Regjistroni domainin tuaj .al

Nje perralle dimri ne tri variante

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite më parë

Nje perralle dimri ne tri variante
Nje perralle dimri ne tri variante

Heinrich Heine dhe dy shqiperuesit e tij te mirenjohur, Poradeci dhe Schwartz. Problematika dhe kufijte e perhershem te perkthimit poetik: nje fushe e bukur apo nje kemishe ngushtuese? Muzikalitet, ritem i brendshem apo perkthim literal, origjinalitet apo besnikeri e detyruar?

Kater vjet me pare deshironim te perkujtonim si Shoqate gjermano-shqiptare e kultures „Robert Schwartz" Heinrich Heinen, poetin e madh te Gjermanise, ne 150-vjetorin e vdekjes. Per kolanen poetike qe desha te hartoja me kete rast, natyrisht qe mendimi i pare ishte te "Gjermania. Perralle dimri", me i shquari poem satirik-filozofik i mergimtarit te Parisit qe ai e shkruante per atdheun e tij pasi e vizitoi ne vitin 1844. Dhe natyrisht qe si tekst per aktoret duhet te merrja perkthimin e njeriut qe i kishte dhene emrin Shoqates, kolegut e mikut Schwartz. Por duke kerkuar ne skedat e Bibliotekes Kombetare shoh qe veç ketij shqiperimi, botim i vitit 1990, ekzistonte dhe nje "Gjermania. Perralle dimri" tjeter, botim i vitit 1959, po nga "Naim Frasheri", nen shqiperimin e Lasgush Poradecit.


Me thene te drejten s'kisha patur dijeni. Ndoshta tirazhi i vogel i botimit te atehershem, ndoshta aludimet e shumta per fakte te Gjermanise se messhekullit 19, ose dhe arsye perkthimi e kishin hedhur kete liber shpejt ne harrese. Libri qe ndodhet ne BK ishte krejt i shkalafitur nga perdorimet, emri i perkthyesit aty ne f. 2 me germa fare te vogla. Mirepo ai nuk mund te shperfillej. Midis kolegut dhe pagezorit te Shoqates Schwartz dhe Lasgushit, njerit prej poeteve kryesore te shqipes ne shekullin e 20, po aq perkthyes-mesues, nuk ishte e lehte te zgjidhje ose te lije, te menjanoje ose te nxirrje ne pah.

Per me teper behej fjale per nje mbremje letrare ku tekstet do t'i lexonim se bashku me aktoret Timo Flloko dhe Ema Andrea, pra jo per nje botim me riprodhim te madh, por nje deklamim poetik ne nje mbremje te vetme ku ne fund te fundit rendesi kishte perkthimi i sakte dhe fjala e bukur. Nga ana tjeter, prej kesaj vepre qe perbehet prej 27 kapitujsh me afer 500 strofa katervargeshe gjithsej, do te merreshin vetem disa episode te caktuara, jo me shume se gjithe-gjithe 100 strofa.

Keshtu vendosa qe t'i veshtroja gjate punes te dyja shqiperimet. Kjo pune me nxori ne disa perfundime qe vlejne te shtjellohen ketu, pasi kane te bejne me problematiken dhe kufijte e perhershem te perkthimit poetik: nje fushe e bukur apo nje kemishe ngushtuese? muzikalitet, ritem i brendshem apo perkthim literal, origjinalitet apo besnikeri e detyruar?

Ne nje veshtrim te pare shqiperimi i Schwartzit lexohej rrjedhshem e pa shume pengesa, kurse shqiperimi i Lasgushit donte me shume pune, por edhe erudicion pasi p.sh. te gjitha fjalet frengjisht ishin lene frengjisht, pos qe emrat e perveçem ishin lene te gjithe, me grafi si ne origjinal.

Nje lexim me i kujdesshem dhe krahasimi me origjinalin me tregoi se nga shqiperimi i Lasgushit nuk mund te hiqej dore. Ne teresine e vet ky perkthim i qendronte me besnik Heines, veç kesaj nje numer zgjidhjesh poetike ishin te mrekullueshme. Ne teresine e vet shqiperimi i Schwartzit lexohej rrjedhshem. Por nuk mund te niseshe me pershtypje te pergjithshme, gjithçka duhej matur me origjinalin.

Dhe keshtu pas krahasimit te imte, duke marre here nje strofe prej njerit poet here prej tjetrit, here duke lemuar vargje te caktuara, here duke perkthyer strofa te tjera krejt mirefilli, i bindur se i afroheshe ashtu autorit me mire, doli se fundi nje tekst qe mund te kishte te meta te ndryshme, si bie fjala mungesen e nje fryme a nje dore te vetme (me te mirat dhe kusuret e saj!), por ne teresine e vet ishte shume prane origjinalit dhe kishte nje rrjedhshmeri e ritem te brendshem qe nuk mund te qortohej...

Kete e provuan edhe suksesi dhe perseritjet e mbremjes ne disa raste - tri here te tjera ne Tirane dhe nje here ne Ulqin - reagimi i publikut ne deklamimet e Timo Fllokos, qe kishte rolin e poetit, dhe dialoget e tij me Ema Andrean, ku kjo luante here nenen e poetit e here perendeshen mbrojtese te Hamburgut, Hamonian.

Dy shqiperues kaq te nderuar, njehereshi mesues, njeri dhe poet i rralle, patjeter qe do te ma ndjenin ate amalgame qe krijova me "Gjermania. Perralle dimri".

Secili prej tyre perkthimin letrar e ka bere ne kushte te veshtira, sidomos Lasgushi, qe perktheu pas Lufte lirike te shumte ruse, gjermane, rumune, franceze etj. thjesht per te mbijetuar, pasi si shkrimtar nuk mund te jetonte me, ca me keq nuk mund te shkruante i lire. Schwartzi shqiperimet letrare i bente ne oret e vona te nates pasi gjithe dita i shkonte, edhe atij per arsye mbijetese, me perkthime veprash te udheheqesit dhe kashte tjeter propagandistike.

Ne kushte normale, sikur t'ua kishin lene gjithe kohen e duhur per perkthimin e kesaj kryevepre te poezise e te satires, sot do te kishim dy variante te "Gjermanise" ne shqip qe do t'i kishin qendruar kohes mjaft mire e s'do te kishte qene nevoja te vinte nje i trete per te nxjerre rezultanten me te mire prej te dyjave.

Pavaresisht nga keto rrethana historike, le te vime te karakteristikat e secilit perkthyes pasi ato dhe na interesojne me shume:

Lasgushi perkthen me mase e me shije poetike te veçante. Ai e respekton me se miri metriken e origjinalit, siç thame katervargesha teterrokesh ABAB, ku rimat jane vetem BB, shpesh ne menyre lakonike duke i gjetur keto rima pa sforcim te madh e pa tradhti te madhe ndaj origjinalit. Po sjellim ndonje shembull:


Nje vashe e vogel harpes i bij.
Kendonte me zemren plote
Dhe zerin fals, po u preka fort
Nga keng' e saj fjalengrohte.

ose

Kur ardha te zonja meme, ajo
U tremb prej gazit q'e zuri;
Therriti befas: "O biri im!"
Dhe te dy duart i thuri.


Sot qe lexojme kete perkthim te Lasgushit ndiejme hijeshine e paperseritshme te gjuhes se tij qe perbehet ne radhe te pare nga fjalet e shumta popullore dhe nga trajtat e veçanta dialektore, te cilat ai i fut me vetedije te plote, madje edhe duke na terhequr vemendjen me poshteshenime qe aksh fjale perdoret ne Pogradec. Ja disa shembuj fjalesh, per shumicen e perdoruesve te panjohura: sheputka, kokonka, tagarke, pepellashe, qimegjalla (nje lloj krimbi), torozhen (nje lloj shpendi), shi tonét (dmth. i bute, Pogradec), kllanik (vater, Pogradec), rruskudan (pallavraxhi, Pogradec) etj.

Ja disa nga trajtat e shumta te toskerishtes verilindore: mbesoj, mproj, medje, vojtje, tashine (per tashti), i qojtur, i lete, gas, sundovi, ardha, shij (per shihte), pshteti, mos u kethe, zembak, robe, dermoj etj. etj. Mirepo sa eshte i kujdesshem per te futur ne shqiperim fjale nga qyteti i tij amtar ose per te dhene nje strofe qe i pelqen veçanerisht, e qe mund te jete nje situate lirike, nje trishtim dashurie, pershkrim natyre etj., aq dhe nuk kujdeset por ecen shpejt kur duhen dhene situata politike, te ngarkuara me aludime per personazhe dhe fakte te kohes. Ja ndonje shembull strofash qe eshte e veshtire t'i kuptosh po nuk e njohe Gjermanine e periudhes se pararevolucionit te 1848s:


Sa kavaleresk! na vjen ne kujtim
romantizmi qe vate e iku,
Kastelana Jeanne de Montfaucon,
Baroni Foqué, Uhland, Tieck-u

Po, po, me pelqen perkrenarja, deshmor
Per fryme naltmadherore!
Nje mbreterore spirite ajo ish,
Me pointe, majucke thumbore.


Kur mberritem si brez i fundit ne shtepine botuese "Naim Frasheri" ne vitet 80, ishin proverbiale komentet e Lasgushit, zakonisht ne vargje, per normen ne perkthim, se ciles i nenshtroheshin veç tij edhe te tjere emra kaq te nderuar te letrave tona si Mitrush Kuteli, Sotir Caci, Bujar Doko, Petro Zhej etj. Per prozen kjo norme ishte 6 faqe ne dite, por poezine, ne mos gaboj 100 vargje. Nen marshimin e kesaj norme duket se jane perkthyer edhe do pjese te "Gjermania. Perralle dimri", se ndryshe nuk mund te shpjegohet qe Lasgushi te lejonte konstrukte te tilla aspak te shqipes si: diamante kurore arthmerie, fitim punetoresh duar, valixha m'u vizitua (nga doganieret), i kaloresve kostum i ri, nje mbreterore spirite, fantomerisht, fantasterisht etj.

Sikurse e permendem jane lene ne frengjisht thuajse gjithe fjalet e origjinalit: malheur, page, gentilhomme ose nuk ka kujdes te veçante per te perdorur ekuivalentet shqipe per fjalet neolatine si eveniment, fantome, akcent, here-here ka pakujdesi te tilla si "hyra ne vendin jashte" (do te thote qe "u ula ne karroce ne fronin jashte") ose "I futnja nganj'here gishtrinjt'e mij,/ Dhe ngjante shpesh nganj'here".Shqiperimi i Lasgushit i ngjan nje skulpture te çuditshme, te punuar ku me dalte te holle e fine, ku me te rena te trasha. Te duket nganjehere si pune e paperfunduar, te vjen ta marresh ti ne dore dalten qe e hodhi nje dite i merzitur ne oborrin e shtepise poeti dhe thua: sa keq, sikur te ishte gjalle e ta rimerrte ne duar, s'do qe ndonje pune e madhe ta kthente ne shqiperim te sosur.


Me njohurite e thella te gjermanishtes (kishte jetuar dhjete vjet ne Berlin dhe Graz, ku pat mbrojtur dhe doktoraten me 1933) dhe poezine qe e kishte te brendshme, por dhe ironine e holle e cila i shkonte aq mire asaj te Heines, i plotesonte gjithe kushtet e nevojshme qe "Gjermania" te kendonte ne shqip si bie fjala dikur "Korbi" i Poes ose "Skenderbeu" i Longfellow-t nen doren e Nolit.

Shqiperimi i Schwartzit ka natyre tjeter. Ai eshte me rebel, me i drejtperdrejte dhe me afer kohes sone. Sikurse ne gjithe perkthimet e tjera, kujdesi kryesor i Schwartzit ishte qe autori i huaj te komunikoje me lexuesin shqiptar sikur te jete shqiptar. Per kete synim te pare ai e kthen komunikimin gati ne gjuhe bisedore, çka shpesh Heines i shkon, sidomos ne ato pjese te poemes qe kane me fort natyre polemike e politike, por jo gjithmone. Ne zgjedhjen e fjalorit bisedor ku gjen shume shprehje "te forta" te tipit: na lene ujin ne dore, ç'budallenj qe jeni, o zog shemtire, ne me renç ne dore, ta jep mu ne tru, s'ua ka kush ngene, i ha meraku etj. nuk mungojne fjalet turke (keto Lasgushi ka kujdes te mos i qase) si avaz, halle, bandill, qese, ibret, lezet, milet, goxha, sefte, sajdis, zarar, ilet, dynja, defter, hem-hem, alamet, namuz etj.

Edhe pse ka strofa te nje bukurie te veçante (Schwartzi e ka treguar qe ishte dhe ai poet i holle lirik), shpesh nuk eshte ai kujdes i Lasgushit per muzikalitetin e vargut dhe ritmiken. Vargje 10 ose dhe 12 rroksh alternohen me 6 e 7-rrokesh, megjithese struktura baze e poemes eshte 8-rrokshi. Nga ana kuptimore ka nevoje per krahasime dhe korrigjime. Por doemos qe dhe ky variant shqip i poemes ka perligjen dhe te drejten e vet te ekzistences. Ne menyre te ngjashme me variantin e Lasgushit, edhe per kete mund te themi se nje pune redaktuese, per nje besnikeri me te madhe gjuhesore-poetike do te kish nxjerre me fort ne pah ato qe ishin vlerat kryesore te Schwarzit si shqiperues: prirjen divulguese, gjuhen rebele, aktualizimin e nje poeti te nje shekulli e gjysme para perkthimit.

Ne mbyllje te ketij veshtrimi krahasues po japim nje shembull te thurjes qe u perdor per mbremjet poetike „Gjermania. Perralle dimri", fjalimin e famshem te poetit drejtuar ujqerve, nga kapitulli XII:


Ah, ishin ujqer te uritur
Dhe ulerinin ato egersira
Me syte e unte qe u shkendijonin
Si gaca zjarri nga erresira.

E moren vesh qe kisha ardhur
Dhe sikur donin t'me nderonin
E pershkenditen pyllin mbare
Ne kor filluan te kendonin.

Madje m'u duk si serenade,
Dhe meqe shprehnin kaq nderim
Mora nje poze edhe u fola
Me fjale e gjeste gjithe ngazellim:

„Vellezer ujqer! Ndihem fort i lumtur
Ketu mes jush, mes kesaj brohorie!
Ju jeni kaq fisnike dhe me pritet
Me ulerima dashurie!

Ate qe ndiej ne keto çaste
S'e shpreh dot fjale e shkrete!
Kjo ore e bukur do me mbetet
E paharruar perjete!

Per mirebesimin falenderoj,
Keshtu ju me nderoni,
Dhe ne çdo kohe ju sprova jepni
Deshmi besnikerie tregoni.

Vellezer ujqer! Ju s'dyshuat kurre
Tek une - dhe as nuk ju moren mendte
Nga maskarenjte qe ju thane
Se paskam kaluar te qente,

Se qenkam renegat dhe se te qingjat
I larte oborrtar u bekam se shpejti...
Qe t'i mohoja keto profka
Nuk ma lejonte dinjiteti!

Lekure e qengjit qe nganjehere
E hidhja supeve, trupin te ngrohja
S'me ka shtyre kurre (ju betohem!)
Fatin e qingjave te enderroja.

Jo, nuk jam qingj, nuk jam as qen,
s'jam oborrtar, as peshk truthare -
Kam mbetur ujk, me zemer ujku
Dhe dhembe te mprehte si dhe me pare.

Jam ujk, jam ujk dhe gjithemone
Bashke me ujqerit do ulerija -
Me keni pas, veten ndihmoni,
Qe t'ju ndihmoje dhe Perendia!"

Ky ish fjalimi qe u mbajta,
Krejt i improvizuar,
Mirepo Kolbi ne gazete
Ma nxori te censuruar.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi