Ngrohja globale po shkrin akullnajat e maleve Ande

Ngrohja globale po shkrin akullnajat e maleve Ande

Një herë në muaj, punonjësit e ujësjelësit bëjnë udhëtimin e vështirë në vullkanin Antizana. Teknikët duhet të vizitojnë më shumë se dhjetë stacione për të mbledhur informacione rreth akullnajave masive të Andeve dhe për ujin që rrjedh prej tyre. Diego Paredes është teknik i kompanisë së shërbimeve EMAAP. Ai thotë se  “matjet bëhen çdo pesë minuta. i hedhim informacionet në kompjuterat tanë dhe i përdorim ato për të matur nivelin e ujit”.

 

Teknikët duan të dinë se sa precipitim është shtuar në akullnaja dhe sa ujë nga shirat dhe akull i shkrirë rrjedh në ujësjellës. Mbajtja e një ekuilibri është kritike për të ardhmen e Kuitos. “Akullnaja është një rezervuar gjigand që na furnizon çdo vit. Ne kemi shumë aktivitete monitorimi që ajo të mos shterojë”.

 

Hidrocentralet prodhojnë energjinë nga lumenjtë që furnizohen nga akullnaja. Popullsia në rritje e Kuitos ka krijuar probleme për furnizimin me ujë. Por një shqetësim edhe më i madh është nëse ngrohja globale do të shterojë akullnajat e Andeve. Bernard Francou është ekspert me Institutin francez për Studime të Zhvillimit. “Kur akullnajat shkrijnë, në fillim ka një dyndje të furnizimit me ujë nga akulli i shkrirë. Pra ka më shumë ujë por më pas akullnajat zvogëlohen dhe fillon efekti i kundërt: uji pakësohet”, u shpreh ai.

 

Anëtarë të grupit të tij po punojnë me ekspertë vendas për të parë ndikimin e ngrohjes globale mbi akullnajat si Antizana në afërsi të Kotopaksit. Përveç matjeve të ujit, grupi përdor fotografi satelitore të akullnajave. Informacionet tregojnë se temperaturat e larta po e bëjnë efektin e tyre. “Një akullnajë pranë Kuitos është zvogëluar 30-40 përqind gjatë 30 vjetëve të fundit, dhe studime të tjera tregojnë se e njëjta gjë ka ndodhur në akullnajën Kotopaksi. Po ti krahasosh fotografitë e vitit 1956 me tani sheh se akullnajat po zvogëlohen”.

 

Studimet tregojnë të njëjtën gjë për akullnajat në Bolivia dhe Peru. Disa shkencëtarë paralajmërojnë se ato mund të zhduken tërësisht pas 30 vjetësh.

 

Në Ekuador, ekspertët janë të shqetësuar se temperaturat relativisht të larta shtojnë rreziqet për ekosistemet e lartësive të mëdha. Zonat që dikur ishin të ftohta janë tani strehë e fermave dhe bagëtive. Aktivitetet e reja bujqësore mund të kërcënojnë ambjentet delikate në Ande thotë Jorge Nunez, në Ministrinë e Ambjentit në Ekuador. “Përparësia jonë ynë është të ruajmë burimet ujore pasi pa ujë nuk ka ushqim. Ne duhet të mbrojmë ekosistemet për të siguruar furnizimin me ujë nga akullnajat”.

 

Ndersa Banka Botërore po financon ekspertë si Nunez për të ndjekur ndikimin e ngrohjes globale dhe shkrirjen e akullnajave në Ande. Një symin është edukimi i drejtuesve qeveritarë dhe publikut në përgjithësi për seriozitetin e problemit. “Sigurimi i furnizimit me ujë është një nga problemet më të mëdha që do të rezultojë nga ndryshimet klimatike, duke ndikuar mbi miliona njerëz. Është shumë e rëndësishme për të edukuar popullatën për të mos e shpërdoruar ujin”. Nunez gjithashtu thotë se mos shpërdorimi i ujit është diçka që njerëzit kudo duhet ta kenë parasysh për të ruajtur rezervat e kufizuara të planetit tonë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama