Yjet e pashuar te viteve 1930 (ose iluminizmi shqiptar)

Të duket sikur bëhet fjalë për një studim të aspekteve gjeopolitike të botës së sotme. Konkretisht, në veprën e vet, Resmije Kryeziu, studiuese pranë Institutit Albanologjik në Prishtinë është marrë me mendimin kritik të viteve ‘30 dhe më së shumti më autorët të cilët në vitet e diktaturës kanë qenë të përjashtuar. Libri hedh dritë mbi autorë të cilët në këto vite janë përpjekur të ndikojnë fuqishëm në proceset politike apo edhe letrare të kohës. Në këtë periudhë shquajnë shumë emra të njohur, si: Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Krist Maloki, Mitrush Kuteli, Ismet Toto, P. Anton Harapi, Zef Valentini, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Ndre Mjeda, Asdreni, Fan. S. Noli, Faik Konica, Stefan Morava, Jani Lili, Stefan Shundi, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Spiro Belkov, Vasfi Samimi, Namik Resuli, Kudret Kokoshi, Nonda Bulka, Selahydin Toto, Syrja Minarolli, Nikollë Dakaj, Dhimitër Shuteriqi, e shumë autorë të tjerë të nënshkruar me pseudonime. Arsyeja pse zonja Kryeziu zgjodhi pikërisht këtë periudhë është sepse mungojnë studimet rreth saj dhe janë pikërisht studiues nga Tirana që ia kanë sugjeruar këtë temë. "Mendimi kritik e karakterizon këtë periudhë, duke u shfaqur në shumë aspekte të jetës sonë kulturore e shoqërore, ndaj, me të drejtë, mund të çmohet si periudhë - çelës për vlerësimin e mendimit shqiptar në përgjithësi. Më shtyu edhe një gjë tjetër e rëndësishme për subjektin e përzgjedhur: periudha politike e sotme në Kosovë dhe proceset historike që po ndodhin e që jo pak ngjajnë me ato të viteve ‘30", thotë Resmije Kryeziu. "Gjatë studimit të letërsisë, në periodikun e kohës kam hasur autorë dhe shkrime që më kanë bërë përshtypje dhe gjithnjë kam shprehur habinë se si, për shkak të rrethanave politike të kohës, ishin lënë mënjanë. Prandaj, propozimin e prof. Ali Xhikut, që ta bëja një monografi të mendimi kritik të kësaj periudhe, e pranova me kënaqësi", thotë ajo. "Sado që kërshëria shkencore më shtynte ta zgjeroja e ta thelloja interesimin për një numër më të madh autorësh dhe drejtimesh politike, ishte e pamundur të përfshihej e gjithë ajo shumësi çështjesh, problemesh dhe personalitetesh që vepronin në këtë periudhë, prandaj fokusimi im ka qenë i orientuar kryesisht tek autorët që padrejtësisht ishin të anatemuar, ndaj në veprën "Nga Lindja në Perëndim" kam trajtuar një varg aspektesh që lidhen kryesisht me pjesën e mohuar të trashëgimisë sonë", thotë zonja Kryeziu. Krijimi i shtetit e gjeti Shqipërinë me një numër të paktë intelektualësh. Këtij numri të vogël i mungonte kultura shtetformuese. Gjatë viteve ‘20 - ‘30 intelektualët shqiptarë, në kuadër të shumë temave që kishin hapur, shtruan për diskutim edhe dilemën e madhe shqiptare që lidhej me orientimin: nga Lindja, apo nga Perëndimi? Ishte kjo temë që duhej trajtuar sa më parë, sepse ishte koha që Shqipëria, pas pesë shekujsh robërie nën Perandorinë Osmane, të përcaktohej për identitetin e saj të ri, tani, në kushte dhe e në rrethana të reja.

Mehdi Frashëri, Atë Gjergj Fishta, Krist Maloki, P. Anton Harapi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika e intelektualë të tjerë përpiqeshin me çdo kusht të gjenin zgjidhje për të gjitha problemet, të cilat atëbotë rëndonin mbi popullin shqiptar. Përzgjedhja e ndonjërës nga ideologjive që lulëzonin në Evropën e atëhershme duhej të bazohej mbi arsye të forta. Shqiptarët, të dalë nga një vakum i gjatë politik, që ishte pasojë e mospasjes së shtetit të pavarur, përballeshin me një situatë që linte shtigje edhe për gabime. Këto gabime ishin shqetësim i arsyeshëm i inteligjencës së kohës. Pyetja thelbësore të cilën ata ia shtronin vetes ishte: Nga do të duhej të orientohej Shqipëria. Duke dashur që Shqipëria të shkonte nga Perëndimi, e të mos i përqafonte ideologjitë që në atë kohë ekzistonin në Evropë dhe, në kërkim të rrugëve që do të shpinin në "okcident", intelektualët shqiptarë, si: Branko Merxhani, Vangjel Koça, Nebil Çika, Ismet Toto, zbuluan një ideologji të re shqiptare, "neo-shqiptarizmin".

Autorja në funksion të veprës së saj, ka hulumtuar imtësisht në periodikë me emër të asaj kohe si: "Demokratia", "Neo-shqiptarizma", "Illyria", "Minerva" dhe "Përpjekja shqiptare" ku këta personalitete i shpalosën idetë e tyre neoshqiptare dhe, nëpërmjet tyre, synuan të ofronin gjetjen e shtigjeve të reja të rrugëtimit drejt Evropës.

Libri sjell argumente se si neoshqiptarizmi lindi në fund të viteve ‘20 dhe u zhvillua më tej në vitet ‘30. Autorët më në zë të kësaj rryme të të menduarit filozofik dhe politik, në fillim, nuk pretendonin se angazhimi i tyre të kishte karakter politik, por para së gjithash, konsideronin se neoshqiptarizmi do t‘u shërbente shqiptarëve si udhërrëfyes drejt botës së lirë dhe Perëndimit. Teoritë e tyre ata i ndërtonin mbi përkufizime sociologjike. Në kërkim të identitetit politik kërkoheshin metodat më të përshtatshme në një kohë të mëkëmbjes së shtetit shqiptar.

Edhe pse neoshqiptarizmi në themelet e tij e kishte kombëtaren, ishte edhe lëvizja më e rëndësishme mendore e kohës, megjithatë bazohej në idetë pozitiviste të Ogyst Kontit e të Emil Dyrkheimit. Pozitivizmi ishte i afërt për intelektualët shqiptarë për arsye se i afirmonte idetë për përhapjen e shkencës dhe të kulturës. Këto ide, që ishin kundër mbeturinave të feudalizmit, neoshqiptarizmi i kishte përfshirë në programin e tij. Atëbotë në Shqipëri zhvillimi shoqëror, kulturor e arsimor ishte në një shkallë tejet të ulët.

Nëse në kohën e Rilindjes ishin poetët që përpiqeshin ta artikulonin kombin, tani në këtë periudhë mendimtarët politikë ishin ata që mundoheshin ta bënin të pashlyeshme në kokat e shqiptarëve idenë për kombin dhe në këtë mënyrë t‘i kundërviheshin të keqes, resë ndjellakeqe bolshevike që vinte nga Lindja e që pretendonte ta përfshinte gjithë Evropën.

Për ta kuptuar se nga duhej shkuar dhe cila rrugë duhej zgjedhur, ishte e domosdoshme që shqiptarët ta mësonin e ta kuptonin se kush ishin ata vetë. Shqipëria ishte në cep të një honi të thellë të akulturimit dhe çdo gjë duhej të fillonte nga e para. Në vitin 1927 "Analfabetizmi mjesuer në Shqypni mrrin deri në 84%", shkruhet diku ato vite.

Mendimet se cila rrugë duhej zgjedhur për të shkuar drejt emancipimit dhe qytetërimit të vendit ishin të ndryshme: disa mendonin se populli shqiptar duhej të zhvillohej me energji dhe guxim, duke i përvetësuar metodat e qytetërimit, ashtu që të mos mbetet në periferi të kombeve të zhvilluara. Ndërsa disa të tjerë, numri i të cilëve ishte më i madh, mendonin se zhvillimi i shpejtuar do të ishte i dëmshëm për vendin dhe për popullin.

Shqipëria po e kërkonte rrugën e vet dhe në këtë kërkim kishte ngecje. Ajo po mundohej që ta ndërtonte mbretërinë e saj, ngase, për të qenë pjesë e Evropës, konsideronte se duhej ta kishte edhe një formatim shoqëror dhe politik të ngjashëm me atë të gjitha vendeve që e rrethonin. Kjo ishte shumë e vështirë të realizohej në vendin ku ishin të mëdha përçarjet ndërmjet krahinave, fiseve dhe intelektualëve që pretendonin t‘i takonin Shqipërisë, por të cilët doemos donin që krahina, apo fisi i tyre, të ishte "në krye të vendit". Në këtë katrahurë kërkimesh, çalimesh, rëniesh dhe ngritjesh u desh të kalonin dy dekada pas pavarësimit të vendit, që të "flisnin" shqip poetët e vlerave evropiane. (Përkthehen poetë italianë nga Ernest Koliqi). Sado që këto përkthime kishin vlerë të madhe për shkëputjen e lidhjeve që robëria shumëshekullore i kishte krijuar me mendësinë e Lindjes, qasja e tillë bartte edhe rrezikun se, ende pa u formuar identiteti kulturor autokton, do të mund të rrëshqiste në një përqafim të identitetit të huaj, në këtë rast atij italian. Pa dyshim, depërtimit të Italisë në Shqipëri i kishte prirë edhe kultura. Ishte shumë vështirë t‘i bëhej ballë kulturës italiane, e cila me vlerat e saj ishte bërë shembull për Evropën. Rrënjët e kulturës evropiane ndodheshin në truallin italian. Renesanca si stuhi kulturore i pati lëkundur dhe i pati rrënuar skemat e të menduarit mesjetar. Dante dhe plejada e shkrimtarëve të tjerë italianë ishin të pëlqyeshëm për të gjithë popujt e civilizuar e si të mos pëlqeheshin edhe nga shqiptarët? Përkthimi i veprës "Poetët e mëdhej t‘Italisë" nga Ernest Koliqi, sado që duhet të çmohet për vlerat që po shpaloseshin para popullit gjysmanalfabet shqiptar, ato, qoftë me dëshirë të autorit, qoftë pa të, ishin njëkohësisht edhe një karrem i rrezikshëm. Pavarësia e shtetit shqiptar ishte e brishtë dhe për ta penguar shkrirjen e saj në kultura më të përparuara, përkatësisht asimilimin në kultura më të fuqishme, lypsej që, krahas respektit për kulturat drejt të cilave aspironte populli shqiptar, të ruhej e të zhvillohej kultura kombëtare.

Branko Merxhani, me ndarjen e konceptit kulturë nga koncepti civilizim, dëshiron të lirohet nga frika që lind nga përqafimi i civilizimit evropian, që ishte një proces i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Ai me këtë ndarje synon ta mbrojë kulturën kombëtare, e cila, duke mos i pasur institucionet shtetërore të profilizuara që do të merreshin në mënyrë institucionale në mbrojtje të kulturës shqiptare, do të shkrihej në valët asimiluese të civilizimit evropian. Mburojë nga humbja e identitetit do të ishte forcimi i kulturës kombëtare. Ai mendon se vetëm duke u mbështetur fort në këto dy kahe të rrafshit të përbashkët të të jetuarit mes shteteve që më parë e kishin fituar pavarësinë, apo që kurrë nuk e kishin humbur atë, do të ishin njëmend pjesëtarë të denjë të Evropës. Duke e aspiruar Evropën, ai synonte që njëherë e përgjithmonë t‘i këpuste lidhjet shekullore që e rëndonin kulturën shqiptare, që ishin bërë barrë e së kaluarës së robërisë, të cilën e kishin shqitur fizikisht, ndërsa tani kërkohej ta shqisnin edhe nga aspekti kulturologjik.

Grupi tjetër që promovonte diçka të ndryshme nga ajo që lidhet me kombëtaren ishin ata, të cilët, pa e rrënuar kombëtaren, por duke mos e përmendur atë, i lavdëronin dhe i madhëronin vlerat e ardhura nga bota. Sado që është vështirë të parandalohet një veprim i tillë në vendet e prapambetura, insistimi për promovimin e vlerave të huaja, pa një këmbëngulje të njëjtë për promovimin dhe mbështetjen e vlerave kombëtare, krijon një hapësirë të volitshme për t‘u anashkaluar kombëtarja. Gjëra të tilla po ndodhnin në Shqipëri dhe pikërisht këto veprime ishin të mbështetura edhe nga Ministria e Arsimit.

Pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri shqiptar, edhe gjuhës shqipe iu hapën rrugë të reja të zhvillimit.

Në këtë kohë trajtohen me kompetencë nga autoritete gjuhësore të kohës dhe nga gazetarë e redaktorë revistash një numër i madh problemesh gjuhësore e jashtëgjuhësore, që kanë të bëjnë, në rend të parë, me të ardhmen e gjuhës shqipe dhe me njësimin e saj - nevojë e shprehur qartë qysh në programin e Rilindjes - po edhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me normën e drejtshkrimin, probleme këto të iniciuara e të diskutuara me seriozitet që nga "Komisia Letrare" e Shkodrës dhe nga Kongresi Arsimor: i Lushnjës.

Çështja - gegërishtja apo toskërishtja - zuri vend në këto debate.

Por, fatkeqësisht, lufta për mbizotërimin e njërit dialekt ndaj dialektit tjetër, jo rrallë, niste dhe përfundonte në shqyrtime jashtëshkencore.

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore në Shqipëri dhe në botën e jashtme, dolën një numër i konsiderueshëm gazetash dhe revistash, të cilat përcillnin jetën politike, shoqërore e kulturore të vendit. Numri i tyre ishte i madh, por me këtë rast do t‘i përmendim vetëm më të rëndësishmet prej tyre, siç ishin: "Minerva", "Ora", "Illyria", "Drita", "Zani i Naltë", "Demokracia", "Hylli i dritës", "Leka", "Tomori", "Bashkimi i Kombit", "Fryma", "Fashizmi", "Tomori i vogël", "Bota e re", "Përpjekja shqiptare", "Dielli", "Kombi", "Albania", "Drita" e shumë të tjera. Këto ishin organe të specializuara, me përmbajtje politike, shoqërore, fetare e letrare.

Në këto vite shtypi vazhdon traditën e periudhave të mëparshme, por tash në kushte dhe në rrethana të reja, gjithashtu edhe me preokupime e tema të tjera.

Viti 1922 është vit i ngjarjeve të mëdha në Shqipëri: shtypet Kryengritja antiqeveritare e Marsit, njihet qeveria shqiptare nga qeveria e SHBA-së, shpallet Kisha Ortodokse Autoqefale, Ahmet Zogu formon qeverinë, Avni Rrustemi formon shoqërinë "Bashkimi" dhe e fillon botimin e gazetës me të njëjtin emër, shpallet statuti i ri i Shqipërisë i quajtur Statuti i Zgjeruar i Lushnjës. Të gjitha këto flasin se, pikërisht ky vit ishte i ngjeshur me ngjarje të njëpasnjëshme dhe të rëndësishme për fatin e kombit.

Në këtë kontekst zhvillimesh, shtypi duhej ta luante rolin e informuesit objektiv dhe të bëhej ndërgjegje e kombit. Kjo gjë në shumë raste nuk ndodhi. Ata që shkruanin, në vend se t‘i kishin orientim interesat e popullit, i merrnin parasysh interesat vetjake dhe të grupimeve të ndryshme, të cilat i përfaqësonin e i mbronin.

Kjo mendësi bashibozuke, që e vinte mbi interesin e shtetit shqiptar atë personal apo grupor, ishte karakteristikë e shtresës së re politike që po lindte në Shqipëri, e cila lëngonte nga sëmundja e trashëguar e robit, sipas së cilës, para se të projektohej ardhmëria e shtetit, synohej që nga ajo "ardhmëri", ende e paformuar, ta nxirrte dobinë për vete.

Kjo kohë ishte e mbarsur edhe me probleme të tjera, të cilat, në këtë pështjellim, ku qeni të zotin s‘e njihte, e bënin të pamundur që shtypi të ndikonte dhe ta ndërronte kahun e interesave të grupimeve të ndryshme.

Këshillat që u jepeshin gazetarëve dhe redaktorëve nga ana e inteligjencës së kohës kishin për qëllim orientimin e drejtë të shtypit. Këshillimi se çka dhe si duhej të shkruhej, bëhej me qëllim që edukimi dhe informimi i popullit të ishte më i shpejtë si proces dhe më i mirë si vlerë.

Fishta e sheh gazetarinë si rrugë të mirë për ta vetëdijesuar popullin, për t‘ia ndriçuar mendjen. Ai, duke kërkuar saktësi dhe gazetari mbi baza morale etike, dëshiron që shqiptarëve, të cilët dinë shkrim e lexim, të mos u errësohet mendja me thashetheme dhe broçkulla të mëhallëve, të mos u rrënohen vlerat aq të nevojshme për një shoqëri të shëndoshë.

Megjithatë, roli i shtypit në periudhën ndërmjet dy luftërave, me tërë kompleksitetin e tij, me të gjitha zigzaget, rëniet dhe ngritjet, ka qenë i madh.

Konteksti historik e shoqëror ka ndikuar që kjo kohë të karakterizohej për prurje të ideve të mendimit filozofik evropian me të cilat autorët shqiptarë mëtonin ta vetëdijesojnë popullin shqiptar.

Shtypi, me organet e veta, u bëri jehonë mendimeve të kohës dhe ideve më të përparuara që intelektualët shqiptarë i sillnin nga Evropa.

Problemet e mëdha historike e shoqërore u ndriçuan dhe, njëkohësisht, u ofrua edhe vizioni perëndimor për orientim politik të Shqipërisë, e cila, për pesë shekuj u ishte nënshtruar të gjitha llojeve të robërisë.

Periudha ndërmjet dy luftërave botërore, për nga rëndësia politike, shoqërore e kulturore, ishte e veçantë, sepse atëbotë po hidheshin themelet e shtetësisë shqiptare dhe themelet e evropeizmit të tij. Inteligjencia e brezit të viteve ‘30 ishte shkolluar në vendet evropiane, ku ishin të dëshmuara vlerat kulturore. Shumë intelektualë, nëpërmjet përkthimit të kryeveprave të letërsive të vendeve prej nga vinin, synonin ta pasuronin edhe kulturën shqiptare, e cila atëbotë ishte në fillimet e veta.

Përkthyesit, të cilët lanë gjurmë në këtë periudhë e që edhe sot e kësaj dite shquhen me cilësi të përzgjedhjes dhe përpikëri të përkthimit, ishin: Fan. S. Noli, Faik Konica, Tajar Zavalani, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Vangjel Koça, Lumo Skendo etj. Ata ia dolën që Shqipërisë, e cila sapo i kishte braktisur shekujt e errësirës, t‘ia ofrojnë, në gjuhën shqipe, disa nga kryeveprat e autorëve botërorë (sikurse ishin ato të Shekspirit, Tolstoit, Kajamit, Petrarkës, Dantes, Tasos, Hygos, Manzonit, Gëtes...), duke dëshiruar që këta autorë, popullit të robëruar shqiptar, t‘i bëheshin referenca ideore, morale dhe estetike dhe t‘i ndihmonin atij ta gjente rrugën drejt emancipimit të vet.

Gjuhëtarë, shkrimtarë, kritikë letrarë, kush më shumë e kush më pak, janë marrë me probleme të përkthimit dhe të gjithë janë munduar që çështjen e përkthimit, aq e rëndësishme për kulturën e një kombi e veçanërisht në këtë rast, pra të kombit shqiptar, ta përkufizojnë dhe ta analizojnë si për nga shumësia e përkthimeve, ashtu edhe për nga cilësia e tyre. Ata i kanë bazuar këto analiza në interesimet e tyre dhe janë munduar që ato të jenë në pajtueshmëri me teoritë e përkthimit që i kanë njohur.

Janë me vlerë mendimet e disa autorëve që i kanë njohur dhe i kanë çmuar vlerat e komunikimit ndërmjet popujve; që e kanë njohur nivelin e zhvillimit të letërsisë së vendit dhe nevojën për pasurimin e saj me vlerat botërore; që e kanë njohur nivelin e zhvillimit kulturor të popullit, interesimin e tij dhe kanë preferuar vepra të autorëve, sidomos të atyre klasikë, të cilët do të bëheshin pikë referuese për emancipimin e gjithmbarshëm të tij. Janë këta poetë me talent, eruditë, si dhe njohës të gjuhëve të huaja, të cilët janë marrë me përkthime dhe me çështje të përkthimit, si: Fishta, Xhuvani, Mjeda, Konica e të tjerë, të cilët u munduan që opinionit kulturor dhe atij letrar t‘ua ofrojnë mendimet dhe idetë e tyre, të cilat shpresonin se do t‘u ndihmonin, përkthyesve e gjuhëtarëve, që veprat e përkthyera të kishin nivelin e duhur gjuhësor, letrar dhe përmbajtjesor.

Këto shkrime përfaqësojnë një aspekt të dijes dhe të përvojës praktike mbi artin e përkthimit, të cilat do të mund t‘u ndihmonin dhe t‘u shërbenin si përkthyesve ashtu edhe kritikëve të përkthimit.

Nga shpallja pavarësisë e gjer në fillimet e viteve ‘20 letërsia shqipe zhvillohet kryesisht si vijim i letërsisë së periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Poezia ende mbetet gjinia më e zhvilluar. Përpos motivit patriotik që zë vendin kryesor, tani edhe motive tjera fillojnë të gjejnë vend në poezinë e kësaj kohe.

Këtë prodhim letrar e ndjek edhe kritika letrare, e cila ishte në fillimet e saja dhe si e tillë mund të themi se i bënte edhe gabimet e para. Vepra letrare analizohej kryesisht nga pikëvështrimi ideologjik i autorit.

Shqipëria e asokohshme ishte një vend që po trokiste në dyert e Evropës, madje edhe me mënyrë të prezantimit të kundërvënieve intelektuale. Nga këto pozicionime të ndryshme të kritikëve lidhur me veprën e Lasgush Poradecit del edhe një domethënie tjetër: inteligjencia e Shqipërisë po fillonte të pozicionohej në mendësi të ndryshme që ishin karakteristikë e kohës, në të cilën po jetonte Evropa. Inteligjencia shqiptare, që ishte zhvilluar apo ushqyer me idealet e filozofisë frankofone, e parapëlqente lirinë e të menduarit të formësuar në art. Ky parapëlqim i thyerjeve të ideve, përzierjes së reales me jorealen, ngritjes së njeriut në nivel të zotit, binte ndesh me një njëmendësi tjetër, që gjithashtu po lindte në Evropë, e që te prijës shihte poetin. Kjo mendësi, për të mos thënë kjo filozofi, e cila prijësin e shihte diku tjetër, ishte djepi që më vonë do t‘i lindte nacional-socializmin dhe nazizmin.

Proza që botohej ndërmjet dy luftërave botërore në Shqipëri, si një gjini më e përparuar e të shprehurit artistik, u ofronte mundësi më të mirë kritikëve që, nëpërmjet analizave kritike bërë veprave letrare të flisnin sa për veprat aq edhe për rrethanat e përgjithshme kulturore dhe sociale. Ishte një plejadë e re kritikësh, të cilët mendimet e tyre i artikulonin mbi veprat e reja që dilnin atëkohë në Shqipëri. Në ato shkrime kritike përvijohej një mendësi e përbashkët, që kishte për qëllim parandalimin e ideve, të cilat ata i vlerësonin si rrënuese për Shqipërinë e asokohshme.

Dëshira e madhe për t‘u bërë sa më parë pjesë e botës perëndimore sikur ngjall një frikë se, ende pa i përforcuar themelet e shtetit shqiptar dhe të mentalitetit të ri evropian, mund të ketë pasoja nga përqafimi i rrymave letrare evropiane, pa pasur një kujdes meritor për kohën dhe për gjendjen social-kulturore e politike që e kishte Shqipëria. Në dekadat e para të shekullit XX në Evropën e lodhur nga lufta e përgjakshme botërore u lindën rryma të llojeve të ndryshme, ndër të cilat shquhej edhe ajo e mohimit të realitetit. Prandaj, çdo shartim i kësaj mendësie rrënuese në Shqipëri do të kishte pasoja tragjike për mëkëmbjen e shëndetit shpirtëror të popullit shqiptar që po e kërkonte identitetin e tij në rrethana të reja shoqërore e politike.

Shkrimtarët e shkolluar në Perëndim mundoheshin ta mbillnin filizin e dramës dhe të teatrit në truallin e thatë të Shqipërisë, i cili diku i pranonte, por në pjesën më të madhe të vendit i hidhte jashtë si diçka që nuk u takonte atyre. Teatri dhe drama, si gjinia më komplekse e letërsisë, në ato kushte ishte e pamundur t‘i jepnin frytet e dëshiruara.

Një vit pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, kur aparatura ushtarake e mbretërisë së Vitore Emanuelit dhe kryefashistit Musolini mundohej ta thyente shtyllën vertebrore të qëndresës kombëtare të popullit shqiptar; kur Musolini në fjalimet e tij deklaronte "Albania e nell mio cuore" (Shqipëria është në zemrën time) lypsej të gjendeshin vepra letrare dhe krijues, të cilët do ta forconin ndërgjegjësimin kombëtar dhe nuk është për t‘u çuditur se në këtë kohë kujdes të veçantë iu kushtua dy figurave madhore të kulturës dhe letërsisë shqiptare, Naim Frashërit dhe Atë Gjergj Fishtës. Sado që të dy këta kolosë ishin thellësisht me bindje shqiptare, sado që këta dy kolosë të kombit ishin thellësisht shqiptarë, ata ishin edhe përfaqësues të dy feve më të mëdha në Shqipëri, të besimit islam - bektashian dhe atij të krishterë-katolik. Mbështetja në këto dy figura ishte zgjedhje e mirë drejt kërkimit të një rilindjeje të dytë, kur mbi besime fetare qëndronte ndjenja kombëtare.

Lëvizjet letrare, si dhe proceset historike në letërsi në botë zhvillohen përmes manifesteve të ndryshme, programeve, kritikës letrare, apo edhe nga polemikat e vetë shkrimtarëve.

Gjatë viteve ndërmjet dy luftërave botërore në Shqipëri, në mendimin kritik rreth këtyre çështjeve, nuk kemi ndonjë manifest, apo program në të cilin bëhet fjalë për lëvizjet letrare, drejtimet, apo rrymat e reja letrare.

Mungesa e ndonjë manifesti, apo programi në mendimin kritik të këtyre viteve, nuk do të thotë se për këto çështje nuk është diskutuar dhe se këto çështje nuk janë bërë temë shqyrtimi edhe e shkrimtarëve e kritikëve të asaj kohe.

Qasjet e tyre ndaj kësaj çështjeje kanë qenë të ndryshme dhe shpeshherë mendimet rreth kësaj teme, të cilën nuk e kanë trajtuar sa duhet dhe si duhet, kanë qenë të llojllojshme. Mungesa dhe mosnjohja e terminologjisë ka shkaktuar edhe keqkuptime. Termat e fushës së shkencës letrare, si: drejtim letrar, rrymë letrare dhe shkollë letrare janë përdorur në kontekste dhe kuptime të ndryshme. Prandaj, në periodikun e kohës janë të pakta shkrimet e kritikës analitike, që përmbajnë vlerësime të duhura e të cilat janë karakteristikë për studimin e letërsisë. Mungesa e kësaj kritike të mirëfilltë ka qenë sfidë e pakapërcyeshme për historianët e letërsisë, në mënyrë që atë material letrar të kohës ta përpunonin në bazë të kritereve shkencore të historisë së letërsisë. Ç‘është e vërteta, në këtë situatë të përgjithshme të mendimit kritik, përveç shkrimeve informative dhe thjesht gazetareske lidhur me krijimet letrare, në periodikun shqiptar të kohës ka pasur edhe autorë, të cilët me shkrimet e tyre e kanë vlerësuar, qoftë veprën e një shkrimtari, apo edhe veprën e tij në tërësi.

Në disa nga këto shkrime hetohet përdorimi i metodave të ndryshme analizuese në varësi nga përgatitja e autorit dhe nga njohuritë e tij për letërsinë e për kritikën letrare. Në të shumtën e rasteve mbizotërojnë kritika pozitiviste, ekspresioniste dhe ajo impresioniste. Autorë të parapëlqyer, në të cilët mbështeten kritikët e kësaj kohe, janë: Sente Bevi, Hypolit Teni e sidomos Benedeto Kroçe. Edhe pse këto shkrime janë të një niveli më të lartë, në raport me shkrimet informative për letërsinë, apo ato polemizuese, gjithsesi nuk arrijnë ndonjë nivel që vlen të veçohet.

Veprat për të cilat shkruhet nuk analizohen në bazë të qasjeve dhe shpjegimeve, përshkrimeve dhe vlerësimeve, të cilat janë karakteristike për studimin e letërsisë. Por, sido që të jetë, në këtë grup bëjnë pjesë shkrimet që janë një përpjekje për ta analizuar, për ta shpjeguar fenomenin e letërsisë, ndikimin e saj, si dhe që atë letërsi t‘ia ofrojnë lexuesit në mënyrë sa më të qartë.

Është me rëndësi të thuhet edhe fakti se në këto shkrime autorët e tyre bëjnë njëfarë përndarjen e prodhimit letrar në përgjithësi. Flitet për letërsinë e vjetër, Rilindjen Kombëtare dhe letërsinë e re, siç e quajnë letërsinë e krijuar atëkohë. Disa autorë e mohojnë në përgjithësi letërsinë e vjetër, duke ia pranuar asaj vetëm disa vlera të rëndësishme gjuhësore. Si kufi të periudhave merren ngjarjet dhe datat historike. Sipas tyre, Rilindja Kombëtare lidhet me ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit, ndërsa letërsia e re nis me pavarësinë dhe vitin 1912. Periodizimi i letërsisë, në bazë të ngjarjeve historike, nuk është treguar si periodizim i vlershëm, sepse letërsia nuk matet me data, por me mendësi dhe me vlera.

Këtë periudhë e mbylli një periudhë tjetër. Shqipëria ende pa u konsoliduar si duhet, e dalë nga pushtimi nazifashist, u ballafaqua me një pushtim të ri që ishte pushtimi komunist, që i lëvizi përmasat e vlerave, të cilat, duke mos pasur një bazament të fuqishëm, humbën tërësisht.

Për fat të keq, komunizmi iu imponua Shqipërisë, por edhe gjeti truall të përshtatshëm në popullin e pangritur dhe kështu e futi nën pranga për pesë dekada një kapitull të historisë më të re, duke tentuar që edhe një herë, pas Perandorisë Osmane t‘ia ndërronte identitetin popullit shqiptar.

Megjithatë, mund të përfundohet se periudha ndërmjet dy luftërave botërore, sikundër në shumë sfera të tjera, edhe në planin e mendimit kritik përbënte një zenit kundruall periudhës pararendëse, por, për shumëçka, edhe kundruall asaj prapavajtëse. Përveç pluralizmit të pikëpamjeve, përveç shtrirjes së mendimit kritik në shumë sfera të jetës, mund të pohohet se arritja më e madhe në këtë kontekst është niveli i lartë i shprehjes së pikëpamjeve. Duke ia ofruar mendimin shqiptar mendimit evropianoperëndimor kjo periudhë, pa dyshim, shënon njërën ndër etapat më të ndritshme të zhvillimit kulturor shqiptar.

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama