I love shopping ashtu si...

 I love shopping, ashtu si...
Je e mërzitur? Dil për shopping. Je zënë me të dashurin? Dil për shopping. Eprori të ka tërhequr vëmendjen? Dil për shopping. S’ke ç’të bësh paradite? Dil për shopping. Me siguri nuk do gabonim aspak nëse do ta quanim “sportin” më të preferuar. E kur ne, të vdekshmet e zakonshme, e kemi një ndër aktivitetet e pëlqyera, ç’pyet pastaj për femrat që popullojnë rrugët e Hollivudit? Emrat e dyqaneve më të famshëm i kanë shtëpi të dytë. E meqë ato vdesin të vërdallosen nëpër vitrina e të pasurojnë gardërobën me fjalën më të fundit të modës, edhe ne vdesim t’i shohim teksa mbushin çantat. E këtu kureshtja nuk na lë rehat as kur vjen puna tek personazhet e njohura shqiptare.

Angelina Jolie

Një karrocë e mbushur plot me lodra dhe gjithfarë çikërrimash për fëmijë. Përderisa Angelina është kaq e dëshiruar për t’u bërë nënë sa ka adoptuar 3 fëmijë, ka lindur një dhe është duke pritur të dytin, atëherë është fare e kuptueshme se kur vjen puna për t’ua bërë qejfin, aktorja bukuroshe nuk e shtrëngon fare dorën.

Rezarta Shkurta

Një vajzë që bëhet e njohur prej një konkursi bukurie, që këndon e që synon të bëhet modele, e di mirë sa i rëndësishëm është imazhi. Ndaj edhe Rezi Shkurta u kushton vëmendjen kryesore rrobave që vesh. Kryesisht veshjet e videoklipeve ua beson stilisteve, por kjo nuk do të thotë se mund të heqë dorë nga kënaqësia e të bërit shopping; nëse ka edhe ulje çmimi, aq më mirë!

Eva Longoria

Lum si ajo! Jo vetëm që ka fatin të jetë një nga aktoret më të lakmuara nga të gjithë prodhuesit që i besojnë reklamën e produkteve të tyre, por ka edhe një bashkëshort aq të bindur sa i vjen pas mendjes edhe në diçka që burrat në përgjithësi e urrejnë: të dalin nëpër dyqane. Por nuk ndodh kështu me Evën dhe Tonin. Nuk është mbushur ende viti që kur janë martuar dhe është e kuptueshme: ai e trajton ende si princeshë.

Jessica Alba

Në fakt, ajo i ka marrë masat. Ka vënë kapelë dhe syze dielli të errëta. Ka kapur flokët dhe është veshur si një vajzë e zakonshme. Pastaj ka shpresuar që të argëtohet duke blerë. Por ja që edhe kështu e ka pasur të vështirë t’i shpëtojë celuloidit dhe ka rënë në kurth. Ndoshta, ajo që e ka tradhtuar ka qenë pikërisht çanta firmato që ka vendosur në karrocën e supermarketit.

Rajmonda Bulku

Sigurisht që nuk e ka marrë mundimin të maskohet me kapelë dhe syze që t’i shpëtojë vëmendjes të fansave dhe të paparacëve. Në fakt, Rajmonda Bulku nuk i ka shpëtuar as njërit, as tjetrit. E megjithatë nuk ka hequr dorë nga kënaqësia e të shëtiturit me radhë nëpër të gjitha dyqanet. Kur të thonë “aktorja më e bukur shqiptare”, ke edhe një përgjegjësi më shumë për të qenë e veshur bukur.

Jessica Simpson

Kushedi se sa kushtojnë ato këpucët që ka në dorë Jessica Simpson. E kalojnë me siguri milionin, duke qenë se bëhet fjalë për një aktore që pëlqen të ketë në gardërobë koleksionet më të fundit të këpucëve. Por edhe të çantave, sigurisht, po qe se shohim çantën Fendi që ka në dorë.

Katie Holmes

Gruaja bukuroshe e aktorit Tom Cruise është fotografuar jo pak herë teksa shëtit dyqanet nën shoqërinë e vogëlushes së saj Suri. Të njëjtën gjë është duke bërë edhe tani: duke blerë rroba për vajzën e saj të vogël, e cila – derisa të rritet – duhet t’i besojë shijes të mamit të saj. Nuk ka për t’i dalë për keq, përderisa që tani mami e vesh kokë e këmbë me Burberry apo me firma të tjera të famshme.

Liz Hurley

Është ëndrra e çdo vajze: të ketë një palë këpucë Jimmy Choo. Por shumica mjaftohet duke i parë në ndonjë faqe interneti dhe sigurisht vazhdon t’i ëndërrojë. Pastaj ka edhe nga ato vajza që quhen Liz Hurley dhe mund të mbajnë në duar çantën me logon Jimmy Choo, brenda së cilës janë me siguri një palë këpucë të hatashme.

Orinda Huta

Është fotografuar fare rastësisht teksa ka kapërcyer derën e një dyqani dhe është përqendruar duke shëtitur sytë nëpër vitrina. S’e ka kuptuar fare Orinda që po e fotografojnë dhe duket që nuk është duke bërë kot. Ne e kuptojmë: kur je duke bërë shopping as që e ke mendjen se ç’bëhet rrotull teje dhe duket se këngëtarja Orinda Huta nuk bën përjashtim nga grupi “I love shopping”.

Paris Hilton

Trashëgimtarja e famshme i ka dhënë provat: nuk ka ndonjë gjë më të rëndësishme për të bërë, përveçse të sorollatet klubeve të natës, të dehet, të bëjë skandale e – kur i tepron pak kohë – të bëjë shopping. Madje, këtij të fundit i kushton rëndësinë që meriton, duke vizituar dyqanet më të famshëm. E kanë radhën produktet kozmetike Kate Somerville.

Reese Witherspoon

Të gjitha e kemi provuar atë kënaqësinë që ndjen pasi ke futur në çantë atë fustanin që të pëlqente aq shumë. Sytë të shkëlqejnë dhe në buzë ke një buzëqeshje teksa del nga dyqani. Ja, tamam siç duket Reese Witherspoon. Çudi! Kishim menduar se këtyre aktoreve të famshme nuk u bënin shumë përshtypje kur blejnë rroba të reja. Po të gjykosh nga pamja, e paskemi pasur shumë gabim!

 
Victoria Beckham

Një vit u zgjodh si femra e veshur më bukur, pastaj një vit tjetër si femra e veshur më keq. Mirë apo keq, një gjë është e sigurt: Victoria Beckham është një “fashion victim”. Ta shohësh teksa provon këpucë 12 centimetra të larta, në një butik (që kushedi sa të shtrenjta i ka çmimet) nuk ka asgjë për t’u çuditur. Me siguri që ky është pasioni i saj më i madh, përveçse të bëjë operacione plastike.

Marre nga : Revista Jeta

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama