Dhendri i Topallit emerohet Sekretar i Pare ne Ambasaden Shqiptare ne Paris

 Dhendri i Topallit, emerohet Sekretar i Pare ne Ambasaden Shqiptare ne Paris
Ambasada jonë në Francë, një çerdhe familjare për qokat e politikës. Këngëtari ende student, i bashkohet ish-bashkëshortes së Fatos Nanos. Luiz Ejlli, këngëtari i njohur edhe si i fejuari zyrtar i vajzës së Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, sapo është emëruar në mënyrë të habitshme, Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris.

Dje kanë qarkulluar lajmet e para se z. Ejlli është emëruar atashe në këtë ambasadë dhe pas interesimit të "Shekullit", një burim nga Parisi konfirmon se dhëndri i znj.Topalli është emëruar në postin e sekretarit të parë të Ambasadës: "Jo atashe, se atasheu e ka rrogën të ulët, - shtoi me ironi burimi diplomatik i "Shekullit" në kryeqytetin francez.

Qokave të politikës i shtohet kështu edhe një tjetër rast flagrant i emërimeve nepotike, për të cilin sigurisht shoqëria shqiptare dhe publiku do marrin si përgjigje vetëm arrogancën e emëruesit, në këtë rast zonja që drejton Kuvendin e Shqipërisë. Vajza e saj, kalon bashkë me të fejuarin nga Strasburgu, ku studionte, në Paris, por Parisi është i shtrenjtë. Emërimi e ndihmon goxha çiftin e ri të bëhet me rrogë dhe shtëpi. A nuk është e bukur jeta? Sigurisht, po të kesh mamin apo babin me pushtet, në Shqipëri jeta është jo vetëm e bukur, por edhe e lehtë.


Por Luiz Ejlli nuk është i vetmi emërim nepotik në këtë ambasadë. Ambasada shqiptare në Paris është kthyer në një çerdhe familjare të politikës së Tiranës. Gjysma e diplomatëve shqiptarë në Paris, kryeqyteti ku luhet integrimi i Shqipërisë në BE, nuk kanë asnjë lidhje me diplomacinë, por vetëm me politikanë që i kane emëruar ata.

Zonja Rexhina Nano, këshilltare ekonomike e ambasadës me banesë të përhershme në Francë është emëruar aty për të qëndruar pranë bijës së saj, qe ka mbaruar studimet në Francë. Emërimi në ambasadë qe mjaft oportun për ta bërë të lehtë këtë. Sa investitore franceze ka sjellë si zonja Nano në Shqipëri? Në ministri të jashtme fytyra e saj është e panjohur, z. Hqaxhinasto le të flasë, nëse nuk është kështu...

Ka edhe persona të tjerë në këtë ambasadë, emrat e të cilëve mund të gjenden lehtë në faqen zyrtare të ambasadës dhe si për çudi kanë mbiemra shumë të njohur në Tiranë.

Shqiptarët janë mësuar tashmë me pezmin që shkaktojnë këto emërime, por është për të vënë duart në kokë që në ambasadën më të rëndësishme në Europë, pas Brukselit, Shqipëria nuk ka as edhe një diplomat karriere.


Ambasadori Ylljet Aliçka, me gjithë cilësitë e larta humane dhe artistike që mund të ketë, nuk ka formim apo stazh diplomatik. Çdo të mendonte Shqipëria, sikur amerikanët, francezët, apo gjermanët, të sillnin në vendin tonë si ambasadorë njerëz pa lidhje me diplomacinë?

Në Paris, në fakt, kjo që po ndodh në ambasadën shqiptare nuk shihet aspak mirë.

Në listën e emërimeve në këtë ambasadë, veçojmë edhe emrin e atasheut ushtarak që ndodhet në atë post prej rreth 10 vitesh (!), një zyrtar dhe njeri jashtëzakonisht i mirë, siç përshkruhet nga kolegë dhe të njohur. E përshëndesim, e respektojmë, por një vend serioz ka rregulla dhe jo miq, nuk mund te lihet 10 vjet në një post në ambasadë i njëjti njeri, e sidomos në dosjet ushtarake (qoftë edhe për ato rreziqet konfidenciale që i kemi prekur pak ditë më parë në çështjen e laptopit misterioz të zhdukur nga selia diplomatike e Nju Jorkut).

Skandali, darka e 28 nëntorit me pagesë për shqiptarë në Paris

Që prej 20 vitesh është hera e parë në këtë 28 nëntor 2010, që në Paris, shqiptarët e atjeshëm kanë përjetuar një fyerje në identitetin si shqiptar. Është traditë që për festën kombëtare, diaspora mblidhet rreth ambasadorit. Nuk janë patatinat që i mbledhin njerëzit, por dëshira për të parë njëri-tjetrin një herë në vit; Kjo ditë është po ashtu rasti i vizitave që bëjnë në pritje dhe autoritetet e vendit pritës (diplomatë e funksionarë të larte francez). Niveli i përfaqësimit të tyre është tregues i vëmendjes që tregojnë ndaj vendit tonë. E pra, stafi aktual në ambasadën tonë në Paris, do të mbahet mend si stafi i parë që e preu këtë tradite vitale. Arsyeja? S'kemi buxhet. Shteti shqiptar harxhon 1 miliard e gjysmë euro për të bërë një rrugë që shembet dy herë në muaj, dhe nuk paska 2 mije euro për ca shishe me fanta e koka-kola, që shqiptarë Shqipërie e Kosove të gjinden njëherë në vit kokë më kokë në tokë të huaj e të bisedojnë?

Është një skandal dhe burracakëri ajo që ndodhi këtë vit kur në Tiranë trumbetohen suksese ekonomike dhe bollëk etj. Festën në Paris ambasada ja dha një "nënkontraktori", dy vëllezër shqiptarë maqedonas që kanë një teatër-restorant, ku bënë një darkë me "Pagesë". Të paguash për të shkuar tek festa e vendit tënd, ka qenë një gjë që nuk e kanë përtypur dot shqiptarët e Parisit. Nuk vajti thuajse askush nga diaspora e Shqipërisë përveç ambasadorit.

Sikur pagesat që bën diaspora për dokumente konsullore të ruheshin për këtë ditë feste kombëtare që të organizohet denjësisht, problemi do të ishte vetvetiu i zgjidhur. Në këtë ditë pritje, vetëm nga takimet midis funksionarëve e investitorëve francezë dhe diasporës shqiptare, fitohej aq shumë me lidhje dhe shkëmbime kartëvizitash, sa puna që mund të bëjnë gjatë një shekulli Rexhina Nano apo dhëndri i Jozefinës.

Web site i ambasadës
http://www.amb-albanie.fr/ambassade.html

Cilët janë, zoti Ejlli dhe zonjusha Topalli

Luiz Ejlli, këngëtari nga Shkodra, është bërë fillimisht i njohur tek "Ethet e së premtes mbrëma", në edicionin e dytë të tij ku edhe fitoi çmimin e parë, në vitin 2004. Në RTSH fitoi çmimin e parë tek festivali i këngës "Magjike" në duet me Juliana Pashën. Aktualisht është student për Juridik në Strasburg. Megi quhet vajza, me të cilën Luizi po jeton një histori dashurie trevjeçare. Kjo është vajza e kryetares së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topallit. Dy të rinjtë moshatarë, mbase mund të kenë pasur edhe njohje të hershme, por ata kanë filluar të shihen në shoqërinë e njëri-tjetrit rreth tre vite më parë, pikërisht atëherë kur Luizi ishte në kulmin e suksesit të tij si këngëtar. Vajza brune simpatike, me mjaft ngjashmëri në portret me të ëmën, jeton në Francë, pikërisht aty ku Luizi tani mund ta arrijë dhe ku ka marrë një emërim të shpejtë në një post "pëllumbash" që mund t'i sigurojë çiftit jetesë të mirë me rrogën e paguar nga taksapaguesit shqiptarë. Megi, 20 vjeç, është në vitin e tretë të Universitetit "Luiz Paster".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama