Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rritja ekonomike, punësimi dhe taksat

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Arben Malaj
Rritja ekonomike, punësimi dhe taksat

Takimi vjetor 2012 i FMN-së dhe Bankës Botërore u përqendrua te ngushtimi i diferencave të të ardhurave dhe te strategjitë e hapjes së vendeve të reja të punës. E para nënkupton reduktimin e pabarazive dhe  shpërndarjen më mirë të përfitimeve të rritjes ekonomike midis të pasurve, klasës së mesme dhe shtresave me të ardhura të pakta.

Ndaj debati për sfidat e çdo vendi është i përqendruar sot jo thjesht te përqindja e rritjes ekonomike, por te hapja e vendeve të reja të punës. Kjo strategji do të ulë varfërinë dhe do të lehtësojë detyrën e vështirë të parandalimit të krizës së borxheve.

Politikat fiskale kanë një impakt të ndjeshëm në këtë sfidë, por ky ndikim nuk duhet të absolutizohet. Sigurisht që rritja ose ulja e tyre ndikon pozitivisht ose negativisht në rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike. Efekti i ndikimit është në varësi edhe të ambientit ekonomik dhe politik.

Pikërisht për t’u paraprirë cikleve të rënies dhe krizës ekonomike, rekomandohet që në situatat pozitive ekonomike buxheti duhet të jetë pa deficit, borxhi duhet të ulet, që të ketë më shumë hapësira për të ndërhyrë në ekonomi në kohë krize. Kjo për të ndihmuar ekonominë të ndalë përkeqësimin e saj dhe t’u rikthehet rritjeve ekonomike. Përballë kësaj gjendjeje është sot ekonomia jonë, qeveria nuk e reduktoi deficitin dhe borxhin kur vendi kishte rritje të lartë ekonomike, çka do të thotë se ne kemi pak hapësira (space room) për të rritur shpenzimet buxhetore në kushtet kur rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm.

Detyrimi për të krijuar hapësira manovruese kur ekonomia ka rritje ekonomike pozitive, është elementi i rritjes së disiplinës buxhetore, i qartësuar dhe i vendosur edhe në rregullat e reja të traktatit të BE-së, të nënshkruar deri tani nga 25 vende.

Kur diskutojmë për politikat e taksave nuk diskutojmë thjesht për nivelin e tyre, por duhet të diskutojmë nga një këndvështrim sa më i gjerë, për impaktin integral të tyre mbi rritjen ekonomike, mbi shpërndarjen e përfitimeve të rritjes ekonomike dhe mbi shpërndarjen e rishpërndarjen e barrës fiskale. Çdo analizë sipërfaqësore vetëm e fsheh thelbin e diskutimit dhe prodhon populizëm, që rezulton të jetë sëmundja më epidemike në zhvillimet politike të kohëve të fundit në shumë vende të Europës.

FMN-ja, BB-ja, G-20-a dhe BE-ja kanë qartësuar se çelësi i daljes nga kriza është kthimi te rritja ekonomike. Se sa politikat fiskale e ndihmojnë rritjen ekonomike, cila prej tyre ka efekte pozitive apo negative, ky është një debat jo i lehtë dhe kryesisht jopolitik, ai duhet t’u besohet ekspertëve tanë.

Kur diskutohet në Shqipëri për taksat dhe barrën fiskale, jo rastësisht nuk mbahet parasysh niveli mesatar i taksave, “niveli i arsyeshëm” i tyre, niveli që garanton financimin e përparësive pa rritjen e borxhit publik dhe kostos së tij. Disa kolegë të maxhorancës mundohen të anashkalojnë faktin që taksa e sheshtë e aplikuar në disa vende europiane, ka pasur një nivel shumë më të lartë se 10%. Estonia e filloi aplikimin e taksës së sheshtë me 26%, ndërsa Sllovakia, që u bë magneti i investimeve të huaja në fillim të viteve ‘90, aplikoi një taksë të sheshtë 19%. Është e vërtetë që Irlanda e rrëzoi herën e parë Traktatin e Lisbonës sepse i trembej humbjes së pavarësisë së saj për politikat fiskale, ku aplikonte një tatim fitimi 10% për bizneset në manifakturë. Kjo taksë vlerësohet shumë më e ulët se mesatarja e vendeve të BE-së, por edhe kjo politikë nuk e shpëtoi Irlandën nga kriza dhe njëkohësisht rriti zhgënjimin e europianëve që një ndër vendet më përfituese nga fondet strukturore të BE-së, bënte konkurrencë abuzive për investimet e huaja, duke aplikuar taksa të ulëta.

Realiteti shqiptar tregon se ulja e pastudiuar e taksave nuk është shoqëruar me rritjen e rritjes ekonomike. Çdo qeveri e ka të qartë që ulja e rritjes ekonomike rrit riskun që rënia e të ardhurave nga ulja e taksave të çojë në rritje të abuzivitetit në mbledhjen e taksave dhe në rritje të deficitit dhe borxhit publik.

Edhe kurba Lafer ka një pikë në të cilën ulja e mëtejshme e taksave nuk sjell rritje të të ardhurave, ndaj ne duhet të gjejmë në realitetin shqiptar nivelin optimal (jo më të ulëtin, as më të lartin), që na plotëson dy kushte të rëndësishme: mbështet rritjen ekonomike (sepse nxit investimet private) dhe përmirëson qëndrueshmërinë e financave publike.

Duhet të thellohet debati se cila strukturë dhe cili nivel i taksave ndihmon më shumë rritjen cilësore të ekonomisë së vendit. Cila politikë fiskale i shpërndan më mirë përfitimet e rritjes ekonomike, ulja e menjëhershme dhe e pastudiuar e taksave, apo ulja e borxhit publik; ulja e kostos së borxhit dhe rritja e investimeve private e publike në sektorët parësorë të ekonomisë?

Taksat nuk kanë efekte magjike, e para sepse po të ishte kështu, do të ishte aplikuar menjëherë dhe nga të gjitha vendet një nivel sa më i ulët i taksave dhe do të ishte eliminuar rënia ekonomike dhe rritja e  borxheve. Po kështu, nëse shohim realitetin në vende të ndryshme të BE-së, nuk do të gjejmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis nivelit të taksave dhe rritjes ekonomike dhe krizës së borxheve.

Në fakt, tradita e çdo vendi, mirëqeverisja e tij, cilësia e shërbimeve publike, besueshmëria te institucionet publike, kanë më shumë impakt në rritjen ekonomike, uljen e papunësisë dhe të pabarazisë, sesa reformat spontane të fokusuara vetëm tek ulja e taksave.

Po të krahasojmë treguesit e lirisë ekonomike të Shqipërisë me atë të vendeve më të zhvilluara të BE-së (nuk kam parasysh vetëm vendet skandinave), do të vëmë re që liria e tyre fiskale është shume më e vogël se e Shqipërisë, por treguesit e lirisë nga korrupsioni, treguesit e mirëqeverisjes dhe të shtetit ligjor, janë disa herë më të larta se vendi ynë.

Kriza aktuale tregoi se aty ku vendet kanë politika ekonomike e fiskale që rrisin solidaritetin dhe kohezionin social, ekonomia ka një rritje më cilësore dhe përballon më mirë goditjet nga krizat. Fokusimi tek “përgjysmimi i taksave”, nëse nuk shoqërohet me përmirësimin cilësor të administrimit fiskal, reduktimin e abuzimeve administrative, reduktimin e korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor, nuk prodhon efekte pozitive.

Si mund të shpjegohet që, ndërsa deklarohet se kemi taksat më të ulëta, klasifikohemi nga vendet më problematike në pagimin e tyre (vendi 153 në 183 vende të studiuara)?

Rënia e të ardhurave për shkak të përgjysmimit teorik të nivelit të taksës, po “kompensohet” me mbledhjen abuzive të të ardhurave, çka do të thotë që ngarkesa fiskale është më e madhe se sa deklarohet dhe për më tepër, është rritur abuziviteti.

Një moment tjetër që nuk duhet anashkaluar është vlerësimi kritik që i bëhet ekonomisë shqiptare nga kompanitë e ratingut, si “Moddy’s” apo “Standard & Poor’s”. Çdo investitor strategjik, për të bërë një analizë të risqeve në ekonominë shqiptare, do të duhet t’u referohet vlerësimeve të FMN-së, BB-së dhe kompanive të ratingut. Kjo sepse në raport me vlerësimin e tyre përcaktohen edhe kostot me të cilat kompanitë do të sigurojnë fondet nga tregjet ndërkombëtare. Sa më i dobët vlerësimi për vendin tonë, aq më e madhe kostoja e financimit të investimeve të tyre, çka ose do t’i spostojë investimet e tyre në vende të tjera, ose do t’i spostojë investimet në kohë për një periudhë tjetër.

Në përmbledhje të këtyre argumenteve dhe fakteve krahasuese, duket se premtimet për ulje të taksave janë më shumë një populizëm elektoral, sesa një mundësi reale në ekonominë e vendit tonë. Deklaratat për ulje të mëtejshme janë thjesht prova të fillimit të parakohshëm të debateve/grindjeve elektorale.

Komuniteti i biznesit, i cili paguan një pjesë të kostove abuzive në pagimin e detyrimeve dhe vështirësinë e financimeve buxhetore për punët e kryera dhe shërbimet e shitura qeverisë, e ka të qartë se  ulje faktike taksash nuk do të ketë.

Çdo tentativë populiste për ulje të pastudiuara të taksave do të sjellë përkeqësim të stabilitetit të financave publike të vendit, do të jenë një hap i gabuar në drejtim të gabuar, që do të rrezikojë rritjen e borxheve, rritjen e kostove të tyre dhe rritjen e risqeve për krizë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama