Kuteli ky mjeshter i gjuhes

Kuteli, ky mjeshtër i gjuhës

Ai përbën një fenomen të rrallë letrar. Talenti i tij ka ndritur, para së gjithash, si mjeshtër i shquar i gjuhës. Dhimitër Pasko, me pseudonimin letrar kryesor Mitrush Kuteli, është shkrimtar i vlerave të mohuara në periudhën e errët të regjimit totalitar komunist.Kuteli, pas mbarimit të shkollës së mesme, ndoqi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike të Bukureshtit, Rumani (1928). Mbaroi me përfundime të shkëlqyera dhe ngjiti shkallët e ekonomistit, gjer në postin më të lartë të drejtorit të Bankës Kombëtare të Rumanisë. Lufta e Dytë Botërore dhe rrethanat e krijuara e detyruan të largohet nga mobilizimi ushtarak dhe të kthehet në Pogradec.Ndonëse pas 21 vjetësh largimi, Kuteli kthehet në vendlindje. Veprimtaria, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë të letrave, e kishte mbajtur lidhur pas realitetit shqiptar dhe njëherazi e kishte bërë të njohur jo vetëm në rrethet intelektuale, por edhe më gjerë.Më 1943, nën titullin "Mall e Brengë", Kuteli i dha lexuesit shqiptar një tufë me vjersha origjinale e përkthime mjeshtërore të Fan Nolit. I mblodhi, i përzgjodhi dhe i shoqëroi me një parathënie model. Për këtë botim Kuteli mori falënderimet e vetë Nolit.

Po në vitin 1943 botoi librin "Ago Jakupi dhe të tjera rrëfime", që ia kushtoi të atit, që u vra dhe u dogj me gjithë shtëpi prej ushtrisë italiane në shtator 1943. Në pranverën e vitit 1943 bëri një udhëtim pune nëpër Kosovë, nga i cili u kthye me "Poemin Kosovar" dhe me një "kronikë lirike", - që ai e quajti "Në Prizren midis të gjallëve e të vdekurve".

"Poemi Kosovar" është një këngë poetike për historinë, qëndresën e shqiptarëve të Kosovës ndaj "shkjaut të zi". Kuteli, thjesht e hapur, shpall që në vargjet e para:


Jam kosovar,

Pra jam shqiptar:

Zot e krenar,

Zot e bujar,

Mbi këtë Dhé…

Në një dialog poetik me ideologjinë armiqësore sllavo-serbe se, shqiptarët qenkan ardhacakë në këto vise, Kuteli qartë e prerë thotë:

Unë jam këtu nga moti

Kur vetë Zoti

E bëri fushën fushë

E malin mal.

(Kuteli: "Prozë dhe vargje të zgjedhura 1", Tiranë, 2001, f. 223-224)

Poema e Mitrush Kutelit kushtuar Kosovës, jo vetëm që ka një patos të fuqishëm atdhetar dhe një tingëllim bashkëkohor. Më 1944 botoi "Këngë e britma nga qyteti i djegur", me folklor të mbledhur në Pogradec. Po atë vit botoi edhe pesë libra të tjerë.

Punonte në bankë kur gjermanët përpiqeshin të nxirrnin një monedhë të re, siç kishin bërë në të gjitha vendet e pushtuara. Dhimitër Pasko, si specialist, e pengoi këtë grabitje monetare gjer sa u rrezikua fizikisht. Shpëtoi rastësisht dhe u largua në zonën e çliruar të Priskës. Konsulli Shajger, i cili e kërkoi dy herë në banesë, u tha të motrave se po ta zinin do ta varnin në sheshin e ministrive. Pas çlirimit të Shqipërisë nga ushtritë pushtuese fashiste-naziste, ai punoi në sektorët financiarë dhe kryesisht në bankë. Aktiviteti i Kutelit si ekonomist mori fund në kohën e caktimi të kursit midis frangës shqiptare dhe dinarit jugosllav, kur ai kundërshtoi kursin që sugjeronin dhe zbatonin jugosllavët. Kjo grabitje maskohej nën politikën antikombëtare të Enver Hoxhës për bashkëpunimin e miqësinë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Më 16 maj 1947 u arrestua dhe pas 7 muajsh i vunë damkën "armik i popullit" dhe u dënua për "agjitacion dhe propagandë" me pesë vjet heqje lirie. Veprat letrare që kishte në shtëpi "humbën" dhe e vetmja pasuri që kishte, biblioteka e tij shumë e pasur, iu konfiskua. Mitrush Kuteli u dërgua në kampin e Voçishtit, siç dërgoheshin "armiqtë e popullit". Tani ishte armik, pa identitet, thjesht një numër në dorë të rojeve të vrazhda. E varrosën të gjallë në dhe, por disa të burgosur trima dhe zemërmirë ndërhynë, e nxorën nga gropa dhe e shpëtuan. Më vonë e nisën për Tiranë, sepse tani u duhej si përkthyes (në qeli). U lirua në prill të vitit 1949, me "falje".

Në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri", e vetmja shtëpi botuese në Shqipëri gjer në vitin 1990, Kuteli përktheu vepra të njohura të letërsisë botërore. Mitrush Kuteli njihet si shkrimtar, përkthyes, ekonomist, kritik letrar, folklorist dhe publicist. Në çdo fushë Kuteli u tregua i talentuar edhe për faktin se ishte sqimatar e nazik në përdorimin e gjuhës. Brenda kornizave të një shkrimi gazete, po ndalem më gjerë pikërisht për artin e tij gjuhësor. Po ia jap fjalën vetë Kutelit.

Në mendimin e Kutelit, shkrimtari nuk mund t‘i shërbejë kombit veçse me një gjë, me një art të madh. Këtë ai e thotë hapur dhe shtjelluar qartë: "Për t‘u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk nevojitet medoemos shtizë, dyfek a mitraloz. Mjafton të më shkruash bukur, në gjuhën e pasur të kombit, për vepra e ndjenja fisnike." ("Kuteli, Shënime letrare", dr. Aurel Plasari, 2007, f.26.)Në analizën e poemave të Lasgush Poradecit, "Vargjet dhe Vallet e Dherit" dhe "Vargjet e Zemrës së Dherit", Kuteli vëren se Lasgushi ndrit në artin e gjuhës: "Shqipëria shpirtërore është gjuha shqipe me stolitë dhe thesaret e saj të paçmueshme të gatuara prej mijëra brezash, që u ngritnë e sbritnë në tokën shqiptare si ngrihen e sbresin valët e detit; këngët e lashta me atë njomësi e thellësi pashoq, - prodhim i gjeniut të kombit". (Vep. Cit. f.24.) Te Lasgushi, si vijues modern i Naimit, Kuteli zbulon vijimësinë e kultit të gjuhës. "Gjuha, ky ekspresion i parë e tipik i kombit, është një motiv i kënduar fort dendur. Vjersha "Naim Frashërit" është në fillim e gjer në mbarim një himn i shqipes, shqipes së lashtë e pleqërishtes…".

Në analizat letrare për Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Çajupin dhe mbi të gjitha veprën e Fan Nolit, Kuteli lidh ngushtë idealin atdhetar e kombëtar me artin e gjuhës. Në parathënien e quajtur "Vështrimin panoramik", Kuteli thotë se, te poeti Fan S. Noli kryet e vendit e zë ideali shoqëror e gjithë kombëtar. "Ushëtin brenda vjershës së Fan Nolit, si në vrulle rrëkesh që derdhen tatëpjetë, shpirti gjithmonë i ri i kombit". (Po aty, f.25). Koncepti dhe vëmendja e Kutelit për gjuhën shqipe nuk ka si kuptohet plotësisht pa marrë në shqyrtim edhe punën si përkthyes. Kuteli përktheu disa nga shkrimtarët më të shquar të vendeve dhe popujve të ndryshëm. Nga rusishtja përktheu "Tregimet e Petërburgut" dhe "Frymë të vdekura" të Gogolit, "Kujtime të një gjahtari" të Turgenievit, "Vajza e kapitenit" e Pushkinit, "Fabula" të Krillovit. Përktheu edhe prozë turke, kineze, persiane, arabe, mongole, polake. Mblodhi dhe shqipëroi përralla të popujve të ndryshëm, si dhe poezi të Elyarit dhe Nerudës.

Gjuha shqipe në shkrimet e Kutelit shquhet për sintaksën e saktë, morfologjinë e përpiktë dhe fjalinë e shkurtër dhe të qartë. Kuteli e skalit fjalinë, e zgjedh fjalën shqipe dhe e shpreh atë me figura lehtësisht të kuptueshme. Stili letrar në veprën krijuese ose kritike të Kutelit është i dëlirë, piktoresk, i lehtë, i kulluar, i hareshëm. Ta them me fjalët e vet Kutelit: stili i tij është si "vera e vjetër në qelqen me ngjyra". Ja ndonjë shembull, midis të shumtëve, për artin e gjuhës te Mitrush Kuteli: Ndërrimi i stinëve në penën e Kutelit: "Doli vera, hyri vjeshta; pas vjeshtës dimri". Pra 4 stinë thënë vetëm me dy fjali. Ja edhe një portret: "Xha Brahua ishte ashtu siç kish qenë gjithmonë: I pakët nga shtati, i eshkët, me shpatulla të kërrusura nga pleqëria, i pahitur i tëri, nga koka gjer në këmbët" (Prozë dhe vargje të zgjedhura, f.19) Ja edhe një mulli fshati: "Kujtoj atë mëngë të fshatit: mullirin e vjetër të Shkumbanores, me çati të zbërdhyltë e të kërrusur nën degët e arrës, myshkun e gjelbër të remës, kulprat e varura, shkumbën e bardhë që dilte vrulltas ndër mijëra stërkala e ylbere dhe ujin e rrahur të pendës, që e pinim me grushte e s‘ndjenim të nginjur". (Prozë dhe vargje të zgjedhura", f.7). Mitrush Kuteli la një vepër të madhe dhe ishte e mbeti, para së gjithash, mjeshtër i shquar i fjalës së bukur shqipe.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama