Pema gjenealogjike e Kastrioteve

Pema gjenealogjike e Kastriotëve

Fisniku dhe pasardhësi i Gj.Kastriot Skënderbeut që mban emrin e stërgjyshit, Giorgio Castriolo Skanderbeg (me banim familjar në rrethet e Napolit). Saktësisht nga viti 1432 deri 1963, por rrënjët e asaj peme gjenealogjike gjigante vijojnë ende të shtrihen më tej, madje gjer në ditët tona.


Familja
Rreth familjes së Kastriotëve dhe breznive të njëpasnjëshme gjatë 6 shekujve, disponohet një shkallë njohjeje e përciptë dhe e errët. Ndaj ky dokument sqarues i drejtpërdrejtë nga vetë familja e Kastriotëve plotëson një boshllëk tejet të ndjeshëm e të domosdoshëm për historiografinë mbarëkombëtare dhe diasporiale shqiptare. Sepse mund të përbëjë një dukuri unikale në historinë e përbotshme që një trung familjar të përfaqësohet pa ndërprerje, në vijimësi dhe nuk dimë gjer ku do të shkojë. Dhe, për çka e thellon rastin e veçantë dhe plot-meritueshëm shqiptar, kur nga ajo derë tepër madhore dhe e fisme si populli vet, rezultuan njëherësh sa e sa trashëgimtarë të denjë aq edhe prijës të qëndresës e të luftës së stërzgjatur antiosmane për çlirim, bashkësi, pavarësi, shtet-formësim e përparim!

Pema e Kastrioteve

Kastriotët vijnë si ndër familjet e rralla feudale – atdhetare. Ata zënë fill nga Kanina e Vlorës (1368), por me prejardhje nga Hasi dhe mandej u zgjeruan në dy Dibrat, përfshi Shqipërinë e Mesme. Zmadhimi territorial, fuqizimi ekonomiko-shtetëror dhe kontributet ushtarake për kombin shqiptar gërshetohen pazgjidhshmërisht me emrat dhe veprat e Gjon e Gjergj Kastriotit (at e bir), dy nga figurat më të shquara, ku padyshim Gjergji ose Skënderbeu qëndron si olimp në Akropolin e pemës së Kastriotëve. Nga dinastia e Kastriotëve përmenden edhe Gjoni II, djali i Skënderbeut; Gjergji II, nipi i Skënderbeut; si dhe Donika, bij e Gjergj Aranitit, bashkëshorte e Skënderbeut si pasues të idealeve shqiptare e të veprës kombëtare të Gjon – Gjergj Kastriotëve; Vjosava, gruaja e Gjonit dhe nëna e Skënderbeut, një pinjolle e sunduesve të Pollogut – Tetovë, por dhe Mamica, motra më e vogël e Skënderbeut.
Pema
Pema gjenealogjike e Kastriotëve siç shënohet në skemë mbart dy degëzime themelore:
I
Ajo shtyllore, që rrjedh me Gjergjin (Skënderbeun), me orientim fetar ortodoks. Dihet se familja e Skënderbeut pas vdekjes së tij dhe pushtimit otoman shtrëngohet të emigrojë në Italinë e Jugut. Ajo vendoset në pronat që iu dhanë nga Mbreti Ferdinand i Aragonës, si mirënjohje për ndihmën ushtarake që Skënderbeu nuk kurseu kundër princit rebelues të Tarantos (Giacomo Piçinino-s) dhe banorëve aleatë (gusht-dhjetor 1461), të cilët përkrahnin derën franceze d’Anjou që sundonte mbi Mbretërinë e Napolit. Prej pemës rezulton se Kastriotët në Itali gëzuan ndere dhe tituj fisnikërie të ndryshme e të shumta.
II
Degëzimi i dytë është dega e Topiajve të islamizuar i Toptanëve, si rezultat i martesës së motrës së Skënderbeut, Mamicës, më 1445, me Karl Muzak Topinë. Çifti lindi 3 djem: Gjonin, Gjergjin dhe i treti i islamizuar me emrin Ali bej Toptani. Pra, familja e madhe e Toptanëve të sotëm vijnë nga i pari Ali bej Toptani, djali i motrës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në aneksin e Toptanëve për mungesë lidhjesh shekullore shënimet anagrafike për brezat pasardhës paraqiten me të meta dhe gjenerike.

 Megjithatë dera e Toptanëve është shekullore e përmendur dhe rrjedh nga i pari Karl Muzak Topija (Princ i Arbërisë – Shqipërisë së Mesme). Ai përballë kërcënimit të Balshës II dhe Venedikut iu drejtua për ndihmë Turqisë, e cila dërgoi (1385) ushtrinë nën komandën e Hajredin Pashës, duke mundur Balshën në Lushnjë.


Siç shikohet me kujdes nga pema gjenealogjike, për çdo brez janë përjetësuar emrat e të parëve zëmëdhenj, Gjon dhe Gjergj. Për mirënjohje ndaj Arangozëve ato me emrat Ferdinand e Alfons.

Ato fal historisë janë parapëlqyer emrat e Pirros e të Akilit. Dhe për respekt të femrës shqiptare u përjetësuan emrat Donika, Maria e Mara. Pavarësisht nga degëzimi fetar, pasardhësit e dy palëve të integruar në shoqëritë dhe shtetet përkatëse, dhanë ndihmesa në përparimin e atyre dy kombeve pa harruar gjakun, tokën, gjuhën, zakonet dhe kontributet për mëmëdhenë.


Tërheq vëmendjen se nga burimi i Mamicë-Karl Muzak Topisë rrodhi edhe Ahmet Zogu (Presidenti i parë i Shqipërisë dhe i vetmi president në botë në moshën 32 vjeç).

Prej skemës del se Pinjotë jepen vetëm me vitlindje ose me të dy skajet e jetës (lindje-vdekje), ose pa vite për mungesë të dhënash burimore. Pavarësisht nga ndonjë mangësi për t’u shtuar, pema gjenealogjike e familjes së Kastriotëve do t’u shërbejë studiuesve dhe krijuesve në pasurimin e mëtejshëm të jetë-veprës së Kastriotëve, posaçërisht të Skënderbeut. 

Entela Resuli : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama