Berisha Risite e qeverise Piktori 1 rritet me 30 shpenzimet

Berisha: Risite e qeverise 'Piktori 1' rritet me 30% shpenzimet

Pas një deklarate zyrtare të mbajtur në sallën e konferencave për shtyp në selinë blu nga deputeti demokrat Gerti Bogdani ndaj strukturës së qeverisë së re, ka reaguar edhe kryeministri Sali Berisha në faqen e tij në Facebook. “Fillim i mbarë për të luftuar krizën! Rriten shpenzimet e qeverisë për veten e saj me 30%! Të dashur miq, risitë e para të qeverisë “Piktori 1″ janë: rritet me 30% numri i anëtarëve të kabinetit; rriten me 30% shpenzimet e qeverisë për veten e saj.

 

Kështu mendon ai se luftohet me mirë kriza?!; shkenca për qeverinë “Piktori 1″ nuk ekziston (e gjora mori malin!); kushërira Koleka merr administratën në varësi, për hatër të kushëririt; 1 milion hektarë pyje mbeten jetim. Ndarje torte për orekse të sëmura. Hajde qeveri hajde!”, – shkruan Berisha në Facebook. Ndërsa Gert Bogdani tha: “Edi Rama faktoi sot (dje) se pazari për ndarjen e gjahut të 23 qershorit do të rëndojë dhimbshëm mbi xhepat e shqiptarëve. Pavarësisht prej përpjekjes amatore për të fshehur fryrjen e pashembullt të shpenzimeve, fatura e kripur e këtij projekti anti- institucional, është zullumi i rradhës i koalicionit të mashtrimit për shqiptarët dhe vendin.

 

Ky koalicion vendos rekordin historik si i vetmi sot në botë që po nis punën jo duke shkurtuar, por duke rritur koston financiare të qeverisjes, që ditën e tij të parë”. Sipas Bogdanit, Rama faktoi me strukturën e re edhe shkurtime në administratë. “Kryesocialisti konfirmoi edhe projektin e spastrimit dhe fshesës mbi administratën publike duke dëshmuar mendësinë e zakoneve dhe veseve të vjetra. Edi Rama është i vetmi politikan në Europë, që e nis punën duke projektuar pushime masive të punonjësve të administratës publike dhe zëvendësimin e tyre me militantë të rekrutuar në zyrat e PS-së”, – tha ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama