Recetat e mjekesise moderne dhe keshillat e mjekesise popullore per te sheruar semundjet

Recetat e mjekesise moderne dhe keshillat e mjekesise popullore per te sheruar semundjet
Duke iu referuar studimeve të fundit të shkencës dalim në konkluzionin se si shkak kryesor për shfaqjen sëmundjeve të shumta në trupin e njeriut si p.sh., diabeti, sëmundjet e zemrës, forma të ndryshme tumorale, reumatizma, sëmundjet arteriale, sëmundjet e veshkave, tromboza, hemorragjia cerebrale, infeksionet, zemra, hipertensioni, problemet urinare, kolesteroli, sëmundjet e lëkurës etj; kanë një regjim ushqimor dhe një ushqim të papërshtatshëm.

Por jo vetëm kaq. Mjaft prej tyre mund të arrinin të parandaloheshin falë një ushqyerje të shëndetshme dhe të ekuilibruar. Ndërkohë, shkenca ka arritur, falë studimeve të ndryshme, që të tregojë se mjekimi nëpërmjet ushqyerjes së përshtatshme (terapia mjekësore popullore) përmirëson cilësinë e jetës dhe kursen shpenzime për kujdesin mjekësor. Mund të merrni përgjigje për shumë nga pyetjet që çdokujt mund t’i lindin në jetën e përditshme, siç janë roli dhe funksioni i yndyrnave, proteinave, vitaminave, çfarë është një dietë e shëndetshme, dhe për shumë elemente të tjera të rëndësishme që përbëjnë atë që quhet një ushqyerje e shëndetshme. Dieta është mënyra e vetme për t’i lënë të pushojnë organet jetësore dhe për t’i ndihmuar ato të funksionojnë sa më mirë, duke shmangur problemet e ndryshme shëndetësore.

Është e nevojshme të mësohet një teknikë sa më e përshtatshme për një dietë efikase dhe pa rreziqe, si edhe “sekrete” të tjera për një shëndet të mirë. Cilat janë ushqimet që kurojnë aneminë, frutat e perimet e dobishme për organizmin. Ndërsa më poshtë, radhiten këshilla dhe receta me bimë e ushqime, të cilat janë të njohura për efektet e tyre kundër të gjitha sëmundjeve më të shpeshta që rrezikojnë organizmin e njeriut. Këto e shumë të tjera në një suplement prej pesë faqesh, një strategji e vërtetë për një jetë të shëndetshme. Cilat bimë kurojnë aneminë, sëmundjet e zemrës. Një sërë recetash të mbështetura në mjekësinë moderne, por aq dhe në atë popullore, për të kuruar sëmundje të ndryshme që shfaqen në organizmin tonë. Këshillat më të fundit që japin mjekët për të shmangur sëmundjet e zemrës, stomakut, aparatit tretës, gripit. Si të luftoni kancerin, diabetin e shumë shqetësime të tjera me fruta dhe perime. Si të shmangni sëmundjet e ndryshme, cila është strategjia e duhur për një jetë të shëndetshme. Cilat janë recetat më të fundit të rekomanduara nga mjekët për të qenë të shëndetshëm. Gjithçka në numrin e sotëm në një suplement prej pesë faqesh, një strategji e vërtetë për një jetë të shëndetshme.

Farat e zeza kurojnë 12 sëmundje

Migrena, sëmundjet reumatizmale, diabeti, imuniteti I fëmijëve, sëmundjet e hundës, kolesteroli në gjak, propodiplegia,ulccera, kollë dhe ftohje, infeksioni I zemrës, sëmudnjet e lëkurës si dhe dobësia seksuale, kanë të gjitha një ilaç. Farat e zeza.Fara e zezë (Nigella Sativa), është një bimë që ka gjetur përdorim të gjerë në mjekësinë popullore. Falë përbërjes që ajo ka efektet e saj kuruese për sëmundje të ndryshme janë të shumta. Ajo përmban vaj acidik të pangopur, vaj me eter, vitamina dhe një sërë substancash të tjera të domosdoshme për organizmin. Tashmë është vërtetuar se vaji acidik i pangopur që përmban fara e zezë ndikon pozitivisht mbi metabolizmin e trupit, rrit imunitetin dhe ndalon alergjinë.

Fara e zezë përmban përafërsisht 38 për qind karbohidrate, 35 për qind vajra të ndryshëm, 21 për qind albumin dhe pjesa tjetër përbëhet prej më shumë se një qind substanca të ndryshme. Për t’u përmendur janë: vajrat acidike të pangopura, acidi Linolein, acidi alfa-Linolein, vajrat me eter (nigellon, alfa-pinen etj.), vitaminat (B1, B2, B6, Acidi Folik, Niacina), minerallet (hekur, kalcium, magnez, zink, etj.) dhe aminoacidet. Vajrat me eter si Nigellon dhe alfa-Pinen zgjerojnë rrugët e frymëmarrjes, lehtësojnë kollitjen, pengojnë qelbëzimin dhe ndalojnë dhimbjen. Nëse përdoren rregullisht ulin sheqerin në gjak. Vitaminat B1, B2 dhe B6 luajnë rol në prodhimin e enzimave dhe forcojnë sistemin mbrojtës. Acidi folik redukton rrezikun e tensionit dhe sëmundjeve të zemrës, gjithashtu është i nevojshëm në rinovimin e qelizave. Antioksidantët si vitaminat A, E, C dhe Beta-Karotin forcojnë sistemin mbrojtës te trupit.

Vitamina D kuron sëmundjet arteriale, funksionet e tjera të saj

Vitamina D mbron nga sëmundjet arteriale, të cilat i shkaktojnë shtresat e yndyrave të cilat e vështirësojnë qarkullimin periferik. Ndërsa personat të cilët kanë nivel të ulët të vitaminës D, në gjakun e tyre kanë prirje për të fituar ndonjë sëmundje të arterieve periferike (PAD). PAD zakonisht shkakton pengesa në qarkullimin e gjakut në këmbë, duke shkaktuar dhimbje dhe mpirje, si dhe pengesa në ecje, ndërsa në disa raste mund të përfundojë edhe me amputimin e këmbës.

Vitamina D shërben për përthithjen e kalciumit nga ushqimet dhe ndihmon në punën e kalciumit dhe fosforit në trup. Duke bashkëpunuar me kalciumin, ajo ndikon në rritjen dhe shëndetin e kockave dhe të dhëmbëve si dhe në shëndetin e nervave dhe të muskujve. Mungesa e kësaj vitamine në trup sjell infeksione në kanalet e frymëmarrjes tek fëmijët, dobësi muskulare dhe mos-rritje të kockave dhe anemi.

Funksionet e Vitaminës D

1. Funksioni i njohur dhe më i mirë vitaminës D është roli i tij thelbësorë në mineralizimin e kockave dhe të dhëmbëve. Vitamina D lehtëson absorbimin e kalciumit dhe të fosforit nga zorrët dhe inkorporimin (futjen) e këtyre mineraleve në kocka.

2. Vitamina D gjithashtu ndihmon në rregullimin e niveleve në gjak të kalciumit dhe fosforit

3. Kjo vitaminë përfshihet në aktivitetin qelizor të organeve të ndryshme, përfshirë lëkurën, pankreasin dhe ovaret. Në këtë rol vitamina D, funksionon si hormon, pasi sintetizohet nga një organ, por ka efektin e saj në organe të tjera të trupit.

4. Deri në moshën 50-vjeç dilni shpesh jashtë dhe e lini lëkurën të ekspozuar për të paktën gjysmë ore 2-3 herë në javë. Personat që qëndrojnë në shtëpi duan një sasi shtesë të vitaminës D(rrezet nuk kalojnë dritaret).

5. Mbi moshën 50-vjeç, prisni 10-15 minuta para se të aplikoni kremin e plazhit. Pini ¼ e litrit të qumështit në ditë.

6. Mbi 70-vjeç, ose nëse diagnostikoheni me deficit vitaminik, rekomandohen të gjitha rekomandimet e mësipërme plus 1 multivitaminë në ditë si dhe një vitaminë D shtesë 400 IU për në total prej 800 IU shtesë dite.

Zinku zvogëlon simptomat e ftohjes

Marrja e tabletave të zinkut brenda 24 orëve nga shfaqja e simptomave të ftohjes, zvogëlon kohëzgjatjen dhe intensitetin e simptomave. Gjithashtu, një efekt të rëndësishëm për të luftuar simptomat e ftohjes ka edhe vitamina C. Shkencëtarët nga Universiteti i Mjekësisë Ëayne në Detroit, kanë studiuar efektin e tabletave të acetatit të zinkut në mjekimin e ftohjes te 50 vullnetarë, të cilët kanë pasur simptoma të ngjashme me gripin. Pjesëmarrësit në studim kanë marrë nga një tabletë, e cila përmbante 13.3 mg zink, ose placebo çdo dy ose tre orë gjatë ditës. Kohëzgjatja mesatare e simptomave të ftohjes ishte katër ditë te grupi i cili kishte marrë zink në krahasim me ata të cilët kishin marrë placebo, ku simptomat kishin zgjatur deri në shtatë ditë. Tek personat të cilët kishin marrë zink, simptomat e ftohjes ishin ndërprerë te 56 për qind e pjesëmarrësve pas vetëm katër ditësh, ndërsa te grupi tjetër kishin vazhduar edhe më tutje simptomat. Burimet kryesore të zinkut janë mishi i kuq dhe i organeve të brendshme, pastaj bizelet, arrat, lajthitë, bajamet, ushqimet me prejardhje detare, drithërat etj.

Vera e zezë dhe e bardhë kuron sëmundjet në organizëm

Vera është pije shumë komplekse ku në përbërjen e saj janë gjetur dhe identifikuar përmbi 600 përbërës. Shumica e këtyre përbërësve gjenden në sasi shumë të vogla në verë, por kanë rëndësi të madhe në shijen, erën dhe aromën e verës. Vlerat higjienike dhe ushqyese të verës, shekuj me radhë i kanë interesuar njerëzit për atë shkak vera është përcaktuar në mënyra të ndryshme. Për disa njerëz ajo është vetëm pije alkoolike, ndërsa për disa është ushqim dhe barë shërues.

Thënia se vera nuk është ushqim, sepse nuk përmban vitamina dhe proteina, nuk është bindëse, sepse as sheqeri, vaji dhe shumë artikuj tjerë nuk i përmbajnë këto elemente kryesore të domosdoshme për organizmin e njeriut. Shkencëtarët kanë pohuar se vera e zezë e zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës, mbron nga sulmi në tru, pengon zhvillimin e kancerit të pankreasit dhe madje vepron fuqishëm kundër baktereve fatale siç janë salmonelat, e.coli dhe listerioza. Vera e bardhë ka efekte pozitive duke iu falënderuar llojeve të ndryshme të polifenoleve të pranishme në të, të cilat zvogëlojnë nivelin e kolesterolit.

Vera e bardhë përmban edhe kalium, i cili e ul shtypjen e gjakut. Përveç kësaj, shkencëtarët pohojnë se falë përbërësve të saj vera e bardhë vepron si një anti-inflamator, ndihmon në parandalimin e osteoporozës dhe artritit reumatik. Supozohet se personat të cilët pinë nga dy litra e gjysmë verë të kuqe në javë, ose afërsisht dy gota në ditë, zvogëlojnë rrezikun e vdekjes së hershme. Në parandalimin e sëmundjeve të zemrës efekt të fuqishëm ka edhe vera joalkoolike, e cila po ashtu është e dobishme edhe në parandalimin e tumoreve të ndryshëm, ndërsa nga ana tjetër nga ky lloj i verës nuk ekziston rreziku të cilin e ka konsumimi i alkoolit.

Patatet e skuqura rritin rrezikun për kancer në veshka

Konsumimi i acryl-amidit, substancës kimike të pranishme në patate të skuqura, kikirikë, kafe etj., mund ta rrit rrezikun e paraqitjes së kancerit të veshkave. Hulumtuesit holandez nga Universiteti i Maastricht, kanë pohuar se rreziku më i madh është i shprehur te duhanpirësit. Acryl-amidi është konsideruar si karcinogjen që nga vitit 1994 dhe është menduar se ekspozimi ndaj tij ndodh vetëm nëpërmjet tymit të duhanit dhe produkteve të kozmetikës.

Mirëpo, në vitin 2002, shkencëtarët suedez kanë zbuluar praninë e acryl-amidit në produktet ushqimore të pasura me karbohidrate, të cilat përgatiten në temperatura të larta. Në studimin e ri, i cili është zhvilluar gjatë 13 vitesh, ku janë përfshirë 120 mijë pjesëmarrës të moshave ndërmjet 55 dhe 69 vjeçare, është treguar se personat të cilët brenda ditës futin në organizëm 40 mikrogramë acryl-amid (sasi e cila gjendet në 150 gramë patate të skuqura) janë të rrezikuar për 59 për qind për të fituar kancerin e veshkave. Në çdo 10 mikrogramë të acryl-amidit rreziku për kancer të veshkave është rritur për 10 për qind. Ndërsa për një numër të madh të analizuarish, burim kryesor i acryl-amidit ka qenë kafeja. Por përveç veshkave, edhe organet e sistemit urinar mund të preken nga sëmundja e kancerit. Sistemi urinar përbëhet nga dy veshkat, fshikëza e urinës dhe uretra.

Banjat e diellit të dobishme për veshka

Banjat e diellit veprojnë mirë në punën e veshkat. Krahas me zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, zgjerohen edhe enët e gjakut në veshka. Nëse shtohet djersitja në lëkurë, nuk ka ndonjë ndryshim në funksionin e veshkave, por kur nuk shtohet djersa, banjat e diellit shkaktojnë rritjen e punës së veshkave duke shtuar nxjerrjen e urinës dhe bashkë me të, edhe të lëndëve e tjera që përmban urina. Është vënë re se veprimi i rrezeve të diellit nuk shkakton ndonjë dëm mbi veshkat, jo vetëm kur ato janë të shëndosha, por edhe kur janë të sëmura. Klima e nxehtë përgjithësisht ka një ndikim të mirë në funksionimin e veshkave.

Banjat e ajrit bëhen 1-2 orë në ditë, veçanërisht në sëmundjet e gurëve të veshkave dhe fshikëzën e urinës. Ato (veshkat) as që i hetojmë, e për çdo ditë filtrojnë 180 litra lëngje (prej të cilave 179 litra reabsorbohen, e vetëm 1 litër hidhet jashtë përmes urinës). Kur veshkat janë të shëndosha, ato mund t’i përshtaten mënyrës sonë të jetesës, përkatësisht shtimit të sasisë të ushqimit (nëse nuk tejkalohet jashtë mase), nuk ndikon negativisht në punën e tyre. Problemet paraqiten vetëm atëherë kur veshkat sëmuren. Kur nuk kryejnë më funksionin e tyre të filtrimit dhe të djegies të substancave të dëmshme, thuhet se fjala është për insuficiencën (pamjaftueshmërinë). Simptomat janë: lodhje, tretje e vështirësuar, anemia paraqitet më vonë, kur sëmundja të jetë në fazën më intensive.

Aroma e keqe e gojës, alarm për sëmundjet e mëlçisë dhe veshkave

Era e keqe e gojës ose Halitos, në disa raste është sinjal alarmi për praninë e sëmundjeve të ndryshme të organizmit. Megjithatë halitosis nuk është një sëmundje e mirëfilltë, por shpesh është një simptomë e pranisë së një sëmundjeje orale, i një gjendjeje fiziologjike ose një sëmundjeje sistemike e organizmit. Për këtë, mjekët shpjegojnë se kur duhet të shqetësohemi dhe çfarë mund të bëhet në këto raste. Sipas mjekëve, halitosis ose siç njihet ndryshe “fetor ex oris”, është përshkruar që në kohën e grekëve të lashtë, dhe përshkruan erën e keqe të gojës. Vetë era e keqe, shkaktohet nga përmbajtja e sulfurit dhe përbërjeve të tij, në ajrin që nxjerrim nga goja. Sulfuri dhe përbërësit e tjerë sulfurorë, shkaktohen nga purifikimi ose shpërbashkimi, gjatë të cilave çlirohen bakteret anaerobe në hapësirën e gojës ose atë nazale (e hundës). Përbërjet sulfurore mund të transmetohen nëpërmjet gjakut nga një organ i sëmurë si për shembull: mëlçia cirrotike dhe shkojnë në mushkëri ku i japin dhe ajrit, erën karakteristike.

Meshkujt që preferojnë banjat me ujë të nxehtë rrezikohen nga papjelloria

Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Sipas specialistëve nga Universiteti i Kalifornisë, ku shkencëtarët, të tërhequr nga një thënie që sugjeronte se dushi apo banja me ujë të nxehtë e bën një mashkull jopjellor, kishin vendosur të gërmonin mbi të dhëna shkencore, të cilat mund të pohonin apo mohonin këtë mundësi. Edhe pse thënia e lashtë u vërtetua edhe me prova shkencore, meshkujt kanë akoma mundësi rikuperimi. Nëse qëndrojnë larg nga uji i nxehtë, atëherë organizimi i tyre rikthehet përsëri në pjellor. Studimi është drejtuar nga dr. Paul J. Turek. “Kam parë shumë çifte, të cilët nuk e kishin fare idenë e kësaj thënieje dhe kështu vendosa të shikoj mbi të dhënat e publikuara në raporte nëse do të mund të vërtetoja në bazë të tyre diçka të tillë”, tha ai për “Reuters”. Hetimet e skuadrës së shkencëtarëve kanë vlerësuar se cilësia e farës mashkullore para dhe pasi ata përdornin ujin e nxehtë ndryshonte, efektet e saj shfaqeshin për 3 apo katër muaj. Pas 3 deri në 6 muaj që u larguan nga uji i nxehtë, pjesa më e madhe e meshkujve të përfshirë në studim kishin një përmirësim të mundësisë për të qenë pjellorë në 491 për qind.

Uji

Shkencëtarët gjermanë kanë zbuluar se si brenda një ore pas konsumimit të ujit të pastër, harxhimi metabolik i energjisë rritet për 24 për qind, ndërsa kjo nuk ndodh nëse pihet sasi e njëjtë e tretësirës fiziologjike. Sipas një teorie, mendohet se organizmi harxhon energji për ta bërë temperaturën e ujit të pirë të ngjashme me temperaturën trupore. Megjithatë, edhe pas eksperimenteve me ujë të ngrohur në temperaturë 37°C, janë arritur rezultate të ngjashme në harxhimin e energjisë. Kështu që mendohet se flitet për ndonjë proces të komplikuar fiziologjik. Studimet kanë treguar se rritja e harxhimit energjik pas konsumimit të ujit, te meshkujt pasohet me harxhimin e yndyrave, ndërsa organizmi i femrave i shfrytëzon më shumë karbohidratet.

Çokollata

Shkencëtarët nga Universiteti i Yale pohojnë se konsumi i çokollatës në shtatzëni zvogëlon mundësitë për shfaqjen e komplikimeve serioze të preeklampsisë (ngritja e shtypjes së gjakut te shtatzënat që shoqërohet me praninë e proteinave në urinë). Çokollata përmban sasi të madhe të teobrominës, e cila stimulon punën e zemrës dhe kështu lëshon dhe zgjeron enët e gjakut, duke zvogëluar në këtë mënyrë mundësitë e shfaqjes së preeklampsisë. Teobromina shfrytëzohet në mjekimin e dhimbjeve në kraharor, rritjen e shtypjes së gjakut dhe në parandalimin e ngurtësimit të enëve të gjakut. Shkencëtarët shtojnë se teobromina mund ta rregullojë edhe qarkullimin brenda placentës duke bllokuar në këtë mënyrë stresin oksidativ.

Punëtorët e zyrave, në rrezik të madh të preken nga tromboza

Punëtorët e zyrave që qëndrojnë gjatë të gjithë ditës të ulur, janë më të rrezikuar nga tromboza se të tjerët që janë në lëvizje, madje ata janë më të rrezikuar edhe se viktimat klasike të trombozës, pasagjerët e fluturimeve të gjata. Punëtorët e zyrave të cilët ngjiten pas ekraneve të kompjuterëve janë më shumë të rrezikuar nga mpiksjet e gjakut që formohen në këmbët e tyre. Studimi mbi trombozën ka zbuluar se 34 për qind e pacientëve që shtrohen nëpër spitale me mpiksjet e gjakut kanë qenë për një periudhë të gjatë në punë, që i impononte atyre qëndrimin ulur, ka treguar prof. Richard Beasley i qendrës mjekësore të Zelandës së Re. Tromboza e venave në thellësi apo DVT, është një sëmundje në të cilën gjaku mpikset në enët në thellësi të këmbëve. Sëmundja mund të jetë fatale, pasi arrin të bllokojë edhe venat në mushkëri. Kjo sëmundje është lidhur me fluturimet afatgjata, pasi pasagjerët që udhëtojnë shpesh dhe sidomos në klasat ekonomike nuk kanë mundësi që të shtriqen mjaftueshëm sa për të shmangur mbledhjen e gjakut. “Qëndrimi ulur për një periudhë të gjatë kohe, e zhvillon patjetër rrezikun e trombozës”, tha prof. Beasley.

Arrat dhe bajamet pakësojnë rrezikun e diabetit 2

Diabeti 1 tipit 2 mund të bëhet shkak për sëmundjet të veshkave, zemrës dhe verbim. Por në një studim të kohëve të fundit thuhet se gratë që hanë çdo ditë 30 gramë arra kanë 30 për qind më pak gjasa për tu prek nga diabeti. Ndërsa tek gratë që konsumojnë çdo ditë një lugë vaj kikiriku rreziku ulet me 20 për qind. Përveç yndyrës së mirë, arrat përmbajnë edhe vitamina të shumta, minerale dhe fibra. Shkencëtarët ranë universitetit të Harvard në Boston përfshinë në studim rreth 83 mijë gra të moshave nga 34 deri në 59 vjeç. Pasi kanë analizuar të gjitha të dhënat, ata vunë re se arrat dhe vaji i kikirikut ulin rriskun e prekjes nga diabeti i trupit 2. Nga ky studim thuhet gjithashtu se arrat, bajamet dhe lajthitë nuk luajnë asnjë rol në rritjen e peshës trupore, siç mendohej deri më sot.

Peshku parandalon hemorragjinë cerebrale

Në një studim të botuar në një revistë të shoqatës amerikane për shëndetësinë thuhet se ngrënia e peshkut të paktën 2 herë në javë ul riskun nga prekja e hemorragjisë cerebrale në tru. Studimi të cilit iu nënshtruan 99 meshkuj të cilët më parë konsumonin vetëm mish në dietën e tyre dhe që ishin shtruar në spital si pasojë e shfaqjeve të simptomave që çojnë në këtë sëmundje, arriti në përfundimin se mishi i peshkut ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të hemorragjisë cerebrale falë acidit yndyror që ai përmban dhe që ndihmon në qarkullimin e gjakut. Gjatë këtij studimi shkencëtarët nuk u bazuan në ndonjë lloj të veçantë peshku, gjë që tregon se nuk ka rëndësi lloji apo madhësia, rëndësi ka përdorimi i tij më shpesh nga të gjithë njerëzit.

Kremi i tepërt shkakton infeksion

Shpesh gjatë periudhës së dimrit njerëzit përdorin krem për zbutjen e buzëve sa herë që lëkura e tyre thahet ose plasaritet. Por shkencëtarët pranë universitetit të Alabamës paralajmërojnë se lyerja e tepruar e buzëve me krem mund të bëhet shkak për infeksione. Ata tregojnë se kremi zbut lëkurën dhe e bën atë të pambrojtur nga bakteret dhe viruset e shumta. Pikërisht për këtë arsye ata këshillojnë që sasia e kremit ose pomadës kundër plasaritjeve të buzëve duhet të kufizohet në maksimum dhe mundësisht ky produkt të përdoret vetëm gjatë një moti tepër të ftohët. Madje po të njëjtën specialistët mendojnë se edhe gjatë stinës së verës, ku pluhurat janë me dendësi më të madhe, është më mirë që të përdoren buzëkuq ose shkëlqyes sesa krem zbutës. Sipas tyre, ky lloj produkti rezulton të jetë tepër i dëmshëm dhe shkaktari numër një i infeksioneve.

Tetraciklina pengon përhapjen e kancerit

Tetraciklina, ilaçi më i vjetër në botë, ndalon përhapjen e kancerit. Sipas mjekëve, provat që janë bërë me këtë ilaç të thjeshtë që ka ekzistuar në shekuj dhe kanë dalë të gjitha pozitive, aq më tepër që ai nuk kushton as shumë para. Të parët që kanë eksperimentuar me këtë medikament kanë qenë plot 60 gra në një institut në Kanada, të cilat vuanin nga kanceri i gjirit, ai i lëkurës. Dhe sipas të dhënave të para, tetraciklina parandalon përhapjen e sëmundjes në vende të tjera dhe bën të mundur mospërhapjen e sëmundjes në kocka apo infektimin e qelizave të shëndetshme. Megjithatë për të dhënë përgjigjen përfundimtare rreh efektit të tetraciklinës, mjekët kanë bërë studime të reja, në mënyrë që të dalin me një vendim të bazuar shkencor dhe mjekësor dhe me rezultate të shumëfishta.

Uji mineral favorizon veshkat

Uji është përbërësi kryesor në organizmin tonë. Është një nga elementët kryesore që e lejon trupin tonë të pastrohet nga papastëritë e tij. Uji favorizon funksionimin e veshkave. Zbut indet dhe zbardh lëkurën tonë. Hidratimi është funksioni kryesor i ujit, më pas ai ka veti tretëse, çka do të thotë se zgjedhja e ujit me përqindje më të madhe minerale e ndihmon stomakun tonë të rënduar pas një dreke ose një darke që të funksionojë normalisht. Lodhja, stresi, mungesa e imunitetit, tkurrja e muskujve mund të jenë shenjat e para të mungesës së magneziumit, duke e ditur se mangenzi nuk prodhohet nga trupi ynë, por atë duhet ta zgjedhim mes ushqimeve, është shumë i rëndësishme përdorimi i ujërave mineralë, pasi ato i japin trupit 50 për qind të nevoja për magnez.

Shega ndihmon zemrën, gjakun, tretjen

Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Me shumë sukses përdoret edhe në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit. Ai mund të përdoret edhe për heqjen e njollave dhe rrudhave të fytyrës. Lëkura e saj, e pasur me taninë, akoma edhe sot përdoret në Afrikën e Veriut si ilaç për diarrenë. Lëngu i shegës mund të quhet edhe ilaç i çmuar për zemrën. Sipas një studimi izraelit, pirja e një gote me lëng shege çdo ditë do të parandalonte në formimin e pllakëzave në enët e gjakut, duke ulur kështu rrezikun për t‘u prekur nga arterosklerozat.

Autorët e këtij studimi shpjegojnë gjithashtu se efektet e lëngut varen nga aftësia e organizmit për të përthithur dy gjene që aktivizohen nga substanca oksiduese, të cilat forcojnë muret e enëve të gjakut. Eksperimenti i kryer mbi qelizat njerëzore të marra nga arteriet koronare dhe te minjtë me nivele tepër të larta kolesteroli në gjak, kanë treguar se lëngu i shegës pengon veprimin e ELK-1 e p-JUN, që janë dy gjene të njohur për favorizimin e formimit të pllakëzave në enët e gjakut dhe ndihmojnë për aktivizimin e substancave oksiduese. Por vetitë e saj magjike nuk mbarojnë këtu. Shkencëtarët, pas studimit, zbuluan se njerëzit që pinin dy gota me lëng shege të shtrydhur në ditë, prej vitesh kishin rregulluar me 21 për qind presionin e gjakut. Për më tepër, ata vërtetuan se një gotë mbulon rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminë.

Puna natën shkakton kancerin në organizëm

Puna natën mund të shtojë rrezikun e prekjes nga kanceri. Një njoftim shqetësues për ata që punojnë gjatë turnit të natës: Një studim i ri thekson se ata janë nën një rrezik të shtuar për t’u prekur nga kanceri. Pas shpalljes së rezultateve të studimit që arriti në këtë përfundim, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime në Fushën e Kancerit, degë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se së shpejti do ta klasifikojë punën natën si një ndër shkaktarët e mundshëm të kancerit. Dhe ka gjasa që një hap të ngjashëm të ndërmarrë edhe Shoqata Amerikane Kundër Kancerit, e cila në të kaluarën i ka parë me dyshim pretendime të tilla të ngjashme. Dihet se qëndrimi në diell, pa masa mbrojtëse, mund të shkaktojë kancer në lëkurë. Tani thuhet se edhe qëndrimi nën dritë artificiale mund të shkaktojë kancer, jo në lëkurë, por në organizëm. Agjencia për kërkime në fushën e kancerit, thotë se së shpejti ka në plan të shpallë zyrtarisht se njerëzit që punojnë në turnet e natës, mund të përballen me një shkallë më të lartë rreziku nga kanceri. Edhe Shoqata Amerikane Kundër Kancerit thotë se ka të ngjarë të ndërmarrë të njëjtin hap.

Natriumi rrit presionin e gjakut

Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet konsumit të natriumit dhe presionit të gjakut. Vlerat e mëdha të natriumit në organizëm bëjnë që trupi të mbajë sasi të tepërta të lëngjeve, të cilat vështirësojnë punën e zemrës dhe ngushtojnë enët e gjakut, duke çuar në rritjen e presionit të gjakut. Natriumi ul efektivitetin e ilaçeve që përdoren për trajtimin e presionit të lartë të gjakut. Ai gjendet kryesisht në kripën e tavolinës në formën e klorurit të natriumit. Shkencëtarët kanë gjetur se kaliumi dhe kalciumi kanë efekte pozitive në presionin e lartë të gjakut. Ato ofrojnë një mbrojtje kundër presionit të lartë të gjakut dhe kundërshton efektet e natriumit. Kaliumi gjendet në sasi të mjaftueshme te frutat dhe perimet e freskëta. Sasi të vogla kalciumi gjenden në perimet me gjethe jeshile dhe në disa lloje peshqish.

Niveli i kolesterolit ndryshon me stinët

Duket e çuditshme, por është më se e vërtetë. Nivelet e kolesterolit ndryshojnë me stinët, ky rezultat është arritur nga një kërkim i kryer nga universiteti i Masacusetit në mbi 517 persona të shëndetshëm. Dhe si përfundim rezultoi që nivelet e kolesterolit ishin më të mëdha në vjeshtë dhe në dimër dhe më të ulët në pranverë dhe verë. Nuk dihet mirë se cilët janë mekanizmat që çojnë në këtë rezultat, por matjet tregonin që vlerat më të mëdha për meshkujt arrinin në dhjetor, kurse për femrat në janar. Vlerat e regjistruara tregonin një rritje rreth 3.9 mg/dL te meshkujt (vlerat mesatare ishin 222 mg/dL) dhe 5.4 mg/dL te femrat (vlerat mesatare ishin 213 mg/dL). Disa nga këto ndryshime mund të përshkruheshin me variacionet që pëson plasma në stinët e ndryshme. Nga ky studim gjithashtu rezultoi që niveli i kolesterolit nuk kishte lidhje me dietën që përdoret në stinët e ndryshme.

Kafja shton rrezikun nga abortimi spontan

Marrja e përditshme e dozave të mëdha të kafes gjatë shtatzënisë shton rrezikun nga abortimi spontan, ka dëshmuar studimi i publikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që njëkohësisht ka vërtetuar rezultatet e hulumtimeve të mëhershme. Shtatzënat do të duhej “të mendojnë për të ndaluar pirjen e pijeve të cilat përmbajnë kafeinë”, shkruajnë autorët e studimit të publikuar në numrin e fundit të gazetës amerikane për obstetrikë dhe gjinekologji (American Journal of Obstetrics and Gynecology).

 Për shkak të mundimeve të mëngjesit dhe vjellave të shkaktuara nga shtatzënia, shumë gra e ndërpresin konsumimin e pijeve me bazë kafeine, zbulon doktori De-Kun Li nga qendra Kaiser Permanente. Autorët e studimit i kanë përcjellë 1.063 gra shtatzëna gjatë dy vjetëve dhe kanë vërtetuar “se ekziston lidhje e fortë në mes të kafeinës dhe abortimit spontan, sepse hulumtimi për herë të parë ka përcjellë vetëm shtatzënat të cilat kanë vazhduar të konsumojnë pijet me kafeinë”, shkruan Li.

Gratë të cilat kanë konsumuar së paku dy filxhanë kafe në ditë apo pesë kanaçe të pijeve të gazuar me kafeinë, që do të thotë 200 miligramë të kafeinës në ditë, kanë pasur dy herë më shumë gjasa për abortim spontan për dallim nga gratë të cilat nuk kanë futur aspak kafeinë në organizëm. Tek gratë të cilat kanë marrë më pak se 200 miligramë kafeinë në ditë, rreziku për të humbur frytin e tyre ka qenë prapëseprapë 40 për qind më i madh sesa tek gratë të cilat kanë hequr dorë tërësisht nga konsumimi i kafeinës. Rreziku nga abortimi spontan rritet pikërisht për shkak të kafeinës, e jo për shkak të përmbajtjeve tjera kimike të kafesë, sepse futja e kafeinës në organizëm nëpërmes pijeve tjera siç është qaji, pijet e gazuara apo çokolata e nxehtë, tregon për rrezikun e shtuar nga abortimi spontan, përfundon studimi.

Pyjet dhe banjat e hijes, ilaçi për sëmundjet e tiroideve

Sëmundjet e këtyre gjëndrave janë të lidhura me funksionin e prishur të tyre nga shumë faktorë. Sëmundja që do mjekim klimaterik është tireotoksikoza e gradës së mesme dhe të rëndë, por pa çrregullime të thella. Kanë efekt të mirë vendet klimaterike në pyje dhe bregdet. Për këta të sëmurë, rëndësi të madhe ka qetësia fizike dhe psikike, krahas mjekimit dhe ushqimit. Ka të dhëna se në disa nga këta të sëmurë, bregdeti krijon shqetësime, sidomos gjatë verës, prandaj është mirë që të bëjnë banja ajri në hije. Banjat e ujit në det dhe lumenj t'i bëjnë me kujdes, kurse banjat e diellit t'i evitojnë. Në sëmundjen e strumës (gushës) që lind si pasojë e mungesës së jodit në ushqim, këshillohen banjat e detit ku ajri është i pasur me kripëra të jodit.

Ushqimi vetëm me perime, ngadalëson rritjen e fëmijëve

Nuk është aspak e shëndetshme që një nënë të heqë nga dieta e fëmijës së saj, ushqimet me origjinë shtazore, gjatë periudhës së ushqimit me qumësht, e për më tepër t'u imponojë fëmijëve një ushqim rigorozisht vegjetarian: pa djathë, gjalpë ose bukë. Studimet të mjaftueshme tregojnë sesi fëmijët e mamave vegjetariane, të privuar nga proteinat shtazore, lindin më të vegjël dhe rritem më ngadalë, një efekt që mund të kthehet në problem të vazhdueshëm për jetën e tyre të mëvonshme. Në rast se mjekëve u duhet ti kthejnë këta fëmijë me një organizëm normal, atyre u duhet që për dy vjet, të hanë një sasi të kufizuar mishi në ditë, që të kthehen në njerëz më energjikë dhe aktivë.

Problemet urinare, kurohen me brokoli

Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që këtë lloj perime ta konsumojmë më shpesh sepse është shumë i ushqyeshëm dhe se përgatitja e tij është shumë e lehtë. Brokoli mundë të jetë shumë efikas në problemet që shfaqen te shumica e femrave por edhe te meshkujt. Brokoli është treguar shumë efikas në preventive e ndezjes së kanaleve urinare. Kjo sëmundje lajmërohet shumë shpesh te femrat, madje disa prej tyre mësohen të jetojnë me këtë problem. Mjekët deklarojnë se femrat të cilat kanë probleme me kanalet urinare duhet me ngrënë 200 deri 300 gramë brokoli të zier. Brokoli përmban glukinolat, të cilët janë përbërje sekondare bimore të cilët i shkatërrojnë bakteret në fshikëzën e urinës.

Kanceri i lëkurës luftohet me ushtrime dhe kafeinë

Nëse mund tu shtonit ushtrimeve fizike rutinë një ose dy filxhanë kafe do të reduktonit ndjeshëm rrezikun nga kanceri i lëkurës. Këtë e kanë provuar kërkimet më të fundit në këtë fushë. Kombinimi i ushtrimeve dhe kafesë shkatërron qelizat prekanceroze që janë krijuar nga dëmtimi që shkaktojnë rrezet ultraviolet. Sipas një grupi studiuesish në Rutgers University, pas eksperimenteve tek një kavie ka rezultuar se ka një efekt protektiv të kafeinës dhe ushtrimeve, jo domosdoshmërish të përdorura të dyja njëherësh. Shkencëtarët mendojnë se një efekt i tillë mund të jetë i ngjashëm edhe tek njerëzit. Pikërisht për këtë arsye, për të evituar kancerin e lëkurës ata rekomandojnë ndërthurjen e kafesë me ushtrimet fizike.

Vitamina “B2” ruan indet trupore dhe rrit energjinë

Vitamina “B2” ose (Riboflavina) merr pjesë në shumë procese të trupit veçanërisht për të formuar energjinë nga ushqimet në rritjen e fëmijëve dhe në mbarëvajtjen e indeve trupore. Shenjat e para që vihen re, në mungesë të saj, janë disa të çara në anët e gojës. Simptoma të tjera,janë plagë dhe mavijosje në gjuhë, kruarje dhe skuqje të syve. Këto shenja mund të vihen re brenda disa ditëve dhe është e këshillueshme të mos lihet mbas dore. Vitamina “B2” gjendet kryesisht tek; mëlçia, kosi,qumështi, djathi, drithërat, veza, peshku, bajamet, veshkat, kërpudhat, farat e kungullit etj.

Jodi rregullon mbi 100 sisteme enzimash

Jodi është i nevojshëm nga gjëndrat tiroide, për të prodhuar hormonin e tiroides,i cili rregullon më shumë se 100 sisteme enzimash,përshirë këtu dhe metabolizmin,rritjen, riprodhimin dhe shumë funksione të tjera themelore. Mungesa e jodit sjell fryrjen e gjëndrave tiroide. Kjo ndodh gjatë përpjekjes për të marrë jodin nga gjaku, dhe duke formuar kështu një strumë. Po ashtu ulet metabolizmi duke shkaktuar ngadalësim në aktivitetin fizik dhe mendor, shtim të peshës, zgjerim të qafës (sepse gjëndra tiroide gjendet aty), vrazhdësi të tipareve të fytyrës dhe flokë të thatë. Jodi gjendet kryesisht tek të gjitha prodhimet e detit dhe kripa e jodizuar. Gjithashtu edhe qumështi dhe bulmetrat dhe perimet që rriten brenda në tokë përmbajnë jod.

Mungesa e vitaminës A sjell verbim

Mungesa e vitaminës A shkakton shkurtpamësi dhe verbimin e natës. Prandaj këshillohet që veç të tjerash të hani majdanoz të freskët i cili është i pasur me vitaminen A, por përmban edhe kalcium të nevojshëm për elasticitetin e muskulaturës së syve. Gjysmë filxhani majdanoz plotëson nevojën ditore të organizmit me vitaminë A. Kjo për të gjithë ato raste kur personi është i vetëdijshëm që nuk ka konsumuar në menynë e tij ditore produkte që kanë këtë lloj vitamine.

Fibrat rrisin energjinë

Nëse doni të jeni energjik gjatë gjithë ditës, filloni me “fibra” që në mëngjes. Shumë nga ushqimet e veçanta ndikojnë në mirëqenien tonë, por specialistja e dietave, Annie Jefferson, tregon se një ndryshim i veçantë që rrit nivelin e energjive ndodh kur njeriu ha për mëngjes një ushqim të pasur me fibra. Është provuar se fibra rrit nivelin e energjive, ka një efekt pozitiv në funksionimin e organeve. Ju mban në formë për një kohë të gjatë dhe gjithashtu nuk ndikon në shtim të peshës.

Lëkura, nevojë për trajtim edhe në dimër

Edhe pse temperaturat janë shumë herë më të ulëta dhe dielli mendohet se nuk të krijon probleme me lëkurën, në stinën e dimrit duhet të përdoren të njëjta kremra me stinën e verës. Ndryshon vetëm numri i filtrave dhe karotina që në verë është më e madhe. Nëse një person nuk kujdeset për lëkurën dhe fytyrën në dimër e ka të vështirë ta rigjenerojë atë vetëm në stinën e verës.
Për t’u kujdesur për lëkurën e fytyrës duhet të konsumoni vitamine C dhe E çdo ditë, ose fruta që i kanë këto vitamina; si dhe të keni kujdes kur të zgjidhni kremrat që reklamohen nëpër dyqane. Shihni për kremra që bllokojnë rrezet e dëmshme të diellit, vitamina C dhe E si dhe acidet Alfa-Hidroksike.

Uji i detit dhe vetitë kuruese të tij tek njerëzit

Sëmundjeve si psoriazis vulgaris, ekzema kronike e thatë, deurodermitet, faza premykotike, tuberkulozi i lëkurës, sëmundja e leshmanozës, aknejuvenilia, alopecia areta, urtikaria kronike etj., të cilat kanë vetëm përfitim nga banjat e detit. Në mjekimin e këtyre sëmundjeve ndikojnë mjaft mirë rrezet ultravioletë, aerojonet dhe radioaktiviteti i ajrit, si dhe faktorë të tjerë të ajrit, të tokës dhe ujit. Rrezet e diellit nuk mund të zëvendësohen në asnjë mënyrë me rrezet ultravioletë që prodhohen në mënyrë artificiale.

 Megjithatë, ka edhe raste kur banjat e diellit nuk janë të këshillueshme dhe kjo më konkretisht u "mohohet" atyre që vuajnë nga tuberkulozi aktiv i mushkërive, që kanë eksitime (shqetësime të forta të sistemit nervor, dhimbje të vazhdueshme të kokës, marrje mendsh me të vjella, rrahje të shpejta të zemrës). Po ashtu, nuk rekomandohet banja në ato sëmundje të lëkurës që acarohen si fotodermatozat. Banjat e diellit nuk u këshillohen atyre që vuajnë nga epilepsia, nga sëmundjet infektive, nga sëmundje të rënda të veshkave, atyre që kanë prirje për hemorragji në tru, që janë shumë të dobët, me stenokardi (shtrëngime në zemër), që kanë tension të lartë të gjakut etj. Banjat u ndalohen njerëzve me moshë të thyer dhe grave në periudhën e dytë të barrës. Edhe të moshuarit që kanë predispozicion për tumore të lëkurës nuk duhet të qëndrojnë në diell më shumë se dy orë. Për çdo rast është e nevojshme të merrni parasysh këshillat e mjekëve

70 % e personave me akne, nuk kurohen

Aknet: një shqetësim që prek më shumë se sa 5 për qind të të rinjve ndërmjet moshës 14 dhe 19 vjeçare të të dy sekseve. Por ky është një problem që mund të paraqitet dhe në moshën e rritur dhe pse me një frekuencë më të vogël (rreth 10 për qind e grave nga mosha 30 deri në 35 vjeç). Mund të ndodhë gjatë një periudhe stresi psikofizik. Por jo vetëm kaq: puçrrat janë rezultat i një çekuilibrimi të fortë hormonal që është tipik për disa faza të jetës femërore siç është puberteti, shtatzania dhe menopauza. Shumë shpesh egziston tendenca për ta nënvleftësuar këtë problem. Në të vërtetë një kërkim i studiuesve amerikanë mbi këtë fakt ka zbuluar se 70 për qind e personave që vuajnë nga ky shqetësim nuk marrin asnjë lloj kure.

Rënia e flokëve e trashëguar

Rënia e flokëve mund të shkaktohet edhe nga trashëgimia gjenetike. Hormoni seksual testosteron krijon lidhje me një enzimë të caktuar dhe shndërrohet në një dihidrotestosteron - apo si ç´emërohet ndryshe DHT. Kjo futet nëpërmjet gjakut që riqarkullon në rrënjët e flokëve dhe ngujohet aty. DHT jo vetëm pengon rritjen e flokëve por edhe ndalon daljen e flokëve të rinj. Me kalimin e kohës, porja mbyllet krejt. Flokët rriten për dy deri tre vjet përpara se të bien. Rënia e flokëve të vjetër është krejt natyrale. Nga pori prej të cilit ra floku i vjetër zakonisht pas një farë kohe del një qime e re floku. Në një ditë njerëzve mund t´u bien 150 qime flokësh. Ka shkaqe të ndryshme që shkaktojnë rënien e flokëve, si ndonjë sëmundje infektoze, përdorimi i një ilaçi të caktuar etj. Specialistët tregojnë, se realisht fenomeni nis që në moshën 20-vjeçare, kohë kjo kur në kokën e njeriut fillojnë të përdoren produkte të ndryshme kozmetike.

Gjenet, shkak për shfaqjen e kolesterolit

Gjenet dhe trashëgimia janë të parapërcaktuara si përgjegjëse për shfaqjen e nivelit të lartë të kolesterolit në gjak. Ende nuk dihet se cilat janë gjenet që përfshihen në përhapjen e kolesterolit në organizëm, por të gjithë njerëzve u këshillohet një stil i shëndetshëm jete, regjim ushqimor të mirë dhe zbatimin e terapive të këshilluara nga specialistët, të gjitha sjelljet që janë armët më të mira ndaj hiperkolesterolaminës. Kolesteroli nuk kursen as femrat dhe as meshkujt, madje sipas studimeve, më të prekura janë femrat, pasi ato janë më të prira drejt ushqimeve me yndyrë. Një sërë studimesh kanë treguar se në lëkurën e bajameve, ndodhen substanca të tilla të cilat ndihmojnë në parandalimin e oksidimit të kolesterolit, një proces i cili mund të shkatërrojë qelizat e gjakut dhe të shkaktojë rrezik për atak kardiovaskular.

Përdorimi i celularëve shkak për kancer në tru

Një sërë studimesh të realizuara në vende të ndryshme të botës kanë treguar një rrezik në rritje nga përdorimi i telefonave celular, sidomos në anën e kokës ku njerëzit vendosin aparatin. Pesë nga gjashtë studimet e bëra treguan se te këta njerëz mundësia për një tumor malinj në tru ishte më e madhe. Po ashtu, përdoruesit e rregullt kanë mundësi për të zhvilluar më shumë tumore se njerëzit e tjerë. Njerëzit që kanë përdorur telefonat e tyre për një dhjetëvjeçar ose më shumë, janë 20 për qind më të prirë për të zhvilluar sëmundjet e veshit dhe 30 për qind për një tumor malinj. Rreziku është shumë herë më i madh në anën e kokës, nga e cila telefoni është mbajtur më gjatë. Sipas shkencëtarëve përdorimi i telefonave celularë për më shumë se dhjetë vjet rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit malinj në kokë apo vesh.

Shkenca, bimët jeshile pastrojnë gjakun

Për të pastruar gjakun nga përbërësit dhe elementet e dëmshme, mund të jenë të nevojshme një sërë kurash mjekësore. Një kurë e efektshme për të luftuar sëmundjet e gjakut është edhe ajo e përgatitur nga 250 gramë gjethe hithre, 10 gramë uthull dhe 10 gramë gjethe delli. Të gjitha këto vendosen në 1 litër ujë të ftohtë, ku qëndrojnë 12 orë. Pastaj zihen për 10 minuta, ëmbëlsohen sipas dëshirës me mjaltë dhe pastaj sërish mbyllen dhe qëndrojnë të mbyllura për 20 minuta. Kullohen dhe pihen gjatë tërë ditës me lugën e kafesë. Fiku është një frut, që përmban shumë karbohidrate, albuminë, yndyrë. Përdoret i freskët, i tharë dhe i përpunuar në produkte të ndryshme. Rekomandohet të përdoret nga personat e dobësuar, nga anemikët dhe nga ata që ndiejnë shumë të ftohtë, pasi i japin organizmit forcë dhe nxehtësi.

Sporti dhe gjimnastika rëndojnë artitin reumatik

Ai që ka artritin reumatik shpesh mundet të vazhdojë të merret me interesat e kohës së lirë po ashtu si më parë. Por për ta do të ishte më mirë që gjatë ditës të mos kryejnë lojëra me top apo gjimnastikë me ushtrime kërcimi. Këto lloj veprimtarish mund t’i mbingarkojnë kyçet. Se sa i lodhur njeriu ndjehet nga kjo sëmundje, është diçka vetjake. Nëse sëmundja bëhet më e rëndë mund të jetë i domosdoshëm marrja e pushimit mjekësor. Dy vitamina janë shumë të rëndësishme për trupin e njeriut dhe ndihmojnë shumë në shmangien e problemeve reumatizmale, ato janë vitamina C dhe A. Tridhjetë ditë në vit, mjekët rekomandojnë plazh për të gjithë personat që kanë probleme me reumatizmën, sipas tyre, është shumë e rëndësishme, që ata të shtrihen në rërën e plazhit në mëngjes dhe në darkë.

Stresi sjell një jetë të ndryshueshme

Pak stres është normal, madje i nevojshëm për të pasur një jetë të ndryshueshme dhe interesante. Përgjigjja ndaj stresit mund të jetë e dobishme në rastet kur reaksioni i shpejtë ndaj tij, bëhet i dobishëm. Prapëseprapë, mund të vështirësojë aftësinë tuaj për t’i bërë ballë detyrimeve komplekse dhe interaktive me njerëzit që iu rrethojnë. Në qoftë se ju ndiheni të shtypur nga një gjendje mbistresante për një periudhë të shkurtër kohe ju mund të filloni të ndiheni të dobët dhe të shfaqni probleme shëndetësore. Lajmi i mirë është se mund të gjeni rrugë, që ju shpien drejt indiferencës dhe shpenzimin e kohës me të tjera plane që nuk iu lënë kohë që të mendoni rreth stresit. Kalimi i kësaj gjendje do të sillte çaste të qeta dhe të ëmbla pas asaj stuhie të furishme emocionesh të pakontrolluara.

Mjalti zbut kollën natën

Një lugë mjaltë mund të zbus kollitjen e natës dhe t'u ndihmojë fëmijëve dhe prindërve të tyre që të flenë më mirë, ka dëshmuar një studim në të cilin janë përfshirë 105 fëmijë, të cilët kolliteshin për shkak të ftohjes. Fëmijët janë ndarë në tri grupe nga të cilat njëri ka marrë shurup kundër kollitjes, i dyti mjaltë, ndërsa i treti asgjë, dhe është dëshmuar që mjalti është zgjidhja më e mirë. Mjalti përdoret në mbarë botën si ilaç popullor kundër kollitjes dhe është alternativë më e sigurt dhe më e efektshme sesa mjekësia zyrtare. Ekzistojnë disa arsyetime pse mjalti ndihmon në lehtësimin e kollitjes, kanë sqaruar Paul dhe kolegët e tij. Mjalti është i ëmbël dhe në formë shurupi si dhe ndikon si relaksues në fytin e irrituar, e është i rëndësishëm ndoshta edhe për faktin që ka përqindje të madhe antioksidantit.

Muzika qetëson më shumë se ilaçet

Muziko-terapia ndikon pozitivisht në qetësimin e trurit dhe dhimbjeve fizike tek personat e sëmurë. Ekziston një raport i thellë dhe ende misterioz, i cili lidh muzikën me shpirtin dhe mendimet e njeriut. Pse muzika mund të na shqetësojë, apo në të kundërt të na qetësojë; mund të na shtyjë drejt një agresiviteti, apo të na nxisë drejt një dashurie? Dhe në ç‘mënyrë muzika mund të ketë efekte terapeutike dhe të qëndrojë përkrah terapive psikiatrike të suksesshme? Vetëm prej pak vitesh shkenca, veçanërisht neuroshkenca, i është dedikuar kuptimit të fenomeneve që lidhen me dëgjimin e muzikës. Pikërisht zbulimet e fundit tregojnë se muzika dhe shkenca kanë lidhje me njëra-tjetrën. Lidhja racionale mendim-muzikë nuk ekziston vetëm te fëmijët. Është provuar se muzika nuk është e bezdisshme, por që zgjidhet me dëshirë nga të gjithë, veçanërisht nga dëgjuesit e rinj. Ka efekt mbi vigjilencën, humorin dhe arsyen për të kryer punë të ndryshme, të cilat kërkojnë një përqendrim të veçantë. Veç të tjerash, nëse eksplorojmë në natyrë dhe etnologji raportin muzikë-mendim, do të zbulojmë lidhje të vjetra dhe shumë të thella.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama