Botimet e reja te javes 30-12-2007

Botimet e reja te javes 30-12-2007
Të fshehtat e shërbimit sekret shqiptar

Autori: Kastriot Dervishi

Shtëpia botuese: 55

“Shërbimi sekret shqiptar 1922-1944” i autorit Kastriot Dervishi, botohet me rastin e 85-vjetorit të krijimit të Shërbimit Informativ Shqiptar. Studimi hedh dritë për herë të parë mbi një nga institucionet më të panjohura dhe më të pakomentuara të shtetit shqiptar. Botimi zbardh për herë të parë emrat e drejtuesve të shërbimeve sekrete shqiptare, jetën e tyre, të veçantat e vërejtura, etj. Raportet agjenturore në vend, drejtimet e agjenturave të huaja kundër Shqipërisë, metodat e përdorura, si dhe ngjarjet kryesore janë disa prej pjesëve përbërëse të këtij libri. Duke mos ngelur deri këtu, libri për herë të parë hedh dritë mbi të kaluarën e udhëheqësit të ardhshëm komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhës, si dhe lidhjet e tij me shërbimet sekrete të kohës. Ky botim është konceptuar si pjesë e parë, sipas kohës së paraqitur. Botimi i dytë do të trajtojë shërbimin sekret të Shqipërisë (Sigurimin e Shtetit) në periudhën 1944-1991.

Enver Hoxha dhe dënimi i kushëririt të tij, Abedin Hoxha

Njeriu që drejtoi për afro gjysmë shekulli Shqipërinë komuniste, Enver Hoxha, ndonëse ngriti një kult individi me përmasa të mëdha, kurrë nuk pëlqeu të bënte të njohur për shtetasit e vendit të tij, pemën gjenealogjike të familjes nga ku ai rridhte. Kujtimet rreth origjinës familjare ngushtoheshin deri tek ndonjë njeri i afërt me Anenë e tij, baba Çenin ose ndonjë Hoxha të përcaktuar, por kurrsesi me ndonjë person të njohur, që mund të kishte bërë emër në regjimet e kaluara. Pakkush do ta besonte, gjatë diktaturës komuniste, se kushëriri i afërt i Enver Hoxhës kishte qenë funksionar i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, madje drejtues i shërbimit sekret, por edhe një antifashist i internuar në Itali.

Ashtu sikurse ka ndodhur me institucionin e Zyrës Sekrete, që nuk është përmendur fare nga Enver Hoxha, për mirë ose për keq, elementi tjetër që haset tek ai është mospërmendja e kushëririt të tij të dytë, Abedin Hoxha, drejtues i shërbimit sekret shqiptar, në cilësinë e kryesekretarit të Zyrës Sekrete në vitet 1928-1932, e më pas nënprefekt, prefekt, për të mbërritur tek viti 1944, duke qenë edhe sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe figura e dytë e ministrisë, përkatësisht pas Xhaferr Devës, Fiqri Dines dhe Ibrahim Biçakçiut.

Sesa mund të ketë ndikuar në ndërgjegjen e Enver Hoxhës, qenia e kushëririt të tij në cilësinë e kryesekretarit të Zyrës, kjo është çështje që diskutohet, por faktet forcojnë vazhdimisht tezën se vetë Enver Hoxha i ka shërbyer me informata regjimit të Ahmet Zogut. Sigurisht, kureshtja e shtyn çdo njeri të marrë vesh diçka më tepër për familjen e personit që ka lidhje gjaku me Enver Hoxhën, fakt ky që nuk i ka shërbyer veçse për keq, pasi persekutimi nuk do t’i ndahej deri në fund të jetës së tij.

Babai i Abedinit, Rasim Hoxha, ishte një avokat, i cili kishte shërbyer në disa vise të Perandorisë Osmane, si në Turqi apo Jemen, vende ku kishin lindur edhe fëmijët e tij. Ai kishte 4 fëmijë: Abedinin, Muhametin, Fiqiretin, si dhe një vajzë, Shpresën. Dy djemtë e tij, si Abedini dhe Fiqireti, mbaruan shkollat ushtarake në Austri dhe Itali, ndërsa Muhameti në Francë, si inxhinier. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Abedini shërbeu si përkthyes pranë trupave austro-hungareze, aq sa regjistroi edhe një incident me Esat Pashë Toptanin, i deklaruar ky si armik i Vjenës.

Rasim Hoxha shërbeu, për një farë kohe, në Fier si avokat, ndërsa djali i tij Abedini, u martua me vajzën e Nuri Sharrës. Vajza e vetme e Rasimit, e cila ndryshe nga të vëllezërit përqafoi idetë komuniste dhe doli partizane, u martua me Myqerem Fugën, i cili do të ishte gjatë viteve të socializmit ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, si dhe kryetar i Komitetit të Veteranëve deri në prag të përmbysjes së regjimit komunist.

Karriera e Abedin Hoxhës do të ishte me të vërtetë e befasishme dhe do të veçohej ajo që do lindte pas strukturimit të MPB-së.

Si për ta pasuruar hakmarrjen e tij ndaj Abedin Hoxhës, Enver Hoxha la në heshtje tërësisht emrin e tij dhe nuk e përmendi, qoftë edhe për keq. Mirëpo do të kalonin vite dhe në librin “Vite të vegjëlisë”, Enver Hoxha nuk mund të rrinte pa falsifikuar të kaluarën e fisit të tij, duke treguar edhe natyrën e tij mosmirënjohëse, kur shkruan në lidhje me familjen e Rasim Hoxhës, këto rreshta:

“Në Fier, duke punuar, për herë të parë fitova disa lekë, pikërisht 25. Ja si i fitova: Atje ishte avokat Rasim Hoxha, nga soji ynë, babai i Shpresës dhe Muhametit.

Muhameti ishte më i madh nga unë, ai mësonte në Francë. Si Rasimi dhe djemtë, ishin fodullë. Vetëm Shpresa nuk ngjau fare me ta. Ajo, doli partizane, u bë komuniste e mirë, luftoi me kurajë edhe kundër pjesëtarëve të familjes, të cilët nuk qenë me ne.

Pra, një ditë Rasimi më tha: “Hajde në zyrë, të më kopjosh disa shkresa!”. Dhe unë vajta, shkrova e shkrova me ditë të tëra dhe kur i mbarova, ai më dha 25 lekë, më mori edhe për drekë në shtëpi, pse kishte ardhur Muhameti nga Franca. “M’i jep t’i ruaj lekët”, më tha nëndajkoja. Por unë nuk ia dhashë dhe i prisha sa ndenja në Fier. Me afrimin e hapjes së shkollës u ktheva në Gjirokastër me kujtime të mira nga pushimet” (faqe 212).

Sikurse shihet, në fillim Enveri shkruan se fëmijë të Rasimit ishin Shpresa dhe Muhameti, ndërsa më poshtë, brenda të njëjtës faqe përdor fjalët “djemtë e tij”, pra në shumës dhe jo në njëjës. Enveri kështu ka hequr nga lista Abedinin dhe Fiqiretin, duke harrur që më sipër ka thënë se Rasimi kishte vetëm një djalë. Ky moskujdes i Hoxhës u ka shpëtuar edhe kujdestarëve të veprave të Enver Hoxhës, të cilët, nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kapur një renditje të tillë.

Pas lufte, Enver Hoxha hakmerret ndaj gjithë familjes së Rasim Hoxhës (përveç vajzës së tij).

Më 1945-n, Abedin Hoxha dënohet me 5 vjet burg. Deri në këtë kohë, komunistët nuk e dinin se ai kishte qenë titullar i Zyrës Sekrete. Në pyetësinë që i ishte bërë, ai nuk ka treguar se ka qenë shef i Zyrës Sekrete të MPB-së. Por pas 7 vjetësh, ai është dekonspiruar. Hoxha vuan dënimin në vitet 1945-1947. pas daljes nga burgu punon llogaritar në shtypshkronjën e rinisë në Tiranë e më pas deri në mars 1948 vijon punën llogaritar në NISH Vaji Tiranë. Në mars 1948-prill 1949, si dhe më 1953–1954, punon shef llogarie në ndërmarrjen shtetërore të duhanit të Elbasanit. Në prill 1949 deri më 15 maj 1952 punon në ndërmarrjen shtetërore të duhanit në Durrës. Gjatë kësaj kohe dyshohet si “agjent i fashizmit”. Sigurimi e kishte nën mbikëqyrje. Më 16 shkurt 1950 kërkohet të pyetet A. Hoxha se ku ka punuar më parë.

Agjentët e Sigurimit të Shtetit, “Koburgu”, “Kafka e kokës”, Gjuha shqipe”, “Sheftelia”, sjellin raporte kundër tij. Por goditjen më serioze e ka dhënë agjenti “Sinjali”, person i cili ka shërbyer dikur në vitet 1930-1933 agjent i Zyrës Sekrete. Ai ka dëshmuar në vitin 1952 kundër shefit të tij Abedin Hoxha, duke treguar një ngjarje të vitit 1930 që kishte të bënte me Ilia Tecetin nga Ulqini. Në raport përmendej edhe Alberto Pariani dhe bëhej fjalë për një raport në lidhje me një hartë që tregonte një vend ku mund të vendoseshin nëndetëse. Teceti ishte liruar nga burgu i Tiranës ku ndodhej i burgosur dhe ishte vënë në shërbim të Zyrës Sekrete të MPB-së. Më 22 prill 1952, A. Hoxha thirret nga komisioni hetimor i përbërë nga Simo Zhupa (kryetar), Delo Balili, Selim Stërmasi, Nikolin Profi, Malo Frashëri, Senka Dushi. Pasi janë grumbulluar këto të dhëna, A. Hoxha arrestohet në Elbasan më 1 korrik 1954, duke treguar më në fund se ka punuar kryesekretar i Zyrës Sekrete.

Duke qenë se më tepër interes përbënte koha kur A. Hoxha ka qenë në MPB në vitin 1944, më 10 shtator 1954 është pyetur ish-kryeministri dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ibrahim Biçakçiu, nga burgu i Burrelit. Hoxha ka refuzuar më pas deklarimet e Biçakçiut, se ka përdorur fondin sekret të MPB-së, duke ruajtur dhe duke mos përmendur emrin e shefit të fundit të Zyrës Politike, Kadri Vasilit. Në dëshmitë e reja të dhëna, Hoxha thotë se kishte agjent special në Gjirokastër Petro Dilon, i cili gjurmonte hap pas hapi konsullin grek të atij qyteti. Por Hoxha akuzohet se duke pasur funksione të rëndësishme në administratë kishte luftuar kundër “klasës punëtore”. Më 2 nëntor 1954, komisioni i internim-dëbimeve kishte vendosur internimin e tij për 5 vjet në kampin nr. 2 në Shtyllas. Dënim, të cilin e ka filluar më 11 tetor 1954, pas daljes nga paraburgimi. Por më 5 maj 1956, organet e Sigurimit të Shtetit njoftojnë se Abedin Hoxha kishte lënë kampin e Kuçit, ishte shtruar në spitalin e Tiranës, ku edhe kishte vdekur. Për këtë qëllim, dosja e tij mbyllej. Varroset në varrezat e Bamit, për të humbur pas zhvendosjes së kësaj varreze.

U fik edhe një tjetër dëshmitar i rrezikshëm.

(Marrë nga libri “Shërbimi sekret shqiptar 1922 – 1944” i autorit Kastriot Dervishi)

Titulli: Misteret

Autori: Colin Wilson

Vëllimi I

Botimet: “Vizion”

Çmimi: 700 lekë

Kolin Uillson zbuloi që secili nga ne ka një personalitet të shumëfishtë, që ne përbëhemi nga një shkallë e hierarkisë së vetveteve dhe që pjesëtarët kryesorë mund të thërriten sipas dëshirës.

“Misteret” është vazhdimi i fuqishëm dhe iluminues i librit "The Oçult", duke thelluar hetimin përmes eksperiencave të jashtëzakonshme, të drejtpërdrejta të Uillsonit, në brendësi të paranormales, okultit dhe të mbinatyrshmes.

"Një punë e madhe... një udhëtim i jashtëzakonshëm i forcës, (ky libër) do t`ju ndihmojë materialisht t'i bashkoni të dyja (shkencën dhe studimet e paranormales) në një rrugë të vetme që mund të çojë në përparime të vërteta dhe të rëndësishme të pikëpamjes sonë për universin..."

Gazeta "New Scientist"

Titulli: Më prek

Autori: Melanie Berchem

Botimet: Vizion

Çmimi: 750 lekë

Njëzet e tetë histori të mrekullueshme plot me dashuri, pasion dhe fantazi presin vetëm për ju...

Fantazitë më të nxehta erotike të femrave në "World Wild Web"

Interneti u ofron femrave një platformë të pafundme për të shkëmbyer pasionet e fshehta dhe jetësore. Melanie Berchem ka mbledhur historitë më të nxehta erotike nga "World Wild Web":

ëndrrat intime, fantazitë e fshehta, dëshirat e guximshme dhe frutat e ndaluara, hedhin këtu vallen e zbulimeve joshëse të të fshehtave femërore.

Titulli: Udhëtim në mbretërinë e shahut

Autori: Jurij Averbah, Mihail Bejlin

Përktheu: Fatos Omari

Shtëpia botuese: Edfa

Çmimi: 400 lekë

Në ditët e sotme shahu është bërë pjesë e kulturës së popujve. Olimpiadën Botërore të Shahut në Torino të Italisë, në vitin 2006, e ndoqën drejtpërdrejt, nëpërmjet Internetit, 10 milionë shikues. Pas futbollit, shahu është loja për të cilën botohen më shumë libra e revista në botë.

Kjo lojë, sa e lashtë, aq edhe e re për nga bukuria, larmia dhe pafundësia e varianteve të saj, zhvillon tek ai që luan virtytet më të mira që i nevojiten në jetë, si: vëmendjen, përqendrimin, mosshkurajimin në situata të vështira, aftësinë për të marrë shpejt vendime në kushtet e shtrëngesës së kohës, guximin për të rrezikuar me qëllim arritjen e fitores, zhvillon kujtesën, të aftëson për të analizuar, të mpreh logjikën dhe të kultivon ndjenjën e së bukurës. Jo më kot kompozimet e shahut, si etydet dhe problemat, i krahasojnë me veprat e bukura në fushën e arteve, si: muzika, letërsia etj. Në vendin tonë, me përjashtim të një Kampionati Kombëtar me pak pjesëmarrës, më 1933-n, ku kampion doli Xhaferr Çaushi, shahu filloi të zhvillohej me shpejtësi menjëherë pas çlirimit të vendit. Kampionati i parë, në këtë periudhë u zhvillua më 1946-n, ku kampion doli Gasper Shoshi. Nën ndikimin e shahistëve të shquar të asaj kohe, si Sotir Qirjaku, Skënder Çarçani, Gasper Shoshi, Xhaferr Çaushi, Bujar Hoxha e Zef Ashta dhe të një literature të paktë që vinte nga ish-Bashkimi Sovjetik, filloi të zhvillohet një brez i ri shahistësh të talentuar, si Teodor Siliqi, Fatos Omari, Ylli Pustina, Esat Duraku, Eqrem Konçi, Mendim Veizaj, Leonard Mikeli, Çesk Jubani e të tjerë që patën mjaft suksese edhe në arenën ndërkombëtare. Këta u pasuan më vonë nga një brez më i ri shahistësh, si Vangjel Adhami, Floran Vila, LLambi Qëndro, Fatos Muço, Ilir Karkanaqe, Ilir Seitaj, Zeqir Sulaj, Altin Çela, etj., për ta mbyllur me të vetmin mjeshtër të madh ndërkombëtar, Erald Dervishin, i cili pa diskutim është një nga sportistët më të mirë të të gjitha kohërave në Shqipëri...

Titulli: E blertë arre të papjekur

Autori: Artian Guskiqi

Tregime

Shtëpia botuese: Globus R

Çmimi: 300 lekë

Nuk di nga të rrëmoj më parë. I kam harruar thuajse të gjitha. Ngarendjet, bisedat e vockla në Shëtitoren e Hiçit, shakatë, mëdyshjet e kota, fytyrat e dashura apo ca fytyra të tjera verdhacuke, që kisha pandehur gjithmonë që ishin apo lypsej të ishin të dashura, edhe pse gjithmonë e më të huaja, të pakapshme edhe në orët më të volitshme; zërat; trumba fjalësh të ngecura përfund stomakut si grimca të patretshme mallkimi, që s'të zë kollaj, por të ha përditë nga pak; hijet, shushurimat e një kohe të perënduar pa lindur ende mirë që bënte dhe s'bënte dot pa ne; kureshtjen e ca syve të shpëlarë, që dinë ç'shikojnë dhe vetëm heshtin, heshtin; dritaret e puthitura aq mirë; perdet e lëvarura që nuk i lëviz më asnjë dorë e ngrohtë; ballkonin e gjatë pa mbulesë, ballkonin vuv, ballkonin tjetër me shufra të shkurtra hekuri dhe fare pak lule; shkallët qorre; ndalesat, rikthimet e vona nëpër ato vende, ato rrugica, ku nuk na njihte më kush; pritjet e pafund dhe dëshpërimin pa emër, apo kuturisjet e marrë nëpër ato zgëqe, ku vështirë të kujtohej kush për ne, ngase edhe ne kishim bërë pak a shumë të njëjtën gjë, ose, më keq akoma, nuk kishim dashur të bitisnim gjë prej gjëje...

Titulli: Nëntë Trojat

Autori: Luljeta Dano

Poezi

Botimet Ideart

Çmimi: 500 lekë

Historia dhe e shkuara





Titulli: Historiania

Autori: Elizabeth Kostova

Përktheu: Artan Miraka

Botimet Max

Çmimi: 1000 lekë

Historinë që do të lexoni, nuk kisha menduar asnjëherë se do ta hidhja në letër. Por kohët e fundit, një mori gjërash më shtynë t'u kthehem edhe njëherë ndodhive më të dhembshme të jetës sime dhe të disa njerëzve që i kam dashur më shumë se të tjerët. Historia që do të ndiqni tregon se si kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeçe, u hyra kërkimeve të gjeja babanë dhe të shkuarën e tij, ndërkohë që edhe ai u hyri kërkimeve të gjente udhëheqësin e tij të adhuruar e të zbulonte historinë e tij personale, dhe sesi të gjithë u pleksëm me një ndër shtigjet më të errëta në histori. Në këtë histori do të mësoni për fatin e atyre që mbijetuan gjatë kërkimeve dhe të atyre që s'ia dolën dot dhe pse. Të them të drejtën, si historiane kam mësuar se të rrallë janë ata që i kthehen historisë dhe mbijetojnë. Dhe rreziku nuk qëndron vetëm te kthimi prapa; ndonjëherë, vetë historia na qepet keq me kthetrat e saj të mynxyrshme.

U bënë tridhjetë e gjashtë vjet që kur ndodhën këto ngjarje, dhe gjatë kësaj kohe jeta ime ka qenë relativisht e qetë. Ua kam kushtuar kohën kërkimeve dhe udhëtimeve pa ngjarje, studentëve të mi apo miqve, shkrimit të librave me natyrë historike dhe çështjeve të universitetit, tek të cilat, në fund të fundit, kam gjetur strehë e ngushëllim. Gjatë shqyrtimit të së kaluarës kam qenë me fat, sepse më është dhënë mundësia të shoh dokumente nga më personalet në lidhje me këtë çështje dhe ato kanë qenë në zotërimin tim për shumë vite me radhë. Kur e ndjeva se i kisha përvetësuar, i përmblodha të gjitha së bashku, duke krijuar një rrëfenjë që m'u desh ta plotësoja edhe me kujtimet e mia. Edhe pse disa nga historitë e para të babait i kam treguar ashtu siç i kam dëgjuar, kam shtuar në letrat e tij edhe disa histori të tjera, që përputhen me ato që më ka treguar ai. Duke synuar që t'i jap sa më të plota këto burime, kam provuar rrugë të mundshme për të mbledhur kujtime, madje ndonjëherë duk vizituar rishtas një vend, me qëllim që të ndriçoj zonat e errëta të kujtesës sime...

...Lexuesi modern do të ndihet i familjarizuar deri në dhembje me konfliktin fetar dhe territorial mes Lindjes islamike, Perëndimit judeo-kristian...

 
Marre nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama