Regjistroni domainin tuaj .al

Leku forcohet kundrejt Euros dhe Dollarit

Shkruar nga:  
Postuar më: 6 vite më parë

Pritet forcim i dollarit kundrejt euros

Dollari amerikan shënoi një ditë tjetër pozitive dje në tregun ndërkombëtar si pasojë e rënies së çmimit të naftës dhe rënies së besimit të investitorëve për të ardhmen e ekonomisë së eurozonës, njoftoi agjencia “Reuters”. Euro u këmbye me 1.5567 dollarë dje, ndërkohë që monedha e gjelbër fitoi edhe 0.5% kundrejt jenit japonez. Tregtarët janë në pritje të dy mbledhjeve të rëndësishme të Rezervës Federale në SHBA dhe të Bankës Qendrore Europiane, ku pritet të diskutohet për normat bazë të interesit për dy ekonomitë më të rëndësishme të botës. Shumica dërrmuese e ekonomistëve presin që interesat të mos ndryshojnë, megjithatë investitorët po presin që Banka Qendrore Europiane të paralajmërojë për ulje të normës së interesit bazë për euron. Kjo gjë pritet të sjellë forcim të dollarit dhe rënie të çmimit të naftës.

Ditën e djeshme, monedha shqiptare u forcua në mënyrë të pazakontë kundrejt të gjitha monedhave të tjera

Bankat grumbulluan lekë në pritje të ankandit të sotëm të Bonove të Thesarit me vlerë 6.3 miliardë lekë

Leku shqiptar pësoi një forcim të papritur dhe të pazakontë dje kundrejt Euros dhe Dollarit, në ditën e parë të punës pas fundjavës. Sipas njoftimit të përditshëm të Bankës së Shqipërisë, leku u forcua njëkohësisht kundrejt të gjitha monedhave të konvertueshme në Tiranë. Euro ra në 121.28 lekë në kursin mesatar, minus 0.39 lekë kundrejt të premtes ose 0.5% më pak në krahasim me të hënën e kaluar. Forcimi i lekut erdhi ndërkohë që bankat e nivelit të dytë u përgatitën për të marrë pjesë në ankandin e sotëm të bonove të thesarit. BSH pritet të emetojë sot 6.2 miliardë lekë bono me afat maturimi tremujor.

Zakonisht ankandet me afat tremujor gjatë këtij viti kanë patur vlera disa herë më të ulëta se ankandi i sotëm. Ndodh shpesh që leku të forcohet, kur kërkesa për para nga buxheti përmes ankandeve të bonove, rritet. Kursi i dollarit dhe monedhave të tjera me lekun zakonisht ndryshojnë në varësi të kursit Lek-Euro. Dollari ra në 77.82 lekë. Ekspertët thonë se forcimi i lekut dje është një fenomen që nuk do të zgjasë shumë, për shkak se koniunktura e përgjithshme me importe të larta dhe deficit të llogarisë korrente, nuk favorizon lekun.

Kuota aktuale prej 121.28 lekësh për euro, është më e ulëta e regjistruar gjatë këtij viti. Leku ka patur tendencë forcimi që nga muaji korrik, kryesisht për shkak të rritjes së huamarrjes së brendshme nga qeveria dhe kërkesës së lartë për emetim bonosh thesari gjatë muajit të kaluar. Gjatë verës, leku është forcuar çdo vit, gjatë dhjetë viteve të fundit, por këtë herë, forcimi ka ndodhur në një masë shumë më të vogël sesa vitet e kaluara. Shkak për forcimin e lekut gjatë verës, konsiderohet fluksi i madh i valutës hyrëse nga turistët dhe emigrantët.

Por analiza të ndryshme tregojnë se përveç valutës hyrëse, është edhe huamarrja e qeverisë që e shkakton forcimin. Huamarrja rritet ndjeshëm në korrik dhe në dhjetor, duke shkaktuar mungesë të përkohshme të lekut në treg. Muaji gusht dhe shtator pritet të jenë shumë aktivë në tregun e bonove të thesarit. Sipas kalendarit të Ministrisë së Financave, gjatë gushtit do të emetohen 21.4 miliardë lekë bono, ndërkohë që në shtator do të emetohen 27 miliardë të tjera.

Tregti kryq në Tiranë

Teorikisht, një vend me deficit të lartë tregtar si Shqipëria, nuk mund të ketë një monedhë që forcohet vazhdimisht. Por në këtë rregull, ndërhyn interesi i investitorëve për tituj borxhi të qeverisë shqiptare. Shqipëria ka norma interesi për borxhin, që emeton dy deri në tre herë më të lartë sesa titujt e borxheve në euro apo në dollar. Bankat shqiptare zakonisht e investojnë pjesën më të madhe të depozitave që grumbullojnë në tituj borxhesh të vendeve të huaja, apo të qeverisë shqiptare. Zakonisht bankat shqiptare parapëlqejnë vende të zhvilluara dhe me rrezik të vogël, por së paku në një rast, një bankë ka blerë obligacione në Afrikë e në vende të tjera të botës së tretë. Tregtia kryq teorikisht njihet si marrja borxh e parave me interes të ulët në një monedhë të caktuar dhe dhënia borxh e këtyre parave në një monedhë tjetër që jep interesa më të larta. Operacioni tipik i dekadës së fundit në këtë fushë, ka qenë huamarrja në jen japonez dhe blerja e obligacioneve në vende si Zelanda e Re apo Australia.


Gazeta: Shekulli

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi