Kryengritjet shqiptare te viteve 1836-1839

Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 u shtypën, gjendja në Shqipëri nuk u qetësua. Porta e Lartë ishte e vendosur të zbatonte reformat dhe priste rastin e volitshëm për të shkelur premtimet që u kishte bërë shqiptarëve. Por edhe shtresat e gjera të popullsisë shqiptare ishin të vendosura të mos i pranonin ato dhe barrën e rëndë që sillte zbatimi i këtyre reformave. Ndërkaq, përballë qëndresës së përgjithshne të shqiptarëve, Porta e Lartë u detyrua të ndërrojë taktikë, hoqi dorë nga zbatimi i menjëhershëm i reformave në të gjitha tokat shqiptare, duke i vënë në jetë pjesë-pjesë. Në të njëjtën kohë, para zbatimit të tyre, bëri për vete mjaft krerë feudalë të lëkundur. Në këto rrethana kryengritjet, edhe pse vazhduan pareshtur, nuk arritën të merrnin një shtrirje të gjerë, në rrafsh kombëtar, por mbetën të kufizuara në caqet lokale ose krahinore, që i dha mundësi Stambollit t’i shtypte më lehtë.
Në verën e vitit 1836 shpërtheu kryengritja në krahinën e Vlorës, e udhëhequr përsëri nga Tafil Buzi, por ajo nuk zgjati shumë. Pas një viti rifilloi në përmasa më të gjera në Myzeqe.
Qëndresa e armatosur u shtri edhe në trevat veriore të vendit, në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë dhe në krahinën e Dibrës. Në vjeshtën e vitit 1836 popullsia shqiptare e krahinave të Bihorit e të Tërgovishtës nuk pranoi të regjistroheshin ushtarët rezervistë. Në fillim të vitit 1837 u ngrit popullsia e Matit, dëboi qeveritarin e huaj dhe e detyroi valiun e Rumelisë të risjellë atje Haxhi pashë Matin, të shkarkuar pas kryengritjes së Shkodrës.
Në qershor të vitit 1837 kryengritja e drejtuar nga Alush bej Frakulla përfshiu krahinën e Myzeqesë. Në ditët e para të qershorit 1837 kryengritësit u ndeshën me forcat osmane përpara qytetit të Beratit dhe i thyen ato. Kundër tyre u hodh Emin Pasha, me një ushtri prej 5 000 vetash, që mbërriti në fillim në Berat për të kaluar më pas në Myzeqe. Në një përleshje të pabarabartë në fshatin Frakull kryengritësit u mundën. Alush Frakulla me 150 veta u kapën dhe u dënuan me punë të detyruar. Megjithëse kryengritja u shtyp, Emin Pasha nuk guxoi të zbatonte reformën ushtarake.
Po në verën e vitit 1837 lëvizja kryengritëse u shtri në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Plavës e të Gucisë, ku shpërtheu qëndresa e armatosur kundër rekrutimit të ushtarëve nizamë e kundër taksave që shoqëronin reformat. Kryengritësit gjakovarë shpartalluan forcat qeveritare, shtinë në dorë qytetin e Gjakovës dhe shpallën vetëqeverisjen e krahinave të tyre. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e kryengritësve, por në një zonë relativisht të kufizuar. Kjo u dha mundësi forcave osmane, të përkrahuara edhe nga krerë vendas, ta shtypnin lëvizjen brenda një kohe të shkurtër.
Më ndryshe u zhvilluan ngjarjet në krahinën e Dibrës e në atë të Prizrenit. Në vjeshtën e vitit 1837 rreth 8 000 kryengritës nga Dibra e Sipërme dhe e Poshtme iu kundërvunë përpjekjeve të Portës së Lartë për kufizimin e vetëqeverisjes lokale të kësaj krahine. Kryengritësit rrethuan qytetin e Dibrës së Madhe dhe mblodhën në katundin Krifcë Kuvendin e tyre, i cili kërkoi nga të dërguarit e valiut të Rumelisë zëvendësimin e një nëpunësi të huaj, të caktuar prej tij me një shqiptar si edhe garancinë për të mos dënuar asnjë kryengritës. Vendosmëria e kryengritësve e detyroi Portën e Lartë të pranonte kërkesat e tyre. Kështu në krahinën e Dibrave u ruajt tradita e qeverisjes prej nëpunësve vendas.
Në ditët e para të muajit gusht të vitit 1839 kryengritja përfshiu qytetin e Beratit, që varej atëherë nga sanxhaku i Vlorës. Qindra qytetarë sulmuan selinë e qeveritarit të Beratit, i cili mundi të shpëtojë duke u mbyllur në kala. Kryengritja u shtri në tërë krahinat e sanxhakut të Vlorës. Në Kuvendin që u mbajt në qytetin e Beratit përfaqësuesit e kryengritësve i paraqitën sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, në emër të të gjithë Shqipërisë së Jugut, kërkesën për vendosjen e një administrate civile e ushtarake shqiptare në të gjitha hallkat shtetërore. Si qeveritar i përgjithshëm i saj u propozua Ismail Pasha, nipi i Ali pashë Tepelenës dhe djali i Veli Beut. Kryengritësit mendonin se emri i mirë i kësaj shtëpie do të ndikonte në bashkimin e shqiptarëve dhe të tokave të tyre. Në shtator 1839 kryengritësit shtinë në dorë kështjellën. Në këto rrethana Porta e Lartë u detyrua të pezullojë përkohësisht reformat centralizuese.
Në mesin e shtatorit të vitit 1839 lëvizja kryengritëse u shtri në Prizren, banorët e të cilit rrëmbyen armët dhe e detyruan qeveritarin osman, Ismet Pashën, të largohej nga qyteti. Një delegacion i kryengritësve i kërkoi Portës së Lartë që të hiqte taksat e reja, t’u jepej fund grabitjeve, t’i njihej sanxhakut të Prizrenit një qeverisje autonome, duke e shkëputur njëkohësisht nga varësia e drejtpërdrejtë ushtarake nga qeveritari (myshiri-mareshali) i Rumelisë. Ky u orvat të përdorte mirditasit dhe kapedanin e tyre për të shtypur kryengritjen. Por mirditorët, tek të cilët ishte forcuar tanimë vetëdija politike, nuk pranuan të luftonin kundër vëllezërve të tyre. Porta e Lartë u detyrua që edhe në këtë sanxhak të ndërpriste zbatimin e reformave centralizuese.
Si rrjedhojë e kryengritjeve shqiptare të viteve 30 reformat centralizuese nuk u çuan deri në fund, mbetën në gjysmën e rrugës. Porta nuk arriti të zëvendësonte, në gjithë administratën lokale, nëpunësit vendas me turq. Krahina e Shkodrës u përjashtua nga reformat dhe mbeti kështu deri në mesin e atij shekulli. Reformën ushtarake Stambolli u orvat ta vinte në jetë në Shqipëri nëpërmjet ekspeditave të njëpasnjëshme ushtarake, që mobilizonin me forcë ushtarët nizamë e rezervistë, ndërsa reforma gjyqësore nuk arriti të zbatohej.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama