Si do shkaterrohen. Shqiperi-SHBA prane paktit per armet kimike

Si do shkaterrohen. Shqiperi-SHBA, prane paktit per armet kimike

Revista amerikane “Foreign Policy” citon dy diplomatë të OKB për marrëveshjen.

Shqipëria konsiderohet destinacioni më i mundshëm për të eliminuar armët kimike siriane. Edhe pse e pakonfirmuar në mënyrë zyrtare, diplomatë të Departamentit Amerikan të Shtetit shprehen në anonimitet se aleatja e besuar e Shteteve të Bashkuara mund të jetë baza më e mundshme për shkatërrimin e arsenalit sirian.


Kjo për shkak të historisë së saj të suksesshme të një procesi të tillë me armët kimike vendase, në vitin 2007.


Edhe pse Shqipëria nuk ka asnjë kusht teknik për të marrë përsipër një barrë të tillë, e cila përbën rrezik për ambientin në rast se ndonjë proces nuk funksionon siç duhet, Shtetet e Bashkuara në propozimin e tyre kanë përmendur edhe dërgimin e stafit të duhur të ekspertëve teknikë, si dhe laboratorë të lëvizshëm për të kryer procesin e hidrolizës, që eliminon elementet kimikë toksikë. Sipas agjencisë “Foregn Policy”, dy diplomatë të Këshillit të Sigurimit kanë deklaruar në anonimitet se Shtetet e Bashkuara po i afrohen marrëveshjes me qeverinë shqiptare për të shkatërruar armët kimike të Sirisë me agjentët nevrinë. Sipas tyre, propozimi amerikan, i cili nuk është bërë publik, premton furnizimin me qeverinë shqiptare me laboratorë të lëvizshëm të aftë për shkatërruar gazin sirian nevrinë përmes një procesi të njohur si hidroliza, i cili në thelb e bombardon kimikatin me ujë dhe reagjentë si hidroksid natriumi.

Pa koment

Misioni shqiptar në OKB nuk u është përgjigjur kërkesave për të komentuar mbi këtë çështje. Sipas “Foreign Policy”, as misioni amerikan në OKB nuk ka komentuar, por ia ka deleguar përgjegjësinë Departamentit të Shtetit. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka refuzuar të komentojë mbi një marrëveshje me Shqipërinë, por tha se “Ne inkurajojmë kombet për të na siguruar mbështetje, përfshirë personel, ekspertizë teknike, informacion, pajisje, burime financiare, si dhe asistencë për OPCW dhe misionet e OKB-së… Ne vazhdojmë të diskutojmë me partnerët ndërkombëtarë për mjetet më efektive për eliminimin e programit të armëve kimike siriane”.


Kush mund të përfshihet


SHBA dhe OKB dhe OPCW (organizata për ndalimin e armëve kimike) kanë kërkuar vende ku mund të shkatërrohet materiali toksik i Sirisë dhe Uashingtoni i është afruar Shqipërisë, Belgjikës, Francës dhe Norvegjisë për ndihmë. Rusia, e cila ka një nga fabrikat më të mëdha në botë për shkatërrimin e armëve kimike, tha se Moska mund të marrë pjesë në këtë mision. Por ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, u tha reporterëve se “po shohim mundësi pjesëmarrjeje. Rusia nuk do të bëjë shkatërrimin e armëve kimike, por pjesëmarrja ruse është shumë e mundur”, duke përfshirë trupat ruse në Siri për të mbrojtur inspektorët.


Plani i Asad


Qeveria e Presidentit sirian, Bashar Al Asad, u ka prezantuar mbikëqyrësve të armëve kimike të OKB një plan të detajuar për bartjen e materialeve kimike jashtë vendit me qëllim shkatërrimin e tyre. Sipas planit, të siguruar në mënyrë konfidenciale për “Foreign Policy”, Siria propozon të paktën tetë toga me nga 35 ushtarë secila, për të siguruar rrugën nga Damasku në qytetin port, Latakia, nga ku armët do të transportoheshin jashtë shtetit për shkatërrim. Destinacioni më i mundshëm: Shqipëria. Sipas “Cable”, Siria kërkon dhjetëra miliona dollarë vlerë për pajisjet, duke përfshirë 40 kamionë të blinduar transporti, kamera të avancuara, kompjuterë, radio, 13 gjeneratorë të energjie, pesë vinça ndërtimi, pesë ekskavatorë, materiale paketimi etj.

Urdhri i Kodhelit për uzinën e Mjekësit


Pas publikimit në mediat franceze të lajmit se qeveria amerikane ka kontaktuar Tiranën zyrtare për të eliminuar armët kimike që vijnë nga Siria, në terren duket se kanë nisur edhe përgatitjet e para. Burime të besueshme nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur për një urdhër të ministres Kodheli për të pastruar ambientet e brendshme të Uzinës së Mjekësit. Kjo uzinë pritet të përdoret për eliminimin e këtyre armëve kimike. Urdhri i Kodhelit bën fjalë për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të sipërfaqes prej rreth 80 mijë metrash katrorë, e cila do të përdoret fillimisht për vendosjen e ngarkesës dhe më pas eliminimin e armëve kimike. Mediat e huaja kanë raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur Shqipërinë në vendet që kanë më shumë mundësi të bëjnë shkatërrimin e këtyre armëve. Kjo çështje mund të jetë diskutuar edhe në takimin e fundit që zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Hoyt Yee, zhvilloi në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama.

Arvizu shmang komentet për armët siriane


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, nuk ka preferuar të komentojë debatin e fundit lidhur shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike që do të vijnë nga Siria. Gjatë vizitës në qytetin e Burrelit, ku u takua me kryebashkiaken Adelina Ferriçi, kreu i Diplomacisë së Uashingtonit u pyet nga gazetarët për këtë çështje. “Sot kemi ardhur për bashkinë, jo për këtë”, ishte përgjigjja e ambasadorit amerikan. Pak ditë më parë, revista e përjavshme amerikane “National Journal”, e renditi Shqipërinë mes 8 vendeve të mundshme për shkatërrimin e arsenalit kimik sirian. Sipas Iniciativës për Kërcënimet Bërthamore, Uashingtoni ka kërkuar që aleatët e tij të Europës Perëndimore të marrin në konsideratë shkatërrimin e armëve kimike në vendet e tyre përkatëse. Duke u bazuar në vendimet e ndërmarra me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë javëve të kaluara, Paul Walker, drejtor i sigurisë mjedisore dhe qëndrueshmërisë në organizatën “Green Cross International”, u shpreh se Shqipëria, Belgjika dhe Franca, por duke theksuar këtu Shqipërinë dhe Belgjikën, janë opsionet më të mundshme për ta realizuar shkatërrimin e armëve kimive të Sirisë. Shqipëria thuhet se është më e interesuar të pranojë disa ose të gjithë arsenalin e armëve kimike të Sirisë.

Ambientalistët, protestë para kryeministrisë


Shoqatat ambientaliste do të protestojnë sot para godinës së kryeministrisë dhe parlamentit kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Në një ftesë dërguar të gjithë qytetarëve të Tiranës, ambientalisti i njohur Sazan Guri kërkon pjesëmarrjen e çdo qytetari. “Ditën e enjte, 07 Nëntor, ora 13:00 para Kryeministrisë dhe 13:20 para Kuvendit do të protestojmë për t’i thënë ndal armëve kimike nga Siria. Kujtesë dhe kujdes! Sot është koha, nesër po u zyrtarizua është vonë, pasnesër mos u anko për tumoret në shoqërinë shqiptare”, thuhet në njoftim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama