Finalistet: pikat e forta dhe tė dobėta

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite mė parė

Finalistet: pikat e forta dhe tė dobėta
Finalistet: pikat e forta dhe tė dobėta

FORMACIONET

Trajneri i Gjermanisë, Hoakim Lëv, duhet të vendosë nëse do të luajë me formacionin 4-5-1, që funksionoi mirë në çerekfinalen me Portugalinë, por la shumë për të dëshiruar në gjysmëfinalen me Turqinë, apo do të rikthehet te moduli standard, 4-4-2. Nga kampi tjetër, Luis Aragones i qëndroi besnik skemës 4-4-2 gjatë gjithë turneut kontinental, por pas ndeshjes me Rusinë ai pohoi se iberikët ishin më të rrezikshëm me rreshtimin 4-5-1. Dëmtimi i David Vijës bëri që në lojë të hynte Cesk Fabregas dhe me shumë kualitete në mesin e fushës, "Furia e Kuqe" ishte një skuadër vërtet e frikshme. Fabregas, Çavi e Iniesta janë lojtarë të frikshëm për çdo mbrojtje kundërshtare.

FORCA

Mentaliteti gjerman duhet të jetë një avantazh me peshë për skuadrën e Hoakim Lëv në finale. Lojtarët aktualë janë rritur duke parë në aksion bashkatdhetarët e tyre që luanin në finalet e aktiviteteve të rëndësishme dhe duan të ndjekin të njëjtën rrugë. Ashtu si treguan edhe me Turqinë, gjermanët luajnë deri në fërshëllimën e fundit. Ndërkohë, forca e vërtetë e Spanjës është kualiteti i padiskutueshëm teknik. Aragones ka krijuar një grup të bashkuar, ku futbollistët e njohin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit, por mbi të gjitha ka ndërtuar një sistem në të cilin iberikët nuk humbasin prej 21 ndeshjesh radhazi, diçka më shumë se dy vite kalendarikë.

DOBËSITË

Në ndeshjen me Turqinë, Gjermania ishte në hije në pjesën më të madhe të kohës dhe dukej një skuadër e brishtë në mbrojtje. Edhe "gardiani" 38-vjeçar, Jens Lehman, nuk dha shumë siguri në portë. Spanja është një skuadër që në lojën në ajër është pothuajse e pafuqishme, si në aspektin divensiv ashtu edhe në atë sulmues. Megjithatë, ky "defekt" duket se nuk ka ndikuar aspak në paraqitjen e "Furisë së Kuqe".

MBROJTJA

Portieri gjerman dhe katërshja e mbrojtjes janë lojtarë me përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, por me Turqinë ata vuajtën për të mbyllur hapësirat. Dy mbrojtësit qendrorë, Per Mertesaker dhe Kristof Metzelder ndjehen mjaft komodë kundër një sulmuesi të mirëfilltë, por pritet që të kenë vështirësi me inkursionet e Fabregas dhe Andres Iniestas. Edhe pse nuk ka tërhequr vëmendjen e mediave, mbrojtja spanjolle është konfirmuar si një repart shumë eficent. Portieri Iker Kasiljas dhe Karles Pujol nuk kanë bërë asnjë gabim, ndërsa Serxho Ramos, Kapdevila e Marçena kanë dhënë maksimumin.

MESFUSHA

Mikael Balak ishte hija e vetvetes përballë turqve të Terim, por ai është një lojtar që del në dukje në ndeshjet e mëdha dhe do të bëjë të pamundurën që të dominojë mesin e fushës në betejën e së dielës. Bastian Shvajnshtajger dhe Lukas Podolski kanë qenë decizivë për Gjermaninë dhe janë një rrezik konstant për portën e Kasiljas, ndërsa Torsten Frings, i cili pritet të rikthehet në formacionin titullar pas dëmtimit në brinjë, do t‘i shtojë repartit potencën. Ata duhet të bëjnë llogaritë me mesfushën spanjolle që, falë pasimeve të sakta dhe punës së palodhshme, arritën të "nënshtronin" Rusinë. Aktivizimi i Fabregas i jep më shumë rrezikshmëri manovrave sulmuese dhe lejon Çavin që të luajë më i avancuar.

SULMI

Me nga një gol të shënuar në secilën nga dy takimet e fundit, Miroslav Klose duket se ka rifituar besimin që e ndihmoi të shpallej golashënuesi më i mirë i Botërorit 2006. Ndërsa në skuadrën spanjolle, duke qenë se do të luajë si sulmues i vetëm, Fernando Torres më shumë do të krijojë hapësira për mesfushorët sesa do të tregohet i rrezikshëm në zonë. Ashtu si kundër Rusisë, freskia e golashënuesit më të mirë të La Ligas, Daniel Guiza, mund të aktivizohet si zëvendësues.

Jep një mendim mbi këtë temë:

Reklama


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema tė nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA