Estetika brenda rrefimit kutelian

Estetika brenda rrëfimit kutelian

Shumë tregime të tij mbarojnë me vdekjen e natyrshme të heronjve, që "shkojnë me të shumët". Por në to nuk ka pesimizëm, sepse edhe vdekja konceptohet me atë frymë botëkuptimore që bart urtësia popullore. Vdekjen shkrimtari e shikon jo vetëm si përfundim, si mbarim e fund të jetës, por edhe si aspekt të domosdoshmërisë natyrore të vazhdimësisë biologjike, si një moment të pandarë të jetës, e cila përjetohet përmes unitetit të këtij momenti me momentin tjetër, po aq të domosdoshëm, me lindjen, që e ripërtërin jetën. Lindja dhe vdekja janë për shkrimtarin dy momente normale e themelore të jetës. Nuk është e rastit që heronjtë e Kutelit, vdekjen e natyrshme e kërkojnë vetë ose e presin pa frikë, sepse ndjejnë se jetën e kanë ndërtuar vetë, e kanë jetuar, e kanë shijuar, e kanë çmuar dhe kanë vjelur gjithçka që ajo e darovit njeriun, prandaj askush s‘i bën dot bisht asaj dhe gjithsecilit domosdoshmërisht i bie të largohet për të mos iu rënduar dheut. Me këtë botëkuptim ndahet nga jeta Papu Tira, i cili "punoi si rob, këndoi si zog dhe e bëri njerëzinë të qeshë dhe duke bërë mirë, shkoi në të shumët…". Edhe Ago Jakupi, kur e ndjeu vdekjen, tha: "Tani do çlodhem, se jam i lodhur e më vishen sytë. Edhe u shtri në rrogoz, mbi pllashtet e vdekjes, që i kish punuar vetë dora e tij. Edhe pastaj, sa ndizet e shuhet vetëtima, Ago Jakupi mbylli sytë".

Ky lloj konceptimi i aktit sublim ekzistencial të jetës e të vdekjes vjen ngaqë Kuteli di të kapë edhe gëzimin e të jetuarit, por edhe momentet tragjike, vdekjen si humbje, ndërprerje të jetës. Këtë konceptim bartin tregimet: "Xha Brahua i Shkumbanores", "Më kot…", "Gjonomadhë e Gjatollinj", "Rinë-Katerinëza" etj. Jeta e josh njeriun me gjithë të mirat e trupit e të shpirtit. Toka amë paraqitet nga Kuteli e begatë, e bujare, e pasur, e dorëlëshuar, që e mbush dheun me të mirat e saj, me bukë të bardhë e mish të majmë, me fryta sherbet e me blerime të njoma, me verë e raki. Në vargun e ditëve të vitit autori ndalet në ditët e dasmave e të gostive, në ditët e festave popullore e të të korrave, ku shpërthejnë ngazëllimet e jetës, që ë bëjnë njeriun të lumtur, duke përjetuar çdo ditë e çdo çast.

Tipik për këtë kuptim është tregimi "Natë qershori". Subjekti është i thjeshtë, bën fjalë për takimin e një grupi mjeshtërish mërgimtarë me një bashkatdhetarin e tyre të larguar prej kohësh nga vendlindja, e të pushtuar nga nostalgjia e mëmëdheut e të kohëve të shkuara. Por subjekti i thjeshtë ngrihet në art i pasuruar me dialogë të zhdërvjellët, i ngarkuar me urime, shprehje e fjalë të urta popullore, lavdërime, të shara e mallkime, me dolli e me përshëndetje, me atmosferë të gëzuar e të çiltër, të sinqertë gostie. Spikat në këto rrëfime edhe shpresa e ëndrra për një jetë më të mirë, më të bukur, më të begatë. Në konceptimin e jetës nga ky këndvështrim, Kuteli vuri në përdorim pikërisht stilin grotesk, siç e vumë re në përshkrimin e gostive, darkave e drekave, që i hasim në të gjitha tregimet e tij, në dasma, e gostitë, e në festat popullore. Në përfytyrimet e utopisë sociale empirike të vegjëlisë, momenti qendror i saj ka qenë gostia e bollshme, e përshkruar në trajta groteske. Mos vallë ky përfytyrim optimist është fallco, është i stisur e i gënjeshtërt? Në të vërtetë, ai është një anë e pandarë e botëkuptimit të kulturës popullore, që bart me vete edhe një fillesë utopike për të ardhmen. Ajo është utopike, sepse ka mbështetje të kufizuar në kohë. Gëzimi i jetës lidhet vetëm me ca momente të saj, me gostitë e lindjes, martesës, me festat e motmotit, me momentet e korrjeve dhe të argëtimeve popullore. Dhe dihet se në gostitë, në festat popullore e familjare, vegjëlia përfshihej në një "jetë të dytë", manifestim i gëzueshëm i kundërshtimit të skamjes e mjerimit, i lirisë së mendimit, i ëndrrave e shpresave për mirëqenie. Në të tilla raste, momente e situata fitonte të drejtë qytetarie e vërteta e vegjëlisë, zhytej hipokrizia sociale, rrëzoheshin konvencionet e pabarazia sociale, shpërthente gazi e hareja e gëzueshme e të jetuarit. Tipike për këtë frymë janë tregimet "Fshati im e pi rakinë" ose "Lumi i madh".

6. Tipar qenësor i "estetikës kuteliane" është grotesku popullor.

Vetiakësia e stilit të Kutelit u ngjiz në magjen e kulturës gaztore popullore, që e begatoi veprën e tij me thesaret e groteskut, me karakterin ambivalent të të gjithë elementeve të tij, që përcillen nga e qeshura dhe e përqeshura dhe që shprehin lëvizjen e pangurtësuar, fleksibël e difuzore jo vetëm të mendimit e të ndjeshmërisë, por edhe të jetës, të qenies në përgjithësi. Vlera estetike e një vargu tregimesh e sidomos rrëfenjash të Kutelit nuk ka qenë kuptuar, veç të tjerash, edhe ngaqë s‘kanë qenë njohur e pranuar vlerat estetike të veçanta të kulturës gaztore popullore. Rrëfenjat, si: "Fshati im e pi rakinë", "Lumi i madh", "Lugetërit e fshatit tim", "Rinë-Katerinëza", "Kryengritje për lugat", "Papu-Tira", "Babalja", "Rusa-Papusa", "Fije nga jeta e Theofil Kostorit" etj., në rastin më të mirë janë quajtur rrëfime "argëtuese", "zbavitëse", por pa ndonjë përmbajtje të rëndësishme social-estetike. Në të vërtetë, siç e pohuam, ato formojnë një krah me rëndësi e një traditë origjinale në letërsinë tonë kombëtare, krahun e saj grotesk.

Nevoja estetike për realizëm grotesk i lindi M. Kutelit qysh se vuri në qendër të krijimtarisë së tij letrare një botë kalimtare, kur po perëndonte ajo mesjetare dhe kur njeriu se po përfshihej në një jetë tjetër, e cila ende s‘e kishte treguar qartë fytyrën e saj dhe prandaj dukej enigmatike. Në këtë atmosferë sociale, Kuteli vendosi ta përcillte ndarjen nga Mesjeta duke qeshur e duke e përqeshur, me stilin grotesk, siç e patën bërë edhe shkrimtarët e adhuruar prej tij - Rableja dhe Gogoli. Ky stil dallohej për frymën e tij kritike, por edhe gaztore, për përqeshje të ithta, por edhe për humor të gëzueshëm. Duke përdorur një arsenal të pasur mjetesh të kulturës gaztore, të nginjura me ëndrrat e aspiratat social-utopike të popullit, shkrimtari i shndërroi në elemente të ceremonisë së varrimit artistik të asaj bote që i kish ikur koha. Kuteli zgjodhi rrugën e realizmit grotesk për të shprehur atë të vërtetë të jetës, që përkundej në djepin e kulturës popullore gaztore, si botëkuptim e përjetim i vegjëlisë, si të vërtetë artistike jozyrtare, që përleshej me "të vërtetën zyrtare".

E vërteta artistike në letërsi arrihet dhe shprehet me mjete e mënyra të shumta e të ndryshme, sipas veçorive të kohës dhe përmes tyre formohet e ekziston historia e saj. Kuteli na dha një variant të veçantë të kësaj të vërtete me ca histori që të bëjnë të qeshësh e të përqeshësh, me ironi e satirë groteske afirmohet një e vërtetë më e mençur dhe më e thellë, sesa ajo që bartin modelet aristokratike të letërsisë klasike apo neoklasike. Do të mjaftoj të kujtoj tonalitetin grotesk humoristiko-satirik të karakterizimit të shpurës së familjeve të tregtarëve të Korçës, që turren drejt fshatit "të humbur".

Përse i duhet grotesku artit? Ai i duhet për të arritur tek ajo e vërtetë, që nuk mund të kapet e të shprehet me mjetet e format racionale dhe sipas idealit të klasicizmit. Grotesku është një rrugë më "e djallëzuar", "dredharake" për të arritur, kapur e shprehur një thelb të thellë të qenies, të jetës, tek i cili nuk arrijnë të depërtojnë mjetet tradicionale të estetikës së klasicizmit. Grotesku është rruga e aktivizimit të figuracionit befasues, që kombinon në mënyrë konvencionale realen me irracionalen, të zakonshme me të jashtëzakonshmen, normalen me anormalen, të dukshmen me të padukshmen, që kombinon të kundërtat (të bukurën me të shëmtuarën, tragjiken me komiken, të madhërishmen me të ulëtën, seriozen me qesharaken) për të arritur në thellësitë e lëvizjes së jetës e të ligjësorive të qenies. Grotesku dallohet nga një liri e madhe e imagjinatës, e invencionit artistik, të cilat ndihmojnë për të kapur e shprehur karakterin kontradiktor e paradoksal të jetës e të qenies, karakterin e papërfunduar e të ndryshueshëm të saj.

M. Kuteli ka krijuar vepra, të cilat janë groteske në tërësinë e tyre, si: "Gjonomadhë e Gjatollinj", "Lumi i madh", "Fshati im e pi rakinë", "Lugetërit e fshatit tonë" etj. Grotesku janë subjektet e fabulat e tyre, personazhet e ngjarjet. Mirëpo grotesku luan rol të rëndësishëm si element i stilit të mëvetësishëm kutelian, jo vetëm në këto rrëfime, por edhe si tip universal mendimi artistik, që aktivizohet gjerësisht edhe në tregime e novela që s‘kanë subjekt, personazhe ose ngjarje të drejtpërdrejta groteske. Pesha specifike e subjekteve, fabulave, personazheve në tregimet e Kutelit nuk është shumë e rëndësishme, por ato begatohen me përmbajtje poetiko-figurative groteske. Me figuracion poetik grotesk paraqet Kuteli çdo gjë: dukuritë e natyrës dhe portretin fizik të çdo qenieje, edhe të personazheve, të veprimeve, të situatave, ndodhive e sjelljeve, mendimeve e ndjenjave. Në stilin grotesk, në hiperbolizimet groteske të Kutelit duket jo vetëm pasuria e figuracionit grotesk popullor, por edhe forca krijuese imagjinative poetike e artistit mjeshtër, edhe karakterizimit komik satiriko-humoristik. Nënqeshja e përqeshja përcjellin shpesh herë figurat groteske që shprehin një thelb të fshehtë, të padukshëm komik. Në frymën e groteskut popullor Kuteli e përdor groteskun për të paraqitur sidomos pamjen e jashtme fizike të gjërave në trajta të deformuara, të ndryshuara, të shëmtuara, në një plan përqeshës, karikaturizues, satirik. Kjo mënyrë është mbizotëruese në novelën "Vjeshta e Xheladin beut".

Estetika e groteskut popullor lidhet fort me estetikën e së shëmtuarës. Në qendër të objektit vihet e shëmtuara, së cilës i jepen trajta të përçudnuara. Në këtë stil edhe Kuteli me mjeshtëri të lartë e përshkruan Hanëmen, gruan "shterpë" të Xheladin beut, personifikim të qenies pa vazhdimësi biologjike. Shëmtimi i Hanëmes së beut hiperbolizohet aq sa të ngjall neveri. Pra, grotesku, si mjet për të karakterizuar fenomenet negative, kalon nga trajta e tij tmerruese (kur këto dukuri marrin pamje të përbindshme, paraqiten si qenie të përçudnuara, si lugetër, vampirë, kuçedra, katallanë, gjigandë) drejt një humori të lehtë, të paqedertë, të gëzueshëm, që e zbut dhe e shndërron në një katarsis artistik atë frikë e tmerr që përcjellin emocionalisht përjetimin e dukurive të llahtarshme, të tmerrshme.

7. Personazhet e Kutelit s‘kanë mendim e gjykim individual për ngjarjet e hidhura, por reagojnë me formulat e gatshme të kulturës popullore, me sharje fyese, me mallkime ose me lutje. Duke i zgjedhur me shije, e duke ua përshtatur rrethanave e situatave, ato fitojnë një kuptim e vlerë të mirëfilltë botëkuptimore dhe estetike dhe e plotësojnë në një drejtim të rëndësishëm stilin e mëvetësishëm kutelian. Ato nuk duhen vlerësuar si një element ornamental folklorik në krijimet letrare të Kutelit, sepse janë më shumë, janë një mjet që sjell gjykimin, mendimin e lirë popullor, sjell zërin e protestës sociale të vegjëlisë. Jeta ishte e ngarkuar me vështirësi të shumta, me dhembje e mundime, me skamje e vuajtje, që e ndiqnin njeriun nga lindja e deri në varr. Njerëzit bënin grurë e hanin misër. Sëmundjet u vinin kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkreta. Vegjëlia e ndjente veten të pafuqishme ndaj kësaj jete të mjerë, rënkonte dhe mallkonte. Qëndrimi kritik i autorit ndaj këtij realiteti të hidhur shprehet me mënyra të ndryshme, midis të cilave luajnë një rol të rëndësishëm të sharat e mallkimet. Ato luajnë një rol psikologjikisht kompensues dhe nuk e lenë njeriun të bjerë në dëshpërim. Të lindura në kuadër të besëtytnive e riteve fetare, ato fituan një lloj pavarësie në kulturën popullore dhe kanë funksionuar si shprehje të lirisë së mendimit dhe të protestës sociale.

Te "Vjeshta e Xheladin beut", përballë arbitraritetit e fuqisë së pakufizuar të beut, njeriut të thjeshtë, që e pësonte prej tij, s‘i mbetej veçse ta shante, ta mallkonte, të nxirrte dufin, duke lëshuar një varg fjalësh të rënda, siç thotë autori, "nga ato që s‘i ngre kandari". Ja një shembull i një ligjërimi mallkues nga novela "Vjeshta e Xheladin beut": "Po ta bësh edhe këtë punë, s‘të djeg as zjarri i xhehnemit, Xheladin bej. S‘të tret dheu! Ta dish, o pushtanik, po të bësh atë punë do të të hanë mërshën krimbat, do të t‘i qitin sytë galat! Y-y-y, murtajë. Pusht Stambolli! Matuf! Më ke marrë nderin, të marrtë zoti mëndtë! Më ke lënë në turp të rri, më të lëntë perëndia pa sy, të heqshin për peri! Më ke ngrënë jetën, të hëngërt mortja! Ja theve, thefsh arrëzën e qafës! U kalbsh së gjalli, përmbys, siç u kalb yt atë, që e hëngër krimbat!... Me të sharat dhe mallkimet bashkohen edhe llagapet groteske: zorraxhi plak, duvaxhi, derr, domuz, qafir, gomar, rrozgë e nxirë; bushi kokëqoshe, maçok i zi etj.

Ana tjetër e jetës është e gëzueshme. Dhe pikërisht këtë mesazh sillnin ca tregime e rrëfime që, në frymën e kulturës popullore, bartnin kujtime e përfytyrime utopike të një "shekulli të artë", një shekulli bollëku e mirëqenieje materiale, që e ëndërronin brez pas brezi njerëzit e varfër. Jeta e këtij "shekulli të artë" përshkruhet në stil grotesk, gjithë optimizëm utopik, me një bollëk të pafundmë, me gjithë të mirat e trupit e të shpirtit. Urimet, përshëndetjet, lutjet, dollitë janë shprehje e idealit utopik të vegjëlisë, e një morali që ka në qendër të tij mirësinë e dëlirësinë e shpirtit. Ato sjellin një mesazh të gëzueshëm për jetën. Si në çdo rast, në frymën botëkuptimore të kulturës popullore, Kuteli e rrok jetën si univers të kundërtash. "Zia zi, po edhe jeta jetë"- thotë shkrimtari në një rast. Prandaj në tregimet e rrëfenjat e tij ka plot motive gostish, festash e dëfrimesh, që kanë funksione jetësore kompensuese, që shprehin atë bazë natyrore, instinktive, e cila e ruan jetën, e përtërit, e bën të amshuar, të pavdekshme. Të tillë kuptim kanë tregimet "Rusa Papusa", "Fshati im e pi rakinë" etj. Në to autori rrëfen shumë për gëzime e kënaqësira, që e përcjellin jetën e njeriut nga lindja e deri në varr. Ato e zbutin dëshpërimin e hidhërimin nga vrazhdësia e jetës, ato e bëjnë atë tërheqëse e të çmuar; jeta e josh njeriun me gjithë të mirat e trupit e të shpirtit. Toka amë paraqitet nga Kuteli e begatë e bujare, e pasur e dorëlëshuar, që e mbush dheun me të mirat e saj, me bukë të bardhë e mish të majmë, me fruta sherbet e me blerime të njoma, me verë e raki. Në vargun e ditëve të vitit autori ndalet në ditët e dasmave e të gostive, në ditët e festave popullore e të të korrave, ku shpërthejnë ngazëllimet e jetës, që e bëjnë njeriun të lumtur, duke përjetuar çdo ditë e çdo çast.

Tipik për këtë kuptim është tregimi "Natë qershori". Subjekti është i thjeshtë, bën fjalë për takimin e një grupi mjeshtërish mërgimtarë me një bashkatdhetarin e tyre të larguar prej kohësh nga vendlindja e të pushtuar nga nostalgjia e mëmëdheut e të kohëve të shkuara. Por subjekti i thjeshtë ngrihet në art i pasuruar me dialogë të zhdërvjellët, i ngarkuar me urime, shprehje e fjalë të urta popullore, lavdërime, të shara e mallkime, me dolli e me përshëndetje, me atmosferë të gëzuar e të çiltër, të sinqertë gostie. Spikat në këto rrëfime edhe shpresa e ëndrra për një jetë më të mirë, më të bukur, më të begatë, që është utopike për të ardhmen. Ajo është utopike, sepse ka mbështetje të kufizuar në kohë. Gëzimi i jetës lidhet vetëm me ca momente të saj, me gostitë e lindjes, martesës, me festat e motmotit, me momentet e korrjeve dhe të argëtimeve popullore. Dhe dihet se në gostitë, në festat popullore e familjare vegjëlia përfshihej në një "jetë të dytë", manifestim i gëzueshëm i kundërshtimit të skamjes e mjerimit, i lirisë së mendimit, i ëndrrave e shpresave për mirëqenie. Në të tilla raste, momente e situata fitonte të drejtë qytetarie e vërteta e vegjëlisë, zbythej hipokrizia sociale, rrëzoheshin konvencionet e pabarazia sociale, shpërthente gazi e hareja e gëzueshme e të jetuarit. Tipike për këtë frymë janë tregimet "Fshati im e pi rakinë" ose "Lumi i madh".

Pa të sharat, mallkimet, lavdërimet, urimet, përshëndetjet popullore është e pamundur të përfytyrohet dialogu kutelian, që zë një vend të rëndësishëm midis përbërësve të strukturës së tregimeve, rrëfimeve e novelave të Kutelit. T‘u heqësh atyre këtë lëndë dialogjike do të thotë t‘i bësh memece. Ky element është po aq i rëndësishëm, sa ç‘është edhe fillesa narrative, rrëfyese, përshkruese në krijimet letrare të Kutelit. Të rrëfyerit si i tillë, i përvetësuar nga proza folklorike popullore, është një vlerë kaq e rëndësishme në tregimet e Kutelit (krahas dialogut) sa ç‘është melodia, ritmi e harmonia tingëlluese e vargut poetik të Lasgush Poradecit.

8. Pa përdorimin e potencialit estetik të shqipes s‘do të kish pasur "estetikë kuteliane". Dh. Pasko ishte një nga ata krijues, që e dinte fort mirë se letërsia, që të jetë vërtet artistike, para se të bëhet ide estetike ose formë estetike, është gjuhë. Aspekti gjuhësor përbën premisën më të domosdoshme fillestare të letërsisë artistike, e cila në krahasim me llojet e tjera të krijimtarisë artistike, është para së gjithash, art gjuhe. Ky kriter përbën një nga premisat kryesore, që i skarton grafomanët, (që s‘bëjnë dot pa redaktorë e korrektorë letrarë) nga shkrimtarët e vërtetë, mjeshtër të fjalës. Aktivizimi i gjuhës në letërsinë artistike kryhet me funksion estetik, domethënë shërben si lëndë, si mjet material për të ndërtuar një "botë të re estetike", që mishëron në vetvete përvetësimin estetik të realitetit, të jetës. Në zotërimin e potencialit estetik të gjuhës, në spontanitetin e begatinë gjuhësore të shkrimtarit, poetit, qëndron burimi e themeli i parë i talentit dhe gjenisë letrare artistike. Në këtë drejtim Dh. Pasko qe një magjistar i vërtetë i fjalës shqipe. Begatia e "estetikës gjuhësore kuteliane", që shpesh quhet në mënyrë jo fort të goditur "letraritet", përmbledh modele të mrekullueshme stilistike dhe përbën një shkollë të vërtetë të gjuhës letrare shqipe. Po atë punë që bëri Lasgushi, duke shfrytëzuar potencialin, poetikën e brendshme të shqipes, e bëri Kuteli në fushën e prozës letrare shqipe. Është thënë se Dh. Pasko ka përdorur fjalë dialektore, leksik të të folmeve krahinore. Është e vërtetë, por këto nuk e zbehin dhe nuk e ulin aspak vlerën stilistike gjuhësore të krijimtarisë letrare të Kutelit. E theksojmë këtë, sepse në dekadat e fundit, në suazë të përpjekjeve për normativizimin e njësisë së gjuhës kombëtare, janë mbajtur herë pas here edhe qëndrime denigruese e mospërfillëse ndaj vlerës letrare të shkruar në dialekte a të folme krahinore*. Prandaj kemi theksuar prej kohësh se interesimi për të kapur thelbin e stilit të mëvetësishëm të krijimtarisë letrare të M. Kutelit duhet të përcillet me saktësimin e koncepteve të gjuhës standarde kombëtare, gjuhës letrare, gjuhës popullore, gjuhës së folklorit, të dialekteve, nëndialekteve dhe të të folmeve krahinore, të raporteve midis tyre. Ky problem nuk mund të mos përfillet po të marrim në konsideratë krijimtarinë e larmishme të shumë poetëve e shkrimtarëve tanë të shquar. Ne mendojmë se normativizimi nënkupton gjuhën standarde, që dallohet nga gjuha e mirëfilltë letrare (gjuha e krijimtarisë letrare artistike), e cila, sigurisht, ndikohet nga njësia e gjuhës standarde, por ekziston jo vetëm përmes saj, por edhe përmes vlerave gjuhësore ekspresive të dialekteve, nëndialekteve, të folmeve krahinore, madje edhe të gjuhës së përveçme të çdo individualiteti krijues letrar. Këtë të vërtetë duhet ta pranojmë plotësisht edhe për Mitrush Kutelin. Sikur, botimi i veprës letrare të M. Kutelit të shqyrtohej sipas do rregullash standarde dogmatike, gjuha e tij do të sterilizohej, do të humbiste gjithë shkëlqimin, magjinë, origjinalitetin e saj, që është një nga vlerat kryesore estetike të krijimtarisë së tij letrare. Gjuha e veprës së tij letrare është shqipja letrare, e pasuruar me vlera të gjuhës standarde kombëtare, të dialekteve dhe të folmeve, e mbështetur sidomos në gjuhën popullore. Në variant i begatë i gjuhës popullore, që mund të shërbejë për të ushqyer praktikat e letërsisë së kultivuar, është gjuha e folklorit, domethënë e krijimtarisë artistike kolektive, e poezisë dhe e prozës popullore. Në gjuhën e folklorit gjenden ato vlera të poetikës gjuhësore popullore, të cilat mund të integrohen e të pasurojnë edhe letërsinë e kultivuar artistike. Dhe prandaj është pak të pohosh se Kuteli u mbështet në gjuhën e popullit, sepse ai mundi të përthithë dhe të aktivizojë në mënyrë krijuese sidomos potencialin e poetikës të gjuhës popullore, të folklorit. Kjo gjë bëri të mundur që gjuha e tij, edhe pse e ngarkuar me dialektizma, tingëllon, si gjuhë e një stili të madhërishëm e të natyrshëm letrar artistik, të ngjizurt me gjithë vlerat e shqipes.*.. Është për t‘u përmendur se redaksia e botimit të "Veprës letrare" të Kutelit (1990) ka vepruar drejt, duke ruajtur të paprekur stilin gjuhësor origjinal e të spikatur të tij.



* Në kuadër të vitit të Kutelit (Dhimitër Paskos) Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizuan më datën 11 qershor të vitit 2007 një sesion shkencor kushtuar veprës letrare të Kutelit. Ky shkrim është referati i mbajtur nga profesor Alfred Uçi në këtë sesion.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama