës drusore, për çfarëdo qëllimi qoftë. Gjithashtu, qeveria duhet të parashikojë një strategji ripyllëzimi, veçanërisht në rajonet ku pyjet i shërbejnë edhe turizmit siç është Parku Kombëtar i Lurës, apo të tjera parqe. Natyra do të ketë nëvojë për dekada të ripërtërihet pas shkatërrimit që i është bërë, ndaj duhet që vetë njeriu, të zhbëjë tashmë atë që bëri.

Nëse ne do të vazhdojmë të neglizojmë shkatërrimin e natyrës, do të vazhdojmë të presim e të djegim në mënyrë barbare për të fituar, atëherë nuk do të jetë vonë kur të mbetemi në një vend me male e kodra të zhveshuar dhe ku erozioni të nisë hakmarrjen që do ta paguajnë breza të tërë. Të jemi të sigurtë, se nëse ne nuk e ndalojmë këtë valë shkatërrimi, periudha që po jetojmë tani do të hyrjë në histori si periudha e barbarize njerëzore ndaj natyrës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama