Macet

Macet
Kafshët e shenjta të egjiptianëve janë bërë miqtë më të mirë të mbretëreshave, krerëve të shteteve dhe shkrimtarëve. Një libër tregon sekretet dhe historitë e maceve më të dashura nga njerëzit e famshëm.

Me sy të verdhë dhe lëkurën me qime të buta, macja e parë e shfaqur në historinë e njerëzimit nuk kishte emër. Sipas legjendës ishte një prej kafshëve të Lilith, gruas rebele dhe djallëzore, që sipas traditës hebreje, ishte shoqja e Adamit para Evës, me pak fjalë edhe femra e parë e krijuar mbi Tokë. Për këto lloj macesh, që sigurisht nuk gërhinin por që ishin lajkatare dhe shumë të bukura, shkruhet edhe në Bibël, kur tregohet për kaosin fillestar në të cilin ishte kthyer Toka pas mbretërisë së Edomit. Në një citim aty shkruhej se Lilith kishte gjetur një banesë në atë zonë, së bashku me hienat dhe macet e egra.

Që atëherë, macja, kafshë elegante dhe misterioze, ka qenë gjithmonë e pranishme në historinë e njerëzve: e cilësuar si hyjnore, ndonjëherë si krijesë e djallit, e çmuar nga dashamirëset e tyre (gratë në krye) dhe e urryer pafund nga ata që i kanë fobi. Macet pëlqeheshin shumë nga egjiptianët dhe grekët për natyrën e tyre enigmatike, nga etruskët dhe romakët sepse mbanin larg minjtë. Pikërisht sipas shkencëtarëve kjo ishte arsyeja se pse macet e egra u afruan me njerëzit: ato luftonin minjtë që hanin drithërat. Deri tani besohet se egjiptianët e lashtë ishin të parët që zbutën si kafshë shtëpiake macet, rreth 4 mijë vjet më parë.

Skeleti i një maceje të egër ishte gjetur i varrosur pranë eshtrave të një njeriu të epokës së neolitit. Kjo sipas tyre sugjeronte se macja ishte një kafshë shtëpiake, ndoshta e vrarë pas vdekjes së të zotit të saj. Pas Mesjetës, macet u shfaqën paqësisht në skenë, në fshat e në qytet, në kampe dhe shtëpi të varfërish, por edhe në vila fisnike dhe kështjella mbretërore. Protagoniste mitesh dhe legjendash, këto kafshë të cilësuara si me cilësi mbinatyrore, duke u bërë miqtë më të dashur të njerëzve të famshëm dhe jo vetëm. Edgar Allan Po mbante vazhdimisht në shpatull macen e tij Katerina, që i dha më shumë famë me librin “Macja e zezë” (1842), ndërsa Rudyard Kipling u dedikoi atyre librin “Macja që ecte vetë”. Por nëse George Sand ishte shumë e afeksionuar pas maces së saj Minou, saqë ndante me të pjatën e mëngjesit, Juck ishte shoku i pandashëm i Winston Churchill-it në Londër në “Dowing street N.10”.

 Përkundrazi Socks, macja laramane e racës së përzier, ishte “First cat” në kohën e Klinton-it, edhe pse më shumë se e vetë Presidentit, ishte e preferuara e vajzës së tij, Chelesea. Sock u bë i famshëm pasi me Buddy–n (qenin presidencial), nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin, ndaj mbaheshin në lagje të ndara në Shtëpinë e Bardhë. Kur u shpërngulën nga Shtëpia e Bardhë, përfundoi në shtëpinë e sekretares së Clinton, Betty Currie. Por Socks nuk është i vetmi rast, meqenëse në Shtëpinë e Bardhë kishte jetuar edhe Slippers, i preferuari i Presidentit Rusvelt. Edhe macja siameze e Carterit nuk mbetet pas për nga fama. Fotoja ku shfaqet vajza e Presidentit, Amy, me macen siameze Misty Malarky Ying Yang, bëri xhiron e botës në atë kohë. Nëse kthehemi pas në kohë, na del në skenë Heatheri i bardhë, maçoku persian i Mbretëreshës Viktoria, që gjithmonë kishte pasur shumë mace në rezidencën mbretërore, por që të preferuarin e saj ia la trashëgimi të birit, Eduardit VII.

Kësaj kafshe magjike i është kushtuar edhe libri “1001 historitë që nuk të kanë treguar për macet”, i mbushur me anekdota dhe rrëfime për mace të famshme, por edhe nga aventura të jetuara. Aty shkruhet për Dinën, macen e shfaqur në “Liza në botën e çudirave”, por edhe për macet që kanë përbërë lajm për televizionet apo gazetat nëpër botë. E kush e harron rastin e Vaino-s, ekzemplarit finlandez 12 vjeç, që një vit më parë, pasi humbi dhe u largua padashur nga shtëpia, përshkroi 800 kilometra në 130 ditë për t’u kthyer në Helsinki, te padronët e tij. Histori argëtuese dhe plot ngjyra, por që arrijnë t’i bëjnë për vete të gjithë, jo vetëm fëmijët. Nga ana tjetër, nëse është e vërtetë se për macet kanë folur shpesh Bodler, Eliot, Hoffman dhe Colette, atributin më të madh për praninë e tyre në jetën e qenieve njerëzore ia dha Doris Lessingu, fituese e çmimit “Nobel” në vitin 2007, që me librin “Particularly Cats”, përmes shumë historive të kafshëve të saj të preferuara, i lejoi të gjithë të ndanin vizionin e saj të jashtëzakonshëm për botën dhe jetën.

Të jetosh me macet

Kjo është historia e një zonje, Wanda Jassen, që prej dhjetë vjetësh merr në shtëpinë e saj mace në vështirësi, për të cilat kujdeset. Të prekura nga sëmundje të rënda, të shtypura nga makinat, të përzëna nga padronët e tyre ose thjesht të braktisura në kërkim të dashurisë. Të gjitha gjejnë dashuri në shtëpinë e kësaj zonje kineze, që miqtë e njohin me emrin “Wanda, zonja e maceve”. Me dëshirën e madhe për t’i ndihmuar, Wanda ka plot 23 mace në shtëpinë e saj, secila me historinë dhe emrin e vet. “Kisha 26, por tre i kanë marrë mikeshat e mia. Falë tyre nuk rashë në depresion pas vdekjes së shokut tim. Tashmë janë misioni im, janë gjithë jeta ime”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama