Energjia

Energjia

Parathënie

Bilanci i energjisë është përmbledhje e gjithë bilanceve të burimeve energjitike të disponueshme. Burimet e energjisë, si total i prodhimit në vend dhe importit, janë rritur me 7 përqind në vitin 2004 krahasuar me vitin 2003. Kjo është një rritje e konsiderueshme pas periudhës 1998-2002 e cila është karakterizuar nga rënie. 


Energjia disponibël për konsumin final është rritur me 18 përqind në vitin 2004 krahasuar me vitin 2003. Sasia më e madhe e energjisë disponibël për konsum final, gjatë periudhës 1998-2004, është shënuar në vitin 2004 (2,131 ktoe). Sektori i transportit dhe familjet janë konsumatorët kryesorë të energjisë finale për konsum. Në vitin 2004, familjet konsumuan rreth  26 përqind të energjisë finale për konsum gjithsej, (kryesisht energji elektrike) ndërsa, sektori i transportit rreth 44 përqind (kryesisht naftë dhe nënproduktet e saj).


Nafta dhe energjia elektrike janë dy burimet kryesore të energjisë së prodhuar në vend. Energjia elektrike përbën 40 përqind të prodhimit në vend në vitin 2004, ndërsa nafta, 38 përqind të tij. Në veçanti nga burimet e tjera të energjisë, nafta, ka patur rritje të konsiderueshme të importit gjatë periudhës 1998-2004, pasi prodhimi vendas nuk arrin të mbulojë kërkesën gjithnjë e në rritje për këtë produkt.

 

Burimet e të dhënave

Agjensia Kombëtare e Energjisë, (AKE);
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;
Korporata Elektroenergjitike Shqipëtare.

Metodologji

Skema llogaritëse

Bilanci i energjisë i përgjigjet një metodologjie bashkëkohore, dhe përfshin pjesën e disponibilitetit të energjisë dhe pjesën tjetër të konsumit, deri në përdorimin final.

Bilanci vjetor i përgjithshëm i energjisë përfaqson, në kapituj korrespondues, furnizimin sipas përdorimit në njësi energjie. Ai paraqet origjinën dhe përdorimin specifik sipas burimeve të energjisë. Ai përbëhet nga dy pjesë kryesore:

Furnizimi, i cili është llogaritur si fluks energjitik për atë kohë në të cilën prodhimi total i furnizuar i korrespondon “konsumit të dukshëm”. Raporti i prodhimit kombëtar të energjisë me sasinë e energjisë së harxhuar, jep shkallën e pavarësisë energjitike në nivel kombëtar dhe për secilin burim energjie;

Përdorimi i energjisë i llogaritur pas përdorimit për konsum të “ndërmjetëm” (pas transformimit), ose për përdorim “final”.

Këtu paraqiten bilancet vjetore të energjisë për vendin, në njësi energjie kilo ton naftë ekuivalent (ktoe).

Përkufizime

Konsumi i brendshëm bruto është i barabartë me:

Prodhim + Import – Eksport ± Ndryshim stoku

Matja e stokut, mbulon gjendjen e prodhuesve të energjisë, importuesve, shpërndarësve, transformuesve dhe përdoruesve finalë, kur ato njihen.

Konsumi final i energjisë, i korrespondon energjisë së shpërndarë përdoruesve finalë, sipas origjinës dhe të gjitha llojeve të energjive pa kufizim.

Konsumi final jo energjitik, llogarit përdorimet e energjisë si material primar, për përdorime joenergjitike.

Energjia parësore, është energjia bruto, pas nxjerrjes, pa përfshirë asnjë transformim (linjit, naftë brut, gaz natyror, energji hidrike ose nukleare, etj.).

Energjia dytësore, është energjia e fituar nga transformimi i një energjie parësore ose ndonjë energjie tjetër dytësore (në veçanti nga energjia elektrike me origjinë termike).


 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama