Ja taksat e reja per makinat

Ja taksat e reja për makinat
Duke zbatuar detyrimet e Marrëveshjes së Asociim Stabilizmit, qeveria synon të heqë taksën doganore për automjetet e përdorura duke vendosur një rend të ri taksash në varësi të madhësisë së motorit, llojit të karburantit dhe ajo që është më e rëndësishmmja, vitit të prodhimit.

Sipas draftit i cili ende nuk ka kaluar për shqyrtim në mbledhje të Këshillit të Ministrave, taksa e importit të një mjeti do të jetë produkt i një shumëzimi midis i cilindratës së motorit, koeficentit fiks për çdo vit prodhimi dhe taksës fikse për llojin e karburantit që ajo përdor.

Nisur edhe nga eksperienca ndërkombëtare, qeveria e ka parë të arsyeshme që koeficienti fiks për çdo vit përdorimi për autoveturat të jetë 0.5, ndërsa për mjetet e tjera përjashto ato të transportit publik 0.25.

Për sa i përket taksës fikse për llojin e kaburantit, parashikohet që ajo të jetë 20 lekë për automjetet e që punojnë me benzinë dhe 25 lekë për ato me naftë. Kështu, nëse dikush do të importojë një automjet me madhësi motorike 2.000 cm³, prodhuar në vitin 2.000 me naftë, ai do të paguajë 250.000 mijë lekë taksë.

Krahas prodhimit më të afërt në kohë, nga ky sistem taksimi do të jenë të favorizuar importuesit e automjeteve me benzinë. Importuesi i një automjeti me madhësi motori 2.000 cm³, prodhuar në vitin 2000 me benzinë, duhet të paguajë plot 50 mijë lekë më pak se automjeti me naftë, pra 200.000 lekë.

Qëllimet kryesore të kësaj strukture të re taksimi janë respespektimi i detyrimeve të MSA-së, rritja e të ardhurave në buxhet por edhe mbrojtja e mjedisit duke stimuluar importin e automjeteve me vit prodhimi sa më të afërt të cilat emetojnë më pak gazra të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve.
Kësaj politike i shkon për shtat taksimi edhe gjatë shitjeve në vend dorë pas dore të automjetit të importuar.

Edhe pse ka paguar njëherë për automjetin në fjalë, në momentin e shitjes automjetit do t'i llogaritet koha që ka kaluar në vend e cila do të shumëzohet me cilindratën e motorit dhe llojin e karburantit duke nxjerrë edhe taksën që duhet paguar në momentin e shitjes. Pra nëse një automjet me benzinë me të dhënat e mësipërme është importuar nga një individ dhe pasi e ka përdorur vetë për dy vite dëshiron ta shesë, ai duhet të paguajë pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Rrugor një taksë rreth 40 mijë lekë.

Qeveria parashikon të operojë me të njëjtën formë me mjetet e tjera përvec autoveturave. I vetmi ndryshim ka të bëjë me përgjysmimin e koeficientit fiks për sa i përket vitit të prodhimit. Pra për mjete si, buldozerë, eskavatorë, motoçikleta, etj., koeficienti i vjetërsisë nuk do të jetë 0.5 për çdo vit por 0.25.

Ndryshe nga automjetet, kjo formë taksimi me koeficient fiks nuk do të përdoret për mjetet e transportit publik. Sipas relacionit që shoqëron draftin e propozuar nga Ministria e Financave, taksimi i mjeteve të transportit publik do të bëhet në varësi të cilindratës, vjetërsisë dhe karburantit. Por për shkak se drafti është ende në hartim e sipër për momentin nuk ka një formë të përcaktuar për taksimi e këtyre mjeteve.

Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, të adhurat gjatë vitit 2009 nga importi i makinave kanë arritur në nivelin e 2.9 miliardë lekëve ndërkohë që kjo praktikë e re taksimi sipas tyre pritet të rrisë edhe më tej të ardhurat në buxhet.

Si përllogaritet taksa

Automjetetet

Vjetërsi X 0.5 X fuqi motorike X 20 lekë (benzinë), 25 lekë (naftë)

Mjetet e tjera

Vjetërsi X 0.25 X fuqi motorike X 20 lekë (benzinë), 25 lekë (naftë)

Emirjon Senja : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama