Regjistroni domainin tuaj .al

Gjahtarët e nazistëve kthehen në historianë

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Gjahtarët e nazistëve kthehen në historianë
Gjahtarët e nazistëve kthehen në historianë

"Është e vështirë të vazhdosh të mbash ende prokurorë në këtë institucion të drejtësisë", thotë Kurt Shkrim, i cili është numri një i departamentit të akuzës kundër kriminelëve nazistë të luftës. "I paralajmëroj se shanset për të goditur në shenjë dhe për të gjetur ndonjë pre të asaj epoke janë zvogëluar shumë. Të dyshuarit janë shumë të moshuar. Më mirë duhet parë si një mundësi për të zbuluar fakte të reja e për të shpjeguar çfarë ndodhi gjatë asaj periudhe".

Për shumë gjermanë, hetimet për të zbuluar lidhjet e familjarëve të tyre me nazizmin kryhen në një qytet të vogël të Ludvigsburgut. Bodrumet e atij që përpara shumë vjetësh ka qenë burg, janë plot e përplot me të dhëna e dokumente. Gjithçka e ka zanafillën te kartat e indeksit, të cilat janë me qindra e mijëra. Çdo kartë mban një emër dhe shpesh një listë krimesh të hetuara. Një punonjës arkivash rrëmon mes indekseve për të gjetur emrat që i serviren nga ata njerëz që duan të mësojnë për familjarë që mund të kenë pasur lidhje me nazizmin.

Për Kryeprokurorin Kurt Shkrim, fytyra e një 17-vjeçareje të tillë, në kërkim të së vërtetës për familjen e saj, është po aq mbresëlënëse sa edhe fytyra e të gjyshit, Jozef Shvamberger - "nazistit më brutal", që gjatë gjithë karrierës së vet ka vendosur njerëz pas hekurave.

Lista e krimeve të Shvambergerit në një geto hebrenjsh në Poloni përfshin edhe vrasjen e 40 fëmijëve në një jetimore, si dhe ofrimin e amnistisë së rreme për shumë hebrenj të tjerë që jetonin të fshehur me qëllim që këta të dorëzoheshin vullnetarisht, për t‘i pushkatuar më pas tradhtisht.

Pasi i pagoi 500 mijë marka një informatori, Shkrim arriti t‘i gjente gjurmët e nazistit në Argjentinë, e cila pranoi ta ekstradonte në vitin 1987.

Gjatë hetimeve paraprake dhe seancave të para të marrjes në pyetje, Shvambergeri dukej një i moshuar i përzemërt, njeri që mund të ishte gjysh i mrekullueshëm. I tregoi Shkrimit se i kishte kërkuar ndihmë Papës për t‘i shpëtuar avancimit të forcave aleate pranë fundit të luftës.

Por gjatë rrjedhës së gjyqit u zbulua se bëhej fjalë për një sadist të pashpirt, që kishte arritur në një rast të shtynte qenin e vet që të kafshonte një të burgosur deri në vdekje. Gjatë gjyqit Shkrim kujton se u vizitua nga një vajzë 17-vjeçare.

"Mbesa e tij kish lexuar për gjyshin nëpër gazeta - shumë prej të cilave kishin shkruar gjerë e gjatë për këtë rast - dhe donte të ishte e pranishme për të mësuar nëse qe e vërtetë", kujton Shkrim. "Ishte tronditur thellësisht".

Korrektimi i historisë është kthyer në pjesë të rëndësishme të punës së Eli Rozenbaum, shefit të zyrës së hetimeve speciale pranë Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rozenbaum është bërë i njohur si shkaktari i heqjes së maskave të shumë nazistëve që janë vendosur pa u ndjerë në gjirin e shoqërisë amerikane, madje në disa raste edhe duke gëzuar pozita të rangut shumë të lartë.

Kur Rozenbaum zbuloi Artur Rudolfin në vitet tetëdhjetë, arkitekti i raketave "Saturn V", që dërguan njeriun në hënë, qe bërë një ndër bijtë e adoptuar më të famshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gëzonte statusin e shkencëtarit të madh, por edhe të qytetarit model e me të ardhura të majme.

Por gjatë Luftës së Dytë Botërore Rudolfi kishte drejtuar një fabrikë "ferri" sekrete në Gjermani, ku të burgosurit punoni për ndërtimin e raketave "V-2", të përdorura gjatë bombardimeve naziste. Sipas Rozembaumit, në atë fabrikë punëtorët fatkeqë torturoheshin e vriteshin rregullisht, dhe në një rast qenë detyruar të asistonin varjen në masë të një grupi shokësh.

Me fundin e luftës, Rudolfi dhe të tjerë kolegë të tij u punësuan nga Forcat e Armatosura Amerikane dhe u vendosën nëpër shtëpi të reja në kuadrin e projektit "Paperclip", i njohur më së shumti si operacioni "Overcast".

Në arkivat gjermane Rozenbaum zbuloi një raport të nënshkruar nga Rudolfi, që përshkruante vizitën e tij në një uzinë avionësh, ku shfrytëzohej puna e detyruar e të burgosurve. "Në raport vërente se nga këndvështrimi i sigurisë, zgjidhja qe e përkryer dhe rekomandonte që edhe për ndërtimin e raketave ‘V2‘ të shfrytëzohej krah pune i rekrutuar në kampet e përqendrimit", thotë Rozenbaum.

Pa asnjë mundësi shpëtimi, Rudolfi hoqi dorë nga statusi i qytetarit amerikan dhe u kthye në Gjermani. "Mbaj mend se vdiq ditën e Vitit të Ri", thotë Rozenbaum. "Vitet e fundit të jetës i kaloi me përpjekjet për të rehabilituar emrin".

"Është një prej njerëzve falë të cilit historia është rishkruar", thotë Rozenbaum. "Shumë pak kishin dijeni për këtë aspekt të programit të prodhimit të raketave ‘V2‘".

Thotë se kishte shkuar të shihte me sytë e vet një raketë "V2" në Muzeun Kombëtar të Ajrit dhe Hapësirës në Uashington dhe se nga pamja e saj asgjë nuk tregonte ç‘mizori qenë kryer për ta prodhuar. "Pas atij rasti ndryshuan atë që shkruhej në etiketën shpjeguese të raketës".

Por dërgimi i kriminelëve të luftës përpara organeve të drejtësisë po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe Shkrim e ka përgjigjen ndaj akuzave të qendrës "Visental", gjuetares së nazistëve, sipas të cilave niveli i dënimeve është shumë i ulët.

"Rezultatet janë të ulëta dhe do të përkeqësohen edhe më tej", shpjegon. "Do të zhgënjehen edhe më shumë gjatë këtij viti. Por nuk kanë të bëjnë me aftësitë apo vullnetin tonë. Nuk mund t‘i nxjerr dëshmitarët nga kapela magjike".

Megjithatë shton se rishkrimi i historisë duhet vlerësuar. Shkrim kujton takimin me një grua, e cila kishte humbur gjithë familjen gjatë persekutimeve të Shvambergerit: "Më tha se ua kishte treguar fëmijëve historinë e familjes dhe se kishte pritur për plot 45 vite që nga Gjermania dikush të shfaqte interes për ta dëgjuar. Më tha: Tani mund të vdes në paqe".

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi