Regjistroni domainin tuaj .al

Një udhëtim i paqtë në perlën Divjakë

Shkruar nga:  
Postuar më: 6 vite mĂ« parĂ«

Një udhëtim i paqtë në perlën Divjakë
Një udhëtim i paqtë në perlën Divjakë

Në një reliev të mahnitshëm ku harmonizohen bukur, dielli, rëra, qielli, deti, pylli, klima e detaje të tjera të mrekullueshme të listës së gjatë që do të dëshironte me gjithë zemër një turist i huaj apo vendas.

Jetesë në Divjakë

Divjaka është një qytezë interesante me objekte të reja, ose të rikonstruktuara, me rrugë të asfaltuara, të gjelbëruara, dhe të ndriçuara që të japin përshtypje sikur je në një qytet të madh dhe jo në qytezën që dikur ka qenë fshat. Duket se njerëzit e këtij vendi e duan punën, pasi të sheh syri ngado lëvizje dhe gjallëri. Vendasit punojnë, kryesisht ata merren me prodhimin e perimeve dhe frutave, pak blegtori, ndërsa pushuesit gëzojnë mrekullitë e natyrës. Ndërsa ata që jetojnë në Divjakë nuk mërziten, mendojnë se edhe ata vet do të kenë një periudhë pushimi, por ja… sa të mbarojë vjelja e perimeve. Specat, domatet, kastraveci, pjepri, shalqiri, patëllxhani, kungulli e sidomos pataten, do ta gjesh me çmimet më rekord se në tregun e zakonshëm. Një tjetër arsye për të pushuar në Divjakë.

Njerëzit janë punëtorë dhe fjalëpakë, por shumë të dashur dhe mikpritës e të gjindshëm. Ata janë mësuar me praninë e turistëve qoftë vendas, apo edhe të huaj. Një pjesë e banorëve të Divjakës kanë ardhur herët qysh në periudhën e prishjes së fshatit të tyre në Gramsh, ku u ngrit hidrocentrali i Banjës dhe sikur janë mësuar me vendasit autokton. Tashmë ata nuk mund t’i dallosh prej vendasve të tjerë. Një harmoni perfekte. Punojnë, mësojnë, bëjnë krushqi me divjakasit. Disa janë shpërndarë fshatrave më të thella ku jeta e tyre është shkrirë me vendasit, merren me mbjelljen e perimeve, frutikulturë dhe pak me blegtori.

Në qendër të qytezës në mes shumë objektesh të rikonstruktuara dhe të mirëmbajtura, shumë prej tyre edhe të reja të zë syri shkollën e mesme, ku duket se jo vetëm drejtuesit, por edhe krejt stafi pedagogjik janë të interesuar për kushte bashkëkohore dhe kabinete moderne. Na thonë divjakasit e parë se në qytezën e tyre mësuesit janë të përkushtuar. Por jo vetëm ata. Në Bashkinë e Divjakës, statistikat dhe shifrat janë të larta, si në mbledhjen dhe grumbullimin e taksave nga bizneset, mbarëvajtjen në shkollë të nxënësve, taksat vendore në shërbim të komunitetit, jetën e gjallë artistike të Pallatit të Kulturës për aktivitetin e të cilit kryetari i saj Irakli Gorreja flet me krenari për një rikonstruksion të mrekullueshëm në dobi të fëmijëve të talentuar, por edhe për festivalet e fëmijëve që ai realizon për çdo vit.

Fermerët të flasin lirshëm për drejtuesit e vetëzgjedhur prej tyre, premtimet e fushatave të cilat janë bërë realitet. “Ja puna flet vet, shprehen ata dhe shtojnë popullorçe “Na vret zoti të ankohemi, pasi çdo gjë na ecën mirë”.

Toka është pjellore dhe e bekuar, bollëku që vjen nga puna dhe djersa e ndershme, na japin mesazhin që duhet punuar….

Me pak të holla...

Sapo lë pas qytezën zgjatohet rruga për në plazhin e bukur të Divjakës, i cili shtrihet jo më larg se 1 km larg saj. Nuk ka kuptim të vish në Divjakë e të mos shkosh në plazh, apo të mos shijosh pyllin kombëtar të Divjakës. Një rrugë e freskët me pemë të larta, kryesisht pisha, ahe, por edhe drurë të tjerë halorë shtrihen përgjatë rrugës ku një tabelë të uron mirëseardhjen në shqip, por edhe në anglisht. Kemi ardhur me “këmbë të mbarë”, pasi jo pak por 12 rrulota të turistëve gjermanë janë “ankoruar” në Divjakë për pushime disaditore. Ata ecin përgjatë rrugës në hijen e pishave dhe flasin mes tyre me një gjuhë admiruese për natyrën. Plazhi është i mrekullueshëm, kioskat përgjatë plazhit të ngritura hijshëm për syrin, ndërsa rëra e pastër dhe e mrekullueshme. Shkriftësia e saj të tregon se këtu është punuar disa herë për ta kthyer në gjendjen e mëparshme nga vera e vjetshme. Turistët javorë dhe ditorë shprehen të kënaqur me kushtet, rërën e pastër, drita dhe ujë pa ndërprerje, ndonëse për të pirë pushuesit e blejnë ujin e pijshëm. Hoteleritë dhe pronarët e tyre shprehen të kënaqur me ndihmën e bashkisë dhe kreut të saj, por shtojnë se çmimet e perimeve, frutave etj kanë pësuar rritje dhe ata janë të detyruar të mos i rritin çmimet ndaj klientëve se “ata nuk do të vijnë më”. Turistët pothuajse janë të përvitshëm, ndërsa shtohen edhe të rinj. Ndërsa ka mbërritur mesdreka, pushuesit mbledhin çadrat dhe shezlongjet dhe shkojnë në restorant ku shijojnë llojshmërinë e peshqve dhe sidomos ngjalat “me nam” të Divjakës. E natyrisht çmimet janë shumë herë më të lira se në plazhet e vendeve të tjera…

Intervistë me kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Irakli Gorreja

“Bashkëpunimi me biznesin siguron kushte më të mira për pushuesit”

LUSHNJE – Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Irakli Gorreja, e sheh me shumë optimizëm këtë sezon turistik veror. Duke mos e fshehur këtë optimizëm, në një intervistë për gazetën “Metropol” kryebashkiaku Gorreja e sheh si të suksesshëm këtë vit, falë një bashkëpunimi të mirë të pushtetit vendor me biznesin. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, ndërsa biznesi shlyen rregullisht detyrimet, bashkia me këto të ardhura, falë edhe një menaxhimi të mirë, që ndërmarrjet e saj të ofrojnë e sigurojnë kushte sa më të mira këtë vit krahasuar me vitin e shkuar.

Për Gorrenë e gjithë kjo do të mundësojë që ky vit të ketë edhe numër më të madh vizitorësh e turistësh krahasuar me vitet pararendës.

Ju sapo keni nisur sezonin e ri turistik. Si nisi dhe si është ecuria e këtij sezoni këtë vit?

Duke marrë shkas nga viti që shkoi që në plazhin e Divjakës kishte shumë turistë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, kryesisht Fieri, Kuçova, Berati, Kavaja, madje edhe Durrësi, nga puna e vjetshme që bëmë për krijimin e kushteve dhe mjediseve sa më të përshtatshme, për të krijuar një ambient sa më të mirë pushuesve, për vitin 2008 ne hartuam një program pune më të ngjeshur, ndërsa e caktuam datën 7 qershor ditë të fillimit të sezonit të ri turistik. Mbi bazën e këtij afati ne përcaktuam një program pune ku çdo specialist në fushën e vet hartoi detyrat përkatëse që pushuesit për vitin 2008 të kishin kushte më të mira sesa ai i një viti më parë. Këtë e tregoi edhe ardhja rreth 37 për qind pushues me shumë në vitin 2007, në krahasim me një vit më parë. Pika e parë e programit tonë ku ne ngulmuam më shumë ka qenë pastrimi i qendrës së plazhit dhe i bregut të detit nga disa kioska që prishnin imazhin e një plazhi modern dhe pasi hoqëm këto, bëmë pastrimin dhe higjienizimin e zonës bregdetare dhe të qendrës së plazhit. Si përfundim ne jemi të kënaqur që kemi marrë gjithë këto masa që do t’i shërbejnë pushuesve dhe mbi bazën e kësaj pune që ne kemi bërë shohim që ka prurje të reja edhe nga rrethet e tjera në plazhin e Divjakës. Masa të tjera kanë qenë edhe sigurimi i energjisë elektrike në sistemin 24 orë, duke mënjanuar plotësisht të gjitha defektet e mundshme në zonën e plazhit dhe u kemi siguruar ujë për pastrimin dhe higjienizimin e vendit ku pushojnë nëpërmjet puseve dhe depozitave që kemi vendosur në vende me lartësi mbi 20-30 m. Kemi pastruar bregun e detit dhe e kemi pluguar për shkriftimin e rërës kurative ku vendi që pushojnë turistët qoftë ata javorë, qoftë ata ditorë të jetë sa më i pastër. Në bregun e detit ne kemi krijuar kushte shumë të përshtatshme, disa kioska provizore, të pastra, të reja komode, të vëna në një vijë të drejtë dhe në një lartësi të barabartë që të kenë një pamje të bukur. Përpara kioskave janë vendosur edhe shumë shezlongje me distancë të barabartë. Kemi bërë elektrifikimin rreth 1 km përgjatë vijës bregdetare, ku pushuesit shëtisin gjatë mbrëmjes. Kemi pastruar të gjitha mbeturinat urbane në pjesën e pyllëzuar që i takon Bashkisë Divjakë, që pushuesit që nuk janë në kabina, hotele dhe restorante, por vijnë ditore ose në fundjavë, të gjitha mbeturinat urbane i kemi larguar dhe i kemi dërguar në destinacione të duhura. Mendojmë se sivjet në këtë drejtim është bërë një punë e jashtëzakonshme, punë të cilën e ka kryer ndërmarrja komunale me punonjësit e saj, duke punuar natën dhe ditën për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme.

A keni nën administrim kabina dhe pallate pushimi, shtetërore, veç atyre private?

Ish-kampi i punëtorëve që quhej dikur, nuk është i ynë, por i privatizuar. Por megjithatë, ne kemi 4 pallate dhe 15 kabina të vogla. Këto funksionojnë normalisht dhe mbushen çdo vit sipas nivelit të pushuesve, të cilët vijnë çdo 15 ditë. Kostoja për dhomat e mira shkon 26 mijë lekë (të reja), dhomat e tjera janë 12-13 mijë lekë për 15 ditë. Ne u japim në këtë mënyrë mundësinë edhe pushuesve me ekonomi modeste që të pushojnë sa më këndshëm. Shërbimi është vetëm hotelier. Për sa i përket kabinave dhe pallateve që ka ndërmarrja komunale janë pastruar, higjienizuar, lyer me gëlqere dhe mendojmë se ka kushte më të mira për vitin 2007. Këtë e tregon edhe prenotimi i shumtë i kabinave për muajin korrik dhe 15-ditëshin e parë të muajit gusht, të cilat tashmë kanë përfunduar dhe kërkesat kanë qenë më të mëdha se ai i një viti më parë.

Po në ambientet ku kryejnë aktivitet privatet, a keni krijuar kushte të përshtatshme pushimi?

Sigurisht, ne edhe në ambientet ku kryejnë aktivitet personat private, kemi krijuar kushte të përshtatshme për pastrimin, higjienizimin me qëllim që edhe ato mbi bazën e taksave që derdhin në bashki, të kenë kushte më të mira dhe t’u shërbejnë klientëve që do të vijnë.

A janë korrekt privatët me pagesën e taksës?

Ne si bashki, jemi shumë të kënaqur me pagesën e taksës vendore dhe taksën e biznesit të vogël, të cilët tregtarët e paguajnë 100 për qind. Rreth 70 subjekte që janë në zonën e plazhit e paguajnë këtë taksë 100 për qind mbi bazën e punës dhe aktivitetit që ata kanë. Ne kemi sistemuar të gjithë tregtarët ambulantë që tregtonin vend e pa vend. Sivjet kemi krijuar kushte të përshtatshme për ta duke i përqendruar në një vend të përshtatshëm, ku edhe ata janë të kënaqur me shitjen.



Për sa i përket punës së Policisë Bashkiake, a jeni të kënaqur ju dhe pushuesit të cilëve u sigurohet rendi dhe qetësia?

Puna në Bashkinë e Divjakës është unike, bashki, ndërmarrje komunale, Policia Bashkiake, Inspektorati i Ndërtimit për sezonin turistik. E them këtë sepse Policia Bashkiake dhe ndërmarrja e pastrimit, bëri gjithë pastrimin e plazhit dhe janë vendosur të gjitha tabelat, ku bëhet parkimi i autobusëve, i taksive, ku do të hyjnë dhe do të dalin makinat e vogla. Në breg të detit ndalohen në mënyrë kategorike, përveç makinës së pastrimit dhe urgjencës. Pushuesit ndjejnë praninë e uniformës bashkiake në plazh dhe ne kemi bashkëpunim të mirë dhe të frytshëm edhe me komisariatin e policisë Lushnjë dhe mbi bazën e këtij bashkëpunimi ne kemi pasur sukses në disiplinimin, në higjienizimin, largimin e disa kafshëve që ishin në bregun e detit. Ka një kooperim të punës dhe kjo shkon shumë mirë.

Sa hektarë plazh ka Bashkia e Divjakës?

Bashkia e Divjakës ka 200 hektarë. Kjo është rërë, rrugë, ambiente çlodhëse dhe pylli që ka në pronësi Bashkia e Divjakës. Dhe në këtë territor është kryer plotësisht pastrimi. Para se të fillojë sezoni i ri turistik, ne bëmë 3 herë pastrimin e zonës së pyllit, që të mos kishte asnjë mbeturinë. Kemi stabilizuar 100 për qind orarin, kohën dhe mënyrën e hedhjes së mbeturinave. Gjatë natës të gjitha lokalet, ambientet nxjerrin mbeturinat e tyre te porta, shkon makina e pastrimit të Bashkisë i merr dhe i hedh në vendin e caktuar. Ne i kemi pastruar dhe higjienizuar çdo ditë këto vende për eliminimin e çdo lloj epidemie, sidomos tashmë në stinën e nxehtë.

E gjithë kjo ndërmarrje, ka një kosto apo jo...?

Sigurisht, për sezonin turistik, ndërmarrja komunale nuk siguron të ardhurat, por me të ardhurat e bashkisë, ne mbulojmë rreth 8 milionë lekë (të reja), të cilat i kalojmë ndërmarrjes komunale dhe mbi këtë bazë ne duam që kjo të funksionojë 100 për qind.

Sa është numri i pushuesve gjatë sezonit turistik?

Në total, pushues ditorë, javorë, 15 ditorë te ne shkojnë nga 18-29 mijë pushues. Në ditët e shtuna ose të diela kjo shifër shkon në afërsisht 28 mijë pushues.

Nga cilat rrethe vijnë zakonisht pushuesit në Divjakë?

Kryesisht vijnë nga rrethet e Beratit, Kavajës, Elbasanit, Fierit dhe këta janë frekuentues të përvitshëm. Për sa i përket turistëve të huaj janë kryesisht nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët kanë qenë shumë të kënaqur me kushtet që ofrojmë ne.

Për sa i përket çmimeve, a janë ato “të kripura”?

Në krahasim me zonat e tjera turistike, çmimet këtu janë shumë herë më ulët. Kjo sepse Divjaka është një vend shumë i pasur kryesisht bujqësor.

Paguajnë pushuesit që vijnë me automjete taksën e kalimit në pyllin kombëtar të Divjakës dhe a jeni të kënaqur me vjeljen e saj?

Për sa i përket taksës së kalimit të automjeteve në zonën e plazhit çdo vit këtë taksë e ka vjelë bashkia, por mbi bazën e disa problemeve që na janë krijuar atje, këtë taksë ne e nxorëm në ankand dhe nga 3 milionë lekë (të reja) që ne e kishim në program për ta nxjerrë në ankand, kjo përfundoi në 4 milionë lekë (të reja) dhe përfaqësuesi i ankandit i ka paguar rregullisht taksën e kalimit të automjeteve në zonën e plazhit dhe të gjitha këto para kalojnë për pastrimin dhe higjienizimin e plazhit.

Sa është numri i popullsisë së Divjakës dhe sipërfaqja e saj?

Divjaka ka një popullsi rreth 13.600 banorë, ku nga këta 7.300 banorë i përkasin bashkisë, pjesa tjetër janë zonat rurale. Vetë Bashkia tokë bujqësore ka 1340 ha, të cilat mbillen vetëm me perime. Anë shumë pozitive ka Bashkia Divjakë, sepse ka hequr 100 për qind lopët nga qyteti. Këtu dominon vetëm kultivimi, prodhimi i perimeve.

Banorët janë autoktonë vendas?

Rreth 95 për qind e banorëve janë autoktonë, si në qytet brenda, ashtu edhe në zonat rurale.

Ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme ardhja e Kryeministrit shqiptar prof. dr. Sali Berisha, i cili vizitoi Divjakën?

Bashkia Divjakë ka 2 evenimente lidhur me ardhjen e Kryeministrit. E para se ai, si ish-president i dha statusin e bashkisë ish-komunës së Divjakës dhe nga ky status Bashkia e Divjakës ka përfituar shumë investime nga Qeveria dhe e dyta mbi bazën e investimeve që ne kemi kërkuar dhe projekteve që ne kemi çuar, Qeveria Berisha na ka mbështetur. Kryeministri mori pjesë në përurimin e dy rrugëve, në rikonstruksionin e Shtëpisë së kulturës në fillimin e punimeve të trotuarit dhe mbjelljes së pemëve, punë e cila po vazhdon me ritëm. Mori pjesë gjithashtu edhe në fillimin e çeljes së sezonit të ri turistik në Divjakë. Pjesëmarrja e tij na dha më shumë forcë, sepse mbi bazën e projekteve që ne kemi dërguar, mbështetja është edhe më e madhe. Kemi kënaqësinë që ne si përfaqësues të Bashkisë Divjakë të shprehim se shumë arritje të mira që ne gëzojmë nga statusi “qytet” janë përkrahja e Qeverisë Berisha.

Aurora Damini : Gazeta Metropol   
   

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi