Apeli i kuqezinjve Jemi ende ne gare!

Apeli i kuqezinjve: Jemi ende ne gare!

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të kërkojë të marrë maksimumin në dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve të Botërorit 2014. Nëse gjashtë pikët nuk do të shërbejnë për të siguruar vendin e dytë në grup dhe pjesëmarrjen në play-off, atëherë do shërbejnë për të siguruar një pozicionim më të mirë për shortin e Euro 2016. Ky është premtimi që bëjnë vetë futbollistët kuqezinj, Mërgim Mavraj dhe Hamdi Salihi për tifozët shqiptarë, të bindur se mund t’ia arrijnë këtyre objektivave ndaj Zvicrës dhe Qipros.

“Ne nuk mendojmë që shanset tona kanë marrë fund. Jemi momentalisht para një ndeshje me Zvicrën, që është një ndeshje me rëndësi shumë të madhe. Obligimi ynë është të tregojmë fytyrën e vërtetë para tifozëve dhe vendit tonë, për të treguar se sa është dëshira jonë për t’u kualifikuar. Çfarë ndodh në fund, nuk di ta them, është futboll dhe rezultatit nuk i dihet. Por të paktën do të hyjmë në fushë për të kontribuar dhe për të treguar dëshirën që kemi të gjithë”, shprehet Mavraj, i kthyer në kombëtare pas mungesës në ndeshjet e shtatorit ku një dëmtim e pengoi të luante ndaj e la jashtë fushave të blerta.

I të njëjtit mendim është edhe Salihi, i cili duke qenë ndër lojtarët me më shumë eksperiencë në ekipin kombëtar, tregon se si janë përjetuar këto eliminatore. “Dua të them se këto kanë qenë ndër eliminatoret më të bukura, kemi pasur përjetimet më të bukura deri tani nga të gjitha ato që kemi kaluar më parë. Them që edhe ndeshjet e fundit duhet t’i mbyllim në të njëjtën mënyrë, me një përjetim më special sesa të tjerat. Nuk ka përfunduar asgjë dhe gjithçka mund të ndodhë përsëri, sepse jemi ende në lojë. Duhet të luftojmë për këto pikë që kanë mbetur, sepse edhe nëse nuk arrijmë në play-off, do të na bëjnë jashtëzakonisht shumë punë për të ardhmen, për eliminatoret e tjera”, deklaroi sulmuesi shkodran.

Shqiptarët e Zvicrës

Pavarësisht interesit të jashtëzakonshëm për këtë ndeshje kundër Zvicrës, të dy futbollistët kuqezi nuk e shohin këtë si një luftë ndaj shqiptarëve që luajnë për ekipin helvet dhe bëjnë thirrje që ata të respektohen maksimalisht nga tifozeria shqiptare. “Unë personalisht kam kontakte me çunat që luajnë në Gjermani, me Xhakën e Shaqirin”, shpjegon Mavraj. “Kemi kontakte por nuk flasim shumë për futboll, nuk flasim çfarë do të ndodhë në Tiranë. Jemi të rinj dhe futbolli nuk është synimi ynë i vetëm. Kjo është thjesht një ndeshje, nuk është asgjë më shumë. Se çfarë bëjnë mediat apo politika për çunat që luajnë për Zvicrën, është tjetër gjë. Por për ne si lojtarë, kjo është vetëm një ndeshje e thjeshtë në të cilën mundohemi të kontribuojmë për kombin tonë, për të marrë pikët maksimale, për të arritur ëndrrën tonë”, deklaroi mbrojtësi.

Ndërsa Salihi mendon se të gjithë duhet t’i respektojnë edhe për faktin se futbollistët shqiptarë të Zvicrës nuk kanë mohuar asnjëherë prejardhjen e tyre. “Kur Shaqiri shënon gol me Bajernin, të gjithë ndihemi krenarë dhe duam t’i tregojmë kujtdo se është shqiptar. Prandaj them t’i presim ashtu siç e meritojnë, sepse edhe ato, atje ku janë, nuk e kanë mohuar asnjëherë që janë shqiptarë”, ishin fjalët e Salihit.

Formacioni kuqezi

Trajneri De Biazi duket se ka vendosur të hedhë në fushë një formacion me një sulmues të vetëm përballë Zvicrës. Dilemat e tij kanë lidhje kryesisht me repartin e mesfushës, pasi mbrojtja është e blinduar me Lilën, Canën, Mavrajn dhe Agollin. Në mesfushë, Basha, Bulku, Rama dhe Kaçe përbëjnë katërshen e “paprekshme” në skemën e trajnerit. Dilema ka lidhje me krahun e djathtë të mesfushës, ku Roshi do të jetë në balotazh deri në minutën e fundit me Gashin. Ndërkohë, nuk ka dyshime që sulmuesi i vetëm që do të aktivizohet në këtë sfidë është Hamdi Salihi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama