Regjistroni domainin tuaj .al

Dokumentari: Gjakmarrja, të falësh përtej indiferentizmit

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Dokumentari: Gjakmarrja, të falësh përtej indiferentizmit
Dokumentari: Gjakmarrja, të falësh përtej indiferentizmit

Gjakmarrja nuk ka asnjë lidhje me Kanunin në "Jetën pezull" të Donika Mustafajt. Të paktën këtë vëren ajo në dokumentarin prej 30 minutash që u shfaq premierë mbrëmjen e djeshme në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Histori dhe drama të njerëzve, të cilat i ka mbledhur me synimin e njeriut që dhimbjen e tjetrit ta formësojë si të sajën. Dhe që nuk i jep rëndësi gjakmarrjes si fenomen, me gjithë çfarë e lind atë por anës njerëzore. Prandaj, kryefjala e rrëfimeve që Mustafaj ka mbledhur mund të thyesohet në një të vetme: falje.

"Nuk jam nisur të trajtoj ç'është gjakmarrja, si erdhi ajo, çfarë e ushqeu për shekuj me radhë te shqiptarët", pohon vetë Mustafaj. "Jam munduar të nënvizoj faktin se përzierja e kodeve të ndera të gjakmarrjes me urrejtjen e hakmarrjes, ka bërë që pasojat e njerëzve që janë viktima të këtij fenomeni, jeta e tyre të rëndohet akoma më shumë", vijon ajo, ndërsa shton se qëllimisht nuk është ndalur te vdekja. "Nuk kam dashur të përcjell te shqiptarët vdekjen, por jam ndalur kryesisht te falja. Kam dashur të përcjell kryesisht faljen, pajtimin për të cilat mendoj se shqiptarët kanë shumë nevojë. Dhe njëkohësisht e kam parë faljen jo vetëm si një akt moral të dëshirueshëm nga të gjithë ne, por e kam parë në atë se si falja duhet të jepet nga viktimat, nga njerëzit që janë në hasmëri me njëri-tjetrin. Por pa zëvendësuar veprimin e ligjit", thekson Mustafaj.

Gjakmarrja, si "fenomen shqiptar"

E fokusuar në zonën e Shkodrës, ajo prek fytyrën e gjakmarrjes përmes vizitave në Orosh, Dukagjin, në Bushat apo edhe në Poliçan. Megjithatë, nuk nxitohet ta quajë gjakmarrjen si një "fenomen verior". Ashtu siç rëndom jemi mësuar ta shohim, apo ta flasim.

"Unë kam shkuar në këtë zonë se m'u krijuan lehtësira që të arrij për t'i intervistuar këta njerëz. Sepse ishte shumë e vështirë, pasi ata nuk shpreheshin para kamerave, kishin frikë. Por ky fenomen duke u nisur nga faktet e sotme që të gjithë po i shikojmë dhe po i dëgjojmë, nuk mendoj se është një fenomen verior por i gjithë Shqipërisë", shpjegon ajo. "Vrasjet e sotme nuk kanë asnjë lidhje me Kanunin. Nuk u futa në investigime të tilla, por dua të them se që të gjithë njerëzit që kanë mundësi të bëjnë diçka, duhet të bëjnë diçka dhe të zhdukin këtë fenomen arkaik, mesjetar. Ne po ndërtojmë një shoqëri moderne dhe ky është pengesë e madhe. Nuk mund të ecet kështu përpara", vëren Mustafaj, e bindur se shumica e njerëzve janë të paditur ose indiferentë karshi gjakmarrjes. E ç'është më e keqja, më e pamjaftueshme akoma në këtë drejtim, për të është puna e shtetit. "Shoqëria jonë është një shoqëri indiferente dhe ligji nuk zbatohet në të gjithë forcën e tij, gjë që ka bërë që drama e këtyre viktimave të jetë akoma më e thellë".

Përballë ligjit "anonimat"

Edhe në dokumentar Mustafaj thekson se ligji duhet të jetë i fuqishëm, i pathyeshëm dhe t'i rezistojë gjithë korrupsionit dhe ndërhyrjeve të tjera. Duke trajtuar rrethet familjare si të vrasësve, ashtu edhe të viktimave, përpiqet të nënvizojë me forcë që të dyja palët i ndjek pothuajse i njëjti fat: janë të izoluar, të varfër dhe të neglizhuar nga shoqëria. Ndërsa jo pa qëllim, qendër të filmit të vet bën fëmijët. "Mendoj që peshën më të madhe të pasojave të gjakmarrjes sot e kanë fëmijët. Jeta e tyre sipas meje, dhe siç kam dashur ta jap në dokumentar është e reduktuar thjesht në shpresën e tyre të vetme që kanë për të dalë jashtë të lirë, pa nder pas qafe çmimin e një vdekjeje të pamerituar", shprehet Mustafaj. Gjë që në film e jep pa rënë në sentimentalizëm, por duke dhënë thjesht dhe vërtetësish dramën njerëzore të kësaj grupmoshe. Njëkohësisht ngul këmbë të pikturojë "fytyrën" e një pjese të nënave që po i rrisin fëmijët e tyre me ndjenjën e hakmarrjes. "Kur dëgjova nënën që thotë: 'në qoftë se së shpejti nuk vepron, unë do të fus fëmijët e mi që të vrasin' u shokova", rrëfen Mustafaj, ndërsa rithekson se bashkohet qëllimisht me personazhet e dokumentarit, duke ruajtur "anonimatin" përballë kamerave, pasi ka parasysh rrethanat në të cilat ata ndodheshin. "U pajtova me kërkesën e tyre me të vetmen arsye: nuk doja t'ju bëja keq. Ata më kërkuan të mos i shkoja të vërtetës deri në fund përpara kamerave se jashtë kamerës flisnin. Përderisa nuk isha në gjendje t'ju bëja mirë, të paktën të mos iu bëja keq".

"Jetë pezull" shënon të parin dokumentar të Donika Mustafajt, ndërkohë që ajo sapo ka përfunduar xhirimet të një tjetër dokumentari. Dokumentar që bën fjalë për klarinetën dhe që e trajton atë si një personazh më vete që ka brenda poezinë dhe forcën e shpirtit. Por pohon se ka në duar edhe një dokumentar të tretë të cilin e ka shumë për zemër. Pedagoge e Sociologjisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe të Stomatologjisë, njëkohësisht me përvojë në punën në radio, ky duket se është vetëm fillimi i një pune që do të zgjasë në kohë me dokumentarin. Për këtë falënderon Drejtorinë e Programeve Satelitore në Televizionin Publik Shqiptar që bëri të mundur edhe realizimin e dokumentarit të shfaqur dje me operator Ardian Kamberin, operator zëri Bardhyl Xhanin, montazh të Agim Bulkut dhe producent Ferdinand Sulën.

Blerina Goce : Gazeta Metropol

 

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi