2025 fundi i dominimit te SHBA?

2025, fundi i dominimit të SHBA?
Sipas një raporti të Agjencisë së Shërbimeve Sekrete Amerikane, superfuqia amerikane nuk do të mund ta dominojë më e vetme arenën globale. Ajo paralajmëron se bota po hyn në një fazë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme, në të cilën dominimi i demokracive të stilit perëndimor nuk është më i garantuar, ndërkohë që disa shtete të tjera janë para rrezikut të "vënies nën kontroll nga ana e rrjeteve kriminale"

Agjencia e Shërbimeve Sekrete amerikane paralajmëron se bota po hyn në një fazë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme, në të cilën dominimi i demokracive të stilit perëndimor nuk është më i garantuar, ndërkohë që disa shtete të tjera janë para rrezikut të "vënies nën kontroll nga ana e rrjeteve kriminale".

Vëzhgimi mbi prirjet globale, i përpiluar çdo 4 vjet nga National Intelligence Council (NIC, Këshilli i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së) përbën një lexim mjaft gjakftohtë të situatës politike në përgjithësi, ndërsa Barak Obama përgatitet të marrë zyrtarisht në dorë frerët e shtetit më të rëndësishëm në botë, më 20 janar të vitit të ardhshëm. Raporti paralajmëron se shteti që po trashëgon në dorë Presidenti i ri nuk do të jetë më në gjendje "të vendosë i vetëm mbi fatet e botës", teksa pushteti i tij po zbehet gjithnjë e më shumë në një botë që po merr trajta multipolare.

Duke parë përpara deri në vitin 2025, NIC (e cila koordinon analiza të grumbulluara nga të gjitha agjencitë e inteligjencës në SHBA) parasheh një botë të fragmentarizuar, me gjithnjë e më shumë konflikte për të shtënë në dorë burimet në pakësim, të kontrolluara pa forcën e duhur nga institucionet ndërkombëtare, ndërkohë që parathotë rritjen e mundësive të shtimit të armëve nukleare, veçanërisht në Lindjen e Mesme, madje edhe të rrezikut për një konflikt të mundshëm nuklear.

Raporti me titull "Prirjet globale 2025: Një botë e transformuar" paralajmëron se përhapja e modelit të kapitalizmit perëndimor nuk duhet konsideruar si diçka e garantuar, ashtu siç ishte për para pak vitesh për Xhorxh Bushin dhe për neokonservatorët amerikanë. "Asnjë element i sistemit tonë politik nuk duhet konsideruar më si i palëkundshëm: liberalizmi ekonomik perëndimor, demokracia dhe sekularizmi, për shembull, elemente që të gjithë i konsideronin deri dje të mirëqena, mund të humbasin lustrën - të paktën për terma afatmesme kohore", paralajmëron raporti. "Sot pasuria nuk po zhvendoset vetëm nga Perëndimi drejt Lindjes, por po përqendrohet gjithnjë e më shumë në duart e qeverive", shkruhet në njërin prej paragrafëve, duke marrë për shembull Kinën dhe Rusinë. "Për shkak të krizës financiare të vitit 2008, roli i shtetit në ekonomi mund të forcohet anembanë botës".

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do bëhen gjithnjë e më pak dominuese - nuk do të jetë më ajo superfuqia pa rivalë që njohim që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por "e para mes të barabartave" në një botë gjithnjë e më të baraspeshuar, larg unilateralizmit të epokës së Xhorxh Bushit. Raporti parasheh se gjatë dy dekadave të ardhshme "shtimi i aktorëve influentë, bashkë me mosbesimin ndaj pushtetit të gjerë, lënë më pak hapësirë, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë në gjendje të marrin vendime të rëndësishme, pa mbështetjen e partneriteteve të forta".

Është një konkluzion që u shkon për shtat prirjeve të Barak Obamës për multilateralizëm, por që, sipas ekspertëve, me kalimin e viteve Uashingtoni do ta ketë përherë e më të vështirë të ngrejë koalicione për të përmbushur axhendën e vet.

Organizatat ndërkombëtare, si Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk duken të zotërojnë forcën e duhur për të mbushur vakumin që do krijojë zhvendosja e Amerikës nga qendra e pushtetit, në një kohë kur në horizont shfaqen një seri e gjatë krizash të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike, pakësimi i burimeve, si ato të naftës, ushqimit dhe ujit. Sipas raportit, këto institucione rezultojnë "të paafta të përballen me krizat pa përpjekje të bashkërenduara nga liderët e tyre".

Përmes një grafiku të pazakontë ilustrues mbi atë që mund të jetë e ardhmja, raporti paraqet një "fletë të ditarit presidencial", që i përket 1 tetorit të vitit 2020, ku shkruhet për një cunami shkatërrues të shkaktuar nga nxehja globale, i cili godet Nju Jorkun tamam në çastin kur në këtë qytet zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

"Them se ishte diçka që e prisnim, por ishte tepër shokues", shkruan Presidenti pa emër. "Disa prej skenave më kujtuan ato që kam lexuar nga analet e Luftës së Dytë Botërore, vetëm se kësaj here nuk zhvilloheshin në brigjet e Evropës, por në Manhatan. Imazhet e gjithë atyre mjeteve lundruese e ajrore që transportojnë turma fatkeqësh më janë ngulur thellë në mendje".

Raporti i fundit i këtij lloji u përpilua nga NIC në dhjetor të vitit 2004. Presidenti Xhorxh Bush sapo ishte rizgjedhur dhe po përgatiste inaugurimin triumfues të termit të dytë presidencial. Ai raport i përqasej pak a shumë gjendjes së humorit që dominonte në Amerikë gjatë asaj periudhe dhe titullohej "Harta e së Ardhmes Globale". Ajo shihte përpara deri në vitin 2020, duke projektuar "vazhdimin e dominimit të arenës botërore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë theksin te fakti se Fuqitë e Mëdha qenë dorëzuar para idesë së baraspeshimit të fuqisë amerikane".

Gjithë ai besim në vetvete është zhdukur tërësisht në këtë qëndrim të ri tepër gjakftohtë. Është zhdukur gjithashtu edhe besimi se rezervat e naftës dhe gazit që mbante toka janë "të mjaftueshme për të përmbushur nevojat globale". Në raportin e ri, kalimi te burimet e energjisë më të pastra dhe më të pajtueshme me ambientin është tashmë një domosdoshmëri. Pikëpyetja vihet vetëm mbi shpejtësinë me të cilën do të zhvillohet ky kalim.

NIC është i mendimit se me shumë gjasa teknologjia do anashkalojë shterimin e rezervave të naftës e të gazit. Megjithatë është i mendimit se një tranzicion i menjëhershëm te burimet e reja energjetike do krijonte mungesë stabiliteti në Gjirin Persik dhe në Rusi.

Ndërkohë që ekonomitë në zhvillim, si Kina, India e Brazili, me shumë gjasa do ta rrisin influencën e tyre në arenën globale (në shpinë të Amerikës), e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Bashkimin Evropian. NIC shprehet me njëfarë sigurie se Bashkimi Evropian do të humbasë peshë deri në vitin 2025.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama