Klima e biznesit Gjermania sjell nje pakete me 20 pika per Shqiperine

Klima e biznesit, Gjermania sjell nje pakete me 20 pika per Shqiperine

Investitorët gjermanë i prezantuan përfaqësuesve të qeverisë shqiptare një paketë prej 20 pikash e cila synon përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Nën moton "20 hapa për Shqipërinë" investitorët gjermanë kërkojnë para së gjithash një legjislacion të besueshëm dhe një administratë publike profesionale.

 

Të pranishëm në këtë takim, ishim ambasadori i Gjermanisë, Hellmut Hoffmann, zv/kryeministri, Niko Peleshi, ministri Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ai i Energjitikës, Damian Gjiknuri si dhe ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

 

Dhoma Gjermane në paketën e propozimeve sugjeron: Zbatim të përpiktë të ligjeve dhe vendimeve të gjyqësorit, zgjidhje të çështjes së pronësisë, konkurrencë të ndershme në tendera dhe licencime, ndërsa vlerëson si urgjente drejtësinë tatimore në mënyrë që të gjithë bizneset të paguajnë taksa dhe të mos ketë më gjoba të padrejta.

 

Gjatë fjalës së tij përpara sipërmarrëseve dhe ministrave shqiptarë, ambasadori gjerman Hoffmann tha se, pavarësisht ndryshimeve që tashmë janë bërë me paketën e re fiskale, sfida e qeverisë është që të justifikojë këtë vendimmarrje e cila u shoqërua edhe me rritjen e disa taksave.

 

“Reformat ekonomike që janë marrë kohët e fundit dhe sidomos ato për taksat janë shumë të rëndësishme edhe në lëvizjen drejt BE-së. Megjithse reformat ekonomike nuk përmenden në mënyrë specifike në dokumentet e BE-së, ato janë thelbësore për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Ne jemi dakord që duam ta kthejmë vitin 2014 në një vit të rritjes ekonomike dhe sidomos të investimeve të vjetra dhe të reja të huaja.

 

Janë këto investime që do të ndihmojnë që Shqipërisë t'i jepet vendi që meriton. Sa më efikas të jetë procesi i realizimit të reformave, aq më e lehtë do të jetë që të shtohen investimet. Kur të shikoni paketën tonë të 20 pikave, do të shikoni se ato kanë përputhje me ato që ka kërkuar të realizojë edhe qeveria juaj”, deklaroi ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann, gjatë takimit.

 

Ndërsa për zv/kryeministrin Niko Peleshi, Shqipëria nuk e ka komoditetin për zhvillimin e projekteve afatshkurtëra. “Nuk e kemi më komoditetin që të zhvillohemi ekonomikisht me projekte afatshkurtra”. “Nuk mund të mbështetemi më as te remitancat që na vijnë prej emigrantëve tanë, edhe për shkak të krizës ekonomike që ka zënë fqinjët tanë. Kemi vetëm pak asete publike për të privatizuar, por mënura më e mirë për një zhvillm të qëndrueshëm është zhvillimi dhe shtimi i biznesit vendas dhe të huaj”, tha zv/kryeministri Niko Peleshi.

 

Për ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj situata ku ndodhet sot Shqipëria është e vështirë. “Ky është një moment i vështirë ekonomik për Shqipërinë. Ju mund të propozoni procedura legjislative, ankesa, reforma dhe gjithçka që ka lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit. Po punojmë fort për të përmirësuar klimën për investitorët e huaj”, ka nënvizur ministri Ahmetaj.

 

Për ministrat e Energjitikës dhe të Transportit, Damian Gjiknuri dhe Edmond Haxhinasto, është duke u punuar që të krijohen kushte sa më të favorshme për investitorët e huaj.

Ministri Gjiknuri tha se, “jemi këtu për të krijuar kushtet e nevojshme që investitorët e huaj dhe sidomos ata gjermanë të kryejnë të gjitha investimet e nevojshme pa pasur vështirësi dhe pengesa. Do të krijojmë aksesin e nevojshëm për të pasur një biznes sa më të lirë”.

 

Ndërsa ministri i Transportit, Edmond Haxhinasti tha se, “kjo është një përpjekje e përbashkët për të krijuar një bashkëpunim me qëllim që të kemi sa më shumë investime nga Gjermania”. “Ministria ime në bashkëpunim me qeverinë ka ndërmend që të krijojë një paketë të posaçme për të përmirësuar disa elemente të klimës së biznesit sidomos për investitorët e huaj”, tha gjatë fjalës së tij, ministri Edmond Haxhinasto. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama