Austria Gjermanet jane nen presion
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
“Ka ardhur koha që ne lojtarët e rinj të përsërisim edhe një herë ndeshjen e Kordobës, kur Kombëtarja austriake eliminoi gjermanët nga botërori”, - ka thënë kapiteni i përfaqësueses austriake, Andreas Ivanshitz. “Ndoshta mund të bëjmë një tjetër çudi”, - ka deklaruar ishtrajneri i përfaqësueses së Austrisë, Hans Krankl, i cili ka qenë një nga heronjtë e asaj fitore 3-2 në Argjentinë. Një komb i tërë qëndron pas skuadrës së trajnerit Josef Hikersberger për ndeshjen e ditës së hënë kundër Gjermanisë. Sulmuesi Martin Harnik, i cili qe edhe autori i tri rasteve të pastra për shënim në ndeshjen kundër Polonisë, ka theksuar se është pikërisht përfaqësuesja gjermane ajo që gjendet nën presion, dhe jo ajo austriake. “Pas humbjes së pësuar kundër Kroacisë, gjermanët janë tri herë më shumë se ne nën presion. Ne të paktën kemi arritur diçka, ndërsa ata tani do të kritikohen ashpër nga media vendëse”, - ka thënë sulmuesi 20-vjeçar Harnik për sfidën e së hënës ndaj Kombëtares gjermane. Ndërkohë që kreu i pankinës, Josef Hikersbeger, është i bindur se skuadra e tij do ta shfrytëzojë mjaft mirë këtë shans që i ka ardhur në dorë: “Padyshim që është jashtëzakonisht e vështirë të fitosh një ndeshje finale si ajo e ditës së hënë kundër Gjermanisë. Në përballjen Gjermani-Kroaci, këta të fundit kishin mbledhur të gjitha forcat për të fituar. Ndërkohë që ne do të jemi përballë Gjermanisë në një formë shumë të mirë, pastaj të shohim se çfarë do na dalë”. Kurse autori i golit të barazimit me Poloninë, Ivica Vastiç, tha: “Gjermanët janë të goditur moralisht dhe çdo gjë është e hapur. Të hënën do të shohim se kush i ka nervat më të qeta”.
PanoramaSport