Paulin Sterkaj nje ikje e paralajmeruar

Paulin Sterkaj, nje ikje e paralajmeruar
“Je në dorë të Policisë së Shtetit!” Ishte një frazë e thatë, e ashpër dhe e prerë, e thënë në gjysmëmugëtirën e një mëngjezi vjeshte, nga një njeri që mbante një automatik në dorë. Me gisht në këmbëzën e shkrehjes, gati për zjarr. Pas hijes së bëshme që urdhëron me të njëjtin ton: “Dorëzohu, je në dorë të Policisë së Shtetit!”, të tjera hije qarkonin dikë të shtrirë përmbys në tokë. Gjallë, por të trembur për vdekje dhe një çast më pas, me pranga në duar. Ishte viti i largët 1996, kur një nga emrat më të njohur e më mediatikë të kohës në botën e krimit, arrestohej nga forcat e Briskut. Komandant i repartit ishte një shkodran i ri, ish-kampion absolut në mundje, fati i të cilit do të rridhte në mënyrën më të çuditshme të mundshme, do të kalonte në ulje-ngritje të pabesueshme, nga errësira e pritave për llogari të shtetit, në dritën e fortë të prozhektorëve të politikës.

Mes këtyre skajeve, në portretin e bëshëm të Paulin Stërkajt, dikur biznesmen i suksesshëm dhe tani, deputet në dy legjislatura, ka ndryshuar vetëm ngjyra e flokëve - ka nisur të thinjet – por jo ajo kryeneçësi gati-gati arrogante në ndjekjen e bindjeve të tij. Nga e enjtja, ai shpalli divorcin politik me shumicën qeverisëse, me një lëvizje që ka formën dhe përmasën e një lëvizjeje tektonike shifrash. Të cilës i duket fillimi, por që nuk parashikon horoskop rozë për endemaxhorancën blu.

Një telefon i mbyllur

Nisi një email në redaksitë e lajmeve në media, dha një intervistë të nxehtë për Top Channel dhe pastaj mbylli telefonin. Megjithatë e hapte në intervale të çrregullta dhe në telefon i vërshonin thirrje të humbura dhe një pafundësi me sms. Thith thellë një cigare Slims që ngjan dhe më e hollë në dorën e tij të madhe dhe vazhdon rrëfimin për veten. Një rrëfim të çuditshëm që shpesh kalon në vetë të tretë, por pa humbur një rrjedhshmëri befasuese, të cilat, megjithatë, nuk habisin askënd nga miqtë e tjerë të tij që e shoqërojnë në bisedën me MAPO-n. “Nuk ishte një vendim i çastit. Ishte një veprim të cilin e kam paralajmëruar në disa mënyra, qoftë me akte publikë, qoftë me deklarime publike, qoftë dhe me votë të hapur. Por dhe më shumë, një veprim që të paktën sipas meje, mund të kuptohet nga kushdo që më njeh”, thotë deputeti Stërkaj. Për të tjerët është njeriu i momentit, për atë vetë, fudjava nuk prodhoi kurrsesi “ato dhjetë minutat e lavdisë” që ndodh t´i trokasin në derë individit. Kampion absolut në mundje, Paulin Stërkaj e ka njohur lavdinë që shumë herët si adoleshent.

Ka njohur dhe një adoleshencë të vështirë, të fituar me dhembje, djersë dhe bazuar vetëm në vetvete, një lavdi e hershme e vazhdueshme që i ka dhënë leksionin e madh të mbajtjes së kokës ulur. “Boll mendjemadhësi ka në këtë botë. Më është dashur dikur të ndeshem me mundësa shumë më të fortë se unë, më të rëndë në peshë, më të pjekur në moshë e eksperiencë, që i kishin të gjitha mundësitë të më mposhtnin, por kam mundur të fitoj mbi ta, sepse di të mbaj kokën ulur dhe të luftoj dhe jetoj me zemër. Krenaria që të mban kokën lart, vjen më pas”, thotë Paulin Stërkaj, për një nga tre stacionet e rëndësishme të jetës së tij, sportin, policinë dhe politikën. Me gjithë biznesin e suksesshëm në ndërkohët mes tyre. “Në thelb nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra: duan përkushtim dhe nëse vendos të marrësh pjesë, nuk është e rëndësishme vetëm të marrësh pjesë, por dhe të jesh i pari”.

Dhe malësori krenar, me një gjuhë plot dritëhije dhe metafora, tipike për të, krenarisht nuk pranon as të shpjegojë dhe as të justifikojë vendimin e tij për të lënë shumicën qeverisëse dhe për t´ju bashkuar opozitës.

Në një nga rastet e rralla kur i gjejnë telefonin e hapur, i përgjigjet një zileje të gjatë dhe nervoze: “Këtu nuk ka asnjë problem të hapur. Problem do të kishte nëse kalon nga opozita në pozitë, sepse e kundërta nuk të bën me turp. Cilado qoftë pozita, cilado qoftë opozita. Nuk e kam duruar kurrë padrejtësinë e më të fortit që ushtron forcë dhe jo zemër”, i thotë abonentit të largët. Duket se bien shpejt dakort me të dhe fik sërish telefonin, për ta vazhduar bisedën e ndezur me kundërshtitë e tij me shumicën blu. Në thelb, akuzat e tij janë të rënda, por të qeta. Korrupsioni kapilar dhe mungesa e hapësirës së lirisë dhe demokracisë brenda maxhorancës: “Feudalët e kësaj qeverie në Malësi e shesin një vend pune për arsimtar 3500 euro”, thotë me irritim ai, duke nënkuptuar krejt të tjera shifra për “Harushat e korrupsionit”.

“Në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së fliste vetëm Berisha dhe thoshte: këtu miratohet dhe nuk diskutohet!”, shton më pas.

Eshtë i bindur se akti i tij do të brohoritet dhe do të mallkohet, do të konsiderohet si një shenjë dhe do të tentohet të mbulohet me heshtje. Të gjitha këto reagime të kundërta, ndodhën dhe do të ndodhin në të njëjtën kohë, por Paulin Stërkaj, megjithatë, ka dhe një bindje tjetër: “Kush më njeh, e kupton mjaft mirë pse e kam hedhur këtë hap!”, thotë ai. Ka disa pika referimi, babain e tij dhe ata njerëz që e kanë votuar dy herë, të cilët i quan “malësorët e mi”. Ata njerëz që e kanë votuar “si Paulin dhe jo si partiak”. Ndjehet në paqe me ta dhe mbi të gjitha, ndjehet në paqe me veten e tij, i bindur se ka bërë veprimin e duhur. I bindur se megjithatë, në këtë akt të tijin, nuk është i vetëm edhe në shumicën qeverisëse, tek kolegë të tjerë të tij deputetë. Dhe kur hap telefonin, mes dhjetra telefonatave të munguara dhe sms-ve që i vërshojnë në aparat, disa janë dhe nga ish-kolegët e tij të shumicës blu. Që nuk e mallkojnë. Që e miratojnë. Që mallkojnë mungesën e tyre të kurajës vetjake.

Tre stacione jetësore

Paulin Stërkaj vetë, nuk i ndan këto tre stacione; sportin, policinë dhe politikën. Dhe biznesin në ndërkohë mes tyre. Sipas tij, ato janë sa të ndryshme, po aq dhe të ngjashme. Mes tyre dhe jeta në emigracion, në Gjermani, ashtu si shumë të tjerë në rrugëtimin drejt ëndrrës që afronte dhe ende afron Perëndimi.

Në rrëfimin e tij në vetë të parë, Stërkaj kujtoj largimin e tij të parë nga shtëpia e fëmijërisë. “Ishim nëntë fëmijë dhe unë vetë jam larguar nga shtëpia që fëmijë në emër të sportit dhe në emër të vullnetit që, në mos arrija të bëhesha krah për prindërit e mi, të mos ju bëhesha barrë. Kam fjetur dhe në shkallët e stadiumit për t´u ngjitur shumë shpejt dhe për të mos ju ndarë deri në fund të karrierës sportive, podiumit të kampionit. Kam pasur shumë mësues në jetë, shokët e ekipit dhe trajnerët e mi.

Nga ata mësova se në këtë botë, mësova se në këtë jetë, mendja dhe zemra ushqejnë muskujt dhe më shumë se me muskuj, në sport kam garuar dhe fituar me mendje dhe zemër”. Stërkaj kujton me nostalgji publikun e zjarrtë, që e ndiqte dhe e brohoriste në ato vite të largëta dhe thotë se për hir të tyre dhe në emër të tyre, ishte gati për çdo gjë që mund të cilësohej mision i pamundur edhe në sport. Dhe kështu vazhdoi dhe më pas. Për emigracionin në Gjermani ai thotë se i ka mësuar “gjermanisht” disiplinën dhe ndjenjën e detyrës. E kujton me ëndje atë kohë deri sa i rikthyer në Shqipëri, hyn në radhët e policisë.

Arrin të bëhet drejtues i repartit të Briskut. Në atë kohë, ishte reparti më special i policisë që arriti suksese të forta në luftë kundër krimit. “Nuk ishim shumë, ishim vetëm disa dhjetëra djem me zemër të madhe, por në opinion mendohej se ishim disa qindra të tillë. Kemi marrë pjesë në operacionet më të vështira policore të kohës dhe nga asnjë prej tyre, nuk jam kthyer në repart me ndonjë polic të vrarë apo të plagosur. Thjesht, natyrishëm, si komandant i tyre, isha i pari në çdo operacion. Dhe u kisha thënë çunave: po të jetë për plumb, plumbin e parë do ta marr unë dhe pastaj ju! Desh Zoti dhe nuk na ndodhi asgjë e keqe.

Na ruajti Zoti, por ruanim dhe veten, ruanim njëri-tjetrin në atë familje të madhe, ku isha edhe vëllai i madh i secilit prej kolegëve të mi”. Vetë Presidenti i kohës, Sali Berisha e ka dekoruar me medalje trimërie. Në fakt, akti që Stërkaj e të tjerë bënë në sy të dhjetra dëshmitarëve, për shumëkënd ngjan marrëzi: i hoqi nga duart një granatë difensive pa siguresë një personi të çekuilibruar mendërisht në shkallët e Pallatit të Kongreseve në vitin 1996. Vetëm dhjetra metra larg vendit, ku Berisha dhe ish-presidenti italian Skalfaro zhvillonin takim zyrtar, granatën e mbajti vetë në dorë dhe vrapoi bashkë me vdekjen drejt kodrave të liqenit. E shpërtheu aty, pa praninë e vdekjes.

Emri i Paulin Stërkajt u bë i njohur dhe për rebelimin direkt që ai bëri kundër urdhërit të paligjshëm të drejtuesit të parë të policisë së kohës, që i kërkoi të shkonte në Vlorë për të shtypur me forcë, dhunë dhe armë protestat e qytetarëve vlonjatë në shkurt 1997. Stërkaj nuk pranoi, sipas ligjit për ushtarakët, që të zbatonte një urdhër të paligjshëm. Askush nga djemtë e tij nuk e la në baltë; të gjithë ata i qëndruan në krahë për ta mbështetur ndaj kërcënimit zyrtar “se do ta kishte punën shumë keq”!

Mbas vitit 1997, Stërkaj do të mbante detyra të larta në trupën e policisë. Me të njëjtin sukses. “Kurrë ndonjëherë nuk më ka ndodhur që të më largohet një i kërkuar në drejtim të paditur. Shifrat e punës në polici janë lehtësisht të verifikueshme. Kush ka kuriozitet, le t´i kontrollojë”, thotë ai. Stërkaj kujton me dhembje vetëm një episod të zymtë, kur për fare pak gjë, zemra pothuaj nuk i komandoi më muskujt dhe forcën e tyre që do të derdhej mbi “kundravajtësit”: “Ndalova dy policë të mi, të cilët kishin grabitur me dhunë një qytetar. Që madje e kishin goditur, duke i thyer edhe nofullën. I denoncova dhe u thashë: ju jeni më keq se hajnat, jeni më të këqinj se krimineli më i keq. Keni bërë krim me rrobën e shtetit veshur, keni bërë krim me armën e shtetit në brez. Më erdhën shumë njerëz që më thanë t’i falja. Nuk do ta bëja kurrë! Nuk e bëra!”, tregon Stërkaj.

Në vitin 2005, Partia Socialiste e kandidon në Malësi të Madhe. Përballë kishte një nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike, të ndjerin Pjetër Arbnori. Përballë kishte dhe disa nga zërat autoritarë të PS-së, të cilët i kujtonin të shkuarën në polici dhe rolin e tij në ruajtjen e rendit gjatë protestave të opozitës mbas zgjedhjeve të manipuluara të majit 1996. “Na ka rrahur Paulini”, thanë dhe Stërkaj atëherë dha përgjigjen proverbiale që i ktheu “armiqtë” e tij në miq: “Nuk rreh Paulini, rreh ligji!”

Më pas triumfon në zgjedhje. Me të, PS-ja fiton mandat deputeti për herë të parë në Malësi të Madhe, një bastion i padiskutuar i demokratëve. Në dy vjetët që pasojnë bëhet një figurë e fortë e PS-së. Në shkurt 2007, kryetari i PS-së Edi Rama e konsideron publikisht si një nga ndihmësit e tij kryesorë në triumfin politik dhe personal të tijin për Tiranën. Stërkaj ishte në krye të një organizimi perfekt socialist për të mbrojtur votën.

Në qershor-korrik 2007, në fushatën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Stërkaj del sërish nga rreshti. Fillimisht, kundër vendimit politik të partisë së tij, firmos për kandidaturën e Fatos Nanos si President. Me Nanon kishte pasur një njohje të vjetër. Fillimisht e kishte shoqëruar në nëntor 1995 në varrimin e nënës së tij; e kishte marrë nga burgu i Bënçës, e kishte ruajtur gjithë natën në shtëpinë e tij në rrugën Hoxha Tahsin, pastaj në funeralin në varrezat e Sharrës dhe gjatë kthimit në Bënçë.

Një nga rastet e vetme që Stërkaj pranon se ka shkelur ligjin: “Duhet ta mbaja me pranga në duar, nuk e bëra. Në kohën që Nano ndodhej me ne, ka qenë pa pranga. Çdo ligj duhet të jetë dhe i moralshëm, nëse një ligj nuk është i moralshëm, atëherë ai është një ligj i keq”! -thotë ai. Më pas, ai do të kalonte të paktën tre ditënetë në detyrë në mbrojtje të Fatos Nanon kur ai doli nga burgu 313 në Tiranë, gjatë trazirave të marsit. “Përgjigjesha me kokë përpara nderit, detyrës dhe kokës sime, për kokën e drejtuesit të opozitës. Sikur t´i ndodhte gjë e keqe në atë situatë, askush nuk mund të thotë sesi mund të shkonin situatat”, thotë ai.

Ndarja e tij me PS-së ndodhi kur vendosi të votojë për emrin e Bamir Topit si President, sërish kundër vullnetit politik të PS-së. “Votova, sepse ashtu më thoshte ndërgjegja ime, votova sepse mendoja që ishte në interes të vendit, në interes të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, thotë ai, i papenduar për atë akt që në PS e konsideruan tradhëti, në PD e nga vetë Berisha, u konsiderua si një vepër: “...të cilën vendi ja ka borxh që t´ja lajë me mirënjohje dhe se ai vetë, (Berisha), nuk do t´ja harronte kurrë edhe personalisht”!

Në qershor 2009, Stërkaj mundi të marrë sërish mandatin e dytë në emër të PD-së për qarkun e Shkodrës. Me një rezultat edhe më të lartë se në mandatin e parë.

Të enjten paradite në Kuvend, Berisha me siguri ka kujtuar këtë trajektore të njeriut që në 2007 i dha dorë që të shpëtonte nga rreziku i zgjedhjeve të parakohshme. Dhe që tre vjet më pas, mes zhgënjimit, i tregoi një derë drejt të cilës po rrëshket gjithë shumica: zgjedhje të parakohshme. Të njëjtën gjë mund të ketë menduar dhe në mbrëmjen e 29 korrikut të këtrij viti kur Stërkaj votoi kundër vullnetit të tij në komsionin e sigurisë për projektligjin për SHISH-in. Sepse Stërkaj nuk është një individ që mund të rrijë në rresht me urdhër. Dhe kështu vendosi të ikë. Dhe iku! Sipas tij, që të mos vazhdojë të jetë pjesë dhe bashkëfajtor në një qeverisje që ka tradhëtuar premtimet e saj, në një parti që lindi në emër të lirisë dhe që tashmë ka vrarë vetë lirinë e saj të brendshme.

Pinjoll i një dere të madhe në Malësi të Madhe, me të afërm që kanë shkruar histori në luftëra me serbët, Stërkaj thotë se është rritur me idenë e shenjtërisë së besës. “Por një amanet të parët na e kanë dhanë/ besë të pabesit, kurrë mos me i dhanë!”, reciton ai. Nuk shtyhet më tej. Thotë se në zgjedhjen e tij mes besimit të “malësorëve të tij” dhe një partie, ai nuk pati asnjë dilemë për të zgjedhur.

Edi Rama, vetëm një ditë mbas deklarimit të fortë të Stërkajt që mbylli derën e tij në PD, i hap menjëherë një derë tjetër politike. Atë të vjetrën: “Stërkaj është i mirëpritur nëse do të trokasë në derën tonë. Nuk ka përjashtime të përjetshme dhe nuk ka gabime të pashlyeshme në kohë”.

Një lojë me shifrat qeverisëse

Vetëm një javë më parë, në revistën MAPO, botohet shkrimi: Meta & Prifti: Çfarë nuk u tha në televizion”. Duke parashikuar lojën gjithmonë e më të ndërlikuar të shifrave të shumicës në përgjithësi, dhe për një ndërhyrje të mundshme në ligjin për SHISH në veçanti, në këtë shkrim thuhej: “...vota e trefishtë kundër nga brenda PD-së, Oketa, Demi, Stërkaj, plotësohet me votë sërish kundër, të katërshes së LSI-së dhe dy votave të PDU-së. Në total, një shumë prej nëntë votash drithëruese, e cila, nëse Berisha kërkon të kërkojë kokën e Bahri Shaqirit, me të gjitha gjasat do të çojë në gijotinë vetë qeverisjen e tij”. Stërkaj, tashmë në opozitë deklaroi votën e tij kundër.

Çka e bën edhe më të brishtë maxhorancën për të gjitha votat e saj në total. Dhe që mbi të gjitha, afron një rikonfigurim të ri: nga 29 qershori 2009, PD doli me 70 vota. Në ditën e saj më të mirë, ajo mundi të marrë katër vota nga LSI dhe një ish-votë socialiste, Idrizin e PDU-së. Në total 75 vota. Tani, me krijimin e çiftit gjysëm të pavarur të votave Idrizi&Tahiri të PDU-së, vota në maxhorancë, por jo në qeverisje, me votën kundër të Stërkajt, ajo zbret në 72 vota. Ka votën e Mediut të PR-së, tre vota të LSI-së dhe votën me shumë paqartësi për të ardhmen e Priftit.

Ka dhe më shumë se kaq. Stërkaj dëshmon se të njëjtat pakënaqësi me qeverisjen e kanë dhe një numër ish-kolegësh të tij blu. “I kemi diskutuar shpesh me njëri-tjetrin”, thotë ai pa përmendur emra. E megjithatë ka disa emra që përmenden shpesh pas togfjalëshit: divorc me Doktorin! Dhe siç këndonte dikur Rama në kolonën e tij zanore me djemtë e Ëest Side Family: Çdo gjë mund të ndodhë/ jetojmë në Tironë!
Aritmetika politike është e zymtë dhe gjithçka mund të ndodhë në Tiranën politike. Në Prishtinë është duke ndodhur. Me saktësi mund të nënvizohet vetëm një detaj: të gjitha llogaritë normale çojnë në zgjedhje të parakohshme. Zoti Berisha, i cili për shkak të driblimeve të tij të panumërta politike, mund të konsiderohet një Lionel Mesi, megjithatë, nuk është Mesia për të shpëtuar partinë e tij nga një fat që ngjan i parashkruar. Një fat i pashmangshëm që i mban mbyllur kutitë e votave të vjetra dhe i hap ato për zgjedhje të reja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama