Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një bilanc i 10 viteve të Top-it

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Një bilanc i 10 viteve të Top-it

Sot bëhen 10 vjet nga themelimi i Top Channel, medias kryesore në vend dhe në gjithë hapësirën shqiptare. A janë këto dhjetë vjetët e jetës dhe rritjes së Top Channel që kanë ndryshuar shqiptarët, si pretendon slogani i vetë Televizionit “Dhjetë vjetët që ndryshuan shqiptarët”? T’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje është një sfidë që kërkon angazhim të madh në kohë, në hapësirë, jo sfidë për një individ, por për shumë individë.

Po megjithatë, ia vlen të merremi me të. Duke u marrë me Top-in, me Top-in në qendër, në fakt duam të merremi nga pak me shoqërinë, politikën dhe mediat.

Slogani vetëreferues i Top Channel, në fakt, ngjan i rimarrë prej një libri të famshëm të një autori amerikan që kishte vizituar Rusinë gjatë ditëve të Revolucionit socialist të Tetorit, me titull “Dhjetë ditët që tronditën botën”. Nëse slogani është marrë prej këtij libri, duhet të mendojmë se prej autorëve të sloganit bëhet një asocim i idesë së Revolucionit me ardhjen në jetë dhe mbretërimin dhjetëvjeçar të Top Channel. Dhe duket ide e qëlluar.

Top Channel, vërtet ka shënuar një revolucion të madh mediatik, për të cilin bien dakord të gjithë, madje dhe shumë prej rivalëve të tij, të cilët i bëjnë vazhdimisht homazh themeluesit të Top Channel, një gjeni, i cili, si gjithë gjenitë, kapërceu kohën dhe brezin e vet. Por, nëse ky mbetet një përfundim i pakontestueshëm, për shkak të shndërrimit të botës shqiptare të televizionit që zu fill me ardhjen e Top-it, atëherë, ajo që vlen të diskutohet janë efektet e tij në shoqëri, në kulturë, në politikë.

Që në krye të herës duhet thënë se ky ndikim epokal i Top Channel, megjithëse dhjetë vjet janë pak për t’u quajtur epokë, vijnë thelbësisht pasi Top Channel u shndërrua në një fuqi të madhe. Kjo fuqi u ndërtua mbi një bazë të shëndetshme: në fillim u ngrit Radioja, pastaj Televizioni, dhe mbi bazën e emrit të tyre të madh të krijuar shumë shpejt, u ndërtua një platformë transmetimesh dixhitale, e cila do të mbante financiarisht të gjithë grupin. Ky moment është shumë i rëndësishëm për të kuptuar ndikimin e Top Channel në jetën e shqiptarëve. Binomi Fuqi-Ndikim është i pandashëm, sa shpeshherë ngjan dhe si e njëjta gjë. Pra Top Channel kishte një bazë të shëndetshme financiare për fuqinë e vet, e cila jo vetëm i garantonte risitë teknologjike, epërsinë mbi konkurrentët, por dhe e garantonte nga presioni i politikës. D.m.th. e garantonte pavarësinë e kësaj medieje. Është e vërtetë se Top Channel është një televizion i angazhuar, por brenda këtij angazhimi, në polifoninë programatike të departamentit të informacionit ruhen standardet më të larta të pavarësisë profesionale për kushtet shqiptare.

Meritat e Topit dhe pritshmëritë prej tij

Duke e marrë për të mirëqenë fuqinë e Top Channel dhe të grupit që ka rreth tij, merita më e rëndësishme e tij është, pa diskutim, forcimi i ndjenjës kombëtare te shqiptarët. Kombi shqiptar në këto dhjetë vjet është gjendur i kërcënuar nga dukuri qendërikëse, diferencime kulturore që lidhen me proceset historike që ka kaluar. Top Channel, me aktivitetet e veta kulturore dhe sportive mbarëkombëtare, me transmetimet satelitore të tyre, me emisionet për fëmijë etj., ka uniformuar shijet e shqiptarëve, i ka bërë të flasin më mirë shqip dhe të kuptohen më mirë mes veti. Ai i ka bërë të ndihen krenarë që janë shqiptarë, duke qenë urë e rëndësishme e komunikimit të kombit tonë me kulturën e përbotshme. Nëse nga njëra anë ai ka përdorur logo britanike për programet e veta, nga ana tjetër ai i është përmbajtur, me udhëzim të themeluesit të vet, forcimit të vazhdueshëm të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të brezave të ndryshëm dhe që jetonin në pjesë të ndryshme të globit. Në kohërat e sotme, ndjenjës kombëtare i shërben më mirë një festival muzikor, një ndeshje e suksesshme e ekipit të futbollit apo në një sport tjetër dhe Top-i apo DigitAlb-i i ka shërbyer me koherencë këtij objektivi.

Për shumë arsye, Top Channel ka ndikuar shumë dhe në planin shoqëror, kulturor, duke u bërë nxitës, bartës, fuqizues i dukurive pozitive në këto plane. Por, nëse bota shqiptare, edhe për shkak të Top Channel, ka boll suksese në modernizimin e shoqërisë, në zhvillimin e disa zhanreve të arteve, etj., nuk mund të thuhet e njëjta gjë në planin politik. Shqipëria ende mbetet peng i një tranzicioni të gjatë nga komunizmi në kapitalizëm, i cili ka protagonistët e vet të pandryshueshëm. Nëse shoqëria në përgjithësi ka evoluar dhe është mendërisht më para klasës së vet politike, institucionet e shqiptarëve janë të dominuara gjithnjë e më shumë nga një njeri i vetëm. Këto institucione nuk kanë fuqinë të korrigjojnë padrejtësitë e sistemit.

Segmente apo marrëdhënie të caktuara të jetës sonë shoqërore zhvillohen njëjtë me kohën e komunizmit, si në mjekësi, në bujqësi etj., etj., dhe ky është faji tërësisht i politikës që për qëllime elektorale nuk guxon t’i prekë ato. Ndërkohë, për shkak të fuqizimit të medias elektronike, politikanët që kanë sukses janë vetëm ata që janë më shumë mediatikë, dhe kjo konsiderohet si diçka normale. Bota politike, ligjërimi i saj është i dominuar nga figuracioni letrar, shprehje e pasioneve të vdekura qëmoti të politikanëve më të suksesshëm, të cilët janë të tillë edhe për shkak se flasin më bukur se të tjerët, përveç ambicieve të tyre të shfrenuara për pushtet. Politikanët që vijnë nga ekspertiza, teknokratët nuk kanë pista preferenciale për kërcimin e tyre në politikë, sepse kanalet e afirmimit të tyre janë bllokuar nga “mediatikët”.

Debatet mediatike thuajse kudo, nën frikën e konkurrencës, po shndërrohen gjithnjë e më shumë në arena gladiatorësh ku ka pak hapësirë për argumentin e shëndoshë dhe bartësin e tyre që s’flet bukur. Shpeshherë garat brenda tyre fitohen nga mjeshtrit e batutave, të cilët janë më tërheqës për një popullsi e shumta e papunë, e cila rreth tavolinave dhe banakëve të papunësisë stërhollon batutën, por jo virtytet. Koherenca nuk shihet si vlerë dhe me gjithë denoncimin sistematik të mungesës së saj, lexo mashtrimin e politikanëve, kush gënjen dhe provohet si gënjeshtar, shpallet si i suksesshëm dhe votohet, nëse s’ta vjedh votën. Në kushte të tilla, për më shumë mungon ai i ashtuquajturi cirkuit mediatik, ku një dramë është një dramë për të gjitha mediat; ku një ngjarje e rëndësishme është e tillë për të gjitha. Mediat nuk preferojnë t’i ngatërrojnë temat me njëra-tjetrën apo të uniformojnë qëndrimet etike, sepse parcelat respektive duhen ruajtur me brazda të thella. Ende nuk ka ndërgjegjësim të madh për të vendosur në qendër figurën e njeriut të zakonshëm, megjithëse edhe këtu Top Channel me reportazhet e veta në lajme, apo me Fiksin, u paraprin të gjithëve.

Gara e shfrenuar për spektakle, për reality, ndoshta orienton më shumë burime financiare dhe njerëzore tek show, sesa te informacioni, dhe ky është një difekt i përgjithshëm i mediave të mëdha. Por, nëse mediat nuk kanë si gjetkë nëpër botë, kontribut thelbësor për shndërrimet politike, ky nuk është vetëm faji i medias. Shqipëria nuk po ia mbërrin të ketë një shoqëri civile që të prodhojë figura të reja publike, të cilat ose i imponohen politikës dhe mediave, ose pajtohen prej saj. Dhe nëse ka individë të veçantë, ata janë pak për të sjellë ndryshimin. Bota e biznesit nuk është mjaftueshëm e emancipuar sa të shkojë te forma pronësie grupore, të paktën në zotërimin e mediave, të cilat do ta shtonin shumë fuqinë e tyre përballë qeverisë, pavarësinë e tyre. Koha e sotme prodhon shumë interesa, rrjeta e të cilëve e ka paralizuar idealizmin e akademikëve apo botës universitare, të cilët, të kapur në këtë rrjetë, homologohen me pozicionet e qeverisë. Jetojmë në kohëra politike, të cilat të lënë shijen e depresionit: askush nuk frymëzon, dhe i vjetri ngjan i ri.

Këto ishin disa ide të papërpunuara rreth Top-it apo rreth shoqërisë dhe medias shqiptare, nisur nga Top-i, të cilat mund të ngjallin debat, e të nxitura në këtë moment të përkujtimit të dhjetëvjetorit të Top Channel. Në këtë dëshpërim për tranzicionin e tejzgjatur politik që po kalojmë, mbase reflektohet një pritshmëri e pajustifikuar për një media si Top Channel, që në fund të fundit mbetet një aktor i vetëm në panoramën e aktorëve të shoqërisë civile. Por dhe kjo pritshmëri është vlerësim për Top-in, ikonën perëndimore të shoqërisë shqiptare, si e ka quajtur një politikan i njohur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama