| Abdyl Frashëri
Ka qenë patriot e demokrat i shquar dhe një nga udhëheqësit
kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lindi në Frashër (Përmet) më 1839 në familjen
e një spahiu të vogël të deklasuar. Pjesën e
parë të jetës e kaloi në fshatin e lindjes. Në
moshën 18 vjeçare u vendos për nevoja pune në Janinë.
U shqua si personalitet politik qysh më 1877. Në fund të
këtij viti (1877), kur ishte deputet i Janinës në parlamentin
e dytë osman, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror
për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare,
që u formua në Stamboll. Dha një ndihmesë të
rëndësishme në përpunimin e platformës politike
të Lëvizjes Kombëtare, sidomos pas nënshkrimit të
Traktatit të Shën Stefanit. Ai mori pjesë aktive në
përpjekjet për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
dhe u shqua si udhëheqës, organizator e diplomat i saj. Veprimtarinë
e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës
dhe të Kosovës. Luftën për mbrojtjen e tërësisë
tokësore të atdheut nuk e shkëputi asnjëherë
nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë
pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan
gjatë viteve të Lidhjes. Kudo udhëhoqi krahun autonomist
të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së
Prizrenit u zgjodh kryetar i komisionit të punëve të jashtme
të saj.
Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879),
i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në
favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi
delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e fuqive të mëdha
për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale
dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. U
bë anëtar i qeverisë së përkohshme, që u
formua në Prizren në fillim të vitit 1881.
Pas shtypjes së Lidhjes u arrestua dhe u dënua me vdekje nga
gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm.
Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim
20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që
të hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse
i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike
derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892.
Pergatiti Fatmir Lloshi
http://www.topalbania.net
|