Parlamenti grusht ne korrik krize ne shtator

Parlamenti grusht ne korrik, krize ne shtator
Parlamenti mbyll punimet e sesionit të dytë të legjislativit të 18-të me grushte dhe akuza të ndërsjella mes demokratëve dhe socialistëve. Konfrontimi fizik mes deputetëve të të dy krahëve politikë ka mbyllur siparin e Parlamentit, për të rinisur sërish pas një muaji e gjysmë, në shtator. Ofendimet kanë degraduar deri në grushte, çka e ka detyruar Kryetaren e Parlamentit ta ndërpresë seancën për pesë minuta dhe për t’i ndaluar mediat ta filmonin incidentin në Kuvend, që i ktheu deputetët për pak çaste në boksierë. U deshën 20 minuta që të qetësohej situata, të votohej me shpejtësi buxheti dhe Kryetarja e Kuvendit ta deklaronte të mbyllur seancën.

Përplasja në Kuvend

Në kohën kur Kryetarja e Kuvendit po kalonte miratimin e buxhetit nen për nen, deputetët socialistë, Ilir Beqja, Saimir Tahiri dhe Erion Braçe, janë ngritur më këmbë duke kërkuar nga Kryeparlamentarja Topalli të zbatonte rregulloren dhe t`u jepte socialistëve të drejtën e fjalës. Kokëfortësia e Kryetares së Kuvendit i ka detyruar socialistët të ngrihen më këmbë dhe t’i afrohen në turmë foltores së Kuvendit.

Deputeti Braçe, i cili mbante në dorë një shishe ujë, është ndaluar nga garda dhe i është marrë uji, ndërkohë që menjëherë pas këtij veprimi, deputeti Braçe është goditur nga kundërshtari i tij politik, deputeti Lefter Maliqi. Situata është tensionuar më shumë kur pas një shtyrjeje të deputetit Edi Paloka ndaj deputetit socialist të Lezhës, Gjovalin Kadeli, ky i fundit është kthyer, por ka goditur padashje një punonjës të gardës.

Penalizimi

Mbyllja e sesionit të dytë kuvendor ka shpëtuar përkohësisht deputetët e përfshirë në konfrontim fizik nga penalizimi. Byroja nuk është mbledhur ditën e djeshme, për shkak të përfundimit të sesionit parlamentar, duke e lënë këtë çështje në dorë të Gardës së Shqipërisë. Zëdhënësja e gardës, Valbona Ndreka, bëri me dije dje se, gjatë seancës plenare, në Kuvendin e Shqipërisë ndodhi një incident i dhunshëm. Lidhur me këtë, zyrtarisht Garda e Republikës tha se deputeti i Partisë Socialiste, Gjovalin Kadeli, ka goditur një nga efektivat e shërbimit të sigurisë së Gardës së Republikës. Goditja e efektivave të Gardës së Republikës gjatë ushtrimit të detyrës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë është një dukuri e përsëritur, vëren garda përmes zëdhënëses së saj, Valbona Ndreka.

Ajo premtoi se Garda e Republikës do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për këtë ngjarje. “Sipas nenit 20, pika 1 e ligjit 8869, datë 22.05.2003, ‘Për Gardën e Republikës së Shqipërisë’, ‘Punonjësi i Gardës së Republikës në shërbim ose për shkak të shërbimit, është i paprekshëm. Fyerjet, kundërshtimet dhe çdo veprim i dhunshëm ndaj tij dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal’”, theksoi Ndreka.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama