Regjistroni domainin tuaj .al

Santa Klausi, historia e nje miti

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite më parë

Santa Klausi, historia e nje miti
Santa Klausi, historia e nje miti

Shndërrimi i Shën Nikolasit, nga një peshkop i shekullit të katërt në yllin e festës së fundvitit është bërë përmes disa pak faktesh, disa rrëfimeve gjysmëlegjendare gjysmëbiblike dhe sigurisht, fantazisë bujare të njerëzve dhe punonjësve të marketingut, të cilët kanë nevojë për një hero zemërbardhë që mendon për lumturinë e tyre të fundvitit. Për historinë e vërtetë të Shën Nikolasit ekzistojnë shumë pak fakte, madje nuk dihet nëse ai ka pasur vërtet atë mjekrën e bardhë me të cilën njihet sot, por një gjë është e sigurt që shenjtori kishte një reputacion të madh për bujari dhe për bërje dhuratash. Kjo është edhe vetia që i ka rezistuar shekujve dhe sipas admiruesve të tij Shën Nikolasi është pjesë thelbësore e gëzimit të Krishtlindjeve.

Ajo pak çka dimë është se ai Shën Nikolasi lindi në shekullin e III në Patara, një port i rëndësishëm në jug të bregdetit që njihet aktualisht sot si Turqia. Pas vdekjes së prindërve të tij të pasur, thuhet se trashëgoi shumë pasuri, një pjesë të madhe të së cilës ua dhuroi nevojtarëve. Më pas u zgjodh peshkop i qytetit të afërt të Myras dhe gjatë kësaj periudhe u bë pre e persekutimeve, burgosjeve dhe keqtrajtimeve të perandorit romak, Diocletian. Emri i tij ndodhet edhe në listën e pjesëmarrësve të Këshillit të Parë të Nikeas, në të cilin u formulua kredoja për natyrën e Trinisë së Shenjtë. Mendohet se vdiq në Myra në vitin 343 pas Krishtit dhe kockat e tij u transportuan në Itali nga detarët italianë dhe u vendosën në Bari në shekullin 11-të. Për të qarkulluan shumë legjenda që e shndërruan në një person që kryente mrekulli. Kjo ishte arsyeja që u konsiderua si mbrojtës i shumë kategorive të njerëzve që nga detarët, fëmijët, tregtarët etj. Por ndër historitë më jetëgjata është ajo që rrëfen për një plak që kishte tri vajza të cilave, duke qenë i varfër, nuk mund t‘u siguronte një pajë të mjaftueshme për t‘i martuar. Kështu, ato rrezikonin të mbeteshin lënesha, e më keq akoma të merrnin rrugën e prostitucionit. Nikolasi donte që t‘u jepte një dorë ndihmë, por duke qenë një person jashtëzakonisht modest dhe i ndrojtur e duke mos e pëlqyer publicitetin, ai shkoi në shtëpinë e plakut natën vonë dhe la aty tri qese të mbushura me florinj. Një nga versionet e historisë është se ai e bëri këtë gjatë tri netëve, pra çdo natë hidhte nga një qese me monedha. Një tjetër version thotë se ai e bëri bamirësinë përmes oxhakut për të mos u vënë re nga i ati i vajzave dhe një tjetër version akoma rrëfen se plaku e kapi Nikolasin teksa bënte bamirësinë, por ai i tha që të mos ta falënderonte atë, por Zotin, pasi kjo ishte vepër e tij. Nikolasi nderohet ende nga të krishterët e Kishës Katolike Romane dhe të krishterët ortodoksë, si dhe nga një numër besimtarësh të kishave anglikane dhe luteriane. Rreth 500 kisha në Britaninë e Madhe e konsiderojnë Shën Nikolasin mbrojtësin e tyre. Në pjesën më të madhe të Evropës ku nderimi dhe adhurimi ndaj shenjtorëve është pjesë e kulturës popullore, Shën Niku shfaqet në një shumëllojshmëri formash. Në disa qytete ai shfaqet si një kalorës që rend me kalin e tij nëpër rrugë dhe fëmijët mundohen ta imitojnë. Në Britani ai ishte në themel të idesë së Babagjyshit të Krishtlindjeve, i cili u shfaq gjatë periudhës viktoriane me pamjen e një personazhi mjekërbardhë e të qeshur. Por pamja familjare e dhjetëvjeçarëve të fundit me të cilën jemi mësuar ta identifikojmë në çdo fillim dhjetori është përpunuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së pari, të ardhurit holandezë në tokat e botës së re sollën me vete edhe zakonet e vendit të origjinës, por në vendin e ri Sinter Klaasi ose Sankt Niklasi i tyre u shndërrua në Babagjyshin e Krishtlindjeve. Paraardhësi i tij i parë ishte Clement C Moore, një pastor njujorkez, i cili nuk kujtohet për punën e tij kryesore, hartimin e fjalorit hebraisht-anglisht, por për një poemë që e krijoi për fëmijët e tij: "Vizita e Shën Nikolasit", e cila njihet tashmë botërisht me titullin "Nata para Krishtlindjeve". Ajo u botua në vitin 1822 dhe i dha botës personazhin e Shën Nikolasit në versionin që e njohim të gjithë, pra atë të një plaku të buzëqeshur e mjekërbardhë që sjell dhuratat e Krishtlindjeve hipur në një slitë që udhëhiqet nga dy drerë. Ai futet shtëpi më shtëpi nga oxhaku dhe hedh dhurata dhe ëmbëlsira për fëmijët. Babagjyshi i Krishtlindjeve është mjekërbardhë, faqekuq gjithmonë buzagaz dhe i veshur me pellush. Ky ishte përshkrimi që iu dha në poezinë e pastorit në të cilën nuk përshkruhet veshja e jashtme e tij për të cilën nuk flitet fare. Gjatë dhjetëvjeçarëve që pasuan ai shfaqej i veshur me ngjyra e rroba të ndryshme, asnjëherë njësoj. Paraqitja e jashtme u përcaktua përfundimisht gjatë fushatës së famshme të marketingut të Coca-Colës në vitin 1931, kur Babagjyshi i Krishtlindjeve u shfaq më në fund me një kostum të kuq të rrethuar me pellush të bardhë dhe mbërthyer me një rrip të gjerë. Pikërisht kjo pamje u pranua botërisht si pamja e Babagjyshit të Krishtlindjeve, pamje që ka shoqëruar dhjetëra e dhjetëra Krishtlindje dhe është bërë pjesë e pandashme e festës pa të cilën ajo nuk mund të kuptohet. Sigurisht që miti i Babagjyshit të Krishtlindjeve është shtrirë shumë më përtej festës së fundit të vitit. Ai përveçse në industri ka hyrë edhe thellë në ndërgjegjen tonë si një figurë bujare e zemërbardhë që shpërndan mirësinë kudo e mbi të gjitha nuk e mban meritën për vete, por ia jep atë Zotit, si shenjë e dashurisë së tij të njëjtë për të gjitha qeniet njerëzore. Ja tani edhe një llogaritje e këndshme. Sipas legjendës moderne, Babagjyshi i Krishtlindjeve natën e tyre shpërndan në të gjithë botën dhurata. Për ta bërë këtë atij i duhet të udhëtojë për 221 milionë kilometra me një shpejtësi mesatare prej 1279 kilometrash për sekondë ose 6395 herë më të madhe se shpejtësia e zërit.


CV e shenjtërisë

Shën Nikolasi ka lindur rreth vitit 260 para Krishtit në Patara, diku në Turqinë e sotme
U bë peshkop i Myras dhe u burgos më pas nga Perandori Diocletian. Mori pjesë në Këshillin e Nikeas në vitin 325
Vdiq në vitin 343, sipas të gjitha gjasave më 6 dhjetor. Eshtrat e tij i sollën në Itali, në Bari, në vitin 1087
Gradualisht, figura e tij u transformua në figurën e Babagjyshit të Krishtlindjeve në Itali e vendet rrotull dhe atë të Santa Klausit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pamja e tij familjare për të gjithë botën e një babagjyshi mjekërbardhë, veshur me të kuqe u bë një figurë universale, pas reklamimit të saj nga Coca-Cola në fushatën e vitit 1931.

Marre nga : Gazeta Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi