A vlen me konkursi per dramen shqipe

A vlen më konkursi për dramën shqipe

Le të shfletojmë më mirë se hamendjet ca fakte të fundit për dramën e shkruar nga autorë shqiptarë. Para së gjithash, t'i referohemi vendit që merret me dramën, Teatrit Kombëtar. Ka disa javë që salla e tij po mbushet plot nga drama e Arthur Millerit. Themi drama e Millerit, për të mos u marrë me elementë të tjerë të shfaqjes. "Pamje nga ura" ka dyzetë vjet që vihet në skenat e botës. Salla plot mund të mos merret si tregues kryesor, sepse plot e ka mbushur edhe ndonjë komedi shqiptare që të thuash mediokritet që po vihej në atë skenë, do ishte pak. Kjo është aq e vërtetë sa i njëjti drejtor teatri që i ka lejuar të dy veprat, kaq të pakrahasueshme, me rastin e ardhjes së "Pamje nga ura" do pranonte që me Millerin fillonte epoka serioze e teatrit. Prapë deklarata që ishte një formë ndjese për "ç'është bërë, është bërë", duhet marrë me rezerva përderisa çdo drejtor i atij teatri mendon që historia fillon me emërimin e tij dhe që teatri ynë Kombëtar ka më shumë se një dekadë që s'ka repertor. Ka ndodhur pikërisht gjatë kësaj kohe që janë vënë më shumë se asnjëherë në skenë drama shqipe. Me përjashtime fare të rralla, e tëra ka qenë dështim. Dështim është baraz me "nuk thonë asgjë".

Asnjëherë repertori botëror nuk ka pasur tek ne një mohim kaq të hapur. Një ksenofobi e tillë ndaj dramës së huaj arriti të shndërrojë raportet: nga pesë premiera në sezon, 3 janë dramë shqipe. Ka ndodhur që një nga këto regjisori ta merrte gati me detyrim (për çështje parash dhe për të zgjuar dëshirën për punë etj..)

Dështoi hapur me konkursin e dramës mbarëshqiptare, ish- ministrja e Kulturës në vitin 2003, Arta Dade. Ajo dha para dhe çmime për drama që nuk u vunë kurrë në skenë. Qëllimi që kishte shpallur e shtyrë nga ide të paqarta për kulturë me identitet kombëtar, ishte i afërt me qëllimin që shpall sot, katër vjet më pas po kjo ministri: "Duke vlerësuar krijimet e pakta të viteve të fundit, në fushën e dramaturgjisë, shihet si e domosdoshme ndërhyrja institucionale për motivimin e krijuesve të dramës shqipe. Zhvillimi i një konkursi kombëtar për dramën më të mirë, jo vetëm do të motivojë, stimulojë dramaturgët shqiptarë por do t'iu japë një mundësi dramave të tyre për tu ngjiturnë skenë duke u marrë kështu vlerësimin e drejtpërdrejtë të publikut",- thuhet në tekstin shoqërues për konkursin në fjalë.

Dramat fituese të kohës së Dades, fjala vjen, të Nebi Islamit dhe Teodor Laços sot e kësaj dite mbeten në letër. Atëherë zonja Dade gati urdhëronte Teatrin Kombëtar të fuste në repertor veprat e konkursit. Në vitin 2007 TK vë në skenë "Këmbanat e muzgut" e Teodor Laços dhe nuk ishte drama që kish fituar dikur çmimin e ministrisë. A mund të thuhet se ky është nga rastet kur është vlerësuar jo drama po "emri i njohur"?

Kurse ato pak drama të mira shqipe nuk janë prodhuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe as nën çatinë e Teatrit Kombëtar. Kanë qenë iniciativa të lira, rropatje individuale.

Kështu, sot rishfaqet ideja e dramës shqipe si një politikë shtetërore, politikë që nuk merr në konsideratë rezultatet e mëparshme në këtë fushë dhe ç'është më e rëndësishmja, kontekstet e realitetit të sotëm teatror në Shqipëri. A mund të vlerësohet një dramë vetëm si tekst i shkruar? Anëtarët e jurisë (Mark Marku, Gentian Çoçoli, Parid Teferiçi, Ema Andrea), gjysma e të cilëve kanë lidhje më së shumti me librin (ndërsa kryetari, Besnik Bisha, regjisor kinemaje) duhet të përmbushin një detyrë me qëllim "vlerësimin, promovimin dhe nxitjen e një arti në rrezik dhe në zhdukje siç është dramaturgjia kombëtare." Cili art është në rrezik, drama e shkruar shqipe, apo drama shqipe në teatër? Drama e shkruar s'është në rrezik, lista e titujve të depozituar më parë dhe sot në vitin 2007 në Ministrinë e Kulturës, dëshmon të kundërtën. Ja, për shembull Bashkim Kozeli konkurron me tre drama "Marathonomaku i pavarësisë", "Gonxhja e shenjtë" dhe "Ora e mbetur"; Bashkim Hoxha po ashtu konkurron me disa, njëra prej tyre u vu në skenë privatisht në Teatrin Kombëtar; Loni Papa merr pjesë me dy drama njëlloj si Nuredin Boriçi, Odise Plaku, Stefan Çapaliku, Ridvan Dibra, Natasha Bega, Fadil Kraja, Robert Budina, Rushdi Pulaha (që e ka provuar për çka sjellë në teatër) Fadil Hysaj, Sheri Mita, Vangjush Popli, Kujtim A. Shehu, Hekuran Zhiti dhe Shpëtim Gina me "Peshën e paqes" e sabotuar njëherë në teatër.

Juria e MTKRS do të vlerësojë me çmim tri veprat më të mira të dramaturgjisë kombëtare në dorëshkrim ose të botuara dhe vlera financiare është respektivisht: për çmimin e parë 400.000 lekë, për çmimin e dytë 300.000 lekë dhe për të tretin 200.000 lekë.

Ministria njofton se çmimet që do të jepen "do t'i dedikohen posaçërisht përkrahjes së tendencave moderne dhe emancipuese, estetike të teatrit shqiptar, që mund të luajë një rol të ndjeshëm në komunitetin teatror e më gjerë. Përveç sa më sipër, Juria është e detyruar që çmimet t'i motivojë duke i shtuar një gjykim të vetin të shkruar."

"Tendenca moderne të teatrit shqiptar" thuhet aty. Nga kjo listë emrash, duke përjashtuar disa që teatrin e kanë interes primar, të tjerët janë "rishtarë" 50-60 vjeçarë që kanë menduar ta ngjyejnë penën dhe në dramaturgji. Sa për disa nga dramat e tjera të përmendura në listën e MTKRS, gati një e treta e tyre është vënë në skenë (Çapaliku, Hoxha, Hysi etj.). Pra kriteret e jurisë për të gjetur në këtë listë tendenca dhe estetika, janë jo realiste për çfarë në të vërtetë ka ofruar drama shqipe sot.

Më 14 dhjetor do të shpallen tre nga 10 dramat më të mira të listës, që me sa duket do ta kenë të lehtë të vetëshpallen më të mirat.

 
Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama