Aty ku ushqimi prek zemren

Aty ku ushqimi prek zemrën
Pas Pekinit, sigurisht që Hong-Kongu do të jetë qyteti ku miliona turistë e vizitorë nga e gjithë bota do të vendosen për të ndjekur lojërat olimpike. Në qytetin që për më shumë se një shekull ka qenë koloni angleze, fryma moderne me tradicionalen ndërthuren bukur. Hong-Kongu është konsideruar ndryshe si kryeqyteti gastronomik i Lindjes, ku gjen gjithçka. Në qytetin me 6 milionë banorë gjenden thuajse 10 mijë lokale që shërbejnë specialitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Shpirti "fusion" i qytetit, i ndihmuar edhe nga pushtimi anglez, nuk ka kontaminuar aspak elementët e origjinës së tij. Përkundrazi, për shumë kohë këtu shijohej kuzhina më e mirë kantoneze, falë traditës dhe burimeve. Nëse anglezët nuk hoqën dorë kurrë nga çaji me qumësht e biskota, apo edhe nga mishi i viçit me patate, kinezët nuk hoqën dorë nga supa me shalqi, apo pëllumbi i pjekur me salcë fasulesh dhe vaj susami. Në fund, edhe pse ngadalë, të dyja kulturat u shkrinë, duke zgjeruar gamën e shijeve falë kujtesës "ushqimore" të shumë kuzhinierëve që erdhën në qytet nga Kina kontinentale. Kështu, ish-pushtimi anglez sot i ka dhënë më shumë përparësi kuzhinës origjinale, popullore dhe të rafinuar të kësaj zone. Nga ushqimi i rrugës e deri te kuzhinat e restoranteve më shik, gjithçka përgatitet dhe serviret duke u bazuar te dija dhe kultura gastronomike mijëravjeçare.

Në Hong-Kong, kuzhina më e përhapur është ajo kantoneze, një lloj kuzhine që bazohet në freskinë e ushqimeve, ku të gjithë përbërësit duhet të jenë të freskët, të përgatiten dhe shërbehen në moment. Peshku, për shembull, duhet të jetë i gjallë deri në momentin e gatimit, ndaj, në tregjet e vendit, pulat, gjarpërinjtë, breshkat shiten të gjalla, ose të therura në momentin e blerjes. Kuzhina kantoneze ka një shije delikate falë përbërësve të saj: pak vaj dhe pak kripë. Mes pjatave më të veçanta është ajo me mish pëllumbi dhe supat e perimeve, drithërave dhe gjarprit, të shoqëruara këto zakonisht me perime të ziera në avull. Por, ajo që i dallon banorët e Hong-Kongut nga të tjerët janë recetat dhe ushqimet e mrekullueshme dim-sum (prek zemrën tënde). Kinezëve u pëlqen të hanë jashtë, ndaj aty janë shumë popullore dim-sum-ët, një bashkësi pjatash që variojnë nga të kripurat e deri te të ëmblat, të cilat serviren vetëm për mëngjes apo drekë, të shoqëruara gjithmonë nga çaji. Hong-Kongu është vendi ku përgatiten dim-sum-ët më të mirë e ku restorantet nisin t‘i shërbejnë nga ora 06:30, deri në mesditë.

Won ton

Versioni kinez i makaronave të mbushura. Mund të mbushen me mish, peshk dhe perime. Përveç gatimit me lëng pule ose të thata, ka edhe receta që i gatuajnë me avull ose të skuqura

Macao

Macao është një rajon me status të veçantë, i lidhur ngushtë me Hong-Kongun. Përveçse një nga vendet ku tradita e kuzhinës kineze ruhet me fanatizëm, ka filluar të ketë ndikim edhe nga kuzhina franceze dhe ajo japoneze

Filiza bambuje

Më e mira e dy ushqimeve të dashura. Prania e filizave- gjithmonë e më e pranishme në sallata, supa dhe gjërat e skuqura -siguron gjithë elementët e nevojshëm ushqimorë. Bambuja përdoret e zier për dekorimin e pjatës

Tofu

I quajtur ndryshe ushqimi i njeriut të varfër, njihet edhe si djathi i sojës. Me shumë pak kalori, por i pasur me aminoacide, ai mund të përdoret si i marinuar, ashtu edhe i fermentuar

Galinha afrikane

Pjata simbol e kuzhinës së Makaos është një përzierje e shijshme aromash evropiane dhe shijesh orientale. Pula, e prerë dhe e vendosur në skarë, mbulohet me perime të ndryshme, mes të cilave speca, hudhra dhe qumësht koku

Salca Xo

Salca e famshme e kuzhinë së Hong-Kongut përgatitet me hudhra, speca djegës dhe një lloj molusku. Shërbehet në pjata të rrumbullakëta

Veza

Përveç supave, tortave dhe fërgesave, janë objekt i teknikave të jashtëzakonshme të konservimit: nga të regjura në çaj, tek ato në hi, kripë dhe argjile

Salcë stridhesh


Kjo lloj salce, që shoqëron thuajse gjithçka, nga peshqit, veza, perimet e mishi, përgatitet me stridhe, ujë, salcë soje dhe grurë. Me ngjyrë të errët, e trashë dhe aromatike, dallohet për shijen e saj të veçantë

Molusqet

Molusku i rrallë i oqeanit Paqësor mund të arrijë një diametër prej 30 centimetrash. Shoqërohet me perime të pjekura në avull. Më të kërkuarat janë molusqet japoneze

Yuk-ga wn

Lëkura e derrit, ose kafshëve të tjera, e sheqerosur, konsiderohet si një ndër ushqimet më delikate të kuzhinës së Hong-Kongut kinez. Shërbehet e prerë në copa të vogla

Yin dhe Yang, filozofia e një kombinimi perfekt

Kinezët tregojnë respekt, por edhe pasion të madh për kuzhinën. Ashtu si dhe në çdo aspekt tjetër të jetës së përditshme në Kinë, filozofia është e pranishme edhe në artin e gatimit. Filozofia kineze na mëson se si të dallojmë ushqimet yin (të ftohta) dhe yang (të nxehta). Menyja kineze është një lloj kombinimi i yin dhe yang, një lloj përzierje shijesh, përgatitjesh dhe energjie në çdo lloj ushqimi. Kuzhina kineze është një kuzhinë e shëndetshme, me perime të servirura thuajse të gjalla për të ruajtur vlerat, mishin e prerë në copa të vogla, peshkun dhe orizin e zier në vend të bukës. Shumë ushqime i përkasin yin-it, meqë janë të buta e plot lëng, kanë efekt rifreskimi, ndërsa ushqimi yang është i skuqur, i nxehtë, ku spikat përgjithësisht mishi, i cili fuqizon aspektin mashkullor. Ashtu si yin-i dhe yang-u përplotësojnë njëri-tjetrin në filozofi, ashtu bëjnë edhe në ushqim. Për këtë arsye, kinezët nuk përdorin kurrë ushqime që i përkasin të njëjtit grup, pasi për ta kjo krijon mosbaraspeshë në organizëm. Për kinezët, ushqimi është edhe mënyra më e mirë për ta mbajtur larg mjekun.

Shijet e ushqimeve ndikojnë në mënyra të ndryshme në organizëm. Për shembull, ushqimi i athët ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe në çlirimin e energjisë jetike. Për ta, edhe stinët kanë lidhje të ngushta me ushqimin. Vera ka lidhje me zemrën, vjeshta me mushkëritë dhe pranvera me mëlçinë. Kështu, meqë zemra nga natyra është e nxehtë, është e këshillueshme që të hahet ushqim i ftohtë dhe i hidhur në verë. Po ashtu, sipas mjekësisë tradicionale kineze, gështenjat janë nga natyra të ëmbla e pak të ngrohta dhe janë ushqim i mirë për mushkëritë e veshkat. Ato ndihmojnë gjithashtu në qarkullimin e gjakut e forcojnë funksionet riprodhuese. Për ta, kuzhina është pjesë e kulturës mijëravjeçare të Kinës dhe ata me të drejtë janë shumë krenarë. Nevoja i ka shtyrë ata të hanë thuajse gjithçka që rritet mbi tokë, ose që fluturon në qiell. Sot ajo renditet e para për shumëllojshmërinë e saj dhe është pa dyshim më e pasura në botë. Por, në Kinë gatimi ka edhe një tjetër simbolikë, gjë që vihet re gjatë festave të ndryshme të vitit. Çdo gjë që shtrohet në tryezë ka një domethënie. Portokajtë e pulat, për të uruar fat; peshku, pasuri; gështenjat, të ardhura më të larta. Të sapomartuarit hanë oriz, me shpresën se martesa e tyre do të jetë e ëmbël dhe harmonike. Mbi shtratin bashkëshortor ditën e dasmës ata gjejnë arra, hurma arabe, karamele dhe portokaj të lënë nga prindërit, që lidhen me urimin e këtyre të fundit për të sapomartuarit, që të lindin sa më shpejt një djalë. Kuzhina kineze përbëhet kryesisht nga 8 lloje. Sëçuan është kuzhina e parë ndër 8 kuzhinat kryesore të Kinës. Në kuzhinën Sëçuan ka shumë gjellë të shijshme, si gongbaojiding, mapodoufu, huiguozou etj. Këto janë shumë të njohura dhe të preferuara gjithandej Kinës. Deri tani, në kuzhinën Sëçuan ka mbi 4000 lloje të ndryshme gjellësh. Për shijet e tyre, në kuzhinën Sëçuan ka gjellë me shije të kripura, të freskëta dhe pak djegëse së bashku; ka edhe gjellë me shije të kripura, të ëmbla, të tharta, djegëse dhe të freskëta së bashku. Por shumica e tyre kanë një karakteristikë të vetme: janë djegëse.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama