Taksat e reja per kete vit

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje ulje të mëtejshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore duke filluar nga viti i ardhshëm, por kjo masë nuk është raportuar te Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe një vendim konkret që të sanksionojë uljen, nuk ekziston. “Ndryshimet tona në politikën fiskale gjatë vitit 2008 do të jenë të vogla. Ne do të rrisim taksat mbi pronësinë dhe do të vendosim një taksë mbi shfrytëzimin e mineraleve, do të rrisim taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtesat e reja dhe do të decentralizojmë disa tarifa”, - thotë qeveria në letrën që i ka dërguar FMN-së. Në letër nuk është përmendur asgjëkund ulja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të cilat kanë folur gjatë dy ditëve të fundit kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode.

“Ne do të përqendrohemi te përmirësimi i administrimit fiskal për të barazuar normën e mbledhjes së taksave me potencialin”,shkruhet në letër. Qeveria pranon gjithashtu se rritja e fortë e të ardhurave buxhetore këtë vit është përgjithësisht pasojë e rritjes së të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, rritje që i dedikohet çmimeve më të larta të mallrave dhe vetëm pjesërisht, përmirësimin në administrimin fiskal.
Sigurimet shoqërore

Rritja e fortë e pensioneve si dhe dyfishimi i shpenzimeve për sigurime shëndetësore në tre vjet, ka krijuar vështirësi të mëdha në skemën e sigurimeve. Deficiti i tyre këtë vit pritet të arrijë në 250 milionë euro dhe do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit, duke ulur më tej aftësinë e shtetit për të investuar në projekte zhvillimore në infrastrukturë. Qeveria ka për detyrim përballë FMN-së rritjen e numrit të kontribuesve në sigurime në 410 mijë, por ky objektiv është shtyrë vazhdimisht gjatë viteve të fundit. Numri i të punësuarve në sektorin jobujqësor në Shqipëri arriti në 397 mijë në fund të vitit 2007, me një rritje prej vetëm 3900 vetash në krahasim me vitin 2006.

Shtesat në taksa

Gjatë këtij viti, qeveria kreu ndryshime fiskale që rritën më tej taksat mbi konsumin e karburanteve dhe cigareve, me përfitime në buxhetin e shtetit me mbi 20 milionë euro në vit. Paga minimale dhe ajo maksimale mbi të cilën zbatohen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u rritën gjithashtu me 13%, duke rritur realisht taksimin mbi një numër të madh shqiptarësh që marrin pagën minimale si dhe mbi të gjithë ata që marrin rrogë më të lartë se 65 mijë lekë në muaj. Taksat e tjera që qeveria i premtoi FMN-së, si taksa e ndikimit në infrastrukturë si dhe taksat mbi pronën, nuk u rritën këtë vit, për shkak të kundërshtimit të fortë të lobingut të ndërtuesve, të cilët arritën edhe një herë të mposhtin qeverinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama