Liberalizim vizash edhe per Shqiperine

Liberalizim vizash edhe për Shqipërinë

Drafti i përpiluar për këtë çështje, ku raportuese është eurodeputetja e re sllovene, Tanja Fajon, argumenton se sipas vlerësimit të Komisionit në maj 2009, këto dy vende kanë bërë progres të rëndësishëm e domethënës, ndaj duhet t‘i përkasin të njëjtit propozim.

"Mendoj se është shumë e rëndësishme që t‘u dërgohet një mesazh i fortë dhe qytetarëve të Shqipërisë e Bosnjë-Hercegovinës. Unë nuk jam dakord që komisioni i la këto dy vende jashtë propozimit", u shpreh Fajon. Përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në të njëjtin propozim për amendimin e rregullores do të shmangte burokracinë më se 6-mujore të Brukselit. Kështu, nuk do të ishte e nevojshme një propozim i ri në mes të vitit 2010 nga Komisioni që do të pasohej, sipas procedurës, nga vota e Parlamentit dhe unanimiteti i vendeve anëtare në Këshill, por automatikisht heqja e regjimit të vizave do të bëhej e mundur sapo të vlerësohej se Shqipëria dhe Bosnja i plotësojnë kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Amendimet e përfshira në raportin e Parlamentit flasin dhe për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën, pa paragjykuar statusin e shtetit të ri ballkanik.

"Ne po shohim mundësitë sesi ta angazhojmë Kosovën në këtë proces, në mënyrë që dhe qytetarët atje të mund të kenë një perspektivë të qartë europiane", theksoi Fajon. Amendamenti i shtuar për Kosovën është mirëpritur nga Komisioni Europian, ndryshe nga ai për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës, pasi zyrtarët e komisionit kanë frikë se një propozim i tillë jo vetëm që nuk do të miratohej nga vendet anëtare, por do të vinte në rrezik edhe Serbinë e Malin e Zi. Raporti do të votohet në seancën plenare të 24 nëntorit, për t‘i kaluar më pas këshillit të Bashkimit Europian në muajin dhjetor.

Roli i Parlamentit për çështjet Schengen është konsultues dhe jo detyrues për këshillin me traktatet ekzistuese. Pushteti i Parlamentit për çështjet e brendshme pritet të jetë domethënës pas ratifikimit dhe hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Pak ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian për Zgjerimin, Majkëll Li, bëri një përmbledhje të përparimeve dhe sfidave të bllokut gjatë një diskutimi në qendrën "Udrou Uilson" në Uashington. Duke iu referuar Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës ai tha se "shpresojmë që këto dy vende t‘i përmbushin kushtet me përpjekjet e duhura deri vitin e ardhshëm".

Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian për zgjerimin konstatoi se deri tani Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në drejtim të arritjes së reformave të kërkuara për liberalizimin e vizave. "Mendoj se për sa i përket Shqipërisë ka pasur përparim të madh në përmbushjen e kushteve, sidomos në lidhje me zgjedhjet ku është bërë shumë punë për dhënien e kartave të reja të identitetit, dhe mendojmë se nëse vazhdojnë të punojnë për sigurinë e kufijve, atëherë do të mund të ecin përpara", theksoi ai.

Por megjithëse zgjerimi konsiderohet si politika e jashtme më e suksesshme e BE-së, zoti Li tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor do të ketë edhe shumë sfida. Sipas tij, ky rajon ende mban mbi shpinë barrën e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura mes shteteve të krijuara nga konfliktet në ish-Jugosllavi. Li thotë se Bashkimi Europian është përpjekur ta distancojë integrimin nga problemet mes vendeve të rajonit, megjithëse ka ofruar ndihmë kur ka qenë e nevojshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama