Regjistroni domainin tuaj .al

Dhimitër Xhuvani: Lëreni shkrimtarin të lirë

Shkruar nga:  
Postuar më: 5 vite mĂ« parĂ«

Dhimitër Xhuvani: Lëreni shkrimtarin të lirë
Dhimitër Xhuvani: Lëreni shkrimtarin të lirë

Për herë të parë ai shpjegon gjatë dënimin e "Tunelit" dhe kthimin teposhtë që mori jeta e tij.Rehabilitimi me dy vepra që ai nuk i quan letërsi. Kjo intervistë "ka humbur" si pasthënie e romanit kyç në krijimtarinë e Xhuvanit, i ribotuar pirat pas nëntëdhjetës. "Shekulli" e sjell dy ditë pas vdekjes së shkrimtarit

Siç dihet, romani "Tuneli" pati jehonë të madhe në shtyp në vitin 1966. Pas kritikës, autori u çua për riedukim në Hidrocentralin që do të ndërtohej asokohe në Bistricë, aty ku zhvilloheshin ngjarjet e romanit. Atje punoi si punëtor krahu në transport, saldator, elektriçist, hekurkthyes etj. Pas shumë vitesh, u kthye redaktor në Kinostudio.

Dhimitër, mbaj mend që romnai yt u përpi nga lexuesi shqiptar, si asnjë vepër tjetër e botuar pas Çlirimit. Sidomos pas kritikës në shtyp, ai kaloi dorë më dorë edhe pse u ndalua qarkullimi i tij si një krijim heretik. Kritika, në vend që ta shuante e rriti kërshërinë.Kanë kaluar qysh atëherë 25 vjet dhe besoj nuk jua ka ënda të kujtoni ngjarjet pas botimit të "Tunelit" që ju çoi fizikisht të punonit në tunnel. Si fillim, mund të na thoni si lindi "Tuneli"? Lindi si një vepër që vinte nga nevoja e brendshme e autorit, apo ndikuan edhe rrethanat shoqërore e politike të viteve 1960?

Romani "Tuneli", si shumica e veprave të mia letrare, mund të them se lindi nga mbresat dhe përshtypjet e forta që pata mbledhur si gazetar. Mbaj mend se Hidrocentrali i Bistricës, që u quajt "J. V. Stalin", ishte në faqet e para të gazetave e revistave, si dhe të kronikave filmike e të radios. Ishte një ushqim shpirtëror i përditshëm, i mbushur me shpërthimet e minave në tunnel, me heroizmin e klasës punëtore, me vetëmohimin e inxhinierëve të rinj, me cicërimat e bilbilave të Muzinës etj.


Të gjitha këto i shpreha në mënyrë të kursyer në reportazhe, tregimin "Magnetofoni", si dhe në skenarin e filmit dokumentar "Bistricë '63" me regjisor V. Gjikën, që u mirëprit dhe u nderua me çmim Republike. Sigurisht, edhe unë që pashë me sytë e mi, njoha e ndjeva nga afër sakrificat sublime, s'mund të isha gjakftohtë e larg ndikimeve të rrethanave shoqërore e politike të viteve '60, kur po vendoseshin e po bëheshin norma të jetës sonë mbështetja në forcat e veta deri në vetëmohim.S'mund të them se isha i ndërgjegjshëm për prognozën e pasojat kësaj teorie që na çuan dhe në izolim nga bota. Si shkrimtar intuitiv dhe realist shkrova atëherë një të vërtetë të hidhur.


Ç'kujtime keni sot, pas kaq vitesh, nga kitika e ashpër që u bë për "Tunelin"? Ekziston kjo kritikë në koleksionet e gazetave dhe revistave. Kishte dhe një kritikë tjetër "të pagabuar" të opinioneve shoqërore?

Edhe pse me veten time dhe në raste të rralla, kur ka rënë fjala për romanin "Tuneli", kam thënë të shkuara të harruara, kujtimet e hidhura në çdo jetë njeriu, mbeten të hidhura.Fushata e kritikave të shumta zgjati qamet, mbi disa muaj, që nga gazetat e përditshme, si "Zëri i Popullit", "Bashkimi", nga gazetat periodike si "Zëri i Rinisë", "Drita" dhe nga revistat mujore si "Nëntori", "Rruga e Partisë" etj. Shumë kritikë, amatorë dhe kolektiva pnëtorësh e inxhinierësh shkruan kundër "Tunelit", duke mos e ndarë veprën nga autori.Dhe unë vetë shkrova autokritikë kundër vetes. Ishte e pamundur që t'i bëje ballë asaj stuhie. Ma do mendja se ashtu siç më detyruan mua të shkruaj kundër vetvetes, u kanë kërkuar dhe të tjerëve të shkruajnë kundër "Tunelit".


Sigurisht, që pati dhe të zellshëm e të bindur. Të ishin shkrime pluralsite dhe pa pasoja për mua, s'do të më vinte dhe aq keq. Pluralizmi qe i heshtur, pëshpëritej në vesh, madje me frikë, se fatkeqësisht, pati dhe dy raste që romani "Tuneli" shërbeu si dëshmi për agjitacion e propagandë në dosjet e një letrareje të re e të një shkrimtari të ri.Me kalimin e kohës ra furia e stuhisë. Mbetën të dukshme e të fshehura njëkohësisht dy qëndrime: njëri zyrtar e i ftohtë që më ndoqi pas për një kohë shumë të gjatë, edhe pas periudhës së kryerjes së dënimit me punë krahu, edhe pse kisha botuar dramën "Pas dy vjetësh" e romanin "Përsëri në këmbë" dhe tjetri dashamirës e mëshirues, miratues i veprës, e cila lexohej në mënyrë klandestine.

Ç'pasoja pate pas kritikës dhe dënimit?

Sapo filloi kritika, nisën dhe pasojat. Nisi me një tingëllim të ziles së telefonit në redaksinë e gazetës "Drita". Sapo dëgjova zërin e kryeministrit ia zgjata dorezën e telefonit shokut të zyrës, Andon Kuqalit, i cili mori porosinë që unë duhej të shkoja në Hidrocentralin "J. V. Stalin", dhe të shikoja me sytë e mi gabimet e mia, të punoja e të jetoja...

Po atë ditë, apo të nesërmen, më thërret në zyrë Shefqet Musaraj, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai mbante në dorë librezën time të punës dhe pa sqaruar asgjë, si e qysh, më thotë:


"Nashti, si t'ja bëjmë, si ta shkruaj këtu largimin tënd nga Lidhja e Shkrimtarëve?"
"Si të keni marrë urdhër", i them tepër i trishtuar dhe i habitur që s'do të jem më në Lidhjen e Shkrimtarëve, që s'do të jem më shkrimtar, që s'do të kem më as të drejtën e botimit me afat të pacaktuar, fjalë të cilat i kisha dëgjuar korridoreve të Lidhjes.

"E di si është puna? Të shkruajmë në mënyrë të atillë që most të të shohin shtrembër kudo që të vesh. Ja, për shembull, largohet me dëshirën e tij, mirë?"

Të pasneërmen u bë një mbledhje e madhe në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, e drejtuar nga Ramiz Alia, po unë s'vajta.

U nisa me autobusin e linjës për në Hidrocentalin "J. V. Stalin", "vullnetarisht", "me dëshirën time", duke lënë në shtëpi babanë dhe nënën e sëmurë, motrën studente, dy fëmijët e vegjël dhe gruan. S'kam udhëtuar kurrë në jetën time aq i trishtuar.

Gjashtë vetë me një rrogë të vogël mësueseje filloreje. Ngushëllimin e gjeja vetëm te shprehja e popullit "ka edhe më keq". Ka edhe burg, ashtu siç u burgosën shumë krijues në ato vite. Unë isha "i lirë" veçse shumë larg, në ekstremin më jugor të vendit.

Në pikat e kontrollit të policisë, si te Ura e Rrogozhinës, në Sevaster, në Tepelenë, në të hyrë të Gjirokastrës, në Qafë të Muzinës, policët qëndronin gjatë para pasaportës sime e fytyrës sime. Vështrimet e tyre tpër të vëmendshme, sikur paralajmëronin një prognozë të hidhur, që fatkeqësisht u vërtetua më vonë.

Sa më shumë që kalonin muaj e vite, unë do të zhvendosesha e vërtitesha në kantiere, si në Sarandë, Durrës, Elbasan e Tiranë, gjithnjë si punëtor krahu vështrohesha nga sekretarët e instruktorët e komiteteve të Partisë, nga sekretarët e komiteteve ekzekutive, nga shefat e kuadrove si një njeri i dyshimtë, i rrezikshëm.

Kretj i kundërt me këtë pozicion ishte qëndrimi punëtorëve, brigadierëve, inxhinierëve, kuzhinierëve, bufetierëve, shoferëve të kantierëve. Të gjithë këta më trajtonin si një "mik të rrallë, të vjetër e të sëmurë", që kisha nevojë për miqësi, dashamirësi dhe ushqim.

Si prototipa për të ilustruar këtë fakt "sipas tipikes së realizmit socialist" dhe në pamundësi për të përmendur të gjithë, kujtoj me mirënjohje të thellë ing. Sokrat Koliropullin, Bardhyl Balzën, Fiqiri Veizin, Sami Karapicin e shumë të tjerë, si dhe të birin e kryinxhinierit, Ladin, që asokohe bënte praktikë në kantier.

Përzemërsia e tij, respekti e shoqëria me të, ishte për mua diçka e habitshme. Atë e bir, njëri kundër e tjetri pro, jo vetëm ndaj romanit tim, por ndaj meje, njëlloj siç ishin kundër e pro dy qëndrime të dy sferave të gjera: zyrtarëve dhe njerëzve të thjeshtë.

Për gjithkënd që dënohej, me ligj ose pa ligj, rëndë apo lehtë siç qe rasti im, përnjëherësh vinte dhe binte hija e dënimit dhe mbi familjen. Çdo sferë nëpunësish tregonin devotshmëri e besnikëri ndaj fushatës së madhe "Anti-Tunel".

Disa burokratë parimorë iu sulën shtëpisë sime në Rrugën e Durrësit, një apartament i zakonshëm prej dy dhomash e një kuzhinë, ku jetonin pa mua, tri kurora; ata të seksionit të arsimit iu sulën gruas sime për ta nisur në fshat; vëllait tim të vogël në Elbasan që sapo ish kthyer nga ushtria jo vetëm ia morën apartamentin, por për një kohë të gjatë nuk i dhanë strehim, ndonëse ishte i martuar e me një fëmijë të vogël.

Prindërit e sëmurë vdiqën njëri pas tjetrit brenda gjashtë muajve. S'do ta kujtoja vdekjen e prindërve, sepse para vdekjes jemi të pafuqishëm dhe se njeriu me të s'duhet të abuzojë, por unë s'besoj të jem rast tjetër për t'i kërkuar ndjesë nënës, të cilën kur po mbyllte sytë e po jepte shpirt, e gënjeva, i thashë se dënimi im mori fund, se unë u ktheva në shtëpi, gjë që u realizua shumë vonë, dhe me shumë peripeci, sa qesharake aq dhe tragjike për fatin e njeriut të shkretë, jeta e të cilit çuditërisht është lodër fjalësh në gojën e zyrtarëve.

Kisha filluar të botoja tregime në gazetën "Drita", drama "Dasma e madhe e dritave" ishte vënë në skenë nga trupa amatore e Kombinatit të Tesktileve "Stalin" dhe kishte fituar flamurin e kuq të asaj gare festive të Nëntorit, apo çmimin e parë, megjithëse i bënë shumë luftë nga Ministria e nga një delegacion i ardhur posaçërisht nga Elbasani e megjithatë unë akoma s'kisha të drejtë të jetoja pranë familjes sime në Tiranë, qoftë dhe si punëtor, tani me kategori të tretë si elektricist, të dytën si hekurkthyes e të gjashtën (të pestën të re) si saldator.

E ç'rëndësi kishte, e ç'dëm i sillte djersa ime ndërtimit të socializmit, tashmë krejtësisht me forcat tona (se parrulla kishte avancuar) që unë të punoja në rrethin e Tiranës, ku kisha dhe kam pashaportizimin dhe jo në rrethet larg saj? Diplomat e mia si ndihmës-mjek i shkollës më parë të mesme mjeksore, si mësues i gjuhës, letërsisë e historisë i Universitetit të Tiranës, si shkrimtar që kisha sudiuar në "Institutin e Letërsisë Gorki", u kthyen në të zezën time.

Jo vetëm që këto diploma s'pinin ujë, por ishin ato që s'më lejonin të hyja përsëri në Tiranë. Si e qysh ndodhi, do të përgjigjem në pyetjen se si e sa ndihmon e interesohet organizata jonë e "Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve" për antarët e saj.


A e kanë pësuar, veç teje, redaktorët, botuesit apo edhe prototipët tuaj?

Po. Sidomos Vandush Vinçani, po më e dhimbshme është që e pësoi dhe një personazhe e romanit, ish infermierja e kantierit të Muzinës. Meqë në realitet ishte një infermiere e vetme në ambulancën e kantierit, gjë që përkonte dhe në roman, të quajtur nga unë me emrin Vaide e të krijuar si personazh letrar me një biografi letrare të fantazuar, e cila; ndonëse e martuar me Kasemin (po personazh letrar), bën dashuri me inxhinierin e kantierit Gjin Kulprin (po personazh), u ngatërrua, u njësua dhe më saktë të themi iu atribuan asaj peripecitë e heroinës së romanit.

Nga personazhi real, infermierja e kantierit, ajo që e kisha njohur në kohën kur grumbulloja material, kisha futur te Vaideja personazhe të fantazisë, cilesitë e saj të rralla si infermiere, dashurinë për punën e për njerëzit, devotshmërinë e saj, po jo korrektësinë e ndershmërinë e saj si qytetare, Vaideja përfaqëson një kategori të grave shqiptare që jeton në kushte shumë, shumë të vështira të një kantieri të izoluar, që sakrifikon në mënyrë sublime e të heshtur, që ëndërron marrëdhënie të reja e të lira, që është e predispozuar të mbushë boshllëkun shpirtëror pa e ditur se si.

Është një flutur që shkon drejt dritës, pa e ditur se i digjen krahët delikatë. Kritika e atëhershme mbajti qëndrim ndaj Vaidesë dhe burrokracia atë gjë bëri. Meqë u shkurtua vendi i punës së infermieres së kantierit në Muzinës, e dërguan në prodhim, i dhanë një lopatë që mbushte gropat e rrugëve të kantierit, pavarësisht se ajo ishte një infermiere e mirë dhe një grua e respektuar.
Sapo kisha vajtur në kantierin e Bistricës.

Bashkë me dy punëtorë ngarkim - shkarkimi grumbullonim trarë, dërrasa e hekura të mbetura e i transportonim nga kantieri ne qendër me një makine tip "Zis". Duhej të bënim pesë rrugë në ditë që të nxirrnim pagën minimale. Makina qëndroi.

Para nesh një grua, që kish mbuluar fytyrën me një shami të bardhë si mandilet e dropulliteve, mundohej të mbushte me lopatë një gropë në mes të rrugës. Ajo po na vononte. Si më i riu që isha, zbres nga makina, ia marr lopatën nga dora dhe nisa të mbush gropën. Nuk e njoha fare dhe nuk i fola, i bindur se do të më thoshte faleminderit që po e ndihmoja.

Ishte e djegur nga dielli dhe e rrudhur. Dhe ne moshë m'u duk e madhe. S'di pse, vështrimet tona kryqëzoheshin. Sytë po më dukeshin si të parë. Ata sesi qeshën, sikur fshihnin një kënaqësi. Dhe buzët lëvizën. Nuk buzëqeshën.
"Ti je ai shkrimtari, Dhimitri?" foli ajo.


Nuk u befasova, sepse e dija që në kantier ishte bërë një mbledhje e madhe, ku qe diskredituar "Tuneli" dhe ishte shkruar një letër kolektive.

"Po" i thashë, duke mos duruar atë nënqeshje të hidhur që shprehte dhe një kënaqësi.
"Mirë ta paskan bërë edhe ty. Mua në lopatë, ty në ngarkim - shkarkim. Nuk po më njeh, ë? Jam Vaideja jote" shtoi ajo me përbuzje (duke e quajtur veten me emrin e personazhes).

"O Zot!" thashë me veten time dhe u mundova t'i shpjegoj teorinë e letërsisë, tipizimin, gërshetimin e spuntos reale me fantazinë, por qe e kotë. Ajo humbi durimin dhe më përcolli. "Hajt, e mbushe gropën? Hip në makinë e mbaj hekura e dërrasa".
Hipa në makinë. Më dhembi zemra.

Dhe nuk di pse ajo grua në udhë, me lopatë në dorë, e përcëlluar nga dielli, më dukej se ishte gruaja ime, tamam si ajo që kish mbetur në Tiranë e lidhur pas pleqve të mi, pas fëmijëve të mi. Për të dyja fajtor isha unë.

Unë i kisha dënuar. E përse? Për kënaqësi egoiste të krijimit, sepse me fantazinë time kisha krijuar, pjellë (jo pa dhimbje) një personazh letrar, një Vaide të brishtë, të pakënaqur nga jeta, që protestën e saj e shprehu si ato fluturat mendjelehta që kanë etje për pak dritë.Si mendon ti, kritikat e bëra vinin nga një kritikë "zyrtare", domethënë e diktuar nga lart, apo vetë kritika, kritikët dhe opinioni shoqëror nuk ishin aq të emancipuar sa të mirëprisnin një vepër realiste si "Tuneli"? pra, ky roman ishte i parakohshëm, apo reagimi erdhi sepse kjo vepër cenoi "moralin zyrtar"?

Ai telefon nga lart që ra atë ditë në redaksi e që sugjeroi të shkoja në Hidrocentralin e Bistricës, autokritika që u kërkua me aq ngulm e që u shkrua në disa variante nga unë e nga shoku im, Dalan Shapllo, më i mërzitur se unë nga ç'po ndodhte, e që përfundimisht u kërkua jo e daktilografuar, por e shkruar thjesht nga dora ime, dhe ai shënim diplomatik në librezën time u konkretizuan e u zbuluan se gjithçka ishte menduar nga maja e piramidës.


Një delegacion i madh i rëndësishëm qeveritar kinez (duhet të ketë qenë i madh, derisa shoqërohej nga kryeministri), qëndron një ditë para tunelit të Bistricës.Disa ditë më parë agjencitë telegrafike të botës jepnin një lajm shumë sensacional; Go Mo Zhoja, një nga personalitetet e mëdha të Kinës së madhe, një politikan e letrar kishte deklaruar dhe ishte nisur për në Komunë e atje do të hante bar e baltë. Këtë gjë e dinin anëtarët e delegacionit kinez, e dinte edhe udhëheqja shqiptare.

Kryeministri, duke zgjatur dorën e duke treguar se ky është tuneli më i madh, tri kilometra e tri metra, i çarë me forcat tona, tha dhe këto fjalë: "Ashtu si ju dërguat në Komunë Go Mo Zhonë edhe ne kemi futur në atë thellësi, mes minatorëve, një nga shkrimtarët tanë më të mirë".Asnjëherë nuk është e parakohshme të thuash të vërtetën. E vërteta dhe vetëm e vërteta është misioni i shkrimtarit, aq sa ka mundësi, aq sa i lejohet në kohëra diktature, sepse të thuash më shumë s'të lë censura.

Më mirë të thuash aq, qoftë dhe pak të vërtetë, sesa të bësh të kundërtën, të këndosh hosana. Kritika zyrtare burokratike është tjetër gjë dhe opinioni shoqëror tjetër. Dhe në opinionin shoqëror të manipuluar, shkrimtari gjen një shtresë të gjerë të një opinioni të vërtetë, realist, që diferencon e mirëpret veprën realiste.

Sa është interesuar Lidhja e Shkrimtarëve si organizatë shoqërore (funksioni i së cilës, siç dihet, është të mbrojë shkrimtarët) për fatin tënd, ose më saktë, për kohën kur ti ishe në prodhim?

A e ke ndier dashurinë e kolegëve shkrimtarë, përkrahjen e tyre, solidaritetin e domosdoshëm të intelektualit për intelektualin që bie në vështirësi?

Pozicioni im pas "Tunelit" është shumë i komplikuar, interesant dhe i pazbërthyeshëm. Fati i jetës sime varej diku, po se ku jo vetëm që unë nuk e gjeja dot, por as dhe nëpunësit e lartë, aq më tepër as vetë Lidhja e Shkrimtarëve, e cila siç dukej, i kishte prerë marrëdhëniet diplomatike me mua që kur më dha librezën e punës në dorë.

Vdekja e prindërve të mi, sëmundja e djalit, vështirësitë ekonomike, pamundësia për të ndihmuar familjen me rrogën time të vogël si punëtor, më detyruan që të ëndërroj e ta quaj veten time të lumtur, nëse do të më lejohej të punoja diku në periferi të Tiranës, që rrogën time ta fusja në shtëpi, të merrja dhe unë bukën të mbledhur me gazetë nën sqetull si të gjithë punëtorët.

Po i hyja një loje të guximshme, e cila do të më deziluziononte. Po i kundërvihesha një urdhri zyrtar që dhe vetë zyrtarët s'dinin se nga vinte e s'dinin si të vepronin ndaj një njeriu që do të jetojë në shtëpinë e tij, pranë gruas së tij, pranë fëmijës së sëmurë, pa kërkuar punë sipas diplomave përkatëse, përkundrazi pranonte çfarëdolloj pune.

J. Tole dhe H. Çobani, i pari drejtori dhe i dyti kryeagronom i fermës "Gjergj Dimitrov" japin miratimin e tyre. Shefi i kuadrit kërkoi fletën e punës, të cilën e jep Zyra e Punës e Komitetit Ekzekutiv te lagjes.

Ai, shefi i Zyrës së Punës, mblodhi supet e tha se pa urdhrin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv s'e bënte dot atë punë. Dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv mblodhi supet e tha se nuk ishte aq budalla sa të më jepte mua fletën e punës. Këto fjalë i tha, pasi lexoi të gjithë librezën.


"Ti qenke shkrimtar, qenke ndihmës mjek, mësues, gazetar, paske mbaruar edhe shkollën e lartë për këtë punë?"

Nuk po duroja dot ironinë e tij dhe iu përgjigja shkurt:
"Jo!"

"Si jo?"


"Lexoni më poshtë, aty shkruan se jam hekurkthyes, saldator dhe elektricist. Unë s'jam më ai që kam qenë. Jam një punëtor i thjeshtë që kërkoj një punë të thjeshtë, të cilën e kam gjetur. Jam qytetar i Tiranës me pasaportizim të rregullt, jam banor i lagjes që drejtoni ju, jam....."
"Je mor djalë, je, por s'je për mua, ti je shkrimtar, për ty u çanë gazetat dhe revistat dhe agjencitë e huaja."
"S'jam më shkrimtar. As kam qejf të shkruaj më. Jam saldator."


"A janë dakord ata të Lidhjes së Shkrimtarëve që ti të punosh si punëtor?"

"Sigurisht. Ata më nisën nëpër kantiere."

"Epo, meqë të nisën ata, ata e kanë në dorë të të kthejnë, jo unë! Pse të përgjigjem unë për ty?"

"Për veten time, unë përgjigjem vetë", i thashë i nxehur.
"Jo, mor bir! (nga mosha ai kish të drejtë të më quante bir). Ti nuk e ke në dorë vetveten. Ti varesh nga Lidhja. Derisa të nisën kantiereve, ata diçka dinë."

"Domethënë, po ta sjell unë një copë letër si kjo e J. Toles dhe H. Çobanit, nga ata të
Lidhjes, ju ma jepni fletën e punës?"

Ai u mendua gjatë dhe mezi tha me gjysme goje "po".

Vete në Lidhje e riprodhoj me radhë gjithë dialogun dhe u zgjas dorën për atë copë letër, po ata nuk ma dhanë, më premtuan se do të flisnin gojarisht me kryetarin.

Dhe vërtet floën. Të pasnesërmen vete te kryetari. Ai më prêt me buzën në gaz.

"S'kam ç'të bëj, derisa s'ta dhanë me shkrim!"

Nuk e kam ndier veten aq të poshtëruar e të fyer nga ajo buzëqeshje burokratike, triumfatore dhe keqardhëse.Nuk ishte fjala për një copë letër, siç ngulja unë këmbë. Kush e kishte në dorë fatin tim? Megjithatë, hyra në fermën "Gjergj Dimitrov", por ilegalisht. Dekonspirimi i këtij sekreti u bë shumë vonë, kur unë shkrova dramën "Pas dy vjetësh", që bënte fjalë për jetën e traktoristëve dhe të mekanizatorëve të fermës.Dramën e vuri në skenë Kujtim Spahivogli, I cili e pësoi më keq se unë. Unë jam gjallë, m'u dha e drejta e botimit, kurse ai vdiq duke mbajtur në shpirt e në shpinë peshën shkatërruese të mosrehabilitimit.

Veç jehonës së "kritikës zyrtare", e cila është e njohur dhe e botuar, pjesë të së cilave ne po i botojmë në revistë, a pati romani jehonë jashtë vendit?

Sigurisht, pati jehonë. Ishte e pamundur që stuhiza e brendshme të kalonte pa zhurmë e sensacion në faqet e para të shumë gazetave të Evropës e Amerikës, zërave të radiove të ndryshme, madje edhe në gjuhën Esperanto, si dhe të agjencive telegrafike. Dhe titujt ishin bombastikë: "Një shkrimtar komunist persekutohet nga qeveria e tij". "Një shkrimtar në galeritë e Bistricës".Agjencia bullgare e lajmeve njoftonte se së shpejti do të botoheshin nga letërsia ballkanike Ivo Andriqi e Dhimitër Xhuvani. Romani "Tuneli" përkthehet nga Marina Marinova, dërgohet në shtyp dhe pas disa ditësh tërhiqet nga shtypshkronja. Këto ishin të paktat informacione që unë munda të marr vesh atëherë.

Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, shkrimtari është më i lirë të shprehet, të kritikojë, të opozicionojë, të thotë të vërtetën. Për shkrimtarët shqiptarë, të mësuar prej shumë vitesh me tutelën, ose në mënyrë të figurshme, nën thundrën njëpartiake, liria e demokracisë, e botimit, e mudnësive për t'iu afruar së vërtetës, do të sjellë vepra të reja, cilësore, më jetëgjata e më të dobishme për shoqërinë, apo këtë mision mund ta luajnë brezat e rinj të shkrimtarëve që s'i kanë provuar "fushat me mina" të botimit?


A mund të ambientohen, pra, shkrimtarët me përvojë, që kanë krijuar e botuar prej shumë vitesh nën censurën e një ideologjie, me këtë klimë të re demokratike e pluraliste?

Shkrimtarët që kanë punuar në "fushat me mina" të botimit, që u ka plasur dhe ndonjë minë, që kanë patur pasoja më të rënda, kanë qenë nëpër kampe e burgje, kanë kënde vështrimi e krahasime shumë më interesante e më origjinale.Shkrimtarët e rinj që s'e patën e s'do ta kenë këtë fat, do të kenë këndvështrimet e tyre, gjithashtu interesante. Unë jam i bindur që këta shkrimtarë të rinj do ta trajtojnë periudhën e "minave" dhe shpresoj e dëshiroj që ta trajtojnë më mirë. A mund të ambientohen shkrimtarët me përvojë që kanë krijuar e botuar prej shumë vitesh në censurën njëpartiake me klimën e re?


Klima e re demokratike është mjekimi më efikas.

Prej shumë kohësh ka ekzistuar jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, parimi që shkrimtarët duhet të zbresin në bazë; të jetojnë poshtë, të njohin jetën, pra të vuajnë edhe fizikisht, edhe materialisht "njëlloj si populli". Shumë e shumë herë janë dërguar poshtë në kantiere e kooperativa kontigjente shkrimtarësh e artistësh.Me sa di unë, nga këto "njohje jete", nga këto largime masive nuk kanë dalë vepra që mund t'i shpëtojnë kohës. Veç punës në Bistricë, ju jeni nga ata shkrimtarë që edhe pas "punës në prodhim" keni qenë vazhdimisht në listat e Lidhjes për zbritjen në bazë.

Pas një experience kaq të gjatë në "njohjen" e jetës, si duhet kupuar për shkrimtarin "njohja" e jetës? Mos vallë shkrimtari duhet të vuajë si "zbatharakët kinezë" që t'i afrohet së vërtetës dhe realizmit?

Sepse edhe në traditën tonë, edhe në atë botërore, shumica e shkrimtarëve s'kanë jetuar si "zbatharakë" e megjithatë, ata kanë bërë vepra realiste, të vërteta e me peshë kombëtare...

Ata janë bërë ndërgjegja e kombit! Cili është mendimi yt për këtë çështje që ka zotëruar aq tepër konceptet teorike të estetikës sonë, të kritikës dhe të dhe të opinionit shoqëror?

Kam qenë, jam e do të jem i mendimit se njohja e jetës është domosdoshmëri jetike për shkrimtarin, ndryshe nuk di se si mund të shkruhet pa njohje. Mënyra se si e njeh shkrimtari jetën është individuale dhe specifike. Njohja e jetës nuk bëhet e organizuar, ose me ekipe dhe nuk është e thënë që shkrimtari duhet të vuajë e të provojë gjithçka që të shkruajë.Ç'duhet të bëjë një shkrimtar që përshkruan vetëvrasjen? Të vrasë veten? Lëreni shkrimtarin të lirë! Zemra e tij e ndjeshme është emërues i përbashkët i dhimbjes, mundimit, e gëzimit njerëzor.


Një intervistë e lënë përgjysmë dhe një tufë karafila nga vendlindja, Pogradeci sot, kur niset për në Sharrë

Pogradeci ka pasur mysafir çdo verë shkrimtarin Dhimitër Xhuvani. Nga dje do të mungojë përgjithmonë. Dhimitër Xhuvani ka lindur në vitin 1934 në Pogradec. Ishte djali i mësuesit të nderuar elbasanas Kostaq Xhuvanit.

Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga qyteti, kur ushtria gjermane vjen në Pogradec dhe ikën muhaxhir në Mokër, ku qëndron deri në çlirimin e vendit, dhe kthehet në Elbasan.

Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Shkëputet nga mjekësia dhe vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe më pas studion në Institutin "Gorki" të Moskës. Krahas punës së shkrimtarit, ushtroi edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit, saldatorit.


Ajo që do të shkruante më vonë kishte dy motive: dhimbje dhe indinjatë. 

Autor i më shumë se 40 veprave: romane, drama, skenarë filmash, përmbledhje me tregime, novela dhe përralla për fëmijë.Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laureat i "Çmimit të Republikës", proza e tij është përkthyer në disa gjuhë si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, në gjuhën kineze dhe japoneze.

Nuk do ta rimerrnim këtë prezantim rutinë për jetën dhe çfarë shkroi Xhuvani, nëse ai nuk do të ishte mes nesh. Nga dje ai nuk është më. Dhe kjo është një intervistë e lënë përgjysmë nga biseda e gjatë që patëm bashkë verës që shkoi.

Vera e fundit e Dhimitër Xhuvanit në vendlindje, vera e fundit për fare. Si ishte vera e fundit? Mendoni një mëngjes herët. Nga një vilë trekatëshe fare pranë bregut të liqenit del një çift të moshuarish, të kapur pas dore.Është shkrimtari Dhimitër Xhuvani dhe bashkëshortja e tij, Fatmira. Dalin qetësisht dhe çapiten ngadaltë. Me vështrim të qetë dhe pamje serioze, ai përshëndet kalimtarët, prej të cilëve ka shumë të njohur.

Veshja sportive e tregon Dhimitrin më të ri dhe më dinamik. Më pas qëndron në kafenenë që preferon. Tret vështrimin përtej qelqeve të dritares së kafenesë, ngatërruar me fjollën e tymit të cigares së tij, që i jep një tis të ëndërrt rrëfimit të tij, që e detyron atë të baresë në një kohë tjetër.

Ishte fillimi i tij si prozator që jo vetëm daton larg prej këtej, por afron të sotmen me kujtime të përziera: emocione të herës së parë, pëshpërima lexuesish të magjepsur, përgëzime kolegësh, po dhe zemërimi që u zbraz ndaj tij pas romanit "Tuneli" që i hapi jo pak telashe. Dhimitri nuk ka dëshirë ta zgjatë bisedën për këtë temë. Diktatura kishte kornizat e saj dhe duhej që të qëndroje brenda këtyre kornizave, por kuptohet të dilje nga këto korniza do të thotë që të prisje pasojat. Për pjesën tjetër të pyetjeve ai iu përgjigj pa ngurrim.

Zoti Xhuvani pse kjo lidhje kaq e ngushtë me Pogradecin?

Unë në Pogradec kam lindur, kam kryer shkollën fillore dhe jam larguar në moshën 10 vjeç në kohën e Luftës së Dytë Botërore, për t`u rikthyer më pas çdo verë nga tre muaj. Pogradecarët janë njerëz të dashur dhe mikpritës, sidomos kur të japin çelësin e shtëpisë me qira ku pushon dhe të duket sikur e ke shtëpinë tënde.

Çdo verë këtu. A ka ndikuar kjo gjë në krijimtari?

Shumë, pothuajse të gjitha veprat e mia janë shkruar në Pogradec në këtë qytet me një sharm krejt të veçantë, ku ka buruar muza ime e krijimtarisë. Unë po ju rreshtoj disa nga veprat që janë shkruar këtu: romani "Përsëri në këmbë", skenari i filmit "Mëngjese lufte" me regji të Kristaq Dhamos "E diela pas vdekjes", "Jeta në arkivol", "I mbijetuari i Otrantos", "Kupa e Helmit", "Letra e Sonjës", "Dashuri e harruar" apo skenarët e filmave "I dashur armik", "Një ditë nga një jetë", "Lindje-Perëndim-Lindje" që është duke u xhiruar me regji të djalit tim Gjergj Xhuvanit e shumë tregime dhe novela.

Po fabula a janë marrë nga ky qytet dhe krahinat përreth?

Patjetër, Pogradeci është një zonë me një kulturë të veçantë vetëm një javë pas hapjes së Mësonjtores së parë të shkollës në Korçë, është hapur shkolla e parë në Pogradec. Ja p.sh, ju e keni parë filmin "Një ditë nga një jetë".Unë ia kam kushtuar një infermieri pogradecar, Laqo Bushos, një hero i vërtetë, nuk ka lënë derë pogradecare pa i bërë injeksione dhe mjekuar plagë, njeri që rrezaton mirësi dhe dashuri tek njerëzit. Laqua është mishërimi i njeriut të mirë.

Ai duhet të ishte patjetër "Qytetar Nderi" për Pogradecin, por ky njeri që është shkrirë tërë jetën dhe nuk merrte asnjë grosh përveç rrogës simbolike, ndonëse nuk ia ka dhënë këtë titull Këshilli Bashkiak i Pogradecit titullin ia ka dhënë populli pogradecar që e respekton dhe ky titull është më i vlefshëm se ata që të japin pushtetarët.Laqua sot jeton në varfëri me një pension modest...Apo skenari i filmit "Mëngjese Lufte" ku është tërë fëmijëria ime në qytetin e Pogradecit gjatë luftës të vështruar nga sytë e një fëmije të vogël.

Ka skenar tjetër që është ndërtuar nga kujtimet si ky që përmendët?

Në familjen tonë shpesh bisedat rreth temave të kinemasë kthehen në një debat artistik, nga i cili unë padyshim marr edhe mendimin dhe sugjerimet e Gjergjit dhe të nuses së djalit, aktores Liza Xhuvani.Po ju them që merr pjesë në këto debate edhe gruaja ime Fatmira. Kështu filmi "I dashur armik" ka lindur nga një rrëfim i saj mbi një ngjarje të kohës së luftës që kishte ndodhur në familjen e saj.Gruaja ime rrjedh nga familja elbasanase Belegu, një familje e nderuar që e mbante derën hapur për miqtë dhe njerëzit që kërkonin ndihmë. Vëllezërit e nuses kanë studiuar në Vjenë, madje dhe njërën nuse e kanë austriake (Pola).

Në shtëpinë e tyre vinte edhe Baba Faja Martaneshi, vinte strehohej edhe ndonjë partizan i plagosur që kërkonte ndihmë, po edhe ndonjë ballist i plagosur, një ushtar italian që kishte dezertuar, fshihej një hebre, vinte si mik një gjerman...Pra në këtë familje nuk qe primare politika por njerzillëku. Kjo histori e rrëfyer nga gruaja ime Fatmira na ngacmoi me Gjergjin dhe unë shkrova skenarin "I dashur armik".

Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në Pogradec?

Në Pogradec më pëlqejnë njerëzit, janë miqësorë dhe kanë një të folur të figurshme, prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre si të rritur. Nuk më pëlqen kaosi urbanistik, ndërtesat shumëkatëshe që kanë bllokuar bregun e liqenit.Kanë ardhur në vitet e tranzicionit shumë më tepër banorë sa mund të mbajë qyteti realisht. Ka shumë papunësi dhe varfëri, kjo më trishton. Ashtu siç më vjen mirë që qyteti ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë dhe ka mbaruar pjesa kryesore e kolektorit të ujërave të zeza dhe ato nuk derdhen më në liqen.Gjithsesi Pogradecin e dua me të mirat dhe të këqijat e tij.

Çfarë po shkruan këtë vit Dhimitër Xhuvani në Pogradec?

Sapo ka dalë në treg "Dashuri e harruar", ndërkohë që jam duke shkruar një roman të ri të titulluar "Përdhunuesit".

Ju keni kaluar një kalvar vuajtjesh nën diktaturë, tregoni diçka më konkrete për lexuesin?

Është një temë shumë e gjerë dhe ka shumë episode dhe peripeci. Lëre të hapur këtë intervistë për ta vazhduar beharin tjetër kur të vij në Pogradec...

 

 

Gazeta Shekulli

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi