Kosova tenton te rrembeje Januzajn

Kosova tenton te 'rrembeje' Januzajn

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka ndërmend të ftojë Adnan Januzajn që të luajë për ekipin U-21 apo U-23 të përfaqësueses së Kosovës. 18-vjeçari i lindur në Bruksel ka prejardhje kosovare dhe e ka refuzuar disa herë ftesën që i ka ardhur nga ekipet e të rinjve të Belgjikës.

Mesfushori i ri i Manchester United po kërkohet nga gjashtë përfaqësuese: Anglia, Belgjika, Kosova, Turqia, Kroacia dhe Serbia, por që ende nuk ka vendosur se cilin vend do ta përfaqësojë. Madje, trajneri i Anglisë, Roy Hodgson ka mbetur i impresionuar me paraqitjet e tij me United, duke mos e përjashtuar mundësinë që në të ardhmen ta ftojë tek ‘Tre Luanët’. Por, atij i duhet të luajë pesë vjet në Angli, për ta marrë nënshtetësinë e këtij vendi, transmeton shekulli.

Kosova besohet të jetë opsioni i preferuar i lojtarit, por ekipi i drejtuar nga Albert Bunjaku ende nuk mund të zhvillojë ndeshje miqësore, për shkak se FFK nuk është ende pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s. Sidoqoftë, drejtuesit e futbollit kosovar thonë se talenti i United mund ta përfaqësojë vendin e tij me ekipin e të rinjve.

“Ne do të ishim të nderuar po të na përfaqësonte Adnani, por ne nuk duam t’i bëjmë presion atij”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu për “SportsDirect News”. Ndërkaq, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka konfirmuar se kontakti me familjen e Adnanit tashmë është realizuar. “Ne shpresojmë të bisedojmë edhe me Adnanin direkt, shumë shpejt”, theksoi kreu i futbollit kosovar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama