Kuvend Rama prezanton programin opozita braktis sallen Berisha Retorike banale

Kuvend, Rama prezanton programin, opozita braktis sallen, Berisha: Retorike banale

Seanca plenare e mbajtur pasditen e sotme i është kushtuar tërësisht shpalosjes së programit të ri qeverisës për periudhën 2013-2017 të koalicionit  ”Aleanca për Shqipërinë Europiane”, i cili u prezantua nga kryeministri i ri i vendit, Edi Rama.

Rama e nisi fjalën e tij me përkujtimin për përvjetorin e ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 duke theksuar se qeveria e re do të mbështesë qeverinë e SHBA në çdo nismë të luftës kundër terrorizmit në botë.

“Të vrarët e 11 shtatorit 2001 janë edhe të vrarët tanë. Të vrarët e 21 gushtit me armë kimike në Siri janë edhe të vrarët tanë. Luftërat kundër armiqve të errësirës do të jenë edhe luftërat tona.

Sepse ky armik ka dalë nga errësira më e thellë jo për të vrarë e goditur një vend, por për të shkatërruar mbarë botën e mirë dhe ekzistencën tonë. Ne do jemi përkrah çdo fushate ushtarake të SHBA kundër kasapit të Damaskut”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa më tej në fjalën e tij Rama iu referua rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, që sipas tij ishte përgjigjja e popullit për të vulosur ndryshimin dhe për t’u shkëputur përfundimisht  nga e shkuara.

“Njësoj si në marsin e vitit 1992, Shqipëria u bë bllok masiv për të vendosur me votë të lirë një ndryshim të domosdoshëm. Thellësinë e fitores së 23 qershorit nuk e përcaktoi dëshira për të ndërruar vendet e njerëzve apo partitë me njëra- tjetrën në pushtet. Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë, duke nisur nga ndryshimi i modelit të qeverisjes”, tha Rama.

Opozita braktis seancën, Berisha: Rama na shpalli luftë, do i ketë ditët të shkurtra

Ligjërata e Ramës shkaktoi reagimin e menjëhershëm të opozitës, deputetet e të cilët replikuan në distancë me kryeministrin dhe më pas bojkotuan seancën duke u larguar nga salla.

Në një prononcim për mediat pas këtij momenti, deputeti i PD, SAli Berisha u shpreh se me ligjëratën e tij paranojake dhe banale, Rama i shpalli luftë opozitës dhe popullit opozitar.

“Rama i shpalli sot luftë opozitës dhe popullit opozitar dhe këtu në vend të programit ne dëgjojmë një retorikë të ulët, një retorikë banale kundër opozitës, sikur ai të ishte opozitë dhe ne të ishim në qeveri.

Programi është fund e krye një ligjëratë bajate e një OJQ-je familjare, e cila nuk ka asnjë kosto brenda, asnjë buxhet. Të vetmet shifra që do gjeni në program janë 300 mijë vende pune pa asnjë kosto.

I ashtuquajturi program nuk ka as 100- ditësh, as 300-ditësh të cilat avulluan me vapën e gushtit.

Me sharje e fyerje ndaj opozitës aktuale mendon se do mund të kapërcejë premtimet alla- Papandreu, me të cilat mashtroi dhe i mori votën shqiptarëve. Votat u garantuan vetëm me mashtrime publike për shëndetësi falas, legalizime falas, ulje të taksave. Nuk mund të dëgjojmë ligjëratën paranojake, banale të një piktori dështak që sot flet në emër të qeverisë.

Ne erdhëm këtu, por Rama na shpalli luftë. Ajo që mazhoranca bëri ishte e paparë, nuk ndodh dhe në Korenë e Veriut që diskutimi të bëhet pa e marrë materialin dhe pa i dhënë qoftë një ditë të vetme. Nëse vijohet ne këtë mënyrë dëshmohet se etërit janë aty. E dëgjuat krahasimin me vitin ‘92, kjo është hakmarrje. Por në këtë rrugë do i ketë ditët e shkurtra. Demokratët nuk mposhtën, pasi demokratët janë të pathyeshëm”, tha Berisha.

Ndërkohë që në karriget e boshatisura të opozitës qëndruan për të dëgjuar deri në fund fjalimin e kryeministrit,  Dashamir Shehi, deputeti i PDIU-së, Tahir Muhedini dhe Gjovali Kadeli, të cilët vendosën të mos largohen nga salla.

Rama prezanton programin: Luftë varfërisë, informalitetit, militantizmit partiak në institucione

Në vijim të fjalës së tij,që nuk u ndërpre në asnjë moment edhe pas bojkotit të opozitës, Rama shpalosi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, duke u ndalur në të gjithë sektorët kyç ku parashikohen reforma të rëndësishme nga qeveria e re.

Ai theksoi se dy armiqtë kryesorë të shoqërisë dhe ekonomisë së vendit mbeten papunësia dhe varfëria, ndërsa nënvizoi se zotimi i bërë për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës do të bëhet realitet ashtu siç është premtuar.

“Jemi zotuar se do krijojmë 300 mijë vende pune. Do gdhihemi dhe ngrysemi për t’ia dalë, që Shqipëria të jetë jo tunel, por hapësirë mundësish”, tha Rama.

Më tej kryeministri iu referua çështjes së legalizimeve, duke deklaruar se qeveria do të mundësojë legalizimin falas të shtëpive të ndërtuara në zona informale, por jo ndërtimeve pa leje të cilat kanë sfiduar gjithë këto vite shtetin.

“Ne do legalizojmë shtëpi, por jo vila në bregdet dhe ndërtime të paligjshme për biznes. Nëse të varfërve që erdhëm këtu nga humbëtirat e Shqipërisë, nuk do t’u kërkojmë lekë, por vetëm çka është e ligjshme, zengjinëve të së paligjshmes do t’u japim fatura të kripura”, tha Rama.

Ai premtoi se mjeku, mësuesi dhe polici si figura kyçe për rimëkëmbjen e vendit do të marrin vendin që u takon, se nuk do të ketë më mësues që mbledhin nxënësit për fushatë se ashtu ua kërkon kryetari i partisë.

“Nuk do të jenë më ushtarë të partisë. Të gjithë do të zëvendësohen me profesionistë”, tha Rama.

Gjithashtu, Rama ka premtuar një politikë të jashtme të re, duke e vënë theksin tek zbutja e kontesteve me vendet fqinje, si dhe më shumë angazhim për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e kudo që janë.

Në përfundim të fjalimit, Rama u shpreh i sigurt se opozita do ta lexojë me kënaqësi programin, ndërsa premtoi se do t’i dëshmojë me vepra se ç’do të thotë ta mirëqeverisësh vendin.

“Opozitës do t’i tregojmë me vepra se ç’do të thotë ta mirëqeverisësh këtë vend. Shqipëria është Atdheu, kurse Europa e ardhmja jonë. Unë nuk do t’i kërkoj opozitës të na votojë, por do ta falenderoj për kënaqësinë që PD-ja do ta lexojë me kënaqësi të madhe dhe pasion të veçantë programin tonë. Kjo do të na ndihmojë dhe do të na mbajë gjithnjë zgjuar në humnerën e vetëbesimit. Dua të nënvizoj fort se ndryshimi nuk do vijë brenda një nate apo një viti, por puna për rilindjen nuk do reshtë asnjë minutë dhe rilindje do të jetë,” – përfundoi Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama