Regjistroni domainin tuaj .al

Tirane-Theth, katalogu i frikshem i ndotjes shqiptare

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite më parë

Tirane-Theth, katalogu i frikshem i ndotjes shqiptare
Tirane-Theth, katalogu i frikshem i ndotjes shqiptare

Të jetojmë si metropolitanë ndoshta na bën më të suksesshëm, por jo më të shëndetshëm. Nëse do kishim zgjedhur të jetonim si “hippie” maleve e lëndinave për të qenë “fëmijët e luleve”, nuk i dihet nëse do ishim më të lumtur, por është e sigurt që do ishim më jetëgjatë. Sipas specialistit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Agron Deliu, një kryeqytetas është i destinuar të jetojë deri në 2 vjet më pak se sa një bari bjeshkësh, dhe kjo vetëm prej blozës e pluhurit që thithim përditë në ajër. Sigurisht që të gjithë e dinë se, tek ne, ajri pa asnjë kokrrizë pluhuri mund të frymëmerret vetëm në Alpe, por, saktësisht, jo të gjithë mund ta dinë se ku rri pezull pluhuri më i dendur.

Raporti midis këtyre dy panoramave të vë përballë krahasimeve të frikshme. Në qendër të Tiranës, tek Poliklinika Qendrore, tek “21 Dhjetori”, tek “Zogu i Zi” dhe tek Rruga e Elbasanit, ajri është mesatarisht 35 herë më i ndotur sesa në Theth, në Valbonë, në Liqenet e Lurës, në “Syrin e Kaltër”, apo në Lin. Krahasimi në pikun e ndotjes, që rezulton të jetë mesdita gjatë stinës së verës, e çon këtë raport në 1 me 50. Sepse, në zonat “background”, ku klasifikohen këto të fundit, niveli i ndotjes së ajrit rezulton fare i papërfillshëm, < 5 µg/m3 (më e vogël se 5 mikrogramë për metër kub), ndërkohë që tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, tek Zogu i Zi, tek “9 katëshet”, e deri në “Kinostudio”, ky parametër i ndotjes shënon vlerat nga 70 - 252 µg/m3, nga 40 µg/m3, që është limiti i caktuar nga standardet e BE-së. Dhe këtu, të llogaritura vetëm pluhuri me kokrriza me diametër më të vogël se 10 mikronë, të cilit, përveç pluhurave më të imët dhe blozës, i renditen përkrah edhe gazet e tjera helmuese, si dyoksidi i azotit NO2, dyoksidi i squfurit SO2, ozoni O3, benzeni C6H6, sulfuri i hidrogjenit H2S dhe plumbi Pb.

Një renditje paraprake e vendos Tiranën si qytetin me ajrin më të ndotur në vend e menjëherë pas tij vijnë Elbasani me Metalurgjikun, Fushë-Kruja me fabrikën e çimentos, Patosi me puset e gazit, Ballshi me puset e naftës, Durrësi me mbetjet kimike etj. “Duke përjashtuar qytetet periferike në veri e jug të vendit, si dhe zonat rurale, klasifikimi i nivelit të ajrit të ndotur për qytetet e mëdha dhe me një lëvizje të konsiderueshme urbane, rendit si më të pastrit, Korçën dhe Vlorën. Por edhe këto dy qytete qëndrojnë përsëri me nivel ndotjeje të ajrit përtej normës së lejuar, qoftë sipas standardit europian, qoftë atij shqiptar”, sqaron Deliu. Tek Poliklinika Qendrore e qytetit te Vlorës dhe tek Biblioteka e Korçës, vlerat e matura të pluhurit në ajër janë përkatësisht 86 dhe 92 µg/m3, nga 40 µg/m3 që është norma e caktuar e BE-së. Ndërkaq, qyteti më i helmatisur mbetet Ballshi dhe zonat rurale përreth tij, Marinëz, Visokë, Usojë, për shkak të emetimit të dyoksidit të squfurit SO2, benzenit C6H6 dhe sulfurit të hidrogjenit H2S.

Me gjithë tolerancat e limiteve të vendosura sipas këtyre standardeve, përsëri Shqipëria qëndron në nivelet më kritike. Statistikat e të dhënave më të fundit lidhur me ndotjen e ajrit tregojnë se, nëse sot do të ishim një nga vendet e anëtarësuara në Bashkimin Europian, atëherë do të kualifikoheshim si vendi me ajrin më të ndotur në të.

Dhe ky është një proces fatkeq që duket se po njeh vetëm progresion rritës. Për vitin 2010, matjet më të fundit janë bërë për Tiranën, qytetin më të ndotur në të gjithë vendin, pikërisht gjatë muajve të verës (maj-korrik), përmes aparaturave të teknologjisë së fundit, të vendosura në dy pika strategjike: tek Poliklinika Qendrore, pranë Prokurorisë dhe tek ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), në afërsi të malit të Dajtit, atje ku edhe avantazhi i të qenit pranë një parku natyror, nuk i shpëton vlerësimit për një ndotje deri në 50 % më të lartë se norma e lejuar.

“MAPO” sjell ekskluzivisht vlerat e këtij raporti të fundit të ISHP-së lidhur me ndotjen e ajrit në kryeqytet gjatë muajve maj-korrik të këtij viti. Lajmi është bërë i ditur nga specialistë të këtij instituti për disa media të shkruara gjatë javës së shkuar, duke vënë në dukje rrezikun që i kanoset përditë e më shumë të gjithë qytetarëve të Tiranës, por, përveç krahasimeve, të dhënat e vlerave të matura për zërat e ndotësve, që sapo janë depozituar pranë dikastereve qendrore, nuk ishin bërë ende publike. Ky është ende një raport i papublikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit.

Interpretimi i rezultateve

Të dhënat e përftuara tregojnë se tejkalohet sistematikisht përmbajtja e dyoksidit të azotit NO2 në stacionin e qendrës së qytetit (Alba 2). Ky gaz lidhet kryesisht me shkarkimet e automjeteve.

Dyoksidi i squfurit, SO2, po ashtu është në sasi të konsiderueshme në ajrin e qendrës së qytetit, ndonëse brenda vlerës limit të vendeve të BE-së. Ky gaz lidhet aktualisht me përmbajtjen e squfurit në karburantin Diesel, të përdorur prej rreth 80 për qind e automjeteve në vendin tonë..

Ozoni O3 është një ndotës i tipit sekondar, që formohet nga reaksione komplekse mes hidrokarbureve dhe oksideve te azotit, në prani të rrezatimit diellor. Për periudhën maj-gusht 2010, ai rezulton brenda vlerës limit të vendeve të BE-së, por përmbajtja e tij në ajrin e qendrës së qytetit është rreth dy herë më e lartë sesa në zonën periferike të ISHP-së, ku është vendosur nënstacioni i dytë i matjeve (Alba 1). Në orët e ditës, veçanërisht në ato të mesditës, vlerat e tij janë mjaft të larta.

Përmbajtja e grimcave të pluhurit në ajrin e monitoruar prej dy stacioneve jep një tablo edhe më interesante. Matjet janë kryer, për herë të parë, të ndara për tri kategori të madhësisë së grimcave të pluhurit në ajër, PM 10, PM 2.5 dhe PM 1 (respektivisht me diametër më të vogël se 10, 2.5 dhe 1 mikron), që të mbledhura së bashku përbëjnë atë që specialistët e quajnë (LNP), Lëndë e Ngurtë Pezull). Pa llogaritur pikat që sjellin vlerat eksterme, mesatarja e përmbajtjes së të tri këtyre lloj grimcave në ajër, rezulton mbi limitet e vlerave të vendeve të BE-së, ku tejkalimet janë 3-4 herë mbi to në qendrën e qytetit, ndërsa në zonën periferike, në afërsi të malit të Dajtit 50 për qind më të larta.
Grimcat PM 10 janë grimca që qëndrojnë në ajër prej trafikut të automjeteve, të cilat vijnë kryesisht nga pluhuri i rrugëve apo mbetjet inerte të ndërtimeve të ndryshme. Ndërsa grimcat e imta e super të imta, PM 2.5 dhe PM 1, janë të lidhura me shkarkimet e grimcave të blozës që del prej automjeteve të cilët kanë motorë Diesel.

Përfundimet e specialistëve

Grimcat e pluhurit dhe blozës në ajrin e Tiranës janë ndotësi kryesor dhe përmbajtja e tyre është në nivele të konsideruar të rrezikshëm për shëndetin publik.

Grimcat “e ashpra” PM 10 mund të ulen si përmbajtje, nëse do të përmirësohet efektivisht cilësia e rrugëve dhe pastrimi i tyre.
Grimcat e imta PM 2.5 dhe PM 1 kërkojnë ndërhyrje serioze në kontrollin e cilësisë së punës së motorëve Diesel, karburantin e përdorur në vendin tonë dhe përmirsimin e rrjedhjes së trafikut në rrugët e qytetit. Kjo ndërhyrje është e vlefshme edhe për uljen e nivelit të dyoksidit të azotit NO2, i cili po njeh rritje të pandërprerë dhe tani tejkalon vlerën limit të BE-së në qendër të qytetit.

Bloza e qeverisë dhe pluhuri i opozitës

I kemi parë e dëgjuar politikanët tanë, pushtetarët e majtë e të djathtë, krerët vendorë e ata lokalë, të zihen për ndarje postesh, zonash, votash, kompetencash, përgjegjësish, vlerash e popullariteti. Së fundi ka ardhur momenti të ndajnë dhe pluhurin, jo atë që dashur pa dashur qëllon ta shkundin nga supet e njëri tjetrit, por pluhurin në ajër, të të njëjtit ajër që thithin përditë të dy palët. Secili do mbajë pjesën e vet të fajit e përgjegjësisë, llogaritur bukur deri në përmasat më mikroskopike. Nuk i dihet, ndoshta së shpejti mund të ketë përsëri debate e polemika, me argumente e kundër-argumente, për fajtorë e të pafajshëm, por kësaj radhe ka për të qenë një luftë molekulash përkthyer në nivel mikronësh. Sepse raporti më i fundit i llogaritjes së nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet, bërë nga ISHP, i ka rezervuar secilit përgjegjësinë e vet. Bashkisë pluhurin e ashpër ndërsa qeverisë blozën, pluhurin e imët dhe gazrat toksike.

Gjithë këto kohë nuk është folur pak për ndotjen e mjedisit, e sidomos për ajrin. Ka pasur gjithmonë raporte studimore, sidomos për kryeqytetin, të lakuara si dramatike për sa u takon vlerave të publikuara. Përballë këtyre fakteve, siç ndodh rëndom, ka pasur disa kandidat për përgjegjës nga ana e pushtetarëve, hiq këtu papërgjegjshmërinë qytetare, por asnjëherë një përgjegjës, aq më tepër të vetëdeklaruar. Për ministrinë e Mjedisit, i gjithë faji vinte prej Bashkisë së Tiranës, asaj “që mban pezull punimet në rrugë, asaj që operon me lejet e ndërtimit të pallateve pa kritere mjedisore, asaj që ktheu në “legjendë” punimet në Bulevard... Sepse nga të gjitha këto vjen ky ajër i pisët që qëndron pezull mbi Tiranë, si një re masive pluhuri...” Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës justifikonte pikërisht vonesat e këtyre punimeve në rrugë, bulevarde e pallate, si shkak i burokracive e shkopinjve nën rrota që i bënte qeveria dhe ministritë përgjegjëse. Dhe të gjitha diskutimet vërtiteshin pikërisht rreth këtij qarku të mbyllur, derisa ISHP, vendosi “të ndante shapin nga sheqeri”.

“Për grimcat e pluhurit me diametër më të vogël se 10 mikronë PM 10, mban përgjegjësi Bashkia, sepse vijnë nga ndërtimet në rrugë e pallate, nga mungesa e pastrimit e kanalizimet e hapura. Ndërsa, për grimcat më të vogla se 2.5 dhe 1 mikronë (PM 2.5 dhe PM 1), për dyoksidin e azotit NO2, dyoksidin e squfurit SO2, ozonin O3, benzenin C6H6, sulfurin e hidrogjenit H2S dhe plumbin Pb, mbajnë përgjegjësinë kryesore organet kompetente të pushtetit qendror”, shprehet Agron Deliu.

Të gjithë këta ndotës përhapen në ajër së pari si rezultat i blozës dhe squfurit të emetuar nga automjetet me motorë Diesel, kryesisht të vjetër dhe jo të standartit “Euro 5”, së dyti nga cilësia e keqe e karburanteve që hyjnë në Shqipëri, së treti nga trafiku i rënduar në rrugë, së katërti nga krateret e djegies së mbeturinave, TEC-et, fabrikat e punishtet, të mëdha e të vogla që punojnë pa respektuar asnjë kusht mjedisor, etj. Se nga anon peshorja e fajit, këtë le ta thonë specialistët. Ajo që duhet theksuar është fakti se të gjithë këta elemente në ajrin tonë, janë në prag, ose kanë tejkaluar normën e lejuar, dhe nga viti në vit, rritja është e dukshme duke lënë pas pasoja të pashmangshme shëndetësore e një jetë..., në mos më të shkurtër, më të vështirë për tu përthithur.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi