Letersia shqiptare ne shek. XVI-XVII

Pas vdekjes së Skënderbeut (1468) dhe rënies së kështjellave të fundit të qëndresës shqiptare (1468-1479), për popullin shqiptar nisi një periudhë e gjatë pushtimi gati pesëshekullore, pasojat e të cilit u ndien në gjithë jetën e vendit. Invazioni osman dhe luftërat shkretuese që turqit i imponuan popullit shqiptar, krahas të tjerave i sollën dëme të mëdha edhe kulturës shqiptare. U ndërprenë proceset e natyrshme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror e kulturor dhe vendi hyri në një sistem marrëdhëniesh të prapambetura, në një fazë historikisht të kapërcyer prej tij. Humbja e forcave të gjalla njerëzore, eksodi biblik i dhjetëra mijëra banorëve të tokave shqiptare që morën arratinë për t`i shpëtuar zgjedhës osmane, shkatërrimi i vendit, rrënimi i shumë qyteteve, vatra të rëndësishme të kulturës, që groposën nën gërmadhat e tyre vlera të mëdha kulturore (monumente të arkitekturës e vepra të artit, dokumente të shkruara e arkiva të tëra etj.), të krijuara nga shqiptarët gjatë shekujve, u duk se sollën një shkreti në jetën e vendit. Shqiptarët kishin hyrë në një robëri të rëndë që, bashkë me zhdukjen e vlerave shpirtërore, rrezikonte të sillte humbjen e identitetit dhe zhdukjen e tyre si popull. Përveç kësaj, kultura shqiptare u vu nën trysninë e asaj turko-arabe. Sundimtarët osmanë, bashkë me islamizimin në masë të popullsisë shqiptare, nëpërmjet një diskriminimi të gjithanshëm kombëtar dhe politik të shqiptarëve synonin t’i shkombëtarizonin, t’i asimilonin dhe t’i turqizonin ata.
Procesi i zhvillimit kulturor të shqiptarëve pësoi një thyerje, por nuk u ndërpre krejtësisht. Nga një anë, tradita e një qytetërimi dhe e një kulture të hershme dhe ekzistenca e shqipes, një nga gjuhët më të lashta të kontinentit që i dallonte shqiptarët prej popujve të tjerë përreth e, nga ana tjetër, ekzistenca e një qëndrese kundër pushtuesit, që shfaqej me shpërthimin e kryengritjeve të herëpashershme antiosmane, ishin faktorët që mundësuan mbijetesën e një kulture tradicionale, materiale e shpirtërore, gojore dhe të kultivuar, si dhe zhvillimin e një letërsie të shkruar në gjuhën shqipe, sidomos nga shek. XVI e këtej.
Në prag të pushtimit osman populli shqiptar kishte arritur të dilte si një etni dhe kombësi e dalluar, me kulturën e tij të veçantë, të shprehur në mënyrën e jetesës, në arkitekturë dhe në veprat e artit, në ruajtjen e gjuhës dhe në krijimtarinë popullore. Me zhvillimet ekonomiko-shoqërore dhe kulturore shqiptarët nuk mbetën pas popujve fqinjë të pellgut të Adriatikut e të Gadishullit Ballkanik. Në kulturën dhe në mendimin shqiptar kishin nisur të hynin idetë e Rilindjes evropiane, në to u ndie ndikimi i lëvizjes së madhe të Humanizmit.
Kur pushtimi osman e bëri të pamundur lulëzimin e kulturës humaniste në vend, ajo pjesë e inteligjencies shqiptare që ishte formuar nën ndikimin e kësaj lëvizjeje, emigroi jashtë vendit dhe e zhvilloi veprimtarinë e saj në viset e huaja ku u vendos, kryesisht përtej Adriatikut. Prej saj u shquan figura që bënë emër në botën humaniste, si historianët Marin Barleci (1458-1512) dhe Marin Beçikemi (1468-1526), ndërsa Gjon Gazulli (1400-1465), Leonik Tomeu (1456-1531), Mikel Maruli (shek. XV), Maksim Artioti (1480-1556) u dalluan në fusha të ndryshme të shkencës, të artit e të filozofisë.
Por vendin e parë midis tyre e zë Marin Barleci, historiani i parë i madh shqiptar, autori i veprës së njohur “Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis” (Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princit të epirotëve), botuar në Romë midis viteve 1508-1510. Kjo vepër u përkthye në shumë gjuhë të botës dhe u bë burim i një literature të gjerë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Vepra është shkruar në frymën e humanizmit, me një stil të ngritur e emocional përmes të cilit himnizohet Skënderbeu si luftëtar i lirisë, si mbrojtës i krishterimit dhe si njeri. Me gjithë teprimet, duke qenë bashkëkohës i ngjarjeve, Barleci ka sjellë në veprën e tij frymën e kohës dhe të dhëna historike që i qëndrojnë kritikës. E shkruar në latinisht, e cila ishte në atë kohë gjuha universale e kulturës, vepra e Barlecit ka në qendër botën shqiptare dhe i përket kulturës e letërsisë së popullit, që shkroi me luftën e tij një nga faqet më të ndritura të historisë së tij, duke u bërë gardhi i pathyeshëm që pengoi vërshimin e osmanëve përtej brigjeve të Adriatikut.
Edhe përpjekjet që një pjesë e klerit bëri, për nevojat e jetës shpirtërore e konfesionale në vend, për të shpëtuar besimin e krishterë nga vërshimi i islamit, patën jo vetëm një kuptim fetar, por dhe atdhetar. Duke mbrojtur fenë e krishterë, në kushtet kur gati dy të tretat e popullatës në fund të shek. XVII ishin konvertuar në fenë islame, klerikë, si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, me veprimtarinë e tyre kishtare e letrare-kulturore synonin të mënjanonin rrezikun e asimilimit të shqiptarëve nga pushtuesi i ri. Ndryshimi drastik i strukturës fetare dhe masat e pushtuesit për nënshtrimin e popullatës vendase dhe rrafshimin e veçorive të saj etnike, nxitën qëndresën e shqiptarëve edhe në fushën e kulturës. Kultura shqiptare pati një zhvillim të vetin, të brendshëm, sado të penguar, edhe në kushtet e pushtimit disashekullor osman, nën trysninë e botës kulturore të orientit, që ushtroi një ndikim të thellë e të gjithanshëm në të, por pa arritur të shtypë natyrën shqiptare të kulturës vendase.
Qëndresa në fushën e kulturës u shpreh në radhë të parë përmes lëvrimit të shqipes në lëmë të botimeve të teksteve kishtare, kryesisht të qarkut konfesional katolik, në veri, por dhe ortodoks, në jug.
Reforma Protestante në Evropë kishte gjallëruar shpresat e zhvillimit të gjuhës e të traditës letrare vendase dhe në këtë klimë prifti katolik Dom Gjon Buzuku botoi më 1555 një “Meshar” shqip me pjesë të përkthyera nga ungjilli, rituali dhe liturgjia. Vepra duhet të jetë vënë në listën e librave të ndaluar (index) nga Kundërreforma, e cila me vendimet e koncilit të Trentit më 1562 lejonte të ktheheshin në gjuhët e folura të vendit vetëm katekizma (libra mësimi fetar), por jo libra liturgjie, siç ishte “Meshari”. Me këtë vepër Buzuku hidhte një hap të madh historik, duke dashur të ngrejë shqipen në rangun e një gjuhe liturgjie. “Meshari” i Gjon Buzukut ka rëndësinë e të parit monument si libër të dokumentuar të shqipes së shkruar në shek. XVI, si dhe rëndësinë e një nisme që hapte udhën e lëvrimit të mëtejshëm të gjuhës shqipe përmes përkthimit të teksteve kishtare, çka do t`i ndihmonte një procesi sado të ngadalshëm, por me pasoja të mëdha, përdorimit të shqipes në shërbesat fetare dhe kombëtarizimit të kishës në Shqipëri.
Nga libri i Buzukut njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Veprës i mungojnë fletët e para, ndër to dhe fleta e parë me titullin dhe vendin e botimit. Për këtë të fundit, Eqrem Çabej, që botoi më 1968 tekstin e plotë të njohur të veprës, me kritere të rrepta tekstologjike shkencore, i përmbahet mendimit të albanologut francez Mario Rok, se shtypshkronja ku u shtyp libri, duhet të ketë qenë venedikase ose e burimit venedikas e se ka shumë gjasa që libri të jetë shtypur në Venedik.
Gjuha e veprës së Buzukut është gegërishtja e shek. XVI, por me një përpjekje të vetëdijshme të autorit për ta ngritur në një shkallë mbidialektore. Përkthimi nuk është mbështetur mbi një tekst të vetëm origjinal, por mbi tri modele të ndryshme: latinisht, italisht e serbokroatisht dhe kjo i ka dhënë Buzukut liri më të madhe. Për të përballuar lëndën që përktheu ai është nisur nga shqipja popullore, duke vënë në përdorim gurra të gjalla të gjuhës amtare. Kjo e bën gjuhën e tekstit të rrjedhshme, vise-vise me një bukuri stilistike gjuhësore të rrallë; dallohen sidomos psalmet që mbeten shprehja e një shqipeje klasike. “Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim dhe i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari, i përpjekjes individuale për të ngritur të folët popullor në një shkallë më të lartë të përdorimit”.
Libri i Buzukut është shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. Për pesë tinguj të shqipes që nuk i ka latinishtja autori përdor shkronja të përngjashme me ato të alfabetit cirilik.
Vepra u shkrua për t`u ardhur në ndihmë klerikëve vendës dhe për ta pajisur kishën katolike shqiptare me një libër që të përmbushte nevojat e përditshme të shërbimeve fetare. Por ajo u shkrua dhe “nsë dashunit së botës sanë”, siç shkruan autori në pasthënien e veprës, pra dhe nga dashuria për polemin e vet. Sidoqoftë botimi i librit, siç ka vënë në dukje prof. Eqrem Çabej, i kalon caqet e literaturës dhe merr vlerën e një dokumenti historik, jo vetëm për gjendjen e shqipes në shek. XVI, por dhe si “dëshmi letrare e lëvizjes fetare katolike të shek. XVI në vendin tonë”.
I së njëjtës kohë është një dorëshkrim shqip toskërisht, i quajtur Ungjilli i Pashkëve, i cili dëshmon përpjekjet për përdorimin e shqipes edhe në shërbesat kishtare të ritit ortodoks.
Në kohën kur në Shqipëri nisën të vinin edhe misionarë katolikë, sidomos nxënës të kolegjit të Loretos, për organizimin e shkollave fillore pranë kuvendeve dhe famullive të tyre, për nevojat e këtyre shkollave, një prift tjetër katolik Pjetër Budi (1566-1622) botoi njëra pas tjetrës “Dottrina Cristiana”, 1618 (Doktrina e Krështenë), “Rituale Romanum” 1621 (Rituali Roman) dhe “Specchio di Confessione” 1621 (Pasqyra e t’rrëfyemit). Sikurse shkruante ai, qëllimi i botimit të këtyre veprave ishte “t`u vijë ndihmë këtyre popujve dhe vetë priftërinjve me shembëlla të përshpirtshme, duke shkruar vazhdimisht libra në gjuhën e tyre”. Të tria veprat janë në pjesën më të madhe përkthime të lira katekizmash, komente sakramentesh të rrëfimit dhe ligjërata që i përkasin po atij, si dhe poezi fetare. Autori herë pas here fut në mes të kësaj lënde fetare edhe pjesë që flasin për realitetin shqiptar, duke shprehur dhe ndjenjat e tij atdhetare.
Budi me veprën e tij shënon një hap përpara në letërsinë shqipe, sepse me të kemi shkrimtarin e parë të prozës origjinale dhe vjershëtorin e parë të letërsisë shqipe me një prodhim me afër 3 300 vargje, të gjitha përshtatje nga latinishtja e italishtja, po shumë herë një përshtatje e lirë me vlera stili.
Pjetër Budi pati disa përgjegjësi të larta në hierarkinë kishtare, deri në atë të Peshkopit të Sapës dhe të Sardës (krahina që i përgjigjen Zadrimës së sotme) dhe të Zëvendësit të Përgjithshëm të Serbisë, ku u emërua nga sinodi kishtar, më 1599, detyrë që e mbajti për 17 vjet. Por krahas veprimtarisë kishtare ai u angazhua dhe në disa projekte të guximshme për organizimin e një lëvizjeje çlirimtare antiosmane. Letra që ai i dërgon më 1621, kur është Peshkop i Sapës dhe i Sardës, Kardinal Gocadinit është një nga dokumentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare të shek. XVII, dëshmi e aspiratave për liri të shqiptarëve dhe e vetëdijes së tyre për të luftuar të bashkuar, pa dallime fetare e krahinore kundër zgjedhës osmane. Letra paraqet një projekt të gjerë për çlirimin e Shqipërisë. Përmes saj kuptohet se Budi pati marrë përsipër rolin e promotorit të bashkimit kombëtar dhe të organizatorit e të veprimtarit të shquar të lëvizjes çlirimtare.
Gjatë veprimtarisë së tij kishtare e atdhetare Budi ra në konflikt edhe me disa klerikë të huaj, sidomos pas vendimit që mori mbledhja e klerit shqiptar të peshkopatës së Shkodrës, Zadrimës e Lezhës, e organizuar prej tij më 1622, për të mos pranuar asnjë peshkop me kombësi të huaj. Nuk shkoi shumë kohë dhe ai u mbyt, si u tha, aksidentalisht në lumin Drin. Vdekja e tij në këto kushte lë shteg për të dyshuar se nuk ka qenë aksidentale.
Autor i tretë i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të shek. XVI-XVII të zhvilluar në Veri, është Frang Bardhi (1606-1643). Ai zë një vend të veçantë në lëvizjen kulturore e letrare të kohës, sepse veprat e tij lidhen më shumë me traditën e humanizmit. Lindi në Kallmet të Zadrimës, studimet teologjike i kreu në kolegjin e Loretos e të Propaganda Fides në Itali dhe punoi si klerik. Si dhe Budi, ai hyri në konflikt me klerikët e huaj dhe mendoi e punoi për t`u ardhur në ndihmë vendit të vet e popullit të vet dhe klerit vendës. Në një relacion që i dërgon Papës më 1641, Bardhi shpreh shqetësimin e një atdhetari që e vuan robërinë e pushtuesit osman, i mbushur me urrejtje ndaj mizorive të tij dhe me shpresa për ndihmë nga Vatikani. Relacioni ka edhe vlerën e një dokumenti historik me të dhëna për jetën e banorëve të krahinave, ku ai ushtroi detyrën e klerikut, për gjendjen e tyre ekonomike dhe shpirtërore nën zgjedhën e huaj dhe për zakonet e popullit.
Por veprat më të rëndësishme të Frang Bardhit janë “Dictionarium latino-epiroticum” (Fjalor latinisht-shqip), botuar më 1635 dhe një vepër për Skënderbenë e shkruar në latinisht dhe e botuar në Venedik më 1636 me titull “Georgius Castriotus Epirensia, vulgo Scanderbeg...” (Gjergj Kastrioti, Epiroti, i quajtur përgjithësisht Skanderbeg, princi shumë trim e i pathyeshëm i Epirotëve që u kthehet bashkatdhetarëve e atdheut të vet, nga Frano Bardhi).
Fjalori u hartua për t`u ardhur në ndihmë klerikëve shqiptarë që nuk e dinin latinishten, por nuk mungoi në këtë punë dhe frymëzimi nga ndjenja e dashurisë për shqipen. Në parathënien e veprës ai shënon se me të donte të ndihmonte gjuhën tonë “që po bdaretë e po bastardhonetë sa më parë të ve” (që po humbet e po prishet me të kaluar të kohës). Vepra e Bardhit hapi udhën në historinë e fjalorëve të shqipes, duke qenë i pari i këtij lloji. Ai përmban rreth 2 500 fjalë të zgjedhura nga fondi kryesor i gjuhës. Kjo vepër i hapi udhën edhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës, sepse në të janë përfshirë mbi 100 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera.
Vepra tjetër është një apologji, një mbrojtje që i bën Bardhi shqiptarësisë së Skënderbeut. Kjo vepër është shkruar prej autorit në valën e zemërimit, brenda dy javëve, si përgjigje dhënë peshkopit të Bosnjës, Tomko Marnaviç, i cili në një libër latinisht botuar më 1631, e nxirrte Skënderbeun me origjinë boshnjake.
Kjo e bën librin e Bardhit një vepër historike dhe polemike. Bardhi zotëron shumë mirë lëndën historike dhe e njeh mirë dokumentacionin përkatës; ai, siç shkruan Mario Roku, di të bëjë kritikën e dokumenteve, di të argumentojë tezat e veta, me një stil energjik, të shkathët e herë-herë emfatik për shkak të vetë argumentit që trajton.
Njeri me kulturë të gjerë dhe me mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barlecit në fushë të historiografisë skënderbejane dhe duke hapur udhë të re në fushë të leksikografisë e të gjurmimeve etnologjike, u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shek. XVII.
Përfaqësuesi i fundit dhe më i shquari i letërsisë shqiptare të shek. XVI-XVII është Pjetër Bogdani (1625-1689). Ishte nga Guri i Hasit, katund në afërsi të Prizrenit. Pas studimeve të mesme në kolegjin ilirik të Loretos, kreu studimet e larta në kolegjin e Propaganda Fides, po në Itali, ku mori dhe titullin e doktorit në filozofi e teologji. Pati detyra të ndryshme kishtare: në krye meshtar në famullinë katolike të Prizrenit, pastaj peshkop i Shkodrës, i ngarkuar njëkohësisht dhe me administrimin e kryepeshkopatës së Tivarit dhe në fund kryepeshkop i kishës katolike shqiptare të Shkupit. Jetoi vazhdimisht i përndjekur nga pushtuesit për shkak të veprimtarisë së tij aktive kishtare e atdhetare. Për t`u shpëtuar këtyre ndjekjeve për një kohë iu desh të merrte malet e të jetonte i fshehur. Por kjo e ndihmoi të njihte nga afër gjendjen e popullit të vet nën zgjedhën osmane, të vendoste lidhje me malësorët e krerët e tyre për veprime të përbashkëta kundër sunduesve osmanë, si dhe të mblidhte të dhëna për vendet ku kalonte, të njihte doket dhe traditat e popullit, gojëdhënat, folklorin dhe gjuhën popullore. Më 1685 u kthye përfundimisht në Kosovë dhe u vu në krye të lëvizjes çlirimtare antiosmane që shpërtheu atje më 1689, vit në të cilin edhe vdiq në Prishtinë i prekur nga epidemia e kolerës.
Veprimtaria politike, kishtare e letrare e Bogdanit u zhvillua në tri fronte: për mbrojtjen e kombësisë së tij nga asimilimi osman, nga asimilimi serb dhe nga asimilimi grek. Relacionet e shumta që i ka dërguar Bogdani Vatikanit dëshmojnë për aspektet e kësaj lufte të pandërprerë prej tij dhe përbëjnë një korpus me rëndësi dokumentesh për historinë dhe gjeografinë historike të Shqipërisë së kohës dhe të disa krahinave të tjera kufitare.
Vepra kryesore e tij është libri në dy vëllime “Cuneus Prophetarum” (“Çeta e profetëve”), botuar në Padovë më 1685. Teksti është dhënë në dy shtylla për çdo faqe, shqip e italisht.
“Çeta e profetëve” është një traktat teologjik-filozofik që trajton, duke shkrirë të dhëna nga burime të ndryshme, çështje kryesore të teologjisë dhe një histori biblike të plotë, si dhe probleme të ndërlikuara të skolastikës, të kozmogonisë, të astronomisë, të pedagogjisë etj. Me këtë vepër Bogdani solli në kulturën shqiptare frymën humaniste dhe vlerësoi rolin e dijes e të kulturës në jetën e njeriut.
Nga ana tjetër, me veprën e Bogdanit letërsia dhe gjuha letrare shqipe hodhën një hap të madh përpara, sepse ajo është e para vepër origjinale e prozës shqipe dhe jo një përkthim a përshtatje, si veprat para saj. Kjo vepër mund të quhet laboratori më i madh i përpunimit të vetëdijshëm e mjeshtëror të shqipes mesjetare. Për ta bërë shqipen të aftë të shprehte koncepte të vështira teologjike e filozofike, Bogdanit iu desh punë e madhe për të njohur e shfrytëzuar mjetet e lashta të gjuhës shqipe, arsenalin e saj bashkëkohor, visarin e pasur leksikor dhe mundësitë e vlerat potenciale që ruante gjuha popullore. Si rezultat i kësaj përpjekjeje krijuese, në penën e Bogdanit shqipja ka fituar vlera të reja stili. Kjo e bën veprën e Bogdanit të jetë përpjekja e parë dhe e mirëfilltë për diferencimin e stileve funksionale në shqipen letrare.
Me idetë e saj iluministe, me frymën humaniste dhe me gjuhën e saj të pastër e të përpunuar, ajo qëndron më afër Rilindjes dhe njerëzve të saj, të cilët e çmuan dhe u mbështetën në shembullin dhe në traditën që ajo krijoi.
*
* *
Në ngulimet e arbëreshëve të Italisë tradita e shkrimit shqip nis me katekizmën e priftit Lekë Matrënga (1569-1619) “E mbsuame e krështerë” (1592). Ky libër, i dyti monument i shqipes së shkruar, pas “Mesharit” të Gj. Buzukut, është përkthim i një katekizme, i shkruar me alfabetin latin, me rëndësi edhe për të ndjekur zhvillimin historik të të folmeve arbëreshe në Kalabri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama