Regjistroni domainin tuaj .al

Sekretet e më të fortëve të botës

Shkruar nga:  
Postuar më: 6 vite mĂ« parĂ«

Sekretet e më të fortëve të botës
Sekretet e më të fortëve të botës

Sekretet e një prej njerëzve më të pushtetshëm të Italisë, Silvio Berlusconi, i ka bërë të ditura pikërisht bashkëshortja e tij. Në një libër kujtimesh ajo është shprehur se Berlusconi flet në gjumë dhe ka dobësi të madhe për Napoleon Bonapartin. Madje, ai ka një koleksion të tërë me statuja qeramike të Bonapartit. Ky fakt, i bërë publik nga e shoqja, ka bërë që shpeshherë Berlusconi të shfaqet në faqet e gazetave i pikturuar me çizmet dhe kapelën e Napoleonit. Një sekret më të madh ka ruajtur për shumë vite të jetës së tij ish-presidenti i Francës, Francois Mitterrand. Ai ka arritur të bëjë një jetë të dyfishtë dhe jo vetëm gjatë kohës që ishte President. Përveç bashkëshortes së tij, ai ka pasur dhe një të dashur dhe një vajzë të paligjshme, e cila u bë publike pas vdekjes së tij. Ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schroeder, edhe pse ka qenë drejtues i një prej shteteve më të fuqishme ekonomikisht në botë, kur ka qenë i vogël ka jetuar në varfëri të skajshme. Kjo ishte arsyeja që, sipas tij, fëmijët e tjerë nuk pranonin të luanin me të.

Ndërsa Tony Blair mbart sekrete estetike, të cilat kur u zbuluan i irrituan taksapaguesit e Anglisë. Kjo për arsye se ai shpenzonte 3 mijë dollarë në muaj për kremra fytyre. Sipas mediave britanike, sekreti i lëkurës së shëndetshme të Tony Blair-it është fakti se ai shpenzon dy herë më shumë se një femër me të ardhura mesatare në Angli. Ndërsa një ndër sekretet e vogla të Presidentit misterioz të Rusisë, Vladimir Putin, është se mund të flasë të gjitha dialektet e gjuhës gjermane.

Bill Clinton

Alergjitë e një ish-presidenti

Marrëdhënia e tij me Monica Lewinskyn nuk mund të konsiderohet më sekret, duke qenë se ai e pohoi atë para gjithë kombit. Por, një fakt i jetës së Clinton, në lidhje me aspektin shëndetësor të tij, është se Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vuan nga një sërë alergjish. Kështu, ai është alergjik ndaj maceve, biftekut, qumështit dhe polenit. Sigurisht alergjitë e tij nuk e kanë penguar atë të shërbejë për dy mandate si President i SHBA-së, nga viti 1993-2001. Bill Clinton është Presidenti i tretë më i ri në moshë, pas Theodore Roosevelt dhe John F. Kennedy.

Silvio Berlusconi

Kryeministri që flet në gjumë

Silvio Berlusconi ka qenë shpeshherë protagonist nëpër media për shkak të deklaratave të ndryshme, që nuk janë konsideruar si korrekte. Ai gjithnjë shfaqet plot vetësiguri në publik, por bashkëshortja e tij, Veronica Lario, ka rrëfyer se Berlusconi ka disa sekrete të vogla, ndër të cilat njëri është fakti se ai flet në gjumë dhe tjetri dëshira e tij për të koleksionuar figurina të Napoleon Bonapartit. Bashkëshortja e tij gjithashtu e ka përshkruar saktësisht koleksionin e Napoleonit prej qeramike të bashkëshortit të saj, duke konfirmuar fiksimin e tij ndaj udhëheqësit francez.

Francois Mitterrand

Presidenti që mbajti dy familje

Presidenti i Francës, Francois Mitterand, i cili tashmë nuk jeton më, gjatë presidencës së tij kishte një jetë të dyfishtë. Përveç bashkëshortes, ai kishte dhe një të dashur, me të cilën pati një vajzë të paligjshme. Sidoqoftë, edhe pse një pjesë e shtresës së lartë të Parisit e dinin një gjë të tillë, askush s‘e mori mundimin t‘ia bënte të ditur publikut këtë fakt. Ishte vdekja e tij që do ta zbulonte krejt hapur këtë fakt. Gjatë funeralit të tij, të pranishme ishin dy gratë e jetës së tij, bashkëshortja dhe e dashura, shoqëruar nga vajza Mazarine Pingeot, për të cilën zonja Mitterrand është shprehur se i shoqi e donte pa masë.

Angela Merkel

I ka rezistuar presionit të STASI-t

Angela Merkel është Kancelarja e parë që vjen nga ajo pjesë e vendit që dikur ishte Gjermania Lindore. Si qindra mijëra të rinj të Gjermanisë Lindore, kur ishte një vajzë e re ajo ka qenë pre e përpjekjeve të policisë sekrete, STASI, për t‘u bërë pjesë e saj dhe për të dhënë informacione për bashkëmoshatarët e saj. Merkel ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë. Ironia qëndron në faktin se më pas janë shfaqur informacione, sipas të cilave STASI pretendonte se ajo ishte mjaft "fjalamane" dhe nuk mund të mbante sekrete. Por, sidoqoftë, të kundërshtoje STASI-n në atë kohë kërkonte një guxim të madh, që jo kushdo mund ta kishte.

Gerhard Schroeder

E refuzonin se ishte i varfër

Gerhard Schroeder ka qenë në krye të një prej shteteve më të fuqishme ekonomikisht të botës. Por, kur ka qenë i vogël, ai nuk ka jetuar mirë për sa i përket gjendjes financiare. Ai është rritur nga e ëma në varfëri të plotë dhe ka pranuar se ishte aq i varfër dhe i paveshur mirë, saqë fëmijët e tjerë refuzonin të luanin me të. Kur ishte i ri ai i premtoi nënës së tij se një ditë do të mbërrinte në derën e saj me "Mercedes". Schroeder e mbajti premtimin, pasi studioi për drejtësi në një shkollë nate dhe ndërkohë punonte në dyqanin e një tregtari hekurishtesh.

Tony Blair

3 mijë dollarë në muaj për kremra fytyre!

Pavarësisht kritikave të shumta që ka marrë gjatë dhe pas detyrës së tij si Kryeministër, Tony Blair gjithnjë ka qenë mjaft popullor dhe rrallëherë ka qëndruar larg kopertinave të mediave. Për të janë botuar mjaft fakte të panjohura e të njohura më parë, që prej rinisë së tij të hershme kur aspironte të bëhej një yll roku. Ndërsa një prej sekreteve më pikante është fakti se ai shpenzon pothuajse 3 mijë dollarë në muaj për kremra fytyre dhe nxirje artificiale. Sipas një të përditshmeje britanike, sekreti i lëkurës së shëndetshme të Tony Blair është fakti se ai shpenzon dy herë më shumë se një femër me të ardhura mesatare në Angli.



Vladimir Putin I njeh të gjitha dialektet e gjermanishtes

Ish-presidenti rus është konsideruar gjithnjë si një njeri misterioz. Kjo i atribuohet faktit se ai ka qenë agjent i KGB-së, por herë pas here dalin në dritë sekrete që zbardhin jetën dhe karakterin e Kryeministrit të tanishëm të Rusisë. Që rrallë buzëqesh, është e dukshme. Gjithashtu është i njohur fakti që ai e njeh mirë gjuhën gjermane, por është i habitshëm fakti se ai gjithashtu i njeh të gjitha dialektet e kësaj gjuhe. Një ndër faktet jo shumë të njohura të Putinit është edhe rripi i zi që ai mban në sportin e tij të preferuar, xhudon.

Condoleezza Rice

Pasioni i "gruas së hekurt" për "Casablanca"

Cilësohet si një femër e hekurt. Është e vështirë për të parashikuar preferencat e një personi që e sheh të veshur gjithnjë me kostumin diplomatik. Ndaj ngjan i çuditshëm fakti se filmi i saj i preferuar është "Casablanca" dhe e sheh atë "sa herë më jepet mundësia. Më pëlqen gjithçka nga ai film. Është filmi im më i preferuar", është shprehur Rice. Përveç kësaj, Rice është shprehur njëherë se puna e ëndrrave të saj është anëtare Komisioni e Ligës Kombëtare të Futbollit. Sipas saj, kjo punë do të ishte shumë interesante, sepse futbolli është një lloj sporti që bashkon njerëzit e të gjitha shtresave shoqërore.

Theodore Roosevelt

Presidenti që ka vrarë luanin me thikë

Është një fakt i njohur tashmë që Theodore Roosevelt ishte i pasionuar pas gjuetisë. Ai i donte shumë qentë e tij. Në një rast kur luanët e malit në SHBA sulmuan qentë e tij, ai vrau një prej tyre vetëm me një thikë. Në mars të vitit 1909, gjatë mandatit të tij të dytë, Roosevelt u nis për një ekspeditë gjuetie në Afrikë. Ai gjuajti atje për mostra që shërbenin për institutin Smithsonian dhe për Muzeun Amerikan të Shkencave të Natyrës në Nju Jork. Skuadra e tij përfshinte shkencëtarë dhe udhëhiqej nga gjuetari i famshëm Frederick Selous. Gjatë kësaj ekspedite u vranë 111 397 kafshë.

Harry S. Truman

Në moshën 18-vjeçare kishte lexuar gjithë librarinë!

Një prej sekreteve të Harry S. Truman është fakti se ai ishte nga ata nxënës që quheshin "peshkopë". Është fakt tashmë se kur mbaroi shkollën e mesme, Truman kishte lexuar të dymijë librat që ndodheshin në librarinë publike, ku ai ishte i regjistruar, duke përfshirë këtu edhe enciklopeditë. Në kohët e sotme, shumë studiues amerikanë e rendisin atë në dhjetë presidentët më të suksesshëm të SHBA-së të të gjitha kohërave. Harry Truman ka qenë Presidenti i 33-të i SHBA-së dhe u bë President i vendit kur Presidenti Franklin D. Roosevelt u nda nga jeta.



Gazeta: Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi