Regjistroni domainin tuaj .al

Të tjerët që i ranë pas Bajronit

Shkruar nga:  
Postuar më: 5 vite mĂ« parĂ«

Të tjerët që i ranë pas Bajronit
Të tjerët që i ranë pas Bajronit

Në 200-vjetorin e udhëtimit të poetit anglez në këto anë, studiuesi Ferid Hudhri komenton "të tjerët" që u ndikuan për të trajtuar temën e Lindjes dhe veçanërisht motivet shqiptare

Kur portreti "Bajroni me kostum shqiptar" i piktor Thomas Phillips bënte vitin e shkuar xhiron e botës falë një ekspozite mbi orientalizmin, të organizuar nga Tate Gallery, u pohua ndikimi i prerë që pati George Gordon Byron (1788-1824) në këtë formë paraqitjeje në pikturë dhe sigurisht më pas edhe nëpërmjet poemës "Çajld Harold", për trajtimin e temës së Lindjes.

Duke iu referuar tablosë me kostumin që Bajroni bleu në vitin 1809 kur erdhi në Shqipëri, prej nga nisi endjet në vendet afër nesh të pushtuara nga Perandoria Otomane, po edhe përshkrimeve të Bajronit për brigjet e Shqipërisë së rreptë, të shkëmbit të Sulit, të përrenjve të bardhë si dëbora, të lindjes së agimit, të zogjve-bisha-njerëz të egër etj., studiuesi Ferid Hudhri flet në këtë intervistë për
piktorët që e zbuluan Shqipërinë nëpërmjet Bajronit.

Sot, me rastin e 200-vjetorit të vizitës së tij në Shqipëri, shoqata shqiptare që mban emrin e Bajronit (e themeluar më 1991-shin), organizon në Universitetin UFO, një takim me studiues dhe njohës të veprës së poetit.

Studiuesi i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Prof. Dr. Ferid Hudhri bën një ndarje të atyre që erdhën në këtë vend të nxitur prej Bajronit dhe të atyre piktorëve që nuk shkelën kurrë këtu, por fantazuan për të.

Është periudha e romantizmit dhe piktorët ndryshe nga shkrimtarët udhëtarë, jo vetëm patën një vështrim tolerant ndaj prapambetjes dhe mjerimit të shqiptarëve, por ishin gati në kufijtë e krijimit të një miti romantik për këtë vend dhe njerëzit e tij.

Përse Bajroni me kostum shqiptar nxiti trajtimin e temës së Lindjes?

Tabloja ku Bajroni paraqitet i veshur me kostum shqiptar është ndër veprat e para të rëndësishme prej së cilës janë nxitur shumë artistë europianë për të udhëtuar dhe pikturuar drejt vendeve të Lindjes. Në këtë përfundim kanë arritur dhe disa studime të fundit rreth orientalizmit në pikturën evropiane.

Vetëkuptohet se për temën shqiptare, kjo pikturë është thuajse pikënisja kryesore nga u nxitën autorët e huaj në rizbulimin e Shqipërisë. Krahas vargjeve të njohura që poeti ka shkruar te "Çajld Harold", tabloja e Filipsit përjetëson edhe në mënyrë figurative admirimin e Bajronit për bukurinë e kostumeve tona kombëtare që ai i ka quajtur si "veshja më madhështore në botë".

Portreti në fjalë mund të quhet gjithashtu edhe si një pikturë simbolike kushtuar poetit që nxiti artistët në trajtimin e temës shqiptare, pra është përjetësuar me veshje shqiptare pikërisht ai që ka nxitur shumë piktorë në trajtimin e motiveve nga Shqipëria. Thuajse gjithë tablotë me temë shqiptare të autorëve anglezë janë të frymëzuara nga vargjet e Bajronit.

Në fakt, në fillim të shekullit 19-të disa piktorë anglezë, francezë dhe gjermanë ndërmorën udhëtime në vendet e Lindjes, për të përjetësuar në art pamje karakteristike të natyrës, larminë e kostumeve dhe ornamentikës popullore.

Si dëshmohet ky ndikim, së pari tek artistët anglezë bashkëkohës të poetit?

Pranë gravurave të shumta të artistit Udvil (Caton Woodville 1850-1927), ku paraqiten tipa malësorësh shqiptarë, shkruhet se "piktori është nxitur nga përshtypja e Bajronit për kostumin e mrekullueshëm shqiptar, me fustanellë e me rrobat e qëndisura me ar dhe armët e lara me flori".

"Përshkrimi i Bajronit- shkruhet pranë një gravure tjetër- sjell të gjallë përpara mendjes së njeriut që nuk ka shëtitur këtu kostumin e mrekullueshëm shqiptar. I zbukuruar me këtë madhështi të bardhë, të kuqe dhe të artë, shqiptari të kënaq syrin, njëlloj si në fillim të shekullit kur Bajroni e pa në jug të vendit."


Gravurat e piktorit Uiliams (Williams, H.W. 1773-1829), me motive nga bregdeti shqiptar, janë shoqëruar gjithashtu me vargje të shkëputura nga "Çajld Harold".

Piktori ka zgjedhur këndvështrime piktorike sa më të përafërta me përshkrimet e Bajronit. Gravura e parë shoqërohet me vargjet: "O Shqipëri ku lindi Iskanderi/Këngë e rinisë, fanar i të urtëve... lejomë të kthej sytë e mi/ Mbi ty o nënë burrash të rreptë".

Gravurat e tjera shoqërohen me strofat e mëpasme të poemës që përshkruajnë peizazhin e pikturuar.
Shumë nga ato tablo u përmblodhën në albume të veçanta dhe u botuan gjatë shekullit të kaluar kryesisht në Angli.

Në albumet "Kostume të zgjedhura nga Shqipëria dhe Greqia", "Pamje të zgjedhura në Greqi, Shqipëri", "Skena në Shqipërinë e Jugut", "Ishujt Jonianë, Greqia dhe Kostandinopoli", të botuar në Londër në vitet 1822, 1823, 1855, nga autorët Xh.

Kartrait (Joseph Cartëright 1789-1829), H. Uiliams (Williams, H.W.1773-1829), H. Kuk (Henry Cook) dhe P. Beresford (Poer Beresford ), ku janë riprodhuar dhjetëra litografi dhe grafika me pamje nga vendi ynë, citohen vargje që Bajroni ka shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Emri apo vargjet e Bajronit përmenden gjithashtu edhe në disa libra ku janë botuar gravura, litografi, akuarele dhe vizatime të autorëve Ç. Kokrell (Charl Cockerell 1788-1863), E. Lir (Edward Lear 1812-1888), E. Durham (Mary Edith Durham 1863-1944) dhe K. Gordon (Cora Gordon).

Ekziston një grup tjetër artistësh të prekur nga rryma dhe moda që krijoi Bajroni. Për ta ju keni shkruar në disa nga studimet tuaja. Është fjala për ata që janë jashtë kufijve të Anglisë, që nuk erdhën kurrë në Shqipëri dhe fantazuan mbi të.
Ndër të parët e këtij grupi është kreu i romantizmit të pikturës franceze E. Delakrua (Eugene Delacroix 1798-1863).

Në ditarin e tij të datës 11 maj 1824, pikërisht në kohën kur krijonte tablotë me temë nga Shqipëria dhe Greqia, shkruante se gjatë pikturimit në studio "për t'u ndezur i tëri, kujtoj vargje të Bajronit". Dhe tablotë e Delakruasë për shqiptarët, sidomos ato kushtuar Marko Boçarit, kanë atë impuls dhe dinamizëm që ndjehet te vargjet e Bajronit kur flet për trimërinë e shqiptarëve.

Edhe te romantikë të tjerë të njohur francezë si A. Deka (Alexandre Decamps 1803-1860), A. Shefer (Ary Scheffer 1799-1858), L. Zherom (Leone Gerome 1824-1904), ndonëse nuk gjejmë pohime direkt për ndikimin nga Bajroni, siç shkruan Delakrua, ndjejmë të njëjtin frymëzim.

Tablotë "Valltarët shqiptarë" nga Deka, "Gratë suljote"nga Shefer, si dhe dhjetëra vepra nga Zherom, ku pikturohen me mjeshtëri figura shqiptarësh me kostume kombëtare, janë thuajse nën ndikimin e admirimit që ka shprehur më parë Bajroni.

Një ilustrim që kemi zgjedhur për këtë intervistë, i francezit Alexandre Colin, paraqet Bajronin me veshje shqiptare në një çast rrëfimi pranë bijës së Ali Pashës. Ky piktor nuk kishte ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Cili është ndryshimi kryesor në veprat e atyre që e prekën realitetin dhe piktorëve fantaziozë?

Sigurisht që janë më të saktë piktorët anglezë për ruajtjen e "raportit me të vërtetën". Këtu kemi parasysh paraqitjen e vendeve po edhe të kostumeve shqiptare, sidomos e tipareve të vendasve, trajtim që vjen prej njohjes reale që kanë pasur.

Megjithatë, jemi në shekullin e XIX dhe ka në përgjithësi një qëndrim pozitiv ndaj shqiptarëve, popullit të tyre që po luftonte për t'u shkëputur nga Perandoria Otomane.
Ndërsa vepra që ju përmendët është nga më të njohurat e piktorit francez A.Kolë (Alexandre Colin 1789-1873).

Pas ilustrimeve të shumta nga vepra e Bajronit, piktori francez ka krijuar këtë tablo me ngjyra vaji ku paraqet Bajronin të veshur me kostum shqiptar në takim me Haidenë, vajzën e imagjinuar të Ali Pashë Tepelenës.

Ka edhe piktorë-shkrimtarë si E. Lear-i, i cili udhëtoi këtu dyzet vjet pas Bajronit. Në ditarin e tij ai shkruan për prapambetjen dhe mjerimin e "një vendi islamik ku paraqitjet piktorike ishin të lidhura me frikën dhe mosbesimin."

Nëse në shkrime ai është realist, Lear-i piktor mbetet romantik, apo jo?

Siç e thashë edhe më lart, e tillë fryma e kohës dhe epoka e romantizmit ku raporti i artit me jetën ndryshon në mediume të ndryshme. Piktura sidomos, ndryshe nga letërsia, ishte e prirur drejt së bukurës, pa e implikuar me çështje të kohës apo probleme të përditshmërisë.

Ju folët për influencën e kësaj tabloje dhe të vetë poetit, po për imitimet e saj ç'mund të thoni?Veç veprave që përmendëm, figura e

Bajronit me veshje shqiptare, është paraqitur edhe në suvenire të ndryshme. Njihen me dhjetëra lloj objektesh që nga kartolinat, kapakë lodrash, paketa cigaresh, kuti shkrepësesh, kopertina për fletore vizatimi etj., etj.
Në vitet e mëpasmë, tabloja që nxiti veçanërisht trajtimin e motiveve shqiptare, është riprodhuar edhe nga shumë autorë të tjerë evropianë.

Aq shumë riprodhime dhe imitime të saj qarkullojnë sot nëpër botë, sa disa prej tyre mbajnë edhe firmën e artistëve të njohur. Ndër të parat dhe më të njohurat është një gravurë e piktorit William Finden. Nëpërmjet teknikës së gravurës, tabloja e Bajronit me kostum shqiptar, realizuar nga Finden u përhap në shumë vende. Më pas u realizua edhe në litografi me ngjyra nga piktori George Sidney Hunt.

Nga ky artist janë krijuar edhe disa tablo në akuarel me temë nga jeta dhe luftimet e Ali Pashë Tepelenës. Kohët e fundit është botuar në shumë kopje edhe një pikturë nga Jan Michel Hoeper, që mbështetet në tablotë e mëpasshme, por ndjehet edhe një interpretim vetjak.

Ka artistë shqiptarë që i janë referuar portretit?

Edhe artistët shqiptarë Kel Kodheli, Qamil Prizreni, Rakip Shabani, Veap Kokalari, që kanë realizuar tablo me figurën e Bajronin gjatë udhëtimit në Shqipëri, janë mbështetur në veprën e piktorit anglez.

Me të njëjtin kostum shqiptar dhe nga i njëjti artist që realizoi tablonë e parë, pra nga Thomas Philips, është pikturuar në Londër edhe koloneli anglez George Vivian, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën studio që u pikturua edhe Bajroni.

Atëherë Filipsi stampoi një ikonë?

Mjafton të përmendim faktin që edhe në ditët tona, thuajse në të gjitha botimet enciklopedike, fytyra e Bajronit paraqitet sipas pikturimit të Filipsit (Thomas Philips 1770-1845).
Numri i pikturave të frymëzuara nga poeti anglez është më i madh se ato që përmendëm deri tani.

Po ashtu edhe tablotë që paraqesin Bajronin me veshje shqiptare nuk janë vetëm ato të Filipsit që përmendëm në fillim. Rreth vitit 1840, italiani Lutviko Liparini pikturoi tablonë "Betimi i Bajronit mbi varrin e Marko Boçarit".

Midis grupit të madh të figurave, spikat figura e Bajronit që ndrit nga qëndisjet me ar të kostumit shqiptar.Në vepra të tjera, Bajroni me kostum shqiptar, është paraqitur në mjedise të ndryshme të Greqisë.

Njëra prej tyre ndodhet në Muzeun Benaki të Athinës. Të tjerat gjithashtu pohojnë faktin e njohur se Bajroni e mbajti veshur kostumin shqiptar gjatë gjithë shtegtimeve të tij. Në tablonë e artistit Ç.

Istlejk (Charles Eastkake 1813-1865), veç poetit anglez janë pikturuar edhe figura të tjera me kostum shqiptar. Istlejk ka bërë edhe gravura e vizatime me motive nga vendi ynë, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri dhe Greqi.

Ka edhe tablo të tjera, të autorëve të huaj, ku ndikimi i Bajronit është më i dukshëm. Veprat e mësipërme janë disa nga më të njohurat dhe mjaftojnë për të na bindur se rrezatimi i figurës së poetit romantik ishte i fuqishëm edhe si frymëzues i artistëve të huaj për trajtimin e temës shqiptare.

Letër nënës

Tabloja

Bajroni me kostum shqiptar e piktorit Thomas Philips, realizuar në vitin 1813, prej shumë vitesh qëndron vazhdimisht e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër. Pas tablosë së parë, në të njëjtën kohë piktori Filips bëri edhe dy variante të tjera; njëra ndodhet në selinë e Ambasadës Britanike në Athinë, ndërsa e dyta i përket koleksionit të Xhon Murrajt, botuesit të njohur të shekullit 19-të.

Në letrën që Bajroni i dërgon nënës së tij nga Preveza, më 12 nëntor 1809, shkruan:

Shqiptarët, me veshjet e tyre nga më magjiket në botë, me fustanella të bardha të gjata, me xhybe të qëndisur me ar, me anteri e me pisqolla të veshura me argjend....
...dhe në PS e kësaj letre

Kam disa veshje shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë pesëdhjetë guine secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë dyqind guine...

 

Gazeta Shekulli


Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi