Orakulli i Dodones (vazhdim)

Orakulli i Dodonës (vazhdim)

Mali i Tomorit ndodhet në Berat, dhe atje ai ngrihet prej miliona vitesh, shumë kohë se përpara të shkruhej vetë historia njerëzore. Bedoja, siç duket i referohet vetëm kronologjisë së arkeologëve grekë, e cila si fakt, për hatër të së vërtetës, qëndron jo për Dodonën, por për Orakullin e Janinës. Grekët ashtu siç edhe thonë, çmendurisht dëshirojnë që Dodona të ishte 18 km larg Janinës, sepse ajo do të përfshihej brenda territorit të shtetit të tyre. Që kërkimet mbi ekzistencën e Dodonës kanë filluar pranë Janinës nga arkeologu Karapanos në vitin 1873, kjo vërtet që qëndron. Në 1913 arkeologu tjetër G. Sotiriadhis, më pas Evangjeli dhe S. Dakaris arrijnë me kërkimet e tyre deri në vitin 1950. Pastaj filluan kërkimet sistematike dhe restaurimet e periudhës 1961-75, dhe kjo gjithashtu është e vërtetë! (“Ylliria”, 12-14 korrik 2005). Por me keqardhje po ngul këmbë edhe një herë, se prej këtyre kërkimeve ata veçse rizbuluan Orakullin e Janinës dhe jo atë të Dodonës, siç duan t’i bien ata daulleve sot.

Ana tjetër dhe më kryesorja është se Orakulli i Dodonës është shumë më i vjetër në kohë dhe më i rëndësishëm se "Orakulli i Vdekjes" i Janinës, i cili tashmë është rizbuluar dhe restauruar. Sot përdoret nga Ministria greke e Kulturës për përfitime turistike. Por, ky "Orakulli i Vdekjes" pranë Janinës, pranohet ndryshe nga studiuesit si një kopje e keqe e Orakullit të Baiasë në Sicili, i përmendur edhe nga Virgjili në vargjet e “Eneidës”. Po i këtij mendimi është edhe Robert Temple, anëtar i Akademisë Mbretërore të Londrës, i cili ka më shumë se 50 vjet që është në kërkim të këtyre Orakujve. Rasim Bedo, me gjithë dëshirën e tij të mirë, siç duket nuk është në gjendje ta diferencojë dot një gjë të tillë. Dodona e famshme përfundimisht ndodhet brenda territorit të Mollosëve. Siç e dimë, ata (Mollosët) si dhe Thesprotët janë një tjetër fis i madh dhe i famshëm Pellazgo-Ilir!

Gjeografikisht mali i Tomorit është pjesë e vargmaleve të Pindit. Vargmali i Pindit vetë arrin deri pranë Janinës, por jo mali i Tomorit gjithashtu. Ai përfundimisht mbetet në Mollosi. Sot nën këmbët e Tomorit është ngritur Berati. Në librin e tij "The Illyrians", bot i vitit. 1995, autori John Wilkes, e lokalizon Dodonën kështu: "Udhëtimi me det në Orikum merr tetëdhjetë stades (njësi e vjetër matëse), dhe deri në Amantia gjashtëdhjetë stades. Në jug kufizohen nga Antitanët, poshtë Orikumit, dhe Kaonia ka të njëjtën distancë largësie sa Dodona"… Më poshtë vazhdon ai: "Më në veri të Thesprotisë, është një vend i largët sa fundi i botës, ku shtrihet Orakulli i famshëm i Zeusit të Dodonës, që në fakt është i vështirë për të depërtuar"…Por grekët, që duket se punojnë me mjeshtëri me gjysmën e argumentit, bëjnë një manipulim të pastër në këtë mes, të cilin e përdorin për qëllime politike dhe biznesi. Ata nga ana e tyre e përshkruajnë historinë e Dodonës kështu: "Thuhet që Dodona u ndërtua gati dy mijë vjet, B.C, në një zonë të thellë midis maleve, në fillim nga Thesprotët dhe më pas u rindërtua nga Mollosët një mijë e dyqind vjet B.C. Aty shërbenin priftërinj që thirreshin "Helloi" ose "Selloi", dhe mendohet ata të kenë qenë para indo-evropianë, pra Pellazgjikë! Pas kësaj periudhe, një lloj "zoti grua" vazhdonte të nderohej nën emrin Dione, e cila u bashkua më pas me Zeusin e Naios. Ritualin, e zhvillonin rreth një peme lisi, dhe parashikimi bëhej duke lexuar gjethet e verdha të tij, interpretim që bëhej nga priftërinjtë e këtij Orakulli. Në kohën Heroike aty shkonin dhe konsultoheshin emra të tillë, si Herakliti, Akili, Odiseu, etj. Orakulli vetë ka jetuar kohë pas kohe shkëlqimin dhe rënien e tij. Ardhja e Delphit në skenë në një pozicion gjeografik më të përshtatshëm gjeografik pranë Athinës, e dobësoi rëndësinë e veçantë të Dodonës. Megjithatë, evidencat tregojnë mbi ekzistencën e tij edhe në shekullin e shtatë, B.C,. Në periudhën e Dinastisë Maqedonase Dodona u rifuqizua, sepse parlamenti maqedonas ishte ndërtuar shumë pranë tempullit. Aleksandri i Madh e frekuentonte atë rregullisht. Më pas, tempulli është restauruar fillimisht nga Pirro i Epirit (297-273), B.C. Por u shkatërrua me themel nga Aetolians më 221. Ringrihet nga Philipi i V maqedonas (219, B.C). Shkatërrohet edhe një herë së bashku me Epirin nga gjenerali romak Paul Emili. Konvertohet në kishë dhe e shkatërrojnë përsëri në (391 A.D). Por, megjithatë, në shek. e pestë dhe të gjashtë thonë që Dodona është parë që të ketë pasur një prift të rangut. Dhe së fundi, janë pikërisht fiset barbare (gjermanike) të Gothëve, të cilët e rrafshuan krejtësisht, duke e fshirë Dodonën nga kujtesa për një periudhë kaq të gjatë, në më shumë se një mijë vjet!

Por krejt ndryshe nga grekët, i famshmi Robert Temple, në librin e tij "Netherworld", (Bota e të vdekurve), bot. i Londrës 2002, gjithashtu thekson: "Jam i angazhuar me vite të tëra që gjej vendndodhjen origjinale të Orakullit të Dodonës dhe atë të Delphit... Pranohet nga të gjithë ne se Dodona ndodhet nën këmbët e malit të Tomorit”. Liritzis (koleg grek ky) dhe unë, jemi përpjekur të përdorim edhe fotot nga sateliti, por nuk kemi pasur rezultat. Jam krejt i bindur se vendndodhja e Dodonës është diku tjetër… Në vitin 1979, unë vetë mblodha fonde të konsiderueshme për një ekspeditë kërkimi të malit të Tomorit për të gjetur Dodonën dhe dola pa sukses. Nga të gjithë Orakujt, pranohet edhe nga vetë grekët se "Dodona është më e vjetra dhe se zoti i saj qysh nga kohët klasike ishte Zeusi". Më tej, po ky autor, në librin e tij "The Sirius Mystery" shton: "Cila pjesë territoriale, mund të ishte më larg se Dodona, në Greqinë e vjetër? Ajo dihet se gjeografikisht ishte krejtësisht jashtë sferës së influencës, diçka më në veri dhe perëndim gjithashtu, shumë më larg se për çdo grek, që të mund ta quante atë të pranueshme si pjesë e historisë së tyre"…Studiuesi tjetër amerikan, Raymond Moody, në një program televiziv me titull "Misteret e padeshifruara", kur bie fjala për Orakullin e Dodonës, theksonte të njëjtën gjë: "Bindja ime e patundur është se Dodona me malin e Tomorit ndodhet lart mbi kufirin verior të Greqisë". Siç shihet nga këto deklarata, bie në sy se historianët e huaj as që e imagjinojnë që Tomori ndodhet në Shqipëri dhe nuk ekziston një Tomor i dytë në botë. Është për të ardhur keq, që ky fakt nuk e shqetëson sot aspak Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila me cinizëm vazhdon aktin e turpshëm të heshtjes, në kohën që duhej të ngrinte në këmbë legjione të tëra studiuesish, për tema kaq të rëndësishme dhe aktuale siç është ajo e Dodonës.

Pse ka rëndësi sot Dodona?

Nga mitologjia e vjetër "Dodoni ishte biri i Zeusit dhe i Evropës, ndërsa Dodona e bija e Oqeanit dhe e Tithiës, perëndi të lashta, të cilat adhuroheshin nga Pellazgët hyjnorë". Aravantinoi në shënimet e tij shkruan: "Dodonën e ndërtuan Pellazgët, andaj edhe Zeusi quhesh Zot i Pellazgëve"! Gjithashtu, Plutarku në "Jetët paralele", kur flet për Pirron e Epirit përmend edhe Dodonën, e cila gjendet në Mollosi! Duke iu referuar historisë, sot më tepër se kurrë po bëhen kërkime rreth rrënojave të Dodonës dhe rëndësisë së veçantë të saj. Italiani Enzo Gatti thotë: "Ilirët e Shqipërisë, të Pindit dhe të Maqedonisë kanë shenjtoren e tyre të famshme, Dodonën. Ajo ndodhet në zemër të Kaonisë, e cila konsiderohet sot si qendra e krijimit të njeriut". Thuhej se "Orakulli (thënia e fatit), jepej nga një lis, nga një pëllumb, e shkruhej mbi një fletë plumbi". Por si procedohej në tempullin e Dodonës? Dhe pse ajo ka shumë rëndësi sot për studiuesit e historisë botërore? Po t’i referohemi në këtë pikë Ph.D. Raymond Moodyt, i cili është autor i librit (Reunions) "Ribashkimi", ai thotë se në kohën e vjetër "priftërinjtë e Dodonës kishin aftësi që të vendosnin kontakte midis të gjallëve dhe të vdekurve. Ata ishin në gjendje të shkrinin kufijtë realë midis dy botëve. Dhe ata konsideroheshin më të zotët nga të gjithë të tjerët, krahasuar këtu me të gjithë priftërinjtë e Orakujve të tjerë të marrë së bashku".

Në Dodonë, e cila mendohet që të jetë ndërtuar nëntokë, dhe ambientet e përdorura për vizitorët i ngjanin një spitali të zakonshëm. Por hyrja atje, nëpër llagëmet e nëndheshme të saj, pa ndihmën e priftërinjve ishte krejt e pamundur. Dikush duhej të të shoqëronte për në qendrën e tyre. Nga shënimet e vjetra thuhej se "eksperiencën dhe llahtarin që provoje aty, ishte tamam sikur të hyje i gjallë në Ferrin e vërtetë". Vizitorët jetonin një përçudnim të papërshkruar. Disa e konsideronin këtë gjë, njësoj sikur të shikonin vdekjen e tyre me sy. Atje vinin nga larg dhe pothuaj nga të gjitha anët e botës. Ata donin që të mundësonin kontakte me të dashurit e tyre, të cilët ishin të vdekur tashmë. Në aspektin e logjikës së sotme, një ide e tillë është një lajthitje e pastër. Por ne po flasim për një epokë tepër të largët dhe për eksperiencën e një civilizimi të humbur…

Pasi vizitorët kishin ardhur aty, iu paguanin priftërinjve një shumë të caktuar "për shërbimin", dhe këta të fundit i sistemonin klientët e tyre në dhoma të ndara nga njëra-tjetra, që përngjanin me një spital të sotëm. Ata iu bindeshin priftërinjve dhe u duhej nganjëherë të prisnin edhe me muaj, ose derisa prifti ta gjykonte momentin e përshtatshëm për ribashkim. Ky pra, ishte një moment shumë misterioz, i cili zgjidhej me kujdes nga priftërinjtë, dhe mund të ndodhte që "pacientin" ta ngrinin edhe në mes të natës nganjëherë… Ky "pacient" fillimisht tymosej me sulfur. Në mentalitetin e atëhershëm, një veprim i tillë ishte i domosdoshëm dhe i rëndësishëm paraprakisht, për të pastruar trupin dhe shpirtin nga mëkatet e mundshme të të gjallit, përpara procesit të kontaktit me të vdekurin. Dikush më mbrapa e shoqëronte klientin nga dhoma e këtij të fundit në dhomën qendrore, e cila përdorej për të tilla ceremoni, ku pritej të fillonte procesi i kontaktit. Pas këtij veprimi, ai kalonte për "atje" nëpërmjet një korridori që zakonisht ishte i gjatë, gati pesëdhjetë këmbë. Aty gjendej një enë jashtëzakonisht e gjerë dhe plot me ujë. Gjithmonë nën kujdesin e priftit të lartë, i cili i qëndronte shumë pranë "klientit" në këto momente, ai instruktohej që t’i mbante sytë në sipërfaqen e ujit. Në të njëjtën kohë, prifti e kungonte atë me formula magjike. Dhe papritur, dalëngadalë fytyra e të gjallit shuhej në pasqyrimin e ujit, dhe po aq ngadalë tashmë vizualizohej i "vdekuri", i gjallë, tredimensional, me ngjyra natyrale, bile edhe duke folur… Në këtë rast, parashikimi me ndërmjetësinë e veçantë të priftit të lartë, dëgjohej drejtpërdrejt nga goja e të vdekurit. Ky akt ndodh edhe me ne në kushtet e gjumit, kur flasim me të vdekurit në mënyrë të pavullnetshme në ëndrrat tona…Për të arritur një gjendje psikologjike kaq speciale "klienti" nga priftërinjtë e Orakullit shpesh si mjete ndihmëse përdoreshin edhe droga të ndryshme që të stimulonin deri në nivelin e haluçinacionit. Plini veçanërisht na e thekson një fakt të tillë, për një bimë me emrin "Henbane", e cila konsiderohej si "bar i shenjtë" që kishte kualitet hipnotik, dhe pastaj përdorej për ceremoni të tilla. Henbane në fakt kthehej në një helm vdekjeprurës, në qoftë se nuk dije që ta përdorje. Tjetër narkotik haluçinogjen, ishin bimët me emrin "Hellebore", "Dittany" dhe"Melampus", të cilat gjithashtu përdoreshin në kohën e lashtë. "Për shembull në civilizimin Minoan, opiumi nderohej në nivelin e besimit fetar". Robert Temple (Bota e nëndheshme), bot. i .vit. 2002. Pra, mbas kësaj lind pyetja e thjeshtë, a ishte e vërtetë e gjithë kjo? Si pra, ishte i mundur realizimi i një gjëje të tillë?

Ndër profetët modernë le të kujtojmë Nostradamusin, i cili përdorte të njëjtat metoda për të parashikuar të ardhmen, duke parë gjërat jo më me enën e ujit, por në sipërfaqen e një xhami të zi, i ngjashëm me ekranin e sotëm televiziv. Po ashtu edhe sot fenomeni i të parit të gjërave pa qenë prezent në ngjarje ekziston tek njerëz të cilët e kanë këtë si aftësi të veçantë dhe ndryshe thirren me termin mjekësor "paranormalë". Pra, fenomeni ekziston, por siç shihet ai shtrihet në një grup veçanërisht të kufizuar njerëzish. Këta individë kanë të theksuar "Ndjenjën e Gjashtë". Shpesh në programe të ndryshme televizive, ne shikojmë njerëz të tillë që përdoren me shumë sukses nga forcat e rendit për aftësinë e tyre të veçanta duke zgjidhur krime të vjetra dhe të reja që edhe teknologjia moderne apo hetues me eksperiencë nuk i kanë zbuluar dot. Gjithashtu, këta njerëz nuk e kanë sensin e të kaluarës apo atë të ardhmes, sepse ata i shikojnë gjërat në kohën e tanishme me një qartësi të pagabueshme. Por në "Institucionin e Dodonës", priftërinjtë e saj njiheshin edhe për bëma të tjera…Italiani Enzo Gatti në librin e tij “Gli ILIRI”, bot. 1981, nënvizon: "Priftërinjtë Ilirë ishin astronomë ekspertë. Ata ndërtonin qendra nga ku vëzhgonin qiellin. Parashikonin ndikimet e yjeve. Kuptonin ciklet e hënës, ciklet menstruale të grave, baticat dhe zbaticat. Studionin galaktikat, kometat dhe mjegullnajat. Dhe i faleshin yllit Sirio... Ata u tregonin bujqve kohën e të mbjellave, e rënies squkë, e nxjerrjes së verës, e mbarsjes gjithashtu. Parashikojnë datën dhe orën e saktë të eklipseve. Me urdhër të priftit dielli humbiste dritën e tij dhe zhdukej. Kjo ishte shenjë ndjellakeqe. Prifti sigurisht përfitonte nga eklipset dhe bëhej interpretuesi i paralajmërimeve hyjnore, duke diktuar mësime të dobishme". Pra, sipas këtij përshkrimi të Enzo Gattit, del se priftërinjtë ilirë kishin njohuri universale.

Sistemi i Orakujve

Nga aspekti i mënyrës se si janë ndërtuar dhe shpërndarë Orakujt, ky fenomen interesant të bën të habitesh përsëri… Më mirë të themi, është një gjë krejt e jashtëzakonshme me kushtet dhe logjikën e sotme. Megjithëse në këto 50 vitet e fundit, kërkimet janë intensifikuar mjaft, prapë ka kaq shumë pikëpyetje që varen pezull, saqë gjithçka duket si një iluzion i pastër. Në gërmimet e bëra deri më tani, më shumë se 50% e Orakujve ende janë të palokalizuar, dhe për më tepër të parizbuluar. Por, siç theksuam në krye të shkrimit tonë, dokumentet e vjetra dhe deshifrimi i tyre i bën historianët dhe studiuesit e pasionuar krejt optimistë në këtë pikë. Nga ky kontekst edhe Dodona na afron megjithatë ende mundësi të pakufizuara informacioni. "Ajo me sa po shihet është një pjesë e pandarë e një kompleksi ndërtimesh me një qëllim të përbashkët, e cila përfshihet brenda një trekëndëshi kënddrejtë, por që ka një shtrirje gjiganteske në terren. Qendrat e Orakujve të Dodonës, Delphit, Delos, Cythera, Knossos dhe Cyprus janë të lidhura në seri, të shkëputura nga gjerësia gjeografike me njëra-tjetrën. Ato gjithashtu janë në një integral distance gjeografike nga Bendeti i Egjiptit, gjë që tregon njëkohësisht lidhjet e traditës arkeologjike midis tyre… Dodona njihet mirë si pjesë e një trekëndëshi kënddrejtë. Le ta përshkruajmë pak këtë trekëndësh… Njëri kënd fillon me malin e Tomorit nga perëndimi, (Dodona) dhe përfundon në pikën lindore, në malin Ararat (Arka e Noes). Pastaj ai zbret poshtë në jug, përshkon pingul të gjithë Mesdheun e krijon një kënd të drejtë 90º, aty ku ngrihet piramida e madhe e Egjiptit. Po ashtu, vendi ku bie ky kënd 90º quhet Bendet dhe ka qenë kryeqyteti i parë i Egjiptit. Të jetë kjo një koincidencë e rastit? Historianët e sotëm nuk mendojnë ashtu. Këtu ndeshim me një tjetër kuriozitet, atë të meridianit origjinal fillestar, por i caktuar nga kush? Distanca nga mali i Tomorit në malin Ararat është e baraslarguar. Duke u përqendruar në këtë pikë, përmendim përsëri Robert Temple që në "The Sirius Mistery" na thekson: "Ne me një vëmendje të veçantë duhet të përqendrohemi tek këndi 45º Dodona/Tomori, dhe tek këndi tjetër 45º Metsamor/Ararat, pika të cilat kanë largësi të barabartë nga Theba, kryeqytet i mëvonshëm i Egjiptit!… Gjithashtu, Arka e Grekevë (Deukalion) ndodhet në malin e Tomorit, ndërsa Arka e Hebrejve (Noes) në malin Ararat… Për arkën e Deukalionit, thuhet se gjendet diku aty pranë Orakullit të shenjtë të Dodonës, prej të cilës Argo, prijësi i Argonautëve, gjatë udhëtimit merrte drejtimin Kibernetik të rrjetit pyjor". Por Robert Temple në të njëjtën kohë vë në pikëpyetje pronësinë e këtyre Arkave të njohura dhe të përmendura gjatë përmbytjes së madhe biblike. Ai na kujton: "Nga burimet e shkrimeve të vjetra historike grekët adaptuan Arkën Deukalion dhe hebrenjtë e bënë të tyren Arkën e Noes. Grekët dhe hebrenjtë janë shumë të vonshëm në historinë e lashtë, saqë mund të themi që bëhet fjalë për mijëra vite distancë përpara se vetë emrat Greqi dhe Hebre të vinin në jetë". Po këtu, ai sugjeron këdo që ka interes të mësojë mbi origjinën e civilizimit grek dhe hebre, librin brilant të Prof. Cyrus Gordon me titull "Pikat e takimit në civilizimit grek dhe atë hebre". Duke vazhduar më tej me logjikën e shtrirjes gjeometrike të Orakujve mund të themi se Dodona është saktësisht 8º në veri të Bendetit në gjerësi, dhe qendra e Orakullit të Delphit është saktësisht 7º në veri të Bendetit, në gjerësi gjithashtu. Këndet e brendshme të këtyre pikave janë secili nga 45º. Çdo të thotë kjo? Vetë Orakujt janë të baraslarguar nga njëri-tjetri. Pra, a kemi këtu një rast klasik se si Arkitekti i Universit i ndërtoi gjërat në tokë?… Autori i famshëm i librit "Vizitorë nga Kozmosi", Erik Von Daniken, në librin "Odisea e Zotave", me nëntitull “Historia e Alienëve në Greqinë e vjetër”, na e rithekson fenomenin e trekëndëshave që krijojnë një rrjet të çuditshëm marrëdhëniesh të ndërsjella. Ai thekson: "Çdokush mundet të verë re se kemi trekëndësha të tillë që të krijojnë një rrjet të përbashkët me qendrat e kultit, dhe kjo gjë nuk mund të jetë një rastësi". Ja një shembull vazhdon ai: “Dodona-Delphi-Sparta, një trekëndësh! Distanca ndërmjet tyre është e barabartë. Dodona-Delphi, Dodona-Sparta, Delphi-Sparta, etj. Një tjetër trekëndësh formon Nikosia-Dodona-Knossos. Dhe po t’i marrim të gjitha së bashku del që Dodona është në relacion gjeodezik/gjeometrik me Delphin, Olimpian, Eleusis, Epidaurus, Aphea, Akropolis, Sparta, Mycenae, Thebes, Chalcis, Nemea, Gortys dhe Milet".

Komunikimi

Një tjetër dukuri e rëndësishme është komunikimi midis këtyre qendrave të kultit. Ç'do gjë brenda këtij territori, me një dimension krejt të paimagjinueshëm për kohën tonë, është ndërtuar sipas një masterplani! Me njohuritë dhe teknologjinë e sotme ky masterplan është i krejt i parealizueshëm. Robert Temple, nga ana e tij, vë në dukje edhe diçka tjetër: sistemin e komunikimit midis tempujve. Po si pra, komunikonin ato? Në "Netherworld" (Bota e të vdekurve) Robert Temple shkruan: "Jam i informuar se pëllumbat postierë ishin në gjendje që të fluturonin nga Theba e Egjiptit në Dodonë brenda një dite". Në kohët e vjetra profetët të lidhur me Dodonën, konsideroheshin të aftë në zbërthimin e gjuhës së zogjve. Në fakt "gjuha e zogjve" ishte e shkruar në një letër, e cila i lidhej pëllumbit korrier në këmbë. Sistemi i pëllumbave postierë është shpjegim bindës për shprehjen "zogjtë që flasin" të Orakullit. Në fakt, zogjtë ndihmonin qendrën e Orakullit që të ruante lidhje me qendrat e tjera, me të rejat e fundit gjithashtu, dhe siguronte rrjetin komunikues të domosdoshëm për biznes. Kjo ishte një zgjidhje brilante e kohës; pra, pëllumbi përçonte mesazhet nga Zeusi! Në një tjetër rast, Homeri tek poema e tij “Odisea” përmend: "Pëllumbi i ndrojtur po sjell ambrozia (ushqimin e pavdekësisë tek baba Zeusi"… Herodoti gjithashtu shkruan për funksionin stabël të Orakullit se është edhe për meritë të pëllumbave postierë"!… Prapë Herodoti, në një vend tjetër thotë: "Më ka thënë një prift i Thebës se profetët e Dodonës thoshin që dy pëllumba të zinj fluturuan nga Theba në Egjipt; njëri nga ata përfundoi në Libi dhe tjetri u ul në një lis dhe foli me zë njeriu, duke thënë se Orakulli këtu duhet të ndërtohet për nder të Zeusit". Pas gjithë këtyre fakteve që përmendëm, pëllumbat korrierë janë përdorur për qëllim komunikimi edhe më herët prej Sumerëve, tre mijë vjet B.C. Më vonë nga romakët, deri vonë edhe nga flota Britanike… Flitet gjithashtu edhe për komunikimin në formën e një rrjeti të nëndheshëm. Një gojëdhënë e vjetër shqiptare thotë: "Tomori komunikon nën dhé me Vezuvin e Italisë. Pra, thuhet se kur fillon Vezuvi të shpërthejë, Tomori zbraz topa"! (Perikli Ikonomi, "Hist. e Tomorit", bot. i vit. 1934)

Bie në sy menjëherë në këtë rast ekzagjerimi i faktit. Por fakti i komunikimit të nëndheshëm a duhet trajtuar me respekt? Philostratus, për kompleksin e hyrjeve në Libadea kujton: "Sipërfaqja i bën ato (hyrjet) disa të afërta dhe disa në distanca shumë të largëta…” Pra, në qoftë se është e vërtetë kjo, ne këtu kemi të bëjmë me një rrjet nëntokësor komunikimi dhe hyrje sekrete që janë larg qendrës së Orakullit. Shumë legjenda të vjetra e përmendin po ashtu një fakt të tillë, por duhet të theksojmë se ende pritet të zbulohen evidenca arkeologjike, të cilat do të mbështesin ose do t’i rrëzojnë këto argumente


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama