Regjistroni domainin tuaj .al

Mambooo... shqiptare

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite më parë

Mambooo... shqiptare
Mambooo... shqiptare

Samba”, “cha-cha”, “salsa”, “mambo”, “merenge”, “flamenco”, “rumba”, por edhe “tango”, “vals vjenez” apo deri edhe “quick-step”.... Më në fund edhe në Tiranë mund të mësosh teknikat e stileve të ndryshme të kërcimit pa dashur të bëhesh një profesionist, por duke e përkthyer ritmin në lëvizje standarde. Të joshur janë jo vetëm të rinjtë, por sidomos moshat e mesme. Duket se inspirimi vjen nga suksesi botëror i filmit hollivudian “Shall ëe dance” me aktorët Richard Gere dhe Jeniffer Lopez. Por mambot dhe salsat janë bërë tashmë edhe shqiptare, pasi afisheve të shumta nëpër pemët e ish-Bllokut për kurse dansi sportiv u përgjigjen gjithnjë e më tepër të interesuar sipas instruktorit të dansit sportiv, Ledio Leka, që prej pak kohësh ka hapur një “shtëpi kërcimi”.

Shall we dance?
Megjithatë nuk është e thënë aspak ta thash tangon, të jesh kampion i rock-ut akrobatik apo virtuoz në salsa (stile këto që propozohen në mbrëmjet tematike të kurseve të dancit edhe në Tiranë). Gjithçka nis me një orë mësimi hapash bazë dhe kjo mund të jetë edhe një mundësi e mirë për të gjetur një partner... Një partner vallëzimi, së paku. “Shall ëe dance?” (A mund të kërcejmë?) Megjithatë ky nuk është qëllimi i hapur i atyre që zgjedhin të ndjekin kurse dansi, ashtu si nuk është as i atyre që tërhiqen nga palestrat apo aerobia. Pas fitness-it, duket se tendencë e re në Tiranë kanë filluar të jenë kurset e kërcimit sportiv. Megjithëse më të tërhequrit nga kurse të tilla kërcimi mbeten të rinjtë, Ledio Leka, instruktor i njohur i dansit sportiv që ka punuar në shumë palestra të tilla në Tiranë, tregon se po vihet re një dëshirë e re nga moshat e mesme për të kërcyer. Megjithëse nuk është masivizuar ende si sport në Shqipëri, Ledio tregon se një lloj prezantimi është bërë tashmë, pavarësisht se flitet vetëm për fillimet e një tendence muzikore dhe sportive për të cilën ka ende shumë mungesë informacioni. Vendet ku mund të praktikosh kërcim sportiv në Tiranë duket se nuk mungojnë megjithatë, edhe pse janë frekuentuar më së shumti nga fëmijët në përpjekjen për t’u bërë ndoshta edhe balerinë apo profesionistë të dansit sportiv në të ardhmen. “Gjë e re është frekuentimi nga të rinjtë dhe moshat e mesme, që vijnë më shumë për qejf dhe për t’i dhënë më shumë ritëm ditës së tyre. Madje për moshat e mesme është një ringjallje e vërtetë dhe ka gjithnjë e më shumë çifte që vijnë për të mësuar hapat e dansit sportiv. Janë dancatorët e mi të preferuar, sepse e marrin shumë seriozisht dhe me shumë dëshirë”, - tregon Ledio.

Grup kërcimi ose klub social
Pak nga ambjentet ku zhvillohen këto lloj kursesh janë përshtatur ekskluzivisht për ushtrimin e këtij lloj sporti-muzikor, ndërsa Ledio tregon se për këtë arsye është larguar nga palestra ku jepte mësime kërcimi dhe aerobie, për të krijuar një studio të vërtetë kërcimi ashtu siç e kishte ëndërruar gjithnjë. “Por ideja ime shkon akoma më tej dhe dua të krijoj një klub social me anëtarët e “dance-studios” dhe të mos mungojnë as të famshmet “Latin Fridays” ose të premtet latine”. Ndoshta do të duhet pak derisa gjimnazistët të mësohen me idenë që mund të kërcesh edhe në ambiente të tjera përveç pub-eve apo diskove dhe se ajo që ka më shumë rëndësi është “lidhja sociale”, por ndoshta ata më të rriturit do ta kenë më të lehtë të bëhen pjesë e klubit social, siç e quan Ledio planin e tij risi.
“Në fakt kjo është edhe një zgjedhje praktike, sepse kërcime të tilla si tango apo llojet e ndryshme të kërcimeve të “BallRoom-it” nuk mund të praktikohen në ambiente të vogla si pubet. Po edhe unë mendoj që ndoshta do të jenë moshat pak më të rritura që do tërhiqen pas kësaj ideje”, - thotë Ledio duke shtuar se është disi kritik ndaj mënyrës se si kërcehet në pub-et shqiptare. “Vihet re një mënyrë false e të kërcyerit dhe sidomos nga të rinjtë. Sado të kërkuara mund të jenë lëvizjet e tyre, shpesh herë duket sikur nuk e ndiejnë muzikën dhe kërcejnë më shumë për t’u dukur. Nuk shoh ndonjë gjë origjinale në të kërcyerit nëpër pub-e dhe të paktë janë ata që dallojnë mënyrat e ndryshme të kërcimit për rryma te ndryshme muzikore. Në përgjithësi i kërcejnë të gjitha njëlloj si “bally-dance” ashtu edhe “hip-hopin” apo “ritmet latine”, - shprehet instruktori i “La Corrida Latina”.
Ndërsa janë shumë masive në Evropën Perëndimore, por edhe në vendet e rajonit dhe sidomos në Greqi e Itali, sallat e dansit sportiv mbeten megjithatë pak të frekuentuara në Shqipëri ku megjithatë ka shumë dëshirë për të kërcyer. “Më tepër pëlqehen sambat, ndoshta edhe pse kapen më lehtë dhe janë më komerciale, por edhe mambot janë tërheqëse. Kërcimi më i bukur por dhe më i vështiri mbetet “quick-stepi” ose hapat e shpejtë, ndërsa edhe tango apo llojet e kërcimeve të kategorisë së “BallRoom” ose vallëzimeve të sallonit, megjithëse shumë të bukura, konsiderohen të vëshrira. Bëhet fjalë për valsin anglez, valsin vjenez, tangon, foksin e ngadaltë apo dhe “quick-step””, - shprehet instruktori i dancit që ka fituar disa çmime të para në kompeticionet ndërkombëtare, por që duket kritik ndaj Federatës Shqiptare të Dancit Sportiv nga e cila është larguar tashmë. Disa nga llojet e kërcimeve që janë më në modë aktualisht sipas tij edhe në Tiranë janë pikërisht ato të kategorisë së “Caraiban Dance” si për shembull “salsa”, “mambo”, “merenge” dhe “bachata”.

Edhe “Dance-Dating”
Një nga tendencat e fundit që bashkon beqarët në vende të ndryshme është “dance dating” ose kurset e dansit si mënyrë për të takuar njerëz të rinj. Mund të kërcejnë sëbashku rock apo salsa dhe kjo është edhe një mënyrë për t’u afruar me njëri-tjetrin. Me këmbët ngjeshur pas njëri-tjetrit, sytë mbyllur, mjekrën lart, ata mund të vallëzojnë nën ritmet tango të “Astor Piazzolla” dhe kësisoj të njihen me njëri-tjetrin.
Duke e marrë si një lojë, të rinjtë ndërmjet moshave 20-35 vjeç përbëjnë kategorinë e të afeksionuarve pas “dancedating” në Milano, Paris apo Londër. “DanceDating’ është kësisoj një version më romantik i “speed dating” që janë takimet e shpejta dhe të cilin shumë persona pasi e kanë provuar, janë zhgënjyer për shkak të kronometrimit të dialogjeve, përsëritjes dhe përballjes me një seri të panjohurish njëri pas tjetrit që të bombardojnë me sukseset dhe dështimet e tyre, thjeshtë për t’u dukur tërheqës dhe këto lloj takimesh shpesh janë konsideruar si panaire kafshërore. Ndryshe nga ‘speed dating’, ambientet e “dance dating’ janë festive, natyrale dhe të mundësojnë kontakt të respektueshëm me të tjerët nëpërmjet kërcimit.

Të zgjosh energjinë
Një disiplinë e cila përfshihet tek sportet, dansi sportiv është një stil kërcimi që përfshin disa zhanre dhe që aplikohet me lëvizje shumë të prera duke kërkuar edhe shumë energji. Por nuk konsiderohet i vështirë dhe vitet e fundit është masivizuar shumë në të gjithë botën. Shpesh për këtë ka ndihmuar edhe kinemaja dhe një nga filmat më frymëzues për përhapjen e kësaj tendence është bërë “Shall we dance” me aktorët Richard Gere dhe Jennifer Lopez. Përfshin kategori të tilla kërcimi si ato të sallonit, latino-amerikanet, dansin e Karaibeve por së fundmi në kurset komerciale aplikohen edhe “hip-hopi” dhe “belly-dance”.


Ledio, gjimnasti që u bë dancator
Ledio Leka është një nga instruktorët e paktë të dancit sportiv në Tiranë. Ai ka marrë pjesë në kompeticione të shumta të dansit sportiv ku ka fituar edhe disa vende të para. Ndërsa përgatitet për një kompeticion këtë verë në Itali, tregon se megjithatë për momentin është pa partnere dhe do t’i duhet të vihet në kërkim për garën e ardhshme. Megjithëse vetëm 21 vjeç ai tregon se merret me këtë lloj sporti që kur ishte në klasë të shtatë kur e ka nisur si një hobi dhe madje rrëfen se e tërhiqnin fillimisht më tepër femrat, por shumë e shpejt e pa veten pjesë të kompeticioneve të Federatës së Gjimnastikës fillimisht, ndërsa më vonë edhe të Federatës së Dancit Sportiv që u krijua vetëm në vitet 2000. Kritik ndaj mënyrës së si menaxhohen talentet në këtë fushë nga kjo federatë, Ledio tregon se të rinjtë nuk gjejnë shumë mbështetje prej saj. Përveç Ledios, edhe vëllai i tij më i vogël, Enkeli që është vetëm 16 vjeç është një dancator profesionist dhe është shpallur edhe kampion i Mesdheut në dans sportiv.

Belina Budini  :  Revista Mapo

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi