Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pyetja e zotit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Pyetja e zotit

Dje, diku në periferitë e ndyra të Tiranës, vdiq një foshnjë 5-muajshe. I kish bërë reaksion vaksina dhe, për tri ditë torture të paprera, askush nuk kish qenë në gjendje të kuptonte arsyen.

Prindërit e saj banojnë në një pallat të pambaruar në një vrimë periferie dhe midis të tjerë pallatesh, edhe ata ca në ndërtim e ca në themele, ku për të shkuar duhen kaluar male me plehra, baltë e mbeturina. Vetë pallati, kur them që është i pambaruar, dua të them se është ende duke ngritur kate, shkallët ishin ende të pashtruara, por vetëm beton, i pasuvatuar, pa dyer e dritare dhe i mbushur me materiale ndërtimi, dërrasa, tulla, thasë çimentoje e kabllo elektrike. Midis këtij kaosi, si hoje të veçanta, vetëm dy a tri apartamente ishin mbyllur disi, pasi në to banonin njerëz, të cilët, duke mos pasur mundësi tjetër pritjeje, ishin futur brenda edhe në ato kushte.

A mos duan çuar para gjyqit ata kryetarë bashkish e komunash që japin të atilla leje ndërtimi të çmendura e jashtë çdo norme ligjore? Po ata pronarë firmash ndërtimi që lejojnë të futen njerëz brenda, ndërsa vinçat ende ngrenë tulla e çimento për katet më sipër. Po ata inxhinierë zbatimi që kalojnë para këtyre dyerve ku jetohet dhe e lejojnë këtë, po ata punëtorë që bëjnë llaç e hedhin beton ndërsa e vetmja derë apartamenti e pallatit ishte hapur për mort. Një çmenduri e paemër që u ndërpre një ditë, sa për të dalë morti dhe për të vazhduar të nesërmen (pra sot) si pa gjë të keq.

Po inspektorët e ndërtimit, policët e bashkisë a komunës, që shohin ç’bëhet e nuk duan të shohin ç’bëhet, a nuk duhet të shkojnë prapa bankës së gjyqit. Po punonjësit e elektrikut, që kishin lidhur energjinë në këtë apartament, a s’duhet edhe ata të përgjigjen ligjërisht? Dukej shkurajues ai pallat, pasi ndryshe nga një shtëpi e vjetër e rrënuar, por që të paktën të jep shpresën e zëvendësimit me një të re, atje tek ai pallat i sapobërë shihej që edhe e reja të dukej po aq e rrënuar dhe pa shpresë.

Kjo ishte çka shihej në një vend të vetëm, që është si një pikëz e vogël në krahasim me gjithë ç’ndodh në çdo çast anekënd vendit. Se e njëjta gjë ndodh e askush nuk përgjigjet për qindra pallatet e mijëra shtëpitë që ngrihen çdo ditë jashtë çdo kushti ngado. E njëjta gjë ndodh me pyjet, për të cilat para tri ditësh u tha zyrtarisht se 70% e tyre shfrytëzohen pa leje. E njëjta gjë ndodh me mjedisin, me guroret, me zonat e mbrojtura, por që nuk i mbron kush, me monumentet që po duan t’i shesin, e me gjithfarë krimesh që po i bëjmë vendit, të zhytur në një orgji marrëzie kolektive dhe që për të gjitha askush nuk përgjigjet e nuk shkon prapa hekurave.

Po ajo njomëzakja që e la jetën dje, nuk dinte asgjë nga këto. Foshnja fillon të shohë diku pas muajit të tretë dhe, i bie që ajo të kish vetëm dy muaj që po e shihte botën. Në këta dy muaj kish parë vetëm baltë, shkallë betoni dhe dërrasa me llaç dhe ndoshta imagjinonte se kështu duhej të ishte e gjithë bota. Bash për këtë arsye fëmijët e vegjël janë gjithmonë të lumtur edhe kur janë të varfër, sepse besojnë se kështu është e gjithë bota. Pastaj, kur rriten dhe kuptojnë se atyre u ka rënë në pjesë vrima e zezë, nuk qeshin më. Asaj vogëlushes, në fund, veç shkallëve prej betoni të zhveshur, iu desh të duronte edhe tri ditët e fundit me vuajtjet e dhimbjeve të reaksionit të vaksinës, që askush nuk ia kuptonte. Por edhe për ato vuajtje, ajo me mendjen e saj ndoshta mendonte se kështu është bota, me dhimbje. Pastaj zemra e saj nuk duroi më, plasi. E dini sa është zemra e një foshnje? Jo më e madhe sesa një çokollatë e rrumbullakët “Bacio Perugina”, nga ato që kanë të shkruar te mbështjellësja thënie dashurie, por që ajo nuk i provoi dot. A ia vlen që edhe ata mjekë që nuk qenë në gjendje të kuptojnë një gjë kaq të thjeshtë, sa një reaksion vaksine, që nuk ia varën se ishte foshnjë periferie, të vendosen përpara ligjit? Ndoshta, si shumica e fëmijëve të periferive, janë të regjistruar vetëm në lindje, e pastaj as në konsultore e as në shkolla nuk i regjistron njeri. Po ata mjekë që çojnë ilaçet e spitalit në farmacitë private, a ia vlen të ndiqen ligjërisht? Po zyrtarët e spitaleve që blejnë me tenderë barna të skaduara, a duhet të shkojnë në gjyq? Po për spitalet pa aparatura, pa ngrohje e ujë, me ashensorë të prishur, a duhet të përgjigjet ligjërisht njeri?

Në një shoqëri ku më të shumtat e gjërave janë të bëra keq dhe të menaxhuara edhe më keq, nuk ia vlen të çosh në burg, një a dy vetëm sepse nga pakujdesja e tyre ndodhi ndonjë fatkeqësi. Kur në të gjitha pallatet punojnë punëtorë të pasiguruar, pa mjete e pa norma, se ra nga kati i pestë njëri syresh, nuk ia vlen të arrestosh inxhinierin e atij pallati. As arsyetimi se “atij i ndodhi, ai do të paguajë”, nuk vlen. Kur të gjithë janë jashtë normave të ligjit, është më e kollajtë që faji të bjerë drejt e mbi atë që dëmtohet e t’i themi “vetë e ke fajin, që se pate mendjen”. Faji për punëtorin që bie nga skela, është i vetë punëtorit; faji për atë që vdes se nuk ka ilaçe është i tiji, që nuk ka vjedhur në jetë aq sa të kishte mundësi të paguante ilaçet ose mjekët, e kështu me radhë. Jo më kot, vende të tilla pa rregulla e pa moral quhen “xhungël” dhe, si në xhungël, po të ndodhi gjë, faji nuk është i xhunglës, por i yti, që nuk dite të bëhesh aq i egër sa të mbijetosh në xhungël.

Po nëse do të vinte në Shqipëri një KALORËS SHPËTIMTAR, që do të ishte në gjendje t’ua mblidhte shqiptarëve e t’i vinte edhe një herë në rresht, a do të bënte dot punë e fajdé? Zor më duket, se ka gjasë që do t’i duhej të çonte prapa hekurave të burgut aq shumë sa, ata që do të mbeteshin jashtë zor se do ia dilnin të mbanin me bukë ata që do të shkonin brenda.

Të gjithë, kush në një mënyrë e kush në një tjetër, ia dalin t’ia hedhin ligjit. Dikush me para, dikush me njohje, tjetri me parti, me procedura, me korrupsion, me forcë, të gjithë, i shkasin ligjit dhe dënimit. Në fund, të vetmet që mbeten të pambrojtura janë foshnjat dhe ato paguajnë për të gjithë, ashtu siç bëri edhe kjo njomëzakja e periferisë. Nuk u tregua aq e fortë sa t’i mbijetonte egërsisë që e rrethonte dhe e pagoi me jetën që sa e kish nisur.

Asnjë shqiptar nuk do të gdhihet më i mirë sot. Asnjë prej atyre që direkt apo indirekt kanë gisht në atë vdekje, nuk do të jetë burrë më i mirë sot. As edhe po të bënin burgun, nuk do të bëheshin burra më të mirë. Ndaj, nga kjo pikëpamje, vdekja e njomëzakes nuk vlejti për ta bërë botën më të mirë. Por ndoshta ka vlerë kjo vdekje për një tjetër gjë. Për ta bërë të paktën Perëndinë të ndihet në faj, se u bënë tash sa vjet që, që prej shtatoreve të ngrime e prej Lulit të vocërr të Migjenit, nga ky vend shkojnë në atë Botë pafund fëmijë. E ndërkaq, në gjithë këta vjet, vetë Zoti një pyetje duhej t’ia kish bërë vetes me kohë: “Ç’dreq njerëzish të egër rrojnë në atë vend që, të pazotë të qeverisin veten, e shkarkojnë marrëzinë e tyre mbi foshnja”!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama