Regjistroni domainin tuaj .al

'Shtepite' lundruese te milionereve shqiptare

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite më parë

'Shtepite' lundruese te milionereve shqiptare
'Shtepite' lundruese te milionereve shqiptare

Një grusht pasunarësh të rinj që sfilojnë pasionin e ri për jahtet e tyre në Orikum. Shpenzime marramendëse deri në 6 milionë euro, për "pallatet" lundruese të pronarëve shqiptarë me flamuj të huaj që enden nëpër detra dhe ankorohen në portin vlonjat. Biznesmenë, edhe artistë e politikanë në një garë kundër valës së krizës ekonomike.

Që biznesmenët shqiptarë po blejnë të pasionuar njëri pas tjetrit jahte, kjo dihet. Që në Orikum prej 4 vjetësh funksionon porti i parë shqiptar i jahteve, edhe ky zhvillim unikal turistik ka marrë dhenë. Por se çfarë mplekset mes këtyre të dyjave, pakkujt i shkon ndërmend të hamendësojë.

E më pak mundet të eksplorojë vërtet nga afër një magji komplekse unikale, ku ndërthuren bukuria natyrore, qetësia, siguria, intimiteti dhe një aventurë e shijuar fare pak nga shqiptarët, qoftë edhe post-komunistë; anija. Jo me vela apo barka me motor, por jahti përbën tanimë maninë e atyre që nuk 'iu dridhet dora' si dikur, për të 'marrë në duar çdo lodër", dikur të ëndërruar. Për të shijuar gjithçka nga koha e humbur.

"Pavarësisht tendencës së re për të pasur një jaht, shqiptarët kanë me shumicë makina, por fare pak prej tyre, të numëruar me gishta dore, kanë një anije të tyren, ndërkohë që në botë të dyja këto mjete kanë ecur paralelisht me njëra-tjetrën.

Sikurse pasja e një makine, ka qenë edhe nevoja, pasioni për zotërimin edhe të një barke, sado modeste qoftë", shprehet Kastriot Zilja, i cili, i pasionuar në Itali pas barkave me vela, po bën përpjekje të hapë të parën shkollë për gjithë ata që duan të mësojnë dhe shijojnë magjinë e barkës me vela në Shqipëri.

'Çdo vit nga gjithë bota vijnë tek 'Marina Orikum' rreth 250-300 barka me vela apo jahte dhe ky numër ka tendencë në rritje. Edhe pse porti ka vetëm 3 vjet që funksionon plotësisht.

Barkat vijnë ose tranzit, ose pas herës së parë si tranzit, kryesisht prej ishujve grekë apo Italia, rikthehen me kënaqësi një herë tjetër, apo edhe duke lënë barkat këtu për gjithë vitin", shprehet Giorgio Alfo, investitori italian i portit të parë të jahteve në Shqipëri.Tashmë porti i jahteve të Orikumit, ndryshe 'Marina Orikum', gjendet në të gjitha hartat botërore. Gjithë adhuruesit e detit që lundrojnë, e dinë ekzistencën e tij dhe, pavarësisht se në brigjet fqinje i frikësonin shpesh me: "Mos shkoni në Shqipëri se ka rrezik", më pas tregonin se dëshira për të eksploruar vende të reja, shpirti i aventurës i drejtonte kah e panjohura.

Por nëse të huajve iu lejohet të vijnë të patrazuar mbi anijet e tyre drejt Orikumit, shqiptarët në vendin e tyre nuk i kanë të drejtat e barabarta me ta. Dhe pavarësisht vizitorëve të përditshëm, në krahasim me porte simotra qoftë dhe në vendet fqinje, Marina Orikum duket shumë më e mpakur.

Por kjo e bën dhe më të qetë për ata që adhurojnë çtendosjen e plotë, harrimin në një qoshe kaq të qetë dhe private.

"Deri në 2013, ligji i moratoriumit anti-skaf ua ndalon shqiptarëve pasjen e një barke vetjake. Kësisoj ne kemi më pak anije të ankoruara në port, në të kundërt do kishim edhe shumë anije shqiptare. Edhe pse kjo dëmton biznesin tonë, unë e respektoj këtë vendim fisnik. Por të shpresojmë që pas 2013 situata do të ndryshojë.", sqaron Giorgio Alfo. Megjithatë disa nga biznesmenët tanë, ata më të fuqishmit, të parët e vendit, ia kanë dalë me mënyrë tjetër.

Duke zyrtarizuar si pronarë të anijeve të tyre, individë të huaj. E kësisoj janë të detyruar ama të kenë në anije edhe flamurin e huaj përkatës. Me flamur austriak i mban dy jahtet e tij presidenti i grupit 'Yldon', Ylli Ndroqi, me flamur grek biznesmeni tjetër Nikollaq Neranxi etj. Me anijet me flamuj edhe të huaj 'zbarkojnë' aty edhe familjet e biznesmenëve Dulaku, e mjaft biznesmenë të njohur vlonjatë.

Biznesmenët e mëdhenj tashmë e kanë një vend ku të prehin barkat dhe mendjet e tyre të stresuara. E kanë kuptuar këtë dhe mbërrijnë gjithmonë e më të shumtë. I lëshojnë 'lodrat' e tyre të reja dhe të dashura tek Marina Orikum sidomos në verë, për ta pasur si pikënisje nga aty drejt Rivierës shqiptare, për të shijuar ishujt e Greqisë, Kroacinë, Italinë e më tej. Shumë prej atyre që kanë jahte, ose kanë blerë, ose marrin me qira edhe një apartament në ambientet e portit dhe lënë familjet gjatë gjithë verës, me vajtje-ardhje apo dhe pa u larguar fare.

"Dhe vend më të qetë nuk ke ku gjen. Këtu është relaks total. Edhe peshqit duken të gëzuar, aq sa kërcejnë në ajër, sepse nuk ka kush i trazon. Çfarë ndryshimi me Tiranën, e pabanueshme në verë!", shprehen shumë prej atyre që janë shpërngulur për të jetuar ditë të tëra në port. Ndihen të mbrojtur nga deti dhe nga toka, të kontrolluar apo rrethuar për hir të qetësisë dhe privacisë së tyre. Edhe plazhin gjithë banorët e bëjnë në një zonë po të veçuar, pjesë e ambienteve të portit. Dhe 'I love the peace and Marina'.

Jo vetëm biznesmenë, edhe artistë e politikanë

Artistët, asnjëri nuk ka mundur të shfaqet aty si pronar i një jahti. Por ama kanë ardhur si partnerë të pronarëve, si miq apo për t'i përdorur jahtet për sfondin e ndonjë videoklipi. Vizitorë të veçantë mbi jaht në Orikum ishin çifti Etem Ramadani, Inva Mula, të cilët në ditët e pushimit, pasi lundronin në brigjet jugore shqiptare, ktheheshin aty çdo mbrëmje, vizitoheshin nga miq dhe të afërm të përbashkët si çifti Timo Flloko, Vera Grabocka etj. Për të realizuar videoklipe u shfaqën të mirëinformuar aty edhe Sinan Hoxha dhe Seldi, bashkë edhe me regjisorin maqedonas Aleksander.

Ky përzgjodhi për të xhiruar një prej anijeve turke prej druri, më klasikja dhe romantikja e portit. Edhe grupi i të rinjve shqiptarë, Detriot Alboz, në shoqërinë e kërcimtareve gjallëruan portin për ditë të tëra, duke xhiruar në ambientet e jahtit të dy biznesmenëve të mëdhenj izraelitë, që vizitonin për herë të parë Shqipërinë, dhe gjithë qejf ua vunë në dispozicion, duke iu bërë dhe shëtitje të gjata.

"Jemi të kënaqur që zbuluam Shqipërinë dhe popullin e ngrohtë shqiptar", shprehet Yaniv Blustein, ndërtues nga Tel Avivi. U pa në ato ditë të nxehta edhe futbollisti Devi Muka në shoqërinë e miqve të tij italianë, po me jaht.

Përgjatë gjithë muajit gusht për pushime erdhi si çdo vit edhe ish-presidenti Moisiu me gjithë familjen e tij. Ata marrin gjithmonë një apartament me qira dhe janë nga miqtë më të dashur të portit. Në skafin e mikut Nikollaq Neranxi bujti edhe politikani Pëllumb Xhufi me bashkëshorten. Dy çiftet, Neranxi dhe Xhufi dolën edhe ata së bashku në det për shëtitje freskuese verore. Po në muajin gusht për të zhvilluar një pjesë të ceremonisë së dasmës u shfaq edhe çifti i ri Gerti Bogdani dhe Edlira Çepani, të cilët morën një nga anijet me qira dhe u nisën drejt kalasë së Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo. Grupe të ndryshme kureshtarësh, të ardhur nga Italia apo biznesmenë italianë dhe anëtarë të trupit diplomatik italian në Tiranë, edhe ata eksploruan portin dhe bregdetin shqiptar të jugut.

Një jaht, si dhe sa shumë shtëpi

Deri në 6 milion euro për të pasur një jaht prodhim të 2010. Ky është kulmi i shpenzimit që një biznesmen shqiptar mund të ketë bërë për një jaht. Dhe ai është presidenti i kompanisë Yldon dhe medias Ora News, Ylli Ndroqi.

Teksa anija dykatëshe, shkëlqyese, rrezëllitëse nga dritat, gati 30m e gjatë, po futej në port teksa dielli kishte perënduar, banorët pritës po hamendësonin e kujt miliarderi, ndoshta arab, do të ishte ky shkëlqim. "Them se bën nja 50 milion euro", komentoi një italian duke e parë. Por kurioziteti u shua të nesërmen, kur nën dritën e diellit mbi të lexohej: 'Yldon'. E nuk vonon të shohësh të dalë prej saj dyshja e pandarë: Ylli Ndroqi dhe drejtori i televizionit "Ora News", Alfred Peza. Ky i fundit, kur i kërkon të të shuajë kureshtjen, tregon se jahti është blerë aty te 6 milionë euro dhe është prodhim i vitit 2010.

Anija si pallat ka brenda saj një personel prej katër vetësh; një kapiten anijeje italian, menaxher interior dhe barist apo pastrues, italianë dhe kroatë, domethënë me rroga europiane. Që punojnë gati non stop brenda saj, edhe kur ajo duket se thjesht është duke pushuar në mol pa zotërit e shtëpisë.

"Çdo gjë duhet të jetë në çdo moment e përsosur", tregon kapiteni i saj, Andrea Talevi.

Një tjetër jaht i Yllit, po i ri, por më i vogël, gjithashtu qëndronte i ankoruar aty, me kapiten anijeje malazez.

Por më i vogli nuk para përdorej tani që ka ardhur më i madhi. Dhe pasi pushimet me familjen mbaruan, anijet u zhvendosën në Durrës dhe më pas në Kroaci. Pak më i vogël në përmasa, por po luks dhe jo i vogël, vërtet një jaht elegant dhe që bie në sy, është edhe ai i Dulakëve. Gjatë gjithë verës ai u banua shumë shpesh nga biznesmenët e njohur dhe familja. Dhe për sa kohë kanë janë në anije, banorët e saj nuk para kanë nevojë të kenë apo paguajnë vila apo apartamente, pasi jahtet janë një shtëpi e vërtetë, ose edhe si disa shtëpi bashkë, nëse është i madh.

Sa më i madh jahti, aq më e madhe edhe shtëpia brenda tij. Ajo mund të jetë me pak apo shumë dhoma; teke, dopio, korridore, kuzhina, sallon pritjeje, banjo personale, verandë dhe oborr (kuverta).

Të gjitha këto kushtojnë po aq sa edhe shtëpitë, por edhe shumëfishi i tyre.

Gjenden aty jahte me vlerë nga 100 mijë, 200, 400, 500 mijë euro deri në 1 milion euro...e deri në 6 milion eurot e Ylli Ndroqit, rekordi i deritanishëm i shpenzimit nga një biznesmen shqiptar për një jaht. Dhe duke parë rritjen nga viti në vit të këtyre shpenzimeve, por dhe të të ardhurave të një pjese të biznesmenëve tanë anti-krizë, shenjat janë se gara nuk do të mbetet me kaq.

Mungesa e traditës: Të huajt barka me vela, shqiptarët jahte dhe skafe

Jahti i Neranxit, bashkëshortja: "Na pëlqen shpejtësia"

Nëse të huajt afrohen zakonisht dalëngadalë mbi barkat "e ëmbla", "romantike" me vela, pronarët shqiptarë parapëlqejnë skafet, jahtet, domethënë mjetet e shpejta motorike. Nëse peizazhi trazohet nga uturima dhe furia motorike dhe deti çahet fort nga vija e bardhë e shkumëzuar që mbetet pas, paradihet që po vjen një skaf shqiptar.

I një biznesmeni shqiptar. Sepse pothuajse gjithë skafet kanë zotër biznesmenë. Të gjithë pa përjashtim përdorin vetëm skafe dhe asnjëri barkë me vela. "Kanë karakteristikë që iu pëlqen shpejtësia.

Por dhe po të duan, nuk munden ende t'i përdorin barkat me vela, sepse mungon tradita", shprehet Brizio Constantini, që drejton regata velistësh prej dy vjetësh nga Otranto drejt Orikumit. "Ne si familje na pëlqen shpejtësia në det", shprehet bashkëshortja e Nikollaq Neranxit, Nurie Neranxi.

"Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Tradita nga e cila vjen brezi ynë nuk e njeh përdorimin e barkës me vela. Për herë të parë dua që ta fus unë një shkollë të mësimit të barkës me vela, duke filluar që nga fëmijët", shprehet Kastriot Zilja, i cili vetë ka jetuar dhe mësuar rreth velave në Itali.

Këtë verë solli si pioniere të parë një barkë modeste, të vogël. Nxënësit e 'mësënjtores' së tij të parë të velave u bënë nipërit dhe djali i tij. 'Dua që këtë shkollë ta përurojë një shqiptar, sepse fare mirë mund të gjeja instruktorë italianë, por dua që në histori të mbetet se shkollën e parë e ka hapur një shqiptar.

Dhe jam në gjendje ta drejtoj edhe vetë", përforcon idenë ai. Ndërkohë që për herë të dytë në 'Marinën e Orikumit' organizohen kurse 1-javore për mësimin e barkës me vela për fëmijët e zonës përreth në kuadrin e projekteve të Ambasadës italiane. Por me dy instruktorë italianë.

"Vumë re që fëmijët këtu janë shumë inteligjentë, edhe pse pak të egër në karakter. I kapën shumë shpejt rregullat, edhe duke mos ditur mirë italisht, nëpërmjet shenjave. U apasionuan me barkat", shprehet instruktori i ardhur nga Otranto, Domenico Russo.

Dhe në ndryshim nga fëmijët italianë, të cilët janë në mbikëqyrje të rreptë të nënave, dhe më delikatë, e kësisoj është më e vështirë të mblidhen shumë të tillë, fëmijët shqiptarë iu dukën më të guximshëm dhe kureshtarë rreth barkës me vela. "Edhe këto mund të quhen hapat e para në krijimin e një tradite rreth barkës me vela në Shqipëri", do të përgjigjet Domenico Russo.

Velistët e huaj, jo vetëm biznesmenë

Duke parë shumësinë e barkave nga të gjitha vendet e botës; sidomos Italia Jugore dhe Veriore, Franca, Belgjika, Austria, Gjermania, Anglia, Izraeli, apo edhe SHBA dhe Australia më e largët, pronarët e tyre nuk ishin thjesht të pasurit, biznesmenët, avokatët, por edhe doktorët në pension, pilotët në pension të Allitalia apo NATO-s, profesorë universiteti, mjekë, teknikë kompjuterash, inxhinerë dhe dizenjues rrugësh.

Teksa bisedon me ta informohesh edhe më mirë se të pasurit e një barke për ta është traditë dhjetëravjeçare, paralele me pasjen e një makine, që mund ta kenë jo vetëm shumë të pasurit.

Gjë që në Shqipëri, vështirë se dikush që nuk është biznesmen, por thjesht rrogëtar, i punësuar, të ëndërrojë për të pasur një mjet dhe kënaqësi të tillë. "Adhuroj të shëtis me barkë.

Nuk kam reshtur gjithë verën duke lundruar dhe nuk më bëhet të kthehem më në profesionin e gjyqtarit", shprehet Brizio Constantini, ish-kryetar i shoqatës së velistëve në Otranto. "Kisha 3 vjet pa ardhur në Orikum, por ajo që vë re është që deti nuk është aq i pastër sa 3 vjet më parë. Peshqit i shoh më të rralluar dhe kjo do të thotë se ndoshta diçka e papastër hidhet aty.

Mos i bëni gabimet tona qoftë në ndërtime të parregullta, qoftë në ndotjen e ujërave", shton më tej ai. Adhurues i madh i barkës me vela dhe që u vendos në Orikum me familjen e tij për një muaj ishte edhe Stefano Giorgino, mjek nga Leçe. Pas shëtitjeve në det me kamper eksploronte tokën shqiptare.

Eduard Jack është një nga ish-ortakët e markës Philips, belg në origjinë, tashmë në pension, i cili vjen për të pestën herë në 'Marinën Orikum'.

Këtë herë duke anuluar vizitën e parashikuar në Siçili. 'Më pëlqen qetësia relaksuese, natyra e pakontaminuar - gjë që në Belgjikë vështirë ta gjesh, ushqimet e shijshme që çuditërisht kushtojnë fare pak, mikpritja dhe të udhëtoj. Më kishte mbetur pa parë vetëm Berati dhe më mrekulloi", shprehet ai. Dhe, edhe pse rrugët që të çojnë drejt Beratit magjepsës apo Apollonisë të hedhin pupthi, bukuritë e tjera bënin të kapërceheshin dhe harroheshin vuajtjet.

Por shumë nga turistët e huaj ankesën e vetme kanë që iu duhet të paraqiten në portin e Vlorës për dokumentacionin, pasi vula në Orikum nuk iu njihet dhe shpëtimin e sorollatjes së tyre e kërkojnë te ndonjë gazetar, i cili duhet të ngrërë zërin për ta. Por fatmirësisht, nuk ankohen për ushqimet bio, natyrën e virgjër, Shqipërinë muzeale, mikpritjen dhe asnjë nuk ikën pa menduar rikthimin...

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

Albforumi