Terrori i 97/ Banda e Gjepalit 5 ekzekutime ne 24 ore Boll vrame per sot!

Terrori i '97/ Banda e Gjepalit, 5 ekzekutime ne 24 ore: Boll vrame per sot!

Astrit Gjepali, i vrarë dje teksa kthehej në burgun e Peqinit ku vuante dënimin me 25 vjet burg, njihej nga drejtësia si tmerri i zonës së Shijakut, deri në vitin 2001, kur është arrestuar nga autoritetet italiane. Ai së bashku me tre persona të tjerë janë dënuar si autorë të pesë vrasjeve të kryera brenda një dite në rrethinat e Shijakut në vitin 1997. Grupi i kryesuar nga Astrit Gjepali ka ekzekutuar edhe një punonjës policie, pasi më parë kishte vrarë katër persona të tjerë për arsye fare banale. Motivi i vrasjes së punonjësit të policisë, Nazmi Rapishti, sipas akt-akuzës së prokurorisë ishte “inati” që Astrit Gjepali kishte me policët.

 

Dosja penale ndaj grupit të Gjepalit tregon se në datat 15 dhe 16 shtator, Astrit Gjepali dhe tre bashkëpunëtorët e tij kanë ekzekutuar pesë persona pa asnjë motiv. Por historia e Gjepalit me drejtësinë nis në vitin 1993 në Zvicër, kur është ekzekutuar shtetasi Ylli  Majaci. Ai është vrarë rreth orës 19:40 të datës 23 mars 1993, në Zyrih të Zvicrës dhe për këtë ngjarje autoritetet zvicerane kanë akuzuar shtetasin shqiptar Astrit Gjepali. Pas largimit nga Zvicra, Gjepali rikthehet në Shijak dhe gjatë trazirave të vitit 1997 ai krijon grupin e tij. Gjepali dhe tre bashkëpunëtorët e tij akuzohen se brenda 24 orëve kanë vrarë pese persona, përfshi edhe punonjësin e policisë. Viktimat e tyre kanë qenë shtetasit Luan Plaku, Kajmak Kullolli, Bilal Neza, Gëzim Beqiri dhe punonjësi i policisë, Nazmi Rapishti. Prokurorët i kanë përshkruar veprimet e të pandehurve dhe veçanërisht ato të Astrit Gjepalit si vrasje me qëllim krijimin e terrorit në zonën përreth Durrësit.

 

“Kryerja e vrasjeve, fillimisht në Durrës e më pas në fshatrat përreth në një kohë të shkurtër dhe pa arsye vërteton se Gjepali ka pasur si synim krijimin e terrorit në rrethin e Durrësit”, – kanë deklaruar prokurorët në procesin gjyqësor ku kërkuan dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Astrit Gjepali. Dëshmitarët gjithashtu e kanë përshkruar bandën e tij si gjakatare. “Nuk do të të vrasim, se boll kemi vrarë sot”, – citohet të ketë thënë dëshmitari i një prej vrasjeve, duke riprodhuar bisedën me Astrit Gjepalin. Sipas akuzës, grupi i Gjepalit vepronte në rrethinat e Durrësit dhe në zonën e Shijakut, ku kryesisht ndalonin personat që udhëtonin në këtë zonë dhe u merrnin automjetet nën kërcënimin e armëve.

 

Sipas akuzës së prokurorisë, më 16 qershor 1997 Astrit Gjepali dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vrarë shtetasin Luan Plaku në Durrës dhe vetëm disa orë më vonë, ai ka qëlluar në kodrën e Rrashbullit dy persona të tjerë në një “fuoristradë”, duke i plagosur rëndë ata. Plaku po udhëtonte me makinë së bashku me një mikun e tij, shtetasin Altin Ç., kur rreth orës 16:00, Astrit Gjepali i ka kërkuar makinën. Kur Luan Plaku nuk e dorëzoi mjetin, ai u qëllua për vdekje. Pasi kanë rrëmbyer disa makina, të akuzuarit kanë shkuar për t’u hedhur karburant dhe kur punonjësi i karburantit u ka kërkuar paratë, ai gjithashtu është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Po atë ditë, shtetasi Astrit Gjepali akuzohet se ka vrarë në një lokal në fshatin Fllohë në Durrës, shtetasin Bilbil Neziri. Rreth orës 23:00 të datës 17 qershor, në vendin e quajtur “Katër rrugët e Shijakut” janë ekzekutuar shtetasit Kajmak Kullolli dhe Gëzim Beqiri. Seria e vrasjeve të asaj dite është mbyllur me ekzekutimin e punonjësit të policisë, Nazmi Rapishti, në kodrën e Rrashbullit. Pas këtyre ngjarjeve, shtetasi Astrit Gjepali është larguar jashtë vendit, ndërsa është arrestuar nga autoritetet italiane në shkurt të vitit 2001 dhe është ekstraduar në Shqipëri. Po atë vit, ai dhe tre bashkëpunëtorët e tij janë dënuar nga Gjykata e Durrësit për akuzën e vrasjes, kryer në bashkëpunim kundër pesë personave.

Anëtarët e grupit

Astrit Gjepali, dënuar me 25 vjet burg

Naim Qerimi, dënuar me 25 vjet burg

Mirush Jareci, dënuar me 20 vjet burg

Bashkim Haxhia, dënuar me 20 vjet burg

1993 Astrit Gjepali dyshohet se ka vrarë Ylli  Majacin në Zyrih të Zvicrës. Ai nuk është gjykuar asnjëherë për këtë krim, për mungesë provash, por autoritetet zvicerane pretenduan se Gjepali ishte autor i këtij krimi

1997 Banda e Astrit Gjepalit u kthye në tmerrin e zonës së Shijakut gjatë trazirave. Sipas hetimeve të prokurorisë, më 15 dhe 16 shtator kjo bandë ka vrarë 5 persona, mes të cilëve edhe një punonjës të policisë për motive banale

2001 Astrit Gjepali, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria, u arrestua nga autoritetet italiane në vitin 2001. Ai u ekstradua vite më vonë në vendin tonë, ku vazhdoi dënimin e tij me 25 vjet burg


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama