Revolta antiqeveritare ne ushtri

Në kushtet kur përpjekjet e qarqeve patriotike shqiptare për të siguruar aleatë në grupin e shteteve evropiane dhe të atyre ballkanike nuk dhanë fryt, kur edhe përçapjet për një aleancë me lëvizjen bullgaro-maqedone (verhoviste) nuk gjetën mbështetje në Sofje, udhëheqësit e kryengritjes u përpoqën të shfrytëzonin, jo pa sukses, luftën politike për pushtet ndërmjet xhonturqve e kundërshtarëve të tyre politikë. Kjo nuk ishte e lehtë të arrihej dhe përbënte një çështje mjaft delikate, sepse mbartte pasoja komprometuese, të rrezikshme për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Komitetet shqiptare zhvilluan midis ushtarëve dhe sidomos midis oficerëve të trupave osmane një agjitacion të dendur kundër Komitetit “Bashkim e Përparim”. Në këto kushte nisi bashkëpunimi me shoqëritë e fshehta, që vepronin në radhët e ushtrisë osmane dhe që drejtoheshin nga “Grupi i oficerëve shpëtimtarë” (“Halasqar zabitan gurubu”), si dhe me partinë opozitare “Hyrriet ve Ittilaf” (“Liri dhe marrëveshje”). Në Rumeli pothuajse të gjithë oficerët shqiptarë ishin pjesëtarë ose simpatizantë të “Grupit të oficerëve shpëtimtarë”.
Kryengritja shqiptare ndikoi, nga ana e saj, në çorientimin e paralizimin e ushtrisë, që u shoqërua me dezertimin e ushtarëve dhe të oficerëve, madje edhe me revoltat e tyre kundër qeverisë xhonturke.
Më 21 qershor të vitit 1912 një grup oficerësh e ushtarësh (8 oficerë dhe 140 ushtarë) të batalionit të parë të regjimentit të 49-të të këmbësorisë, të udhëhequr nga oficeri shqiptar Tajar Tetova, i njohur për ndihmesën e madhe që kishte dhënë në fitoren e Revolucionit xhonturk (1908), lanë kampin pranë Manastirit dhe dolën në mal. Së bashku me Tajar Tetovën dolën në mal edhe oficerë të tjerë shqiptarë, si Xhelal Preveza, Kasem Kolonja, Melek Kolonja (Frashëri), Ahmet Bejtaga (Kavaja) e të tjerë. Më pas me kryengritjen u bashkuan reparte të tëra, si batalioni që komandohej nga major Xhenabi Adili nga Gjakova.
Në Dibër pati gjithashtu ushtarakë që u bashkuan me kryengritjen. Në këtë ndikoi shtrirja e kryengritjes në këtë sanxhak. Komiteti i fshehtë i klubit të Dibrës, sipas udhëzimeve që pati marrë nga Klubi qendror i Manastirit, vendosi të hidhej në kryengritje, jo vetëm “për me kërkue lirinë e mësimit të gjuhës sonë, por, - siç shprehej Ismail Haki Peqini që ishte atje me shërbim, - për me ngritë flamurin kuq e zi”. Rreth 50 veta nga qyteti e rrethinat, nën komandën e Dan Camit, u tubuan tek Ura e Spilës. Me ta u bashkuan edhe oficerët Ismail Haki Deveja, Ismail Haki Libohova dhe Ibrahim Gjakova.
Të arratisurit, që i takonin Korpusit të 7-të, ishin, sipas burimeve diplomatike e konsullore të kohës, “të gjithë shqiptarë”. Lëvizja kundërqeveritare përfshiu edhe forcat e xhandarmërisë. Kështu nisi në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane ai që u quajt “revolucioni ushtarak”.
Shtabi i Korparmatës së Manastirit formoi reparte të veçanta për ndjekjen e të arratisurve. Ndërkaq autoritetet e vilajetit u detyruan të kërkonin zëvendësimin e oficerëve dhe sjelljen e forcave të reja ushtarake nga Anadolli. Më 1 korrik arriti në Manastir nga Dardanelet Divizoni IV i nizamëve.
Në shpalljen që oficerët e arratisur publikuan më 21-22 qershor, demaskonin regjimin antikushtetues e çnjerëzor të xhonturqve që po shkatërronte Perandorinë, si dhe “zullumin”, politikën e padrejtësive dhe të terrorit, që ata po ushtronin prej vitesh në Shqipëri. Këto ishin arsyet që ushtarakët e arratisur u solidarizuan me bashkatdhetarët shqiptarë, “të cilët, - siç thuhej në shpallje, - kanë ngritur krye për të treguar atdhetarizmin e tyre dhe vetëmohimin patriotik kundër të gjithë atyre që i kanë sjellë vendit gjithë ato të këqija”. Ushtarakët kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, shpërndarjen e parlamentit dhe dekretimin e zgjedhjeve të reja, dërgimin në gjyq të personaliteteve më të larta qeveritare, ushtarake e politike xhonturke, si Ibrahim Hakiu, Mahmut Shefqeti, Said e Rifat Pasha, Talat e Xhavit Beu, si edhe shefi i shtabit të përgjithshëm. Ata deklaruan se pa u plotësuar këto kërkesa nuk do t’i lëshonin armët.
Këto kërkesa të ushtarakëve të arratisur ishin larg programit të kryengritjes shqiptare. Ndryshe nga oficerët e arratisur, kryengritësit shqiptarë, siç kishin vendosur në Kuvendin e Junikut, nuk luftonin si opozita itilafiste për rrëzimin e një “kabineti të keq” dhe për zëvendësimin e tij me një “kabinet të mirë”. Por edhe disa oficerë, pjesëmarrës të lëvizjes opozitare në radhët e ushtrisë, kishin pranuar të përfshihej në programin e tyre edhe një nen i veçantë në të mirë të shqiptarëve, që të parashikonte të paktën njohjen e disa privilegjeve për ta. Mbi këtë bazë në radhët e tyre u bë një debat i ashpër rreth një programi të përbashkët ndërmjet shqiptarëve dhe opozitës ushtarake (ku kishte edhe elementë nacionalistë ekstremë), në të cilin të përfshiheshin edhe kërkesa të tilla si zbatimi i decentralizimit administrativ dhe njohja e autonomisë për shqiptarët. Por drejtuesit e lëvizjes opozitare ushtarake nuk i pranuan kërkesat kombëtare të shqiptarëve.
Ndryshe nga këta ushtarakët shqiptarë ndiqnin “qëllime thjeshtësisht nacionaliste”, shqiptare, dhe ishin në lidhje të ngushtë me krerët e kryengritjes në Shqipërinë e Veriut, si dhe me lëvizjen në krahinat e Toskërisë. Ndërkaq, opozita, megjithëse synonte ta shpëtonte vendin nga sundimi i Komitetit Xhonturk, kërkonte të mbante në këmbë Perandorinë Osmane dhe në kuadër të saj edhe panturkizmin e osmanizmin. Megjithatë, qarqet politike e ushtarake opozitare kërkonin të përfitonin nga kryengritja shqiptare për të rrëzuar nga pushteti xhonturqit.
Edhe qëndrimi i udhëheqjes së kryengritjes shqiptare kundrejt opozitës itilafiste e sidomos ndaj asaj ushtarake ishte nën ndikimin e fuqishëm të dy faktorëve: të gjendjes së keqe materialo-ushtarake e financiare të kryengritësve dhe të zhvillimit të ecurisë së bisedimeve ndërmjet shteteve ballkanike për vendosjen e një aleance politiko-ushtarake që rrezikonte tërësinë e trojeve shqiptare. Në këto kushte edhe kuadrot ushtarakë shqiptarë, nismëtarë të revoltës në radhët e ushtrisë, u detyruan të bashkëpunonin me kundërshtarët e tjerë politikë të xhonturqve, sipas një platforme të kufizuar. Kështu u pranuan vetëm disa lëshime për shqiptarët, siç ishin: të ktheheshin armët e mbledhura; të shpallej amnisti e përgjithshme, e cila do të përfshinte të gjithë të dënuarit politikë e ordinerë të rajoneve të tyre; të mos dërgoheshin shqiptarët në vende të tjera për kryerjen e shërbimit ushtarak; të paguheshin paratë për rregullimin e shtëpive të shkatërruara gjatë operacioneve ushtarake të tanishme dhe të mëparshme; të merreshin anëtarë të komisioneve të pajtimit të gjaqeve edhe vendas; të hapeshin nëpër vende të ndryshme rrugë dhe të ngriheshin shkolla etj.
Rrethet atdhetare shqiptare brenda e jashtë vendit mbajtën një qëndrim kritik kundrejt kësaj marrëveshjeje. Gjithësesi, pika e marrëveshjes për zbatimin e politikës së decentralizimit administrativ të Perandorisë Osmane, e pranuar edhe nga opozita ushtarake turke, kuptohej nga rrethet atdhetare shqiptare si një hap përpara drejt realizimit të autonomisë shqiptare.
Komitetet e fshehta shqiptare punuan për të bindur oficerët turq që të fusnin në programin e tyre edhe kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, ose, të paktën, njohjen e privilegjeve të tyre të kahershme. Këto kërkesa nuk u pranuan nga opozita që vijoi përpjekjet për t’i dhënë fund krizës politike në vend nëpërmjet programit të saj të moderuar. Edhe pas kësaj komitetet shqiptare hynë në bisedime me opozitën ushtarake për të vendosur një program të përbashkët. Por edhe opozita ushtarake, ashtu si lëvizja opozitare, e kryesuar nga itilafistët, ishte kundër autonomisë së Shqipërisë.
Përballë zgjerimit të lëvizjes opozitare në radhët e ushtrisë osmane udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë dhe në vise të tjera nuk e patën të lehtë që në këto bashkëbisedime të arrinin në pranimin e programit të tyre kombëtar të miratuar në Kuvendin e Junikut.
Ndërkohë, qeveria vazhdoi të merrte masa për të shtypur kryengritjen shqiptare dhe revoltën e ushtarakëve. Emërimi i Xhavit Pashës si komandant i përkohshëm i Korparmatës së 6-të, dëshmonte për vazhdimin nga qeveria të një politike të ashpër.
Të ndodhur përpara një ushtrie osmane prej më shumë se 60 mijë vetash dhe përballë qëndrimesh intransigjente të opozitës, krerët e kryengritjes shqiptare, për të arritur bashkëpunimin e të gjitha forcave kundër qeverisë xhonturke, u tërhoqën përkohësisht nga platforma e miratuar në Junik. Në fund të qershorit ata botuan në gazetën “Ikdam” një deklaratë të nënshkruar ndërmjet të tjerëve edhe nga Riza Gjakova, Hasan Prishtina, Jahja Prizreni, Isa Boletini e të tjerë, e cila ishte hartuar në frymën e kërkesave të opozitës. Pasi theksonin lidhjet e tyre me Perandorinë Osmane dhe me Kalifatin, ata shpallnin se ishin ngritur për të mbrojtur “konstitucionin e vërtetë”, që ishte qëllimi i përbashkët i të gjitha forcave opozitare në Perandorinë Osmane. Në deklaratën e krerëve të kryengritjes së Kosovës thuhej gjithashtu se shqiptarët qenë të detyruar t’u drejtoheshin armëve për shkak të nevojës që kishte vendi për disa ligje, në përputhje me kushtet e veçanta. Me këto ligje nënkuptohej edhe plotësimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve kryengritës. Megjithatë, as ato dhe as kërkesa e autonomisë së Shqipërisë nuk përmendeshin në këtë deklaratë.
Qëndrime të tilla, edhe pse të detyruara nga rrethana e synime të caktuara, mbartnin me vete rrezikun e identifikimit si të lëvizjes opozitare të ushtarakëve shqiptarë, ashtu edhe të kryengritjes së armatosur të shqiptarëve me lëvizjen e përgjithshme opozitare itilafiste.
Komitetet e atdhetarët shqiptarë me të drejtë shprehën shqetësimin se bashkëpunimi sipas kësaj platforme do të bënte që programi itilafist të mbulonte ose të errësonte programin kombëtar të kryengritësve shqiptarë. Për këtë shqetësim bënte fjalë edhe Luigj Gurakuqi, kur shkruante në gazetën “Liri e Shqipërisë” më 10 korrik 1912, se “Mund ta ndihmojmë, në qoftë se na duket mirë, lëvizjen ushtarake që të rrëzojmë armikun e përbashkët..., por duke vënë në krye ... Shqipërinë tonë të fortë e të lirë, me kufi të shquar e me gjuhë e me zakone të njohura e të nderuara”.
Pas deklaratës së udhëheqësve të kryengritjes në Kosovë opozita ushtarake vendosi t’i përkrahte ata dhe të ndikonte mbi repartet ushtarake turke që edhe këto të bashkoheshin me kryengritësit. Por xhonturqit kishin ende forca ushtarake besnike, që u bënë qëndresë të ashpër kryengritësve shqiptarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama