Regjistroni domainin tuaj .al

Nga se rrezikohet zemra juaj

Shkruar nga:  
Postuar më: 5 vite më parë

Nga se rrezikohet zemra juaj
Nga se rrezikohet zemra juaj

Këta faktorë janë zakonisht të modifikueshëm. Faktorë që nuk mund të modifikohen përfshijnë histori familjare për aterosklerozë të hershme (para moshës 50 – 55 vjeç tek meshkujt dhe para menopauzës tek femrat), mosha e avancuar dhe seksi mashkull. Burrat kanë një rrezik më të madh se gratë megjithëse gratë me sëmundje të arterieve koronare kanë vdekshmëri më të lartë se burrat e sëmurë.

Sëmundja iskemike e zemrës

Sëmundja iskemike e zemrës mbetet sot një nga sfidat kryesore të mjekësisë kardiovaskulare. Megjithë masat e marra për parandalimin e sëmundjes si dhe arritjet më të fundit në trajtimin e saj, sëmundja ishemike e zemrës është shkaku kryesor i sëmundshmërise dhe vdekshmërisë në botën moderne. Për këtë arsye, njohja e saj dhe e mënyrave të trajtimit, është e një rëndësie thelbësore. Në mënyrë që zemra të kryejë normalisht funksionin “pompë”, nevojitet që miokardi, muskuli i zemrës, të furnizohet si duhet me gjak të pasur me oksigjen. Kjo  realizohet nga dy arteriet koronare, të cilat marrin origjinën nga aorta, menjëherë sapo ajo del nga zemra dhe e rrethojnë atë nga jashtë.

Ekziston një ekuilibër dinamik i oksigjenit që varion në varësi të gjëndjes së organizmit dhe sasisë së ofruar nga arteriet koronare. Prishja e ekuilibrit “kërkesë – ofertë” shkakton vuajtjen e miokardit e si pasojë mos funksionimin normal të “pompës kardiake”. Prishja e këtij ekuilibri ndodh për dy arsye: ose nga rritja e kërkesës në gjëndje të tilla si rrahje të shpejta të zemrës, anemi, temperaturë e lartë, sëmundje të gjëndrës tiroide etj, ose nga ulja e ofertës që ndodh më shpesh nga ateroskleroza e arterieve koronare.

Ateroskleroza

Ateroskleroza është një proces patologjik që prek arteriet e zemrës, trurit, veshkave ekstermiteteve dhe organeve të tjerë vitale. Ajo karakterizohet nga trashja dhe fortësimi i mureve të enëve të gjakut nga brenda si rrjedhojë e përqëndrimit dhe depozitimit të kolesterolit, kalciumit dhe elementeve qelizor të inflamacionit. Ky material njihet si “pllaka aterosklerotike”.

Pllakat aterosklerotike rriten gradualisht dhe fillojnë të zvogëlojnë hapësirën e brendshme të enëve të gjakut, duke pakësuar sasinë e gjakut që kalon nëpër to. Për një kohë të gjatë procesi i aterosklerozës zhvillohet në mënyrë të heshtur.  Kur ngushtimet e arterieve koronare bëhen aq kritike sa fluksi i gjakut që kalon nëpër to është i pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e miokardit atëherë shfaqen shenjat e para të sëmundjes.

Fillimisht ankesat shfaqen vetëm mbas një niveli të caktuar sforcimi fizik apo pas një stresi emocional dhe mungojnë në qetësi. Me përparimin e sëmundjes nivelin i shpërthimit të ankesave ulet në mënyrë progresive madje ato mund të fillojnë edhe në qetësi.

Në disa raste megjithëse pllakat aterosklerotike nuk krijojnë ngushtime kritike, ato mund të cahen duke vënë në kontakt të drejtpërdrejtë përbërjen e saj me rrymën e gjakut. Gjaku qarkullon në gjëndje të lëngët vetëm nëse ruhet i plotë integriteti i arteries nëpër të cilën rrjedh. Kontakti i tij me përbërjen e pllakës aterosklerotke të carë shpërthen procesin e formimit të trombit në këtë nivel i cili mbyll plotësisht arterien dhe sjell ndalimin e menjëhershëm të fluksit të gjakut. Kjo gjëndje është kriza e zemrës ose “Infarkti i Miokardit”.

Faktori i rrezikut

Duhanpirja: Faktori i rrezikut më i rëndësishëm që mund të modifikohet është duhanpirja. Rreziku i zhvillimit të infarktit të miokardit është i lidhur drejtpërdrejt me sasinë e cigareve që pihen në ditë. Ai rritet tre herë tek meshkujt dhe gjashtë herë te femrat që pijnë më shumë se 20 cigare në ditë krahasuar me jo-duhanpirësit.

Pirja e duhanit ul përqëndrimin e “kolesterolit të mirë” (HDL-lipoproteina me densitet të lartë) dhe rrit përqëndrimet e “kolesterolit të keq” (LDL-lipoproteina me densitet të ulët). Duhanpirja rrit përqëndrimin e monoksidit të karbonit në gjak i cili rrit rrezikun e dëmtimit të veshjes së brëndëshme të murit të arteries dhe shkakton gjithashtu edhe ngushtime të mëtejshme apo spazma të arterieve të prekura tashmë nga ateroskleroza.

Personat që ndalojnë pirjen e duhanit e përgjysmojnë rrezikun krahasuar me ata që vazhdojnë pavarësisht kohëzgjatjes që ata kanë pirë më parë. Ndalimi i duhanpirjes ul gjithashtu rrezikun e vdekshmërisë pas infarktit akut të miokardit apo kirurgjisë koronare. Përfitimet e ndalimit të duhanpirjes fillojnë menjëherë dhe rriten me kalimin e kohës.

Yndyrnat e larta në gjak: Niveli i lartë i kolesterolit është një faktor tjetër rreziku i rëndësishëm që mund të modifikohet. Një dietë e pasur me yndyna të saturuara shkakton rritjen e niveleve të LDL-së.

Niveli i kolesterolit rritet me moshën dhe është më i lartë tek meshkujt sesa tek femrat megjithëse ai rritet edhe tek femrat pas menopauzës. Disa crregullime të trashëguara sjellin nivele të larta të kolesterolit dhe yndyrnave të tjera. Personat me këto çrregullime nëse nuk trajtohen rrezikojnë të vdesin nga sëmundja e arterieve koronare në moshë të re. Jo të gjitha llojet e kolesterolit e rrisin rrezikun e aterosklerozës.

Një nivel i lartë i HDL-së (kolesteroli i mirë) e ul këtë rrezik. Vlerat e dëshiruara të kolesterolit total që përfshijnë LDL-në, HDL-në dhe trigliceridet janë 140-200 mg/dl. Rreziku i infarktit të miokardit dyfishohet nëse niveli i kolesterolit total i afrohet 300mg/dl. Rreziku ulet nëse LDL-ja është nën 130 mg/dl dhe HDL-ja mbi 40 mg/dl. Tek njerëzit me rrezik të lartë, si për shembull ata me diabet sheqeri, sëmundje aterosklerotike prezente, infarkt miokardi, insult cerebral apo pas kirurgjisë koronare vlerat e LDL-së duhet të jenë nën 70 mg/dl.

Hipertensioni: Tensioni lartë i pakontrolluar është një faktor i rëndësishëm për shkaktimin e infarktit të miokardit dhe insultit cerebral. Rreziku kardiovaskular fillon të rritet që kur vlerat e tensionit janë rreth 110/75 mmHg. Ulja e tensionit arterial redukton në mënyrë të qartë rrezikun kardiovaskular. Mjekët shpesh përpiqen për të arritur një tension arterial nën 140/90 mmHg dhe nën 130/80 mmHg tek pacientët me diabet apo sëmundje të veshkave.
Diabeti e sheqerit: Personat me diabet sheqeri të tipit I kanë tendencë për të zhvilluar sëmundje aterosklerotike që prek arteriet e vogla në sy, nerva apo veshka duke shkaktuar humbje të shikimit, dëmtim të nervave dhe insuficiencë të veshkave. Personat me diabet sheqeri të tipit II kanë tendencë të zhvillojnë sëmundje aterosklerotike të arterieve të mëdha. Këta njerëz kanë tendencë të zhvillojnë sëmundje aterosklerotike në një moshë më të re dhe në një mënyrë më të përhapur krahasuar me njerëzit pa diabet. Rreziku i zhvillimit të aterosklerozës është dy deri gjashtë herë më i lartë tek diabetikët vecanërisht tek femrat.

Obeziteti: Personat obezë kanë një rrezik të lartë për zhvillimin e aterosklerozës së arterieve koronare. Obeziteti abdominal rrit rrezikun për zhvillimin e faktorëve të tjerë të rrezikut si hipertensioni arterial, diabeti i sheqerit, vlerat e larta të kolesterolit.

Jeta sedentare: Jeta sedentare duket se rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së arterieve koronare. Shumë të dhëna tregojnë se ushtrimi i rregullt dhe në nivele mesatare redukton rrezikun dhe ul vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Ecja normale për rreth 4 – 5 km në ditë është një ushtrim i mjaftueshëm dhe i lehtë për tu bërë në jetën e përditshme. Sportet e tjera si vrapimi e noti duket se formojnë një trup shumë të shëndetshëm. Ushtrimi i rregullt ndihmon edhe në modifikimin e faktorëve të tjerë të rrezikut të aterosklerozës – duke ulur tensionin arterial, vlerat e kolesterolit, duke ndihmuar në reduktimin e peshës dhe rezistencës ndaj insulinës.

Mënyra e ushqyerjes: Dieta e pasur me fruta e perime ul rrezikun e sëmundjes së arterieve koronare. Nuk dihet nëse këto përfitime vijnë për shkak të ndonjë substance kimike që ato përmbajnë (fitokimikate) apo personat që përdorin këtë lloj diete konsumojnë më pak yndyrna të saturuara e më shumë fibra dhe vitamina.

Megjithatë fitokimikatet të quajtura flavonoide që gjënden tek rrushi i zi dhe i kuq, vera e kuqe, çaji i zi, dhe birra e zezë duken vecanërisht se kanë veti mbrojtëse. Përqendrimi i lartë tek vera e kuqe mund të shpjegojë faktin pse francezet kanë një incidencë relativisht të ulët të sëmundjes së arterieve koronare edhe pse konsumojnë më shumë duhan dhe yndyrna krahasuar me amerikanët. Thënia se marrja e pakët e yndyrnave është e rëndësishme për një dietë të shëndetshme është pjesërisht e vërtetë sepse ka rëndësi edhe lloji i tyre.

Yndyrnat e ngurta si gjalpi janë përgjegjëse për shkaktimin e aterosklerozës. Pra ato duhet të evitohen sa të jetë e mundur dhe në vend të tyre të zgjidhen ushqime me yndyrna të pasaturuara që gjenden tek arrat, farnat e ndryshme, vajrat dhe majoneza. Yndyrnat Omega-3 dhe Omega-6 janë thelbësore për një dietë të shëndetshme.

Omega-3 gjendet tek peshqit si salmoni e toni, lajthitë e bajamet. Omega-6 gjenden tek arrat, farnat, vaji lulediellit dhe vaji i misrit.

Alkooli: Personat që konsumojnë sasi të moderuara alkooli duket se kanë një rrezik më të vogël për zhvillimin e sëmundjes së arterieve koronare sesa ata që pinë shumë apo nuk pinë fare. Alkooli rrit nivelet e kolesterolit të mirë (HDL) dhe gjithashtu ul rrezikun e mpiksjes së gjakut, redukton inflamacionin dhe ndihmon në mbrojtjen e trupit nga nënproduktet e aktivitetit qelizor.

Përdorimi i dy gotave pije alkoolike në ditë duket se ul rrezikun e sëmundjes së arterieve koronare (ndërkohë që rrit lehtësisht atë të insultit cerebral). Sasitë mbi normën e lejuar (14 pije në javë për meshkujt dhe 9 pije në javë për femrat) mund të shkaktojë probleme të rëndësishme shëndetësore që janë në raport me sasinë e përdorur.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi